SHKURSH: Falënderime për nderin ndaj përfaqësuesit tonë

    471
    Sigal

    Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë shpreh mirënjohjen për përcjelljen e fundit të kolonelit Pogaçi

    Bordi Ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë (SHKURSH), në këtë moment të vështirë shpirtëror ka detyrimin moral që të falenderoj të gjithë njerëzit, ushtarakët aktiv, në rezerve e në pension, Drejtorinë e Arsimimit dhe Përkujdesjes Sociale të Ushtarakëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministren e Mbrojtjes Zj. Mimi Kodheli, Drejtorinë e Shëndetësisë në Shtabin e Përgjithshëm të FA dhe Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Brigade Jeronim Baze, personelin e Endes Spitalore Universitare “Nënë Tereza” – repartin e Urgjencës, të cilët gjatë javës së kaluar kur Presidenti i SHKURSH njëkohësisht Zv/President i CIOR – NATO, Kolonel Mehdi Pogaçi , ishte në momentet më të vështira për jetën, dhënë kontributin e tyre për të bërë të pamundurën që të rikthehej në jetë.

    Fuqia njerëzore nuk mundi të dalë mbi ligjet e natyrës. Vdekja e mori shokun, mikun, njeriun tonë dhe Presidentin e SHKURSH.

    Hidhërimi i ndarjes nga jeta të Mehdi Pogaçit obligoi dhe mobilizoi kolegët, dashamirët, miqtë e shokët e sidomos Ministren e Mbrojtjes Zj. Mimi Kodheli, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Brigade Jeronim Baze, për angazhimin e tyre në organizimin dhe zhvillimin dinjitoz të homazheve përcjellëse të Presidentit të SHKURSH Kolonel Mehdi Pogaçi.

    Për sa më sipër edhe njëherë në emër të shoqatës tonë ju shprehim falënderimet më të sinqerta dhe mirënjohjen më të thellë për gjithçka që bëtë për njeriun tonë. Falënderojmë gjithashtu edhe mediat vizive e ato të shkruara, të cilat përcollën këtë humbje.

    Bordi Ekzekutiv i SHKURSH