Shehaj: Qeveria duhet të paguajë rrogat, minimumi 70%; Sa ndikon vendimi i fundit i qeverisë italiane

482
Sigal

Agron Shehaj, sipërmarrësi i call center, thotë se situata e krijuar nga koronavirusi është e vështirë kudo, përfshirë dhe Shqipërinë. Ai shtoi për Monitor se situata mund të zgjasë edhe të paktën për 3 muaj, por tashmë nuk duhet të bëhen më llogaritë me muaj. “Ka ndryshuar bota si e njihnim më përpara. Do të duhen vite për tu kthyer në normalitetin e ri, sepse normaliteti i mëparshëm nuk besoj se kthehet më”. Shehaj kërkon që shteti shqiptar të paguajë të paktën 70% të pagës së punonjësve që kanë mbetur pa punë.

Shehaj tha se vendimi i fundit i qeverisë italiane për kufizimin e aktiviteve ekonomike që lejohen nuk ka shumë  ndryshime nga i mëparshmi. Ai shtoi se aktivitetet e call center që ai është aksioner po vazhdojnë dhe 90% e punonjësve janë në punë përmes smart working, pasi ato merren kryesisht me reklama online, lidhje interneti, energji elektrike. Më problem do jetë për sektorin e fasonit, i cili përveçse nuk punon dot online do të përballet dhe me rënien e kërkesës, pasi askush nuk po ble sot veshje e këpucë.

Më herët në facebook, Shehaj tha se garancia e qeverisë prej 100 mln euro për huatë që bizneset duhet të marrin për të paguar pagat është vështirë të përdoret pasi sipërmarrësit nuk do rrezikojnë të hyjnë në borxh për të paguar punonjësit, ndërkohë që bizneset e tyre janë të mbyllur.

Njësoj, shtoi ai paketa 65 miliardë lekë për bizneset e vogla është e vogël dhe nuk garanton as një përqindje të vogël të pagave mujore të bizneseve te prekura.

“Sot janë mbi 500 mijë të punësuar dhe të vetëpunësaur në sektorin privat. Në bazë të sektorëve ku janë të punësuar, rreth 100 mijë prej tyre kanë mbetur tashmë pa punë. Ka shumë mundësi që ky numër të rritet në ditët e ardhshme të paktën deri në 200 mijë.

Qeveria duhet t’u paguajë të gjithë atyre që kanë dalë nga puna një përqindje të rrogës, për një afat të caktuar kohor. Kjo masë po zbatohet kudo në botë, përfshi Italinë ku sistemi quhet “casa integrazione”.

Sipas INSTAT-it, rroga mesatare në Shqipëri është rreth 350 euro. Nëse shteti do paguante 70% të rrogës (245 euro), kjo masë do i kushtonte qeverisë 24,5 milionë euro për 100 mijë punonjës dhe 49 milionë euro për rrogat e 200 mijë punonjësve çdo muaj.

Nëse nuk merret kjo masë, Shqipëria do ndeshet me një dramë sociale dhe ekonomike.

Prioriteti absolut i qeverisë, krahas ndihmës shëndetësore, duhet të jetë garantimi i të ardhurave minimale për mbijetesë. Shqiptarët duhen ndihmuar të gjithë, menjëherë dhe pa dallime!”, tha Shehaj.