Shoqata e ndërtuesve: Heqje licencash për shkelësit e ligjit

    424
    Sigal

    Krerët e shoqatave të ndërtuesve të Shqipërisë dhe Tiranës kanë kërkuar masa drastike për shkelësit e kushteve të lejes për ndërtime, si heqje të licencës. Gjatë diskutimit në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese për projektligjin e planifikimit dhe zhvillimit të territorit, shoqatat e ndërtuesve dhe arkitektëve thanë se sanksionimi me ligj i heqjes së licencës për subjektet që ndërtojnë në kundërshtim me ligjin është mënyra e vetme për të rregulluar industrinë e ndërtimit. Maksi Muça dhe Avenir Kika, kërkuan që në rast të shkeljes së kushteve të lejes për ndërtime, subjektet të sanksionohen me heqjen e licencave, qofshin këta ndërtuesi, arkitektë apo persona të tjerë. “Ne e cilësojmë si të vonuar vendimin për heqjen e licencave, nëse një objekt është me leje dhe bëhet një shtesë jashtë lejes, atëherë detyrimisht kjo shtesë ose bëhet nga një konstruktor edhe nga një arkitekt dhe atëherë i hiqet licenca, sepse jashtë lejes nuk ka pse bën projektin. Edhe në rastet kur zhvilluesi e bën vetë pa projekt atëherë detyrimisht ajo duhet të hiqet, sepse nuk ka asnjë garanci”, tha kryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Maks Muçi. “Ai ndërtues që kalon ashtu siç tha Maksi, volumet e ndërtimeve të tij, automatikisht të shpronësohen nga shteti, ndërsa herën e dytë, t’i hiqet e drejta për gjithë jetën”, tha Kika.

    Standardet në ndërtim

    Në fokus të shqetësimit të kreut të shoqatës së ndërtuesve të Shqipërisë, Maksi Muçi, ishin dhe kushtet dhe normat teknike për ndërtimin. Muçi shprehu shqetësimin mbi këto norma dhe deklaroi se në vend operohet me rregulloret e viteve ‘70.  “Jemi ende me standardet e 1989-s që janë të fundit, stazhin e dikurshëm dhe për t’u përgatitur një stazh i ri shqiptar do të duhet aq shumë kohë sa do të duhet të përshtatet me eurokodet. Standardet dhe normat e ndërtimit duhet të bëhen sipas eurokodeve, kështu që unë them më mirë futemi tek eurokodet që sot”, shpjegoi ndërtuesi Avenir Kika.

    Të zbllokohen lejet e ndërtimit

    Gjithashtu, grupet e interesit shprehën shqetësimin e tyre sa i përket numrit të madh të vendimeve që duhet të shoqërojnë këtë ligj. Ndërkaq, ata kërkuan që afati për miratimin e planit të përgjithshëm kombëtar të afrohet nga 20 në 10 muaj, me qëllim zhbllokimin e lejeve të ndërtimit, të bllokuara prej  5 vitesh.