Sevo TARIFA/Kur gjuha del para mendjes …

    777
    Sigal

    “Mos e lejo gjuhën të dalë  para mendimit”

    Hiloni

        Në gojën e disa deputetëve në Kuvend, në fjalorin e drejtuesve të tjerë, dëgjon fjalë që u shkojnë  vetëm rrugaçve. Cilët janë këta? Nuk dua ta fëlliq këtë shkrim, duke përmendur emra dhe fjalët e pista të tyre, ofendime, fyerje e sharje, shprehje jomorale, fjalë prej injorantësh. Thelbi i këtij shkrimi është kush duhet të jetë i pari: mendimi apo gjuha dhe pse, cilat janë shkaqet?

    “Fjalën peshoje. pastaj lëshoje”

    Dihet që organ i mendimit është truri, ndërsa gjuha ështe mjet i komunikimit midis njerëzve. Po t’i shohim këto dy organe në veprim tek politikanët tanë e në kuadro të tjerë drejtues, është lehtë që këta të ndahen në dy grupe, siç shpjegonte L Tolstoi: “Disa mendojnë përpara dhe pastaj flasin e veprojnë, kurse të tjerët flasin e veprojnë përpara e pastaj mendojnë”.  Të dyja këto pamje duken qartë në fjalime e diskutime të deputetëve, në komisione e në seanca plenare të Kuvendit. Ka prej tyre që i lejojnë vetes të dalë gjuha para mendjes. Dhe rrokullisin fjalë pa kontroll, pa përgjegjësi…Në raste të tilla dëmin e gjuhës e paguan koka. Kur gjuha livadhis si të dojë e fjala shket si ngjalë, mendja ka mbetur pas dhe kjo mban përgjegjësinë kryesore. Është keq kur gjuha del para mendjes. “Të flasësh pa menduar, është si të zbrazësh pushkën pa e vënë në shenjë”. (S. Frashëri). Ndaj vendi i parë i përket kurdoherë mendimit, pastaj gjuhës me të cilin shprehet mendimi.

          Jo vetëm, por edhe barazim mdis mendimit e gjuhës nuk duhet të ketë. Kush i barazon këto, nuk ka kulturën e duhur, Pa mendim s’ka fjalë. Gjuha nuk duhet të rrotullohet nga të dojë e si të dojë, pa komandën e trurit. Këtë na i jep në mënyrë figurative Sami Frashëri: “Fjalët janë figura të mendimit. T’i japësh fjalëve më shumë rëndësi sesa të menduarit, është njëlloj si të braktisësh të dashurën dhe të dashurosh figurën e saj”.

         Pikërisht se nuk vlerësohen kështu mendimi dhe gjuha, ky ose ai politikan apo drejtues, kur flet, shpeshherë nxjerr gjuhën të parën dhe jo mendimin! Dhe fjala fluturon para mendjes. Ajo ikën si zogu, të cilin jep e merr e s’e kap dot. Të gjithë e shohim këtë në Kuvend, ku duket qartë se si ndizen deputetët, si ashpërsohen fjalët, si dëgjohen zëra të acaruar, si vret gjuha, e cila  “kocka s’ka, por kocka thyen”. Shpesh nis diskutimi me fjalën e keqe, e  cila  s’ka rëndësi nëse është në fillim, në mes apo në fund të diskutimit, në vend të fjalës së mirë, që shpreh pohim, Mirëpo “një fjalë e mirë të ngroh edhe në ngricë, kurse një fjalë e keqe të jep të ngjethura edhe në vapë”. (kineze). “Sikur të gjithë ata që flasin, t’i peshojnë fjalët, ari do të ishte shumë i lehtë”. (arabe). “Me të tjerët fol pak, me vetveten më shumë”. (ruse).”Fjala me kandar, kurrë s’bën zarar”. “Mendimi, para se të thuhet, duhet të gatuhet”.

    “Pa nevojë, mos hap gojë”

          Çështja e raportit mendim-gjuhë ka peokupuar  prej kohësh mendimtarë  të mëdhenj të botës, të cilët kanë bërë studime dhe janë shprehur me aforizmat e tyre të thella e të bukura. Duke lexuar prej tyre, në çdo kohë lexuesi sheh aktualitet dhe mund të përfitojë për oratorinë e tij. Le të hyjmë në disa “grimca”, për të treguar shkaqet pse mendimi është i pari dhe gjuha është e dyta.

          Pse bërtasin disa njerëz kur flasin? Përgjigjet janë të ndryme: “kështu e ka ai”, “e ka zakon të flasë me zë të lartë”, “ ai ka zë koke”, “flet me zë të fortë se vetë nuk dëgjon mirë” etj. Këto “arsye” edhe mund të qëndrojnë për njerëz të veçantë, por problemi është tek shkaqet e vërteta që i bëjnë njerëzit të bërtasin gjithë inat. Një shkak na i jep  L. da Vinçi, sipas të cilit, ”Atje ku nuk arrijnë argumentet, atje ato gjithmonë zëvendësohen me britma”. Tregohen arogantë, përdorin dhe forcën, duan të imponojnë mendimin e tyre. Nuk mbajnë parasysh se  “Mendja prin, forca grin”. Këta kanë nevojë për mend, se fjalët i kanë me bollëk dhe i nxjerrin para mendjes. “Më mirë mend, se një barrë argjend”. “Po nuk pate mend, mos dil në kuvend”.

           Ka dhe shkaqe të tjera: disa drejtuesve u pëlqen vetja dhe mendojnë se sido që të flasin, dinë më shumë se të tjerët që do dëgjojnë! Këta janë mendjemëdhenj. Harrojnë se “Kur mend shkojnë tek maja e flokëve, punët zbresin tek maja e këmbëve”. Madje të tillët edhe libra nuk hapin për të zgjeruar e pasuruar kulturën e tyre, po edhe kur lexojnë nuk zgjedhin autorë nga të cilët të mësojnë edhe artin e të folurit. Këta  nuk mbajnë parasysh se “duke lexuar autorët që shkruajnë mirë, mësohesh të flasësh mirë”. (Volter). Në këtë mënyrë është e dobët cilësia e fjalë së tyre, sepse “Fjalët janë si gjethet: një pemë që bën jashtë mase gjethe, bën shumë pak fruta”. (A. Pop). Ndaj thuhet “Fjalët janë gjethe, veprat janë fruta”.

          Jeta ecën. Ecin dhe njerëzit. Po drejtuesi? Ka nga këta që mbeten pas kohës, bazohen vetëm në “fondin” kulturor që kanë. Dhe shkojnë në mbledhje pa menduar para se të flasin. Të tillët thonë gjithnjë të njëjtat gjëra dhe bëhen të mërzitshëm për dëgjuesit. Nuk e vrasin mendjen që përmbajtja e fjalës të ketë nivelin e duhur, të jetë rezultat i një përgatitjeje  serioze të veçantë. Nuk e zgjedhin fjalën, e cila do të zbukuronte fjalorin e tyre dhe do të kishte më tepër fuqi tërheqëse.  “Grimca” të tilla këta i shohin edhe vetë e kur flasin përpëliten, kërkojnë të gjejnë fjalën që shkon në kontekst. E sa t’u vijë vijë në gjuhë fjala e duhur, shtojnë “domethënë- domethënë”; thonë dy fjalë dhe përsëritin “ëëëëëë”-ra njëra pas tjetrës, sa që humbet filli i mendimit; lëshojnë fjalë parazite “si të thuash”,… “le të themi”… etj, të cilat i heqin bukurinë fjalës. Dhe këto “grimca” njerëzve që flasin u bëhen vese, aq  sa shpeshherë flasin e s’kuptohen se ç’farë duan të thonë. Prandaj, zgjedhja e fjalës nga ai që do të flasë ka rëndësi sepse “fjalori është një kullotë e pasur fjalësh”. (Homeri). Të udhëhiqemi nga fjalët e Sokratit: “Unë di një gjë, që s’di asgjë”!

          Për një zyrtar nuk është vështirë të marrë lapsin e të përgatisë një diskuitim a fjalim. Mund të derdhi në letër fjalë pa fund. Po cilësia? Po realiteti? Këto çalojnë, sepse  kushdo qoftë, para se të shkruaj duhet të kontrollojë veten: sa e njeh problemin që do trajtojë? Çfarë ka lexuar para se të vëjë lapsin mbi letër? Në ç’gjendje nervore apo mendore është? Njerëz të mëdhenj kanë dhënë jo pak këshilla: “Përpara se të shkruani, mendoni”. (N. Bualo). “Për të shkruar që të prekni të tjerët, duhet diçka më shumë sesa lotët”. (G. Lihtenberg). “Ajo që është e errët në kokë, del e errët edhe në shkrim”. (Lomonosov).

           Ndodh jo rrallë që drejtues a kuadro aflasin për çështje që vetë nuk i kanë të qarta. Japin “mendime” edhe për fusha, me të cilat janë larg. Këshilla që jepte në këto raste Leon Tolstoi ishte:”Fol vetëm atë gjë që e ke të qartë, ndryshe hesht”. Mos fol për atë që s’je i zoti. Mos mendo se meqë je titullar në një rreth njerëzish, ti nxjerr nga goja “flori”. “Për atë që di shumë, është fatkeqësi nëse nuk di të mbajë gjuhën, ai është si një fëmijë që ka në duar një thikë të mprehtë”. (Kalimaku). “Tek budallenjtë është gjuha që i prin mendimit”. (Isokuti). “Është e lehtë të flasësh kur ke çfarë të thuash, por është e vështirë të kesh çfarë të thuash kur duhet të flasësh”. (Xh. Eliot). Mund të flasësh shumë. pa kursim fjalësh, por sa peshon mendimi që kanë brenda, a është mendimi prijës, apo gjuha lëviz pa burim mendjen.

           Ka politikanë, drejtues apo shefa, të cilët, kur flasin nervozohen, nxehen, rrëmbehen, skuqen. Ka edhe për këta këshilla të veçanta: “Kur diskutojmë nuk duhet të nxehemi, as të mërzitemi, as ta prekim tjetrin në sedër. Kur fjalët katandisen në grindje, më mirë hesht: kjo nuk do të thotë se e ke pranuar humbjen”. (Sadi-Kamo). “Kur të shpërthejë revolta në zemër, ruaje gjuhën të mos bëjë zhurmë kot”. (Safo).  “Në botë nuk ka gjë më të fortë dhe më të padurueshme se fjala”. (I. Turgeniev), prandaj fjalës duhet t’i prijë mendimi, pastaj stili i fjalës, sepse, “stili s’është gjë tjetër, veçse rregulli dhe lëvizja që u japim mendimeve tona”. (Zh. L. Byfon). Kishte të drejtë Ciceroni kur shprehej: “Oratori duhet të ketë parasysh tri gjëra: çfarë flet, kujt i flet dhe si flet”.

           Nuk mungojnë njerëz që flasin shumë, fillojnë e s’mbarojnë, kujtojnë se  dinë më shumë se ata që i dëgjojnë. Dhe zbrazen… Këta nuk e kanë për gjë të quhen “llafollogë”, pse jo dhe llafazanë. Nuk mbajnë parasysh se duke folur gjatë, bien dhe në përsëritje dhe bëhen të mërzitshëm. Është ndryshe kur janë cilësorë, thonë gjëra të reja dhe bëhen të këndshëm. Gjithsesi më mirë është të jesh fjalëpak. Edhe në këtë drejtim na ndriçojnë njerëzit e ditur. “Ai që di, s’flet, ndërsa ai që s’di flet”. (Lao Ce). “Ai që flet, mbjell, ai që dëgjon korr”. (turke). “Ata që dinë të flasin, flasin shkurt”. (Dostojevski). “Atje ku ka pak fjalë, ato kanë peshë”. Shekspir). “Fjala e gjatë ka kuptim të shkurtër”. (N. Frashëri). “Fol dhe hesht në kohën e duhur”. (Soloni). “Fol kur është nevoja. Pa nevojë, mos hap gojë”. (N. Frashëri). “Kur njeriu flet pak, duket më i mençur”. (Gorki).

    “Mos fol veresie, se s’të ka hije”

           Në raportin mendim-gjuhë zemra nuk qëndron indiferente. Përkundrazi, “rrënjët e gjuhës janë në zemër”. Mendja dhe zemra janë në harmoni me njëra-tjetrën, por midis tyre nuk përjashtohen edhe “mosmarrëveshje”, të cilat zgjidhen herë në favor të mendjes, herë në favor të zemrës. E sheh njeriun në fytyrën e tij të qeshur dhe e kupton se zemrën e ka të gëzuar. Po kështu “flasin” edhe sytë. Kur bisedon me njeri, dëgjon fjalët e tij, njëherazi e shikon edhe në sy. Në raste të tilla arrin të kuptohet edhe nga sytë nëse i ka të vërteta ato që thotë gjuha, apo tjetër mendon e tjetër flet. “Kur sytë thonë një gjë tjetër nga gjuha e tij, atëherë njeriu me përvojë u beson  në shumë të parëve, syve”. (R. Emerson).

         Si rregull gjuha shpreh mendimin, por ndodh edhe ndryshe, gjuha nuk pasqyron gjithnjë mendimin. Këtu shfaqen dy dukuri:

          Dukuri e parë, kur gjuha flet sipas mendimit. Në këtë rast ajo është besnike e të menduarit, sepse thotë ato fjalë që burojnë nga mendja. Pra midis mendimit dhe fjalës nuk ka kundërvënie.  Të dyja ecin paralelisht. Madje njeriu i ndërgjegjshëm vepron me energji për të zbatuar ato që thotë dhe jo të lëshojë fjalë “në erë” për interesa të çastit, siç ndodh me premtimet e deputetëve, të cilët kur duan të zgjidhen, premtojnë, pastaj heshtin, e quajnë punën të mbaruar! Kjo nuk ndodh kur mendimi udhëheq gjithnjë, kur gjuha është nën ndikimin e tij, kur kjo i qëndron besnike mendimit. “Besnikëria dhe mbajtja e premtimeve, janë cilësi që banojnë në thellësi të shpirtit të një njeriu fisnik”. (S. Frashëri)

          Dukuria e dytë është kur gjuha “devijon”, largohet nga mendimi; kur njeriu të tjera mendon, të tjera ashpreh, të tjera thotë, të tjera bën. Mendon ndryshe e flet ndryshe; kur gjuha “dridhet” por jo pa mendimin, madja jo dhe pa zemrën. “Era fryn” nga është interesi. Sot merr një angazhim, nesër ndrron fjalën ose mohon. Po ajo gjuhë që dje pohoi, sot mohon. Në raste të tilla njeriu mohon vetveten. Kur gjuha nuk shpreh drejt mendimin, i shërbehet jo të vërtetës, por gënjeshtrës. Kjo nuk ndodh pa një interes të caktuar jo vetëm material, por edhe moral.