Sevo TARIFA/Çarmatosen veteranët e LANÇ, armatosen zyrtarët e lartë

    210

    Grimca mendimesh për situatën e tanishme politike

    Tradhti partiake…

    Ngado që të shkosh këto ditë, dëgjon biseda të ndryshme. Preket një larmi temash, nga të cilat njëra është e freskët dhe me ngjyresë moralo-politike: kalimi nga një parti në tjetrën. Flitet për deputetët “socialistë” e nga parti të tjera, që lanë partinë ku ishin anëtarë dhe shkuan atje ku kanë “dashur”! Pse?

    Ciu, ciu- pas vetiu…

    Ai që largohet nga një parti në tjetrën, siç ka ndodhur dhe më parë e siç na shohin sytë edhe tani, justifikohet duke thënë se “kjo është e drejta e secilit, është liria e tij”. Por “dielli nuk mbulohet me shoshë”. Shkaqet janë të tjera, janë të ndryshme, por kryesori është një i vetëm: interesi. Ky i shtyn këta që të nisin “një valle të re”, por shaminë nuk e dredhin dot…

    Të biesh në bisedë me këta që shkojnë nga fryn era, nuk është vështirë të kuptohet se mendimi se “për të shkuar në një parti tjetër”, u ka “zier” në kokë prej kohësh. Janë errur e gdhirë me dyluftim në ndërgjegjen e tyre: të iki apo të mos iki nga partia ku jam! Dhe një ditë largohet nga ajo parti që e ka  rritur dhe i thotë partisë tjetër: mirëmëngjes! Pikërisht këta janë në majën e gjuhës së popullit, i cili me fjalën e tij të mprehtë i ironizon: “Mirëmëngjes, me interes”. Dhe më tej: “Ciu, ciu-nga vetiu”, “Ndërgjegjja flet, interesi ulërin”.

    Tradhtar?…

    Kështu quhen ata që shkojnë nga fryn era, nga një parti në tjetrën. Për mua kjo nuk është plotësisht e saktë: nuk janë tradhtarë ndaj Atdheut, por “tradhtarë partiakë”. Tradhtia ndaj atdheut ka ngjyresë të theksuar politike, kurse tradhtia ndaj partisë është më tepër morale.  Natyrisht “degjenerimin moral një hap e ndan nga degjenerimi politik”, por si tradhtarë partiakë janë njerëz pa moral u mungojnë: besnikëria, ndershmëria, burrëria.

    Gjurma të njerëzve, që fjalën e kanë dredhur, që “kërraba” e tyre ka tërhequr nga vetja, gjejmë në faqet e historisë së shkruar e të pashkruar. E për të gjithë këta, Populli ka vënë “notën” e tij, “vulën” e tij. Këtë e shohim edhe në fjalët e urta: “Lumit i ka hije vala, burrit fjala”. “Burri pa nder, si gazi pa fener”,

    Me këtë sy shikohen sot edhe ata që lënë një parti dhe zënë një tjetër. Kjo ndodh se njerëzve të tillë u mungojnë tri cilësi morale: besa, nderi, burrëria. E për këtë mjaft e kanë përcaktimin “Tradhtarë partiakë”. Të tillët do të tregohen me gisht derisa të rrojnë. Kurse për ata që i kanë vërtet dhe i mbajnë cilësitë e besës, të nderit e të burrërisë, ka një fjalë tjetër të popullit: “Vdekja me nder, varri mermer”…

    “Peshqeshin mos e gëzo se e paguan dhipllo”

    Ku shkojnë ata që ikin nga një parti në tjetrën? Këtë pyetje dhe përgjigjen e saj e dëgjova këto ditë në bisedën që bënin dy veteranë: “Fluturon si zogu tek skifteri”. Ishin këto fjalë sa figurative, aq dhe me thumba. Dhe duke vazhduar diskutimin, vijoi ironia: po skifteri njeri këta zogj nuk i ha, por i shpërblen: nuk e di sa mijëra Euro u jep, por një gjë e di të sigurt: i shënon në listën e kandidaturave për deputet!

    Më tërhoqi ky dialog midis dy pleqve. Dhe njëherazi m’u kujtuan dy fjalët e urta: “Peshqeshit mos iu gëzo, se e paguan dhipllo”, dhe “Koka bën, koka pëson”…

    Veteranët çarmatosen, zyrtarët armatosen?!

    Ideja për këtë shkrim më lindi atë ditë që mazhoranca e Kuvendit të Shqipërisë vendosi të armatosen zyrtarët e lartë. Në çast m’u kujtua çarmatosja e veteranëve të LANÇ nga regjimi i Berishës! Dhe thashë me vete: Në Shqipërinë “demokratike” ndodhin çudira. Ku janë parë këto veprime? Me sa dimë, në asnjë vend demokratik të botës. Veteranët i mbanin armët kujtim nga lufta që kishin zhvilluar kundër pushtuesve të huaj për çlirimin e vendit. I kishin dhuratë për trimërinë e treguar dhe gjakun e derdhur. Secili me leje. Por doli një urdhër që u bë “ligj”, sipas të cilit: kush nuk e dorëzon armën, dënohet penalisht! Hej, dreq, o punë! Do “dënohen” ata që kanë luftuar kundër fashi-nazizmit! Motivi? “Ish partizanit, veteran i luftës, që ka shërbyer nën armë dhe tani është në lirim, “s’ka ç’i duhet arma”. Ky ishte preteksti, por shkaku ishte tjetër: frika se “mos veteranët e luftës ngriheshin kundër qeverisë”! Në fakt, veteranët nuk ishin dhe nuk janë të tillë. Ata ruajnë figurën e pastër partizane, mirësinë, trimërinë dhe virtytet e tjera morale njerëzore. Janë të urtë, të qetë, paqësorë. Asnjë prej tyre nuk e përdori armën për të vrarë njerëz. Përkundrazi, tre veteranë të pafajshëm u vranë nga të tjerë, gjë që mbeti enigmë, s’u mor vesh se kush ua mori jetën këtyre luftëtarëve të lirisë.  Në fakt veteranët dorëzuan kush revolverin, pushkën, apo automatikun. Një ditë, po e bisedoja këtë çështje me një shok. Ishte veterani P. L, të cilit i kishin marrë automatikun e revolen. Dhe ai më tregoi ditarin, në faqet e të cilit kishte shkruar:

    “E ënjte, 11 qershor 1992. Më morën automatikun! Erdhën në shtëpi dy policë. I mirëprita sipas zakonit. I pyeta nga ishin: njëri qe nga Dibra, tjetri nga Arbana e Tiranës. Të dy efektivë të Drejtorisë së Rendit Publik të Tiranës. Kërkuan t’u dorëzoj automatikun. Ç’të bëja? Do ta dorëzoja si gjithë të tjerët. Policët më thanë se, “Tani vijmë nga B.S, i cili na i dorëzoi”. Kështu veprova edhe unë. Me këtë rast i pyeta policët:

    – Po revolen do të na i merrni?

    – Jo, mbledhim vetëm pushkë e automatikë,- ishte përgjigja e tyre.

    Ata u larguan dhe unë vazhdova në ditar: “Armën time automatike/ E kisha kurdoherë shok/ Nga duart e mia nuk ikte/ Dit’ e natë rrinim tok. / Në “demokraci” të dy  na ndamë/ Me urdhër që dha Berisha/ Më shumë bashkë s’na lanë/ E rrëmbyen si delen bisha./ Përherë të kujtoj, o automatik/ O shoku im i viteve me stuhi/ Kurrë nuk të thoshja “Ik”/ Dhe më s’të pashë me sy …”

    Nuk kaloi shumë kohë dhe Berisha nxori urdhrin e dytë: “Të dorëzohen  revolverët”! Erdhi njoftimi. Po ku vate fjala “revolet nuk i marrim”?! Kujt t’i ankohesh? Me cilin të flasësh? Fola vetëm me ditarin tim, në fletët e të cilit shënova:

    “E mërkurë, 12 shtator 1992. Ditë e mërzitshme. Plot melankoli. Të qeshurit më ka ikur nga buza. Dita mezi po kalon. Pas gati 50 vjetësh, sot më morën revolverin! M’u duk sikur m’u këput një copë mish nga trupi. Isha mësuar me të. E mbaja në xhep. Ishte revole e vogël si ato që luajnë fëmijët. Atë që në vende kapitaliste e mbajnë gjeneralë në brez dhe zonja në çantën e dorës, e mbaja vite të tëra dhe unë. E kisha nikeluar dhe ishte borë e bardhë. Në dorezën e fildishtë i kisha vënë dhe një yll të kuq partizani.

    E mbaj mend atë ditë. Ishim 10 veteranë në rajonin e policisë. Shikonim revolet e njëri-tjetrit. Njëri nga veteranët, kur pa revolen time të vogël e të bukur, tha: “Mua s’më vjen keq që dorëzoj revolen time, se është e vjetër dhe e rëndë, s’mbahet me vete, por më vjen keq për këtë revolver që shoh në duart e tua”.

    Tani që shkruaj këtë faqe ditari, mendoj: kushedi se kujt do t’i jetë dhënë revolja ime. Me siguri ndonjërit  nga ata që do t’i heq yllin e kuq partizan. Ç’paradoks!  Dëshira ime ishte ta mbaja dhe ca kohë e ta dorëzoja në muzeun e fshatit tim, por këtu, si kudo, edhe mauzeleumi u prish nga vandalët “demokratë”, që janë kundër LANÇ! Çuditemi si i dorëzuam kaq lehtë revolverët relike. Si nuk dolëm në protestë e të kundërshtonim urdhra arrogante të Berishës?!

    U ktheva në shtëpi dhe, duke thënë “Lamtumirë, armë”!, përfundova shënimin në ditar:

    “Revolja ime të mbaja në xhep/ Më kishe pronar, të kisha kujtim/ Ishe e vogël, s’të mbaja në brez/

    Me mua përherë dhe në udhëtim./ Ty, më parë të mbante armiku/ Ai ballist, që u kap i gjallë/

     Iu muar atij, nga duart i iku/ Dhe m’u dha mua si dhuratë./ Edhe revolet i mblodhi Berisha/

     Na i mori ne, për mafiet e tija/ Nga veteranët, ai kot ka frikë/ Ne jemi paqësorë, jemi fisnikë”/

    Këto më tha veterani P.L. Dhe shtoi: çarmatosen veteranët e LANÇ, armatosen zyrtarët e lartë,

    deputetë e qeveritarë!