Sefedin METHOXHA/Çorovoda, bukuroshja e natyrës

    399
    Sigal

    Në prehër të maleve të rrethit të Skraparit ndodhet qyteti i Çorovodës, ose e thënë ndryshe, siç e kanë cilësuar disa turistë të huaj: “BUKUROSHJA E NATYRËS”. Ajo është një nga vendet më piktoreske shqiptare, e pasur me ujëvara, burime me ujë të pijshëm në të dy anët e qytetit dhe sidomos gjallesa natyrore, është e bukur dhe magjepse në çdo stinë të vitit. Ditë gushti, vapë përvëluese, të gjithë marrin arratinë drejt plazheve detare. Por kjo nuk e frenoi aspak fluksin e turistëve vendas e të huaj drejt Skraparit, drejt turizmit malor. Ata ndjejnë kënaqësi jo vetëm, nga panorama që shfaqen me kreshtat e maleve përreth, por edhe nga ai gjarpërim i rrugës me lumin pranë që rrëshqet vajshëm mes shkrepash e rrapesh shekullore. Çorovoda ngjan si një ishull i bukur midis dy lumenjsh lozonjar, që zbresin nga lartësitë dhe bashkohen nën këmbët e qytetit dhe si dy miq të vjetër marrin rrugën e gjatë drejt detit. Anës Osumit hedhin shtat lokalet e bukur me hotele bashkëkohore. Në horizonte duken kullat e bardha të mbështetura sup më sup aq ngrohtësisht, ashtu si dhe njerëzit. Çorovoda është e zhytur në një det gjelbërimi, me lulishte të rregulluara bukur e me një pastërti shembullore që tashmë ajo ka fituar “PASAPORTËN QYTETI MË I PASTËR” falë nismës së Bashkisë së Çorovodës dhe kryetarit të saj Nesim Spahiu. Syri të shkon te busti i heroit të popullit “Riza Cerova”, vendosur në qendër të qytetit dhe të bën që t’i heqësh duart nga xhepat e ta nderosh, sepse Riza Cerova me shokë skalitën rrugën e luftës për liri e flamur.  Skrapari është i njohur për burrat dhe bëmat në histori, një vend me toka të qëndisura e male me kullota të ëmbla për bagëti. Përveç, të tjerave Skrapari ka potencial njerëzor, ka nxjerrë poetë e shkrimtar, politikanë, ku dhjetëra bij të saj kanë pasur dhe kanë zë në politikën tonë. Por për fatin e mirë të tyre,  por jo për rrethin ata jetojnë në Tiranë, e megjithatë, ata e kanë të qartë se uji i ftohtë që rrjedh nga thellësitë e Tomorrit plak e të madhërishëm, mishi i viçit dhe i qengjit, rritur në barin plot trëndelinë, rakia e fortë dhe e mirë, mikpritja dhe bujaria e këtyre njerëzve ka bërë që ky vend të vizitohet ditë për ditë nga njerëz të shumtë, vendas e të huaj. Bukuria e kanioneve mbresëlënëse ka çuditur edhe turistin më të shëtitur. Vështirësitë e rrugës për në Çorovodë i ‘tejkalon’ bukuria e saj, kënaqësia dhe freskia e mrekullueshme. Por mbi të gjitha si gurthemeli është edhe bujaria, buzëqeshja, fjala “mirëseardhjet”, gota e ujit të ftohtë, gota e rakisë, janë elementë  më kryesor e me konstant të bujarisë e të mikpritjes skraparase.

      NË MBRËMJE

    Kur mbrëmja zbret mbi Çorovodë dhe ajo kullohet në muzg e drita të forta, ngrehinat e përbindshme të kodrave përreth zhduken e qyteti shfaqet me një bukuri të pa rrallë, ndërsa njerëzit rrëshqasin drejt lokalit të famshëm me emrin “Sorkadhja brice” si e kanë quajtur vendasit. Të rinjtë kanë pushtuar hapësirën e lokalit me një energji të padukshme, që megjithatë lë gjurmë buzëqeshjet mbi gotat e zbrazëta. Pëshpërima të buta e qeshje kumbuese mbushin lokalin nga disa turistë gjermanë. Ata sapo ishin kthyer nga vijat e kanioneve që ndodhen fare pranë Çorovodës dhe pëshpëritnin në gjuhën e tyre. Me ndihmën e një djali që kryente rolin e përkthyesit arrita të mësoja se biseda e tyre ishte për kanionet. Ata i quajtën më të bukurat e më të veçantat në Europë. Një nga ata shkoi edhe më tej, i quajti “bukuri tronditëse”. Nuk e dimë sesa afër realitetit janë këto përcaktime, por është një gjë e vërtet që thëllimet e osumit janë me të vërtetë një mrekulli. Dy lumenj që zbresin nga lartësitë, duket sikur mburren me krijesën e tyre plot forma të skalitura me fines të strukturave gëlqerore antiklimale. Kur udhëton në brendësi të këtyre kanioneve 80 metër të thellë të trondit me vërtet bukuria e tyre. Të ngjall ndjesi të ëmbla, ëndërr sa nuk ke dëshirë të dalësh prej andej. Por këto ditë gushti vijnë dhe shumë besimtar nga e gjithë Shqipëria. Të huajt vijnë dhe celebrojnë festat fetare, ku vargjet mbresëlënëse të Naim Frashërit për Abas Aliun gdhendur në murin pranë teqesë së Kulmakut në Malin e Tomorrit tërheqin kureshtjen e mijërave pelegrinë të vetëmbledhur në vendin e shenjtë për të festuar “Ditët e Tomorrit”

      BUKURI E VRARË

    Dikur Çorovoda ishte si  një mollë e “ndaluar”, ku i ishte hedhur një vello dhe bukurinë e shihnin vetëm personat e lartë shtetërorë. Ata nuk e reklamonin bukuroshen e Natyrës për asgjë, se Çorovoda ishte projektuar kryeqytet për kohë lufte. Është kjo një nga arsyet që Çorovodës i kanë munguar rrugët lidhëse me Përmetin dhe me Korçën. Por gjatë periudhës së tranzicionit e gjithë tradita duket sikur po zbehet. Shumë djem të rinj kanë emigruar jashtë për një jetë më të mirë dhe janë të paktë ata që janë kthyer dhe kanë investuar në Skrapar. Të tjerët janë vendosur në qytete të tjera të vendit. Shumë ka ndikuar dhe mungesa e infrastrukturës, shëndetësisë, shkollave, ku shumë prindër shprehen me dhimbje se po largohen nga vendlindja për një të ardhme me të mirë për fëmijët e tyre. Është e vërtetë se disa banorë si në Çorovodë si në Poliçan  kanë marr kredi dhe kanë investuar  për të ngritur lokale të bukura funksionale të kohës. Por shkëlqimi i këtyre investimeve “tretet” para disa problemeve që përballet rrethi. A ka një strategji të saktë e të plotë për ta bërë Skraparin zonë turistike? Pikërisht ky lloj aktiviteti duhet të ishte baza e zhvillimit e këtij rrethi. Përditë të thonë në Skrapar, se kërkojmë nga shteti, se kemi dhe vet resurse, mallet s’po na i ndajnë thesarin që kanë këta njerëz të punës e të dyfekut të mos gjunjëzohen para varfërisë e bukurisë së natyrës dhe natyrës të mos i vritet bukuria.