SHBA, KUSHTET PËR UDHËTIM DHE QËNDRIM

    545
    Vizat amerikane, kushtet për udhëtimin dhe qëndrimin
    Ambasada e SHBA bën thirrje për respektimin e ligjit për imigracionin. Çfarë ndodh nëse shtyni vizitat, kufizimet e punësimit dhe 4 kërkesat për shmangien e intervistës
    Ambasada amerikane bëri thirrje që aplikantët nga Shqipëria të respektojnë kërkesat e ligjit për imigracionin, në rast se janë të pajisur me një vizë turistike. “Sigurohuni që të ndiqni kërkesat e vizës tuaj gjatë kohës që jeni në SHBA në mënyrë që të mos rrezikoni mundësinë tuaj për të udhëtuar në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e djeshëm të ambasadës. Gjithashtu, zyra konsullore sqaroi edhe 4 kërkesat për të shmangur intervistën dhe siguruar pajisjen me vizë në rrugë postare. 

    1 – A është akoma shërbimi i dërgimit të pasaportës me DHL pranë konsullatës pasi të bëhet aplikimi online, për personat qe janë pajisur disa herë me vizë?
    Zyra konsullore: “Rinovimi i vizës me postë bëhet nëse: – Viza juaj ka skaduar më pak se një vit nga data e aplikimit, – po aplikoni për të njëjtën kategori vize dhe po nga e njëjta konsullatë, – nuk keni qenë i dënuar më parë, – i përgjigjeni saktë pyetjeve tek llogaria juaj tek https://ais.usvisa-info.com/en-al/niv. Në fund të regjistrimit, kjo faqe ju udhëzon nëse ju kualifikoheni për rinovim vize me postë, apo nëse ju duhet të caktoni një datë interviste. Nëse ju shfaqet kalendari i takimeve, kjo do të thotë që ju duhet të caktoni takimin tuaj për t’u paraqitur personalisht”.

    2 – Unë kam marrë një vizë turistike dhe kisha në plan që të vizitoja SHBA në prill, por për arsye familjare nuk mund të shkoj në këtë kohë. Doja t’ju pyesja se brenda cilës datë nga marrja e vizës turistike duhet ta vizitoj Amerikën? Brenda 6 muajsh nga dita e marrjes së vizës?
    Zyra konsullore: “Na vjen mirë që e shtroni këtë pyetje. Ju mund të udhëtoni kur të jetë e përshtatshme për ju. Viza turistike është për qëndrim/vizitë për një kohë të shkurtër në SHBA, zakonisht për aq kohë sa keni deklaruar në intervistë. Viza trevjeçare do të thotë që ju mund të udhëtoni përsëri vitet pasardhëse për të njëjtën periudhë kohe që i keni deklaruar konsullit, apo që keni shënuar në aplikimin për vizë”.

    3 – E kam marrë vizën në nëntor për të ikur për festat e fundvitit, por për arsye familjare nuk ika. Tani dua të shkoj kur të marr pushimet se jam në punë mësuese. Pra nuk ka problem, dmth që duhet shkelur patjetër 6 muajin e parë?
    Zyra konsullore: “Jo, nuk ka problem”.

    4 – Dëshiroj përsëri të udhëtojmë së bashku me gruan për në SHBA. Sipas zakonit tonë, në përgjithësi prindërit kanë dëshirë të kujdesen për fëmijët e lindur nga djali apo vajza (siç është rasti ynë). Pyetja është: A ka ndonjë hapësirë ligji amerikan që të na mundësojë të qëndrojmë në SHBA më shumë se 180 ditë në vit kalendarik?
    Zyra konsullore: “Kini parasysh që viza turistike ka për qëllim një qëndrim për një kohë të shkurtër në SHBA – viza turistike NUK është për të jetuar në SHBA dhe as për të punuar atje. Përndryshe, ju mund të gjendeni i papranueshëm sipas ligjit të imigracionit. Në përgjithësi, ju duhet të qëndroni për aq kohë sa ju keni deklaruar në aplikimin tuaj për vizë. Gjithashtu, brenda një viti nuk mund të qëndroni më shumë se gjashtë muaj në total. Me vizë turistike është e ndaluar të punoni në SHBA. Nëse oficeri i imigracionit ngre dyshime që qëllimi juaj i vizitës nuk është turistik, por për punë, juve mund t’ju revokohet viza. Dhe kini parasysh që keqpërdorimi i vizës ndikon edhe tek bashkëkombësit tuaj”. 

    5 – Kur nis dokumentacion për në SHBA për bashkim familjar të prindërve, certifikata, përveç vulës së prefekturës, duan edhe të Ministrisë së Jashtme?
    Zyra konsullore: “Jo, nuk është e kërkuar, pasi çështja më pas do të vijë në Seksionin Konsullor në Tiranë”.

    6 – Kam që në datë 19 dhjetor 2017 që më ka ardhur njoftimi nga NVC që jam në radhë pritjeje për intervistë dhe koha e zgjatjes ishte 3 muaj pritje! Ka kaluar ai afat që nga njoftimi! Sa kohë mund të zgjasë kjo radhë pritje?! Ju theksoj që dokumentet i kam mbyllur në korrik të vitit 2016 dhe të gjitha dokumentet i kam mbyllur në kohë dhe kam marr konfirmim nga NVC që janë të sakta.

    Zyra konsullore: “Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjet më saktë NVC, por gjithsesi mund të të themi që data e intervistës për të gjitha kategoritë që janë me kohë pritjeje (kategoritë F, apo ato të punës E) kanë kufizimin se kur u vjen radha për shqyrtim sipas buletinit të vizave, i cili përditësohet çdo muaj. Qendra Kombëtare e Vizave (NVC) fillon procedurën e mbledhjes së dokumentacionit të nevojshëm disa muaj përpara se çështja juaj të jetë aktuale, në mënyrë që ju të mos humbisni kohë me këtë procedurë dhe çështja juaj të jetë gati sapo ajo të jetë aktuale. Unë mendoj që sapo çështja juaj të jetë aktuale sipas buletinit të vizave, NVC do t’jua caktojë takimin. Kjo edhe sepse ne si Seksion Konsullor i kemi dërguar NVC-se kuota të mjaftueshme për caktime takimesh. Buletini i vizave ndryshon çdo muaj dhe e gjeni këtu: https://travel.state.gov/…/en/law-and-policy/bulletin.html. Shikoni datën në kolonën “All Chargeability Areas Except Those Listed” për kategorinë e vizës suaj. Të gjitha peticionet e dorëzuara përpara asaj date janë aktuale për t’u shqyrtuar. Mbi përgatitjen për intervistë: https://travel.state.gov/…/iv-dv…/TIA_Tirana.pdf”

    7 – Nëse ke një pasaportë të një vendi të BE-së, a mund të punojmë në SHBA? Nëse jo, çfarë dokumentesh duhen që të aplikojmë për vizë pune?
    Zyra Konsullore: “Nuk ka të bëjë se çfarë pasaporte ti ke; kërkesat për vizë pune janë të njëjta, si për një shtetas shqiptar, ashtu edhe për një shtetas të Bashkimit Evropian. Ekzistojnë disa marrëveshje për Kanadanë dhe disa vende të tjera, por edhe ato kanë kushtet e tyre. Vizat e punës janë të specifikuara: ju duhet të jeni i kualifikuar për punën; punëdhënësi t’ju bëjë peticion pune me USCIS dhe vetëm pasi peticioni është miratuar ai vjen tek ne për shqyrtimin e vizës. Pra, niseni procesin me punëdhënësin në SHBA. Lexoni këtu: https://al.usembassy.gov/…/non…/punonjesit-e-perkohshem/ dhe këtu: https://al.usembassy.gov/…/employment-based…/”.
    Sigal