Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve Xhenier, apel ambasadorëve për pensionet e parakohshme

    445
    Sigal

    12 000 ushtarakë në pension të parakohshëm marrin vetëm 70 euro pension në muaj, si asnjë ushtarak tjetër në botë

      Apel drejtuar Ambasadorëve  që ndodhen në misionin e tyre në Shqipëri, për ti thënë STOP diskriminimit të ushtarakëve:

    Ambasadorit të OSBE/ODIHR-it z.Eugen Vvollfarth

    Ambasadorit të KE z.Ettore Sequi

    Ambasadorit të  SHBA z. Aleksandër Arvizu

    Ambasadorit të Anglisë  z. Nicolas Cannon

    Ambasadorit të  Gjermanisë z.Carola Müller-Holtkemper

    Ambasadorit të  Francës z. Kristinë Moro                                                                                       Ambasadorit të   Italisë z. Massimo Gaiani

    Ambasadorit të Austrisë z. Florian Raunig

    Ambasadorit të Danimarkës z. Karsten Ankjaer Jensen dhe gjithë ambasadorëve të Evropës së Bashkuar të akredituar në Republikën e Shqipërisë si dhe presidentit të EUROMIL-it z.Emanuel Jakobs.

    Ky apel ti bëhet prezent sa më parë Presidentit të Republikës, Parlamentit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian, Këshillit të Evropës dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, pasi ushtarakët shqiptarë janë diskriminuar si rezultat i shkeljeve dhe  moszbatimit të kushtetutës, statusit të ushtarakut, legjislacionit në fuqi e sidomos të vendimeve të gjykatës kushtetuese të Shqipërisë. Ushtarakët shqiptare edhe pas 22 vitesh demokraci janë pa të drejta social-ekonomike, ata  sot që janë anëtarë  të  NATO-s, marrin 70 euro pension  nga140  euro  që  merrnin në muaj para se të anëtarësoheshin në NATO. Ju falënderojmë sinqerisht dhe përzemërsisht për ndihmesën, përkushtimin  dhe  këmbënguljen tuaj që vendi ynë Shqipëria të bëhet shtet i vërtet demokratikë si gjithë shtetet e tjera të Bashkimit Evropian. Ju kërkojmë ndjesë për shqetësimin që  ju sjellim nëpërmjet kërkesës tonë për t’i bërë prezent shqetësimet tona 22- vjeçare si institucioneve të shtetit shqiptarë ashtu edhe atyre Evropiane, për shkeljet e të Drejtave. Të cilat na janë bërë e po na bëhen vazhdimisht e padrejtësisht, ne ushtarakëve shqiptarë prej 22 vitesh, nga të gjitha qeveritë e ardhura në pushtet në Shqipëri, që nga viti 1990. Jemi të detyruar t’ju drejtohemi ju për të vetmen arsye se, me të gjitha qeveritë tona, por  sidomos me qeverinë aktuale të drejtuar nga zoti Sali Berisha, kemi konsumuar gjatë 22 vite demokraci të gjithë rrugët e mundshme që na ka afruar sistemi demokratik. Që nga kërkesat për takime e deri tek ankesat me shkrim të drejtuara gjithë autoriteteve  shtetërore përgjegjëse si, Ministrit të  Mbrojtjes, Financave, Drejtësisë, Institutit të sigurimeve shoqërore dhe  Kryeministrit e Parlamentit e deri tek Presidenti i Republikës si komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Të cilët në asnjë rast nuk kanë denjuar për tu takuar e biseduar me ne, por edhe në asnjë  rast nuk kemi marrë asnjë përgjigje dhe as jemi thirrur për të diskutuar rreth  ankesave dhe vërejtjeve tona  për të gjetur zgjidhjet e zbatimin e tyre sipas kërkesave dhe detyrimeve ligjore. Nga këto qëndrime indiferente prej institucioneve shtetërore, u shtynë Ushtarakët t’u drejtohen gjykatave. Deri më sot ata kanë hapur 2500 procese gjyqësore që po shoqërohen çdo ditë edhe me procese të tjera ndaj institucioneve shtetërore përgjegjëse. Ata kanë ngritur padi ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i cili në mënyrë flagrante shkel ligjet në fuqi për trajtimin financiar të ushtarakëve duke, mos i zbatuar ato, por duke zbatuar  urdhrat politikë. Nga këto shkelje të ligjshmërisë ju është  prekur në maksimum niveli i jetesës 12000 ushtarakëve që janë në pension të parakohshëm të cilët nga 18300 lekë që e kanë pasur pensionin deri në vitin 2011, sot në vitin 2013 ata marinë 11400 lekë, pra nën nivelin e pensionit minimale në shkallë vendi, që  është sot 13800 lek. Ushtarakët në pension të parakohshëm sot, në vitin 2013  marrin  pensionin e 12 viteve më parë pra, atë të vitit 1999.  Pra atyre ju është  ulur padrejtësisht, në kundërshtim me ligjet në fuqi rreth 7000 lek të reja e barabartë me 50% të  shumës së pensionit që merrnin deri në vitin 2011. Por më absurdja është se i kanë  kthyer edhe në debitorë  deri në 200000 lek të reja , të cilat ju mbahen nga pensioni me pretekstin e rremë se gjoja ushtarakët kanë marrë pension më të lartë se sa ja lejonte ligji. Por e vërteta qëndron krejt ndryshe pasi shuma prej 18300 lekësh e përfituar nga ushtarakët në pension të parakohshëm është një shumë e përfituar prej 13 vitesh nga vendimet e qeverive të dhëna për ngritjen e pensioneve nga 4-10% çdo vit, si shkak i ngritjes së çmimeve dhe masës vjetore të inflacionit. Nga kjo skemë kanë përfituar edhe ushtarakët në pension të parakohshëm, të cilët  kur u miratua ligji Nr.8521 dt 30/7/1999 i sigurimeve shoqërore e kishin pension  8800 lekë, i cili nga   vendimet e përvitshme të qeverive të rritjes së pensioneve dhe rogave nga 4-10 % arriti në vitin 2012 në shumën e18300. lekëve Në vitin 2011 qeveria, por më konkretisht Ministri i Financave urdhëron politikisht Drejtorinë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore jo vetëm ti shkurtoj 7000 lek nga pensioni por ti bëjë 12000 ushtarak padrejtësisht edhe debitorë me 150000- 200000 lek që (ju mbahen çdo muaj nga pensioni minimal që ata marrin) duke vënë  në zbatim me urgjencë Antiligjin, e miratuar po me urgjencë të qëllimshme politike nga qeveria. Pra Aktin Normativ Nr.5 të datë 10/11/2010. i cili u miratua qëllimisht për t’ju kundërvënë fill pas 2 muajsh vendimit Nr.33 dt.24/9/2010 të Gjykatës Kushtetuese. Vendim i cili i jepte të drejtë kërkesë padisë së ushtarakëve, të cilët kishin paditur qeverinë për miratimin e ligjit 10142 dt.15/5/2009 ku,  neni 29 i tij  prekte rëndë sigurinë juridike të trajtimit financiar të ushtarakëve. Por institucionet përkatëse në vend që të nxirrnin aktet nënligjore për zbatimin e vendimit Nr.33 të gjykatës Kushtetuese ju kundërvunë atij me Akti Normativ Nr.5 duke u ulur  padrejtësisht pensionin deri në 50% por edhe i bën ata po padrejtësisht debitor që nga 5 Korriku i vitit 2009 kur hyri në  fuqi ligji 10142 duke treguar me këtë rast mospërfilljen e vendimeve të gjyqësorit. Me këtë veprim qeveria dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore treguan edhe njëherë qëndrimin klasor anti-ushtarak e të pastër hakmarrës ndaj ushtarakëve, por edhe bën një shkelje tjetër tejet  të rëndë të ligjeve në fuqi, të hartuar dhe miratuar nga vetë këta pushtetar   Ky fakt përforcohet edhe më shumë akoma nga veprimet e më pasme të Qeverisë.

    Të nderuar Ambasador!

    Trajtimet e qeverive shqiptare larg parimeve, Normave e të Drejtat kombëtare e ndërkombëtare, për ushtarakët në këto 22 vite demokraci i detyruan ata t’ju drejtohen gjyqeve. Deri më sot kanë hapur  2500 gjyqe nga  të cilat  gjykatat ju kanë dhënë të drejtë  rreth 1600 ushtarakëve  ndërsa të tjerat janë në proces. Edhe pse janë fituar gjithë këto gjyqe nga ushtarakët Gjykata e Lartë, akoma nuk po merr vendim unifikues, pasi edhe kjo gjykatë është nën trysninë, frikësimin dhe shërbimin e politikës dhe qeverisë në fuqi. Një presion i tillë i bëhet edhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore i cili është bërë pjesë e makinerisë hakmarrëse të politikës, kundër ushtarakëve. Ai  nuk zbaton ligjet dhe vendimet e gjykatave por urdhrat politik, duke e kthyer këtë institucion në një zyrë të partisë në pushtet. i cili nuk kryen detyrën si Institucion i pavarur  sipas ligjeve në fuqi pra, atë të menaxhimit dhe aplikimit, sipas ligjeve të kontributeve të qytetarëve, por atë të zbatuesit të platformës hakmarrëse të disa pushtetarëve ndaj ushtarakëve por edhe të qytetarëve që nuk janë pjesë e partisë në pushtet.

    Zotërinj të nderuar Ambasador!

    Shoqatat e ushtarakëve shqiptarë i kanë ezauruar të gjitha rrugët e mundshme  demokratike duke ngritur edhe padi deri në gjykatën kushtetuese 3 herë. Ku dy herë kjo gjykatë ju ka dhënë të drejtën ushtarakëve. Por që qeveria aktuale edhe pse kanë kaluar 4 vite, jo vetëm që nuk kanë nxjerr aktet nënligjore  për zbatimin e tyre, por kanë hartuar e miratuar ligje plotësisht në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe me statusin e ushtarakut të Nr.9210 dt 23/3/2004 duke mos përfillur edhe dy vendimet e gjykatës Kushtetuese pra vendimin Nr 9 dt. 26/2/2009 dhe vendimin Nr.33 dt.24/9/2010. Ushtarakët shqiptarë sot janë tejet të indinjuar  me trajtimin dhe qëndrimet e mbajtur ndaj tyre në këto 22 vite demokraci. Ata menduan se me ardhjen e demokracisë ju erdhi dita të trajtoheshin si gjithë ushtarakët në Evropë dhe botë por kjo gjë jo vetëm që nuk ndodhi por ata sot trajtohen shumë më keq se në sistemin socialist. Ata sot janë pothuaj 100% të papunë dhe të flakur rrugëve pasi janë me moshë madhore mbi 55 vjeç dhe  që nuk munden të punojnë por edhe nuk i merr në punë as  private, por as dhe shteti, duke ja vështirësuar jetën padrejtësisht tej mase.

    Zotërinj Ambasador!                                                                                                            Prandaj po ju drejtohemi ju me cilësinë e përfaqësuesve të Institucioneve Evropiane dhe SHBA, të cilat të drejtat e njeriut i kanë të shenjta dhe luftojnë me këmbëngulje që ato të zbatohen në lartësitë e kërkuara nga të gjithë shtetet që kanë përqafuar sistemin e demokracisë, por sidomos nga shtetet që duan të bëhen pjesë e Evropës së Bashkuar, siç është  edhe Shqipëria. Po kështu ju drejtohemi ju duke u nisur nga misioni që keni marrë përsipër dhe mundësitë që ju jep detyra juaj. Do të dëshironim që të  ndërhynit  pranë autoriteteve përkatëse shtetërore shqiptare, për ti bërë prezentë ankesat tona të drejta si dhe për ti kërkuar  drejtuesve kryesorë të këtyre institucioneve. 1-Pezullimin e menjëhershëm të ligjeve dhe vendimeve partiake dhe antiligjore. 2-Aplikimin e zbatimin e menjëhershëm të  të drejtave të ushtarakëve shqiptarë  në  përputhje jo vetëm me Statusin e Ushtarakut të Marsit 2004, Kushtetutën, legjislacionin dhe vendimet e gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, por edhe në përputhje të plotë me legjislacionin e NATO-s dhe sidomos me parimet, normat dhe legjislacionin e Konventave Ndërkombëtare që trajtojnë dhe mbrojnë  të drejtat e qytetarëve dhe  të ushtarakëve Evropianë. Duke përfunduar mbesim me besim të plotë se ankesat tona të drejta do të gjejnë zgjidhje shumë shpejt dhe përfundimisht. Besojmë sinqerisht se ju do ta kryeni detyrën tuaj si gjithmonë në mbrojtje të të drejtave edhe të ushtarakëve shqiptarë pranë autoriteteve të Institucioneve Shtetërore shqiptare dhe atyre Evropiane. Së fundi ju falënderojmë sinqerisht për kontributin tuaj në ndërtimin e shtetit të shqiptarëve si të gjithë shtetet e tjera demokratike në Evropën e Bashkuar.

    Me shumë konsideratë e respekt të veçantë për ju kryesia e shoqatës së ushtarakëve  xheniere të Shqipërisë kryetari: Aleksandër Mihali