Sa kushton të sjellësh në jetë një fëmijë në Shqipëri

    599
    Sigal

    STUDIMI/ Shtatzënia një mundim dhe një kënaqësi që kushton afro 100 mijë lekë

    Të sjellësh në jetë një fëmi, nevojiten të paktën 100 mijë lekë të reja. Kjo shifër përmban përgjithësisht, shpenzimet gjatë shtatzënisë, shpenzimet për lindjen dhe për artikujt e domosdoshëm në muajt e parë të jetës. Ky është përfundimi i një studimi që ka bërë gazeta ” Telegraf”, duke u mbështetur në prononcimet e disa nënave të reja dhe atyre femrave që shumë shpejtë presin të bëhen nëna. Gjatë një vëzhgimi nëpër dyqanet e kryeqytetit, është përllogaritur kostoja mesatare e të bërit prind. Duhet të theksojmë këtu që shpenzimet variojnë për sipas kategorive të njerëzve dhe mundësive ekonomike që ato kanë. Gjithçka varet nga gjendja financiare dhe dëshira që prindërit dhe të afërmit e fëmijës, kanë për të shpenzuar. Dyqanet e fëmijëve dhe nënave shtatzëna, ofrojnë shumëllojshmëri produktesh, firmash dhe çmimesh që gjithsesi janë më të shtrenjtat në treg. Për të përllogaritur sa më mirë koston e lindjes së një fëmije ne e kemi ndarë atë në katër grupe shpenzimesh: shpenzimet gjatë shtatzënisë për nënën dhe fëmijën, shpenzimet për pritjen e fëmijës, shpenzimet për lindjen dhe shpenzimet që kryhen pas lindjes së fëmijës.

    1.Shpenzimet gjatë shtatzënisë

    Gjatë shtatzënisë shpenzohen shumë para për nënën dhe foshnjën, që pritet të lindë. Shpenzimet e para nisin me testet që vërtetojnë se nëna është shtatzënë. “Që në fillim të saj shtatzënia është një shpenzim i madh, por mund të them me shumë bindje që është një shpenzim që ia vlen” – është shprehur për gazetën ” Telegraf” Eriola. B, të cilën edhe dy muaj e ndajnë nga dita e madhe e të qenit nënë. Kështu, një test shtatzënie kushton minimumi 400 lekë dhe mund të blihet në të gjitha farmacitë pa pasur nevojë për rekomandimin e mjekut. “Gjatë gjithë shtatzënisë vizitat te gjinekologu duhet të jenë të rregullta dhe të shpeshta. Unë për mungesë të shifrave të mëdha që kërkohen nga klinikat private kam zgjedhur të vizitohem në “Qendrën e Gruas” , sepse këtu vizitat janë falas. Përjashtim nga shërbimet falas bëjnë vetëm gra që nuk janë të siguruara dhe që nuk kanë rekomandim nga mjeku i familjes, të cilat janë të detyruara të paguajnë një çmim prej 10 mijë lekësh.” – është shprehur Lumturi. U. Gjithsesi kjo është një e vërtetë e madhe, sepse nëse nënat e reja dëshirojnë të vizitohen në klinikat private, që funksionojnë në vend ose jashtë, në varësi të klinikës, ajo do të duhet të paguajë përafërsisht rreth 1 mijë lekë për vizitë, si dhe 1500 deri në 2 mijë lekë për çdo “eko”. “Gjatë shtatzënisë është e rekomandueshme që nëna të bëjë të paktën pesë vizita dhe të paktën 3-4 “eko”. Çmimi mesatar e një “eko”-je është 1 mijë lekë dhe duke marrë parasysh që nevojiten rreth 5 “eko” gjatë gjithë shtatzënisë, atëherë shpenzimet për këtë lloj shërbimi arrijnë minimalisht në rreth 5 mijë lekë .” është shprehur mamia Fatmira. Ç

    Gjatë shtatzënisë kryhen dhe të gjitha analizat, kështu që sipas kërkimit tonë çmimi mesatar i analizave të gjakut në laboratorët privatë është rreth 600 lekë, i analizës së urinës rreth 200 lekë dhe analiza e sekrecioneve vaginale rreth 300 lekë, që në total kushtojnë 1100 lekë. Kuptohet që nëse nëna do të ndjekë zinxhirin e institucioneve shtetërore ligjërisht nuk është e nevojshme të paguajë, por praktikisht 500 lekë në një konsultore apo 1 mijë lekë mjekut për “eko”-n dhe analizat, përbëjnë një rritje të shpenzimeve. E detyrueshme është dhe vizata e gruas tek dentisti. Në klinikat private dentare ky kontroll përgjithësisht bëhet falas ose ka një kosto të vogël, ndërsa mjekimi i një dhëmbi në gradën e dytë kushton rreth 2500 lekë dhe mjekimi i një dhëmbi në gradën e tretë, luhatet nga 3500 lekë deri në 4500 lekë. Njëkohësisht nëna duhet të marrë edhe barnat e nevojshme që mundësojnë një zhvillim më të mirë të fëmijës. Sipas farmacistes Elvira. G këto medikamente janë:1 miligram acid folik që kushton mesatarisht 350 lekë, 100 tableta flor që kushtojnë mesatarisht 550 lekë dhe 20 kokrra kalcium që kushtojnë mesatarisht 150 lekë ose kalcium që prodhohet në vend që kushton 3 lekë kokrra.

    Veshjet e nënës së ardhshme….

    Pasi kalojnë disa muaj mamasë së ardhshme i nevojiten veshje që t’i përshtaten më mirë formës së re trupore. Çmimet e veshjeve për gratë shtatzëna janë relativisht të shtrenjta. Në kryeqytet në dyqanet e specializuara për nënat shtatzënë, mund të gjesh veshje nga më të ndryshmet dhe çmime të shumëllojshme. Kryesisht preferohen sarafanët, çmimi mesatar i të cilëve është rreth 3500 lekë. Pantallonat kushtojnë mesatarisht 4000 lekë dhe bluza apo këmisha që kushtojnë mesatarisht 4 mijë deri në 5 mijë lekë.

    Veshjet e bebit

    Kështu, nëse fëmija që pritet të lindë është vajzë, veshjet janë përgjithësisht me ngjyra rozë, ndërsa veshjet e djalit preferohen kryesisht bojëqielli. Më konkretisht çmimi mesatar i kominosheve për fëmijë të sapolindur luhatet, nga 2 mijë lekë deri në 3 mijë lekë; një palë pupa 1500 lekë, çorape 500 lekë, triko rreth 2500 lekë, xhup rreth 3 mijë lekë, ose një komplet i plotë veshjeje arrin deri në 4 mijë lekë. Më pas nevojitet edhe batanije për ditën e parë të bebit, por edhe për ditët në vijim, e cila duhet ta mbajë atë ngrohtë dhe butë dhe që kushton mesatarisht 3500 lekë.

    Dhoma e gjumit

    Kur mendon për dhomën e fëmijës, fillimisht të shkon në mendje shtrati, i cili ka çmime që fillojnë nga 15 mijë lekë dhe deri në 52 mijë lekë në varësi të materialit dhe madhësisë së shtrati. Më pas duhet edhe karroca, çmimi i së cilës luhatet nga 10 mijë lekë dhe deri në 42 mijë lekë. çanta kangur dhe aseksorët. Por fëmijës gjithashtu i nevojitet edhe një ‘set’ pajisjesh që përmban ” shezllon” , ” portbebe” , çantë dhe kangur 17 mijë lekë. Njëkohësisht, nevojitet edhe koshi, edhe pse përdoret në një fazë të mëvonshme kur fëmija është disa muajsh, por që prindërit dhe të afërmit kryesisht preferojnë t’i blejnë që në fillim, çmimi i të cilit luhatet nga 10 mijë lekë deri në 20 mijë lekë në varësi të firmës dhe materialit. Edhe rrethorja nevojitet në një fazë të mëvonshme kur fëmija tenton të ngrihet në këmbë vetë pa ndihmën e prindërve, e cila kushton rreth 8 mijë lekë.

    2. Shpenzimet për lindjen

    Lindja

    Shpenzimet për lindjen dhe ditët e qëndrimit në maternitet mesatarisht arrijnë në 30 – 60 mijë lekë. Por nëse nëna nuk ka një lindje normale dhe është e detyruar që të lindë me operacion, shpenzimet pësojnë edhe më tej rritje. Kjo për faktin se rriten ditët e qëndrimit në maternitet, si dhe nevojitet një infermiere në shtëpi për disa ditë me radhë për mjekimin e plagës.

    3. Shpenzimet pas lindjes

    Me gjithë gëzimin për ardhjen e foshnjës në jetë, por edhe pas shpenzimeve të shumta për të, tashmë prindërit i pret një varg i madh shpenzimesh që do t’i ndjekë për shumë vite me radhë. Nëse fillojmë nga pelenat mund të blihen në farmaci, në dyqanet e specializuara për fëmijë apo edhe në markete të ndryshme, ku mund të gjendet shumëllojshmëri markash. Një pako me pelena e markës “Pampers”, që ka rreth 60 copë, kushton 1300 lekë – 1900 lekë sipas cilësisë. Por tepër e nevojshme për fëmijën e sapolindur është edhe kozmetika që përmban: krem për bebe, krem për skuqje, krem fytyre, krem për duart, krem dhe vaj për trupin, shampo për kokën dhe trupin, pudër, sapun, shami kremoze, të cilat të gjitha së bashku kushtojnë mesatarisht rreth 3 mijë lekë. Por fëmija i sapolindur shpeshherë ka nevojë edhe për ushqime të gatshme, muhalebi dhe pure, të cilat mund të gjenden në farmaci, dyqane dhe supermarkete. Çmimet e këtyre ushqimeve luhaten nga 200 deri në 1 mijë lekë, në varësi të markës dhe përmasave. Për ushqimet apo për të pirë lëngje të ndryshme fëmija ka nevojë edhe për biberonë qelqi, të cilët kushtojnë nga 300 lekë – 600 lekë, si dhe për biberonë false që kushtojnë rreth 300 lekë.

    4. Prind me fekondim artificial, minimumi për 3 mijë Euro

    Nëse nuk jeni në gjendje të keni fëmijë, ndërkohë që e dëshironi shumë; mjafton që të keni rreth 3 mijë Euro dhe dëshira juaj mund të realizohet edhe në Shqipëri. Prej disa kohësh në një prej klinikave private në vend, mundëson realizimin e teknikave të riprodhimit mjekësor të asistuar ose siç njihen ndryshe fekondim artificial “in vitro”. Çmimet ndryshojnë në funksion të teknikës që realizohet. Në SHBA këto teknika kushtojnë midis 15-20 mijë USD dhe në Europë kostot luhaten ndërmjet 3-6 mijë euro. “Te ne janë mjaft më lirë se çmimet e Europës dhe Amerikës, si dhe njëkohësisht çifti përfiton edhe nga përparësia e kryerjes së kësaj teknike në vend”, është shprehur Tatjana . Sh e cila fatkeqësisht ka shtatë vite që mundohet të bëj një fëmijë dhe tani ka menduar të tentoj fekondimin artificial. Deri më sot shumë çifte që nuk kishin mundësi të lindnin fëmijë drejtoheshin jashtë vendit, duke shtuar këtu përveç kostos së klinikës edhe kostot e udhëtimit, vizave, qëndrimi etj. Kostot e realizimit në vend janë disa herë më të lira se ato të realizimit jashtë Shqipërisë.