Rrugëtimi i pandalshëm i dijes në shkollën “Shyqyri Peza”

    1795
    Kombinati …Kështu jemi mësuar t’i themi prej shumë vitesh kësaj lagjeje të shkëputur paksa nga Tirana, por që gjithë qytetarëve u thotë: “Mirë se vini”!
    Është një zonë që rrit brezat në gjirin e tri shkollave 9-vjeçare… Pikërisht pas gjimnazit “Myslym Keta” ndodhet një shkollë, që mban emrin e dëshmorit “Shyqyri Peza”…Është një shkollë e hershme(e vjetër), por që në pamjen e saj mbetet gjithmonë e re. E themi këtë, pasi ajo mban mbi supe rreth 40 vite dije… Sapo futesh në hyrje të rrugës, një banderolë që mban emrin e saj, informon këdo që nuk e di, se cila është kjo shkollë…Duket porsi një nënë që pret fëmijët e saj krahëhapur dhe u thotë e lumtur: “Mirë se vini bijtë e mi”! Sapo hap derën, një pamje e mrekullueshme dhe tepër çlodhëse të kënaq syrin, me oborrin e madh dhe me lulishten e gjelbëruar… Vështron me kërshëri pamjen e bukur çlodhëse të oborrit dhe syri të zë patjetër logon, që mban emrin e kësaj shkolle, e cila mban në krahë një mesazh të madh:
    “Çdo fëmijë ka një dhunti…”, mesazh ky, që të lë të nënkuptosh se çdo fëmijë i shkollës ka diçka të veçantë në talentin e tij personal…
    Krijimi i këndit sportiv në këtë oborr, u ofron nxënësve të realizojnë me dëshirë orën e edukimit fizik, jo vetëm kaq, por edhe palestra të fal mjaft komoditet për t’i mbështetur në kohë të keqe në lëndën e edukimit fizik… Bukuria dhe kënaqësia, nëse vizitohen ambientet e brendshme të shkollës do të ndihen, jo vetëm jashtë, por edhe brenda në ambientet e kësaj shkolle, kjo falë një organizimi të brendshëm të drejtorisë së kësaj shkolle, qeverisë së nxënësve dhe një stafi të përkushtuar mësuesish, që së bashku organizojnë punën si një orkestër, në një koncert të madh…
    Tek hyn në ambientet e brendshme të shkollës, prezantohesh me tabela të shumta, por ai që është mjaft domethënës, është portreti i Shyqyri Pezës, i cili i kishte munguar prej kohësh kësaj shkolle dhe iu vendos si risi ambientit të saj. Kur ngjitesh në shkallët e shkollës, syri të zë mjaft stenda, që të nxisin kërshërinë, që të lexosh brendinë e tyre, sepse ato flasin me gjuhen e dijes në shumë lëndë sipas departamenteve… Është një shkollë që rrit në gjirin e dijes rreth 1500 nxënës, ku punohet me dy turne: Në Ciklin e Ulët pasdite dhe me Ciklin e Mesëm të Ulët paradite… Fillimi i këtij viti të ri shkollor erdhi për këta nxënës me risi shumë të mëdha dhe këtë e sheh, jo vetëm në ambiente, por edhe në paraqitjen e jashtme me uniformat e reja(verore dhe dimërore)në ngjyrën blu, që duket sikur i thonë çdo ditë “Mirëmëngjesi” shkollës së tyre… Tek hedh vështrimin, kur oborri është plot sheh bukurinë që i shtohet ambientit. Janë fëmijët që me uniformat e tyre duken si zogjtë që përqafojnë qiellin blu… 
    Dhe sot në këto ditë të ftohta dimri, ngrohtësia si domosdoshmëri në zhvillimin e procesit mësimor duket e plotësuar tek vështron në muret e çdo klase, të pajisura që të gjitha me kondicioner.
    Plotësimi i kushteve të ngrohjes me kondicioner bën që procesi mësimor të zhvillohet normal, pa i cenuar orët e mësimit. 
    Ky përqafim i ngrohtë në krahët e kësaj shkolle vjen si rezultat i bashkimit të shumë hallkave, siç janë: Bordi i shkollës, Këshillat e prindërve,Qeveria e nxënësve, të cilat kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre për këtë shkollë…
    Ai që është më pranë problemeve sociale, shprehjes së mendimit të lirë, aktiviteteve të ndryshme në shkollë është senati i kësaj shkolle, i zgjedhur duke respektuar Konventën e të Drejtave të fëmijëve, i drejtuar me shumë dashuri nga mësuesja e senatit…
    Futesh nëpër klasa dhe bankat e shkollës të ftojnë të ulesh dhe të dëgjosh zërin e mësuesve e nxënësve.
    Është një zë që dëshiron ta dëgjosh përherë, quhet dije….
    Ajo që të bën përshtypje në këtë ambient të ngrohtë, është edhe krijimi i një salle koncerti, ku nxënësit e kësaj shkolle organizojnë konkurse të shumta, olimpiada, projekte dhe aktivitete të ndryshme…
    E këtë pjesë e sheh kaq bukur të realizuar nga aktiviteti i gjuhëve të huaja, konkursi i recituesve i organizuar sipas klasave në paralele, ku në secilën prej tyre evidentohen talente të nxjerrë, këto me pasion nga mësuesit e letërsisë…
    Nuk mungojnë gjithashtu edhe konkurset e historisë, olimpiadat e matematikës etj.,
    të cilat i japin kësaj salle një pamje edhe më serioze.
    Është një kënaqësi kur triumfin e fitores, nxënësit e marrin nga drejtuesit e shkollës,
    Suksesi është më i prekshëm dhe sfida më e madhe…
    E si me magji nga serioziteti në alegri, kjo sallë ndërron atmosferë në ditët e festive…
    Festa e madhe e Çlirimit i dha oborrit të kësaj shkolle një pamje festive dhe një program artistik, i cili do të mbetet gjatë në kujtesën, jo vetëm të fëmijëve, por edhe prindërve e mësuesve, të cilët ndoqën me shumë kënaqësi këtë aktivitet përmes dekorit festiv, veshjeve popullore etj…
    E gjithë shkolla ishte veshur kuq e zi…
    Oborri i ngjante flamurit kombëtar, sepse dominonin këto dy ngjyra, tek vallëzonin këta fëmijë, duke përcjellë ndjenjat e krenarisë dhe traditës shqiptare nga Veriu në Jug…
    Sa bukur shpërndahej jehona e festës në një harmoni, që shtrihet nga më të vegjlit(parashkollorët),fëmijët e Ciklit të Ulët dhe deri tek më të rriturit, ata të Ciklit të Mesëm të Ulët…
    Një kolazh artistik i realizuar përmes këngës, interpretimit e valles tradicionale shqiptare, duke të dhënë përshtypjen, sikur e gjithë Shqipëria kishte ardhur të festonte në shkollën “Shyqyri Peza”, me vallen e Kukësit dhe Tropojës,vallen tiranase dhe atë çame, përmes këngës partizane dhe vargjeve patriotike të Rilindësve tanë….
    E duke u larguar nga ambientet e kësaj shkolle patjetër që në mendje do të mbeten zërat e ngrohtë të këtyre fëmijëve, të cilëve kërkon patjetër t’iu lësh një mesazh të madh: 
    “Dituria është thesar, puna është çelësi i këtij thesari….”
    Qofshi përherë fëmijë të lumtur, të përqafuar nga krahët e ngrohtë të dijes, falë mësuesve tuaj që me durim e këmbëngulje ju mësojnë çdo ditë!!!
    Largohesh me një falënderim për drejtorin e shkollës z. Resmi Metaj ,i cili ka bërë të mundur këto risi të reja në këtë shkollë dhe nëndrejtorëve: Enkelejda Muça dhe Julinda Karati, që me urtësi e mençuri drejtojnë këtë staf që mban emrin: “Shyqyri Peza”
    Punuan:
    Enkeleda Vasha (Kalaja) & Gerta Quku
    Sigal