Rrjeti i tretë i Albtelekom me kabëll të varur në rrugë si rrjetë merimangash

    372
    Sigal

    Qytetarët shprehen të pakënaqur me shërbimin që u ofrohet për kontratat 1-vjeçare

    Edhe pse bëhet reklamë e madhe për modernizimin e rrjetit të Albtelekom, përsëri realiteti bie ndesh me atë që reklamohet. Themi bie ndesh me atë që reklamohet, pasi nuk duhet të harrojmë që rrjeti i tretë ka ngelur siç ka qenë, pra është një rrjet i tërë merimangash. Edhe pse janë bërë disa ndryshime Albtelekomi nuk ka mundur të pastrojë rrjetin e tretë, pasi sheh kabëll të tërë nëpër rrugë. E teksa sheh këtë situatë nëse fantazia e çdokujt do të vihej në punë, gjëja e parë që do të mendonte sapo shihte këto grumbuj kabujsh do të ishte imazhi i një rrjete merimange, të cilat shfaqeshin ngado. Ndërsa nëse do i lihej hapësirë për meditim një vizitori të huaj do të mendonte se ndoshta ky “dekor” është pjesë e infrastrukturës së qytetit.

    Fenomeni

    Grumbuj telash të cilët sa herë ngre kokën lart vijëzojnë qiellin dhe tregojnë kaosin e linjave të shërbimit telefonik, duke çuar në një sistem i cili nuk ka funksionuar asnjëherë si duhet, pa harruar dëmin që i bëhet imazhit estetik të qytetit. Pothuajse të gjitha rrugët e Tiranës, lagjet në brendësi i ngjajnë një stacioni elektrik ku tela të gërshetuar me njeri-tjetrin rrezikojnë jetën e qytetarëve të cilët kalojnë aty. Ky problem pasqyron një imazh aspak të denjë për kryeqytetasit. Çdo kalimtar në këto rrugë me ose pa dëshirë është i detyruar të shohë këtë realitet që nuk ka gjetur zgjidhje, por ka ardhur duke u forcuar edhe më tej. Edhe pse janë bërë investime duke synuar përmirësimin e shërbimit, shtrirja e rrjetit të telefonit apo çdo shërbimi tjetër nuk ka pasur asnjë plan të qartë.

    Ankohen qytetarët

    Reagimet e qytetarëve të Tiranës në lidhje me këtë problem janë në format nga më të ndryshmet. “Kemi kërkuar herë pas herë me anë të kërkesave që kemi bërë si lagje për heqjen e kabujve, kjo pasi përbëjnë rrezik edhe për jetën e fëmijëve, pa folur pastaj për anën estetikë që s’e merr njeri në konsideratë. Por nuk na është marrë në konsideratë asnjë kërkesë e jona”-kështu shprehet zonja A.M, nga Tirana.

    Sipas konsumatorëve kontrata e nënshkruar me kompaninë Albtelekom për kërkesat për këtë sinjal e linjë nuk po zbatohen fare kohët e fundit. Qytetarët janë shprehur për “Telegraf” se: “Në fillim kontrata është zbatuar dhe më pas kjo kontratë është shkelur deri sa ka sjellë shqetësime të përditshme e të vazhdueshme”. Ata shprehen se kjo situatë u ka sjellë shqetësime ekonomike shoqërore, psikologjike. E thënë kjo sipas tyre ata kanë përdorur ADSL për të komunikuar me klientelën, me shoqërinë, por ky fiksion ka qenë i dobët dhe herë pas here me ndërprerje. Ankesat e qytetarëve për përmirësimin e situatës problematike me rrjetin nuk merren në konsideratë dhe nuk gjejnë zgjidhje. Qytetarët tregojnë se shkojnë në zyrën e ankesave, bëjnë dhe ankesa me shkrim, por situata mbetet e njëjtë dhe asnjë problem nuk është zgjidhur. Qytetarët shprehen se ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.

    Problemet e vazhdueshme të rrjetit

    – cilësi e dobët

    – moszbatim të kontratës

    – kontrata të njëanshme

    – mungesë të pritjes dhe të zgjidhjes së problemeve

    – mungesë korrektësie në zbatim të parametrave

    – mungesë të transparencës