Rrapo Ormeni: Ja e vërteta e 21 dhjetorit dhe aludimet për fundin e botës

    505
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Specialisti i Institutit të Gjeoshkencave, Rrapo Ormeni, për rënien e tërmeteve 

      Data 21 dhjetor është bërë një ndër datat më të diskutuara dhe një ndër data që ka ngjallur edhe jo pak panik tek njerëzit, për shkak të interpretimeve të shumta që janë bërë mbi atë që mund të ndodhi. Por interpretimet e ndryshme që bëhen në lidhje me 21 dhjetorin janë më shumë aludime deri në momentin që shkenca nuk ka informacione për të tilla dukuri që mund të sjellin fundin e botës. Dita e 21 dhjetorit do të jetë një ditë si ditët e tjera e qetë dhe pa ndonjë ngjarje të tillë. Në gjë të tillë e përforcon edhe specialisti i Institutit të Gjeoshkencave, Rrapo Ormeni në një intervistë për “Telegraf”.

     -Zoti Ormeni, një ditë më parë pati një tërmet 4.2 riter, cila ishte epiqendra e këtij tërmeti dhe a pritet të ketë tërmete të tjera?

    -Tërmeti është dëgjuar në ora 22:35 dhe u ndje sidomos në zonën e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Peqinit, Kavajës, Rrogozhinës, Librazhdit, Cërrikut, etj. Tërmeti ishte me intensitet 4.2 ballë i shkallës “Riter”. Epiqendra ka qenë 18 km larg kryeqytetit, në veri-lindje të Peqinit. Pas këtij ka pasur edhe 13 pasgoditje, por ato kanë qenë me intensitet më të vogël. Dhe goditja më e fortë e mëvonshme ka qenë 3 riter. Pastaj janë shuar goditjet dhe nuk ka pasur më. Në ditët në vijim nuk pritet që të ketë më tërmete. Nuk ka asnjë lidhje më ato që thuhen për datën 21.

     -Prej shumë kohësh flitet rreth dukurisë që mund të ndodhi në 21 dhjetor 2012. Mund të na thoni diçka më shumë rreth kësaj dukurie, a keni informacione për fenomenet që mund të ndodhin?

     -Po, flitet sot për fundin e botës se do të nisë ai që po njihet si treditëshi i frikshëm me errësirë totale që do të çonte Tokën në një dimension të ri dhe fundin e kësaj bote që jetojmë aktualisht. Gjatë këtyre tre ditëve do të ketë turbullira të papara ndonjëherë mbi tokë ku do të lëshohen të gjitha forcat negative me pasoja të rënda dhe do të jetë fundi i botës. Flitet se do të ketë shtrirje planetare etj. Shkenca ka zbuluar se toka ka ekzistencën e saj prej miliarda vjetësh. Siç ka ekzistuar miliarda vjet nga ana shkencore deri me sot nuk ka asnjë të dhënë që ajo nuk do të ekzistoj edhe për miliarda vjet të tërë. Në këtë kuptim duke marr parasysh se jeta e njeriut është kaq e shkurtër nuk ka vend për shqetësim për fundin e botës që ekziston me miliarda vite. Ligjet e materies së sistemeve kozmike janë të tilla që sigurojnë përjetësinë e saj. Prandaj si shumë data të tjera që janë përfolur më parë edhe 21 Dhjetori është datë e përfolur. 21 Dhjetori do të jetë një ditë e zakonshme. Pra nuk ka asnjë gjë për t’u shqetësuar sepse nuk janë të vërtetuara nga ana shkencore.

      -Flitet se do të ketë tërmete të forta, a parashikohet realisht të ketë tërmete në këtë datë të shumëfolur?

     -Tërmetet janë një dukuri e paevitueshme dhe njerëzit janë përpjekur vazhdimisht që të bashkëjetojnë me to duke kërkuar njëkohësisht edhe rrugët më të përshtatshme për ti bërë ato sa më pak të rrezikshëm kur ato ndodhin. Rruga më e mirë për të realizuar këtë është studimi i hollësishëm i tyre. Punimet dhe vlerësimet mbi sizmicitetin mbështeten mbi analiza të thella statistikore që realizohen si aplikime të teorisë së probabilitetit. Rezultatet e studimeve sizmologjike pasqyrohen në materiale  të përmbledhura libra, monografi, katalogë, në hartat e zonimit sizmik, sizotektonik dhe të hazardit sizmik. Këto të dhëna u jepen sizmologjisë inxhinierike dhe ndërtuesve  që i përdorin për projektim dhe ndërtim. Por parashikimi i tërmeteve në kohë pra se në cilën orë dhe minutë do të ndodhë tërmeti është deri më sot i pa realizueshëm. Pra shkenca botërore e sizmologjisë nuk mundet të parashikoj kohën e rënies së tërmetit. Si rrjedhojë fjalët se me 21 Dhjetor 2012 do të bjerë tërmet janë jo të vërteta. Pra nuk është e vërtet se në këtë datë do të bjerë tërmet kjo është e pa parashikueshme.

      -Një parashikim i tillë ka ndodhur në Francë në vitin 1768, ku ishte parashikuar se do të vinte fundi i botës dhe qe përhapur shumë panik, por nuk ndodhi ajo që thuhej. A mos ndoshta edhe këto që thuhen sot janë vetëm aludime?

     -Është katërçipërisht e vërtet se këto që thuhen sot janë aludime sepse ato nuk bazohen në studime dhe të dhëna shkencore. Jo vetëm në Francë por në tërë botën në kohë të ndryshme janë hedhur aludime të ndryshme që padyshim do të dilnin jo të vërteta. Aludimet janë hedhur për shtrirjen e planetëve, për kometat, për lëvizjet e çrregullsitë në lëvizjet e yjeve që do të sjellin fundin e botës. Universi lëviz sipas ligjësive  që sigurojnë përjetësinë e tij. Njerëzimi I zbulon dhe me aktivitetin e tij vepron në përputhje me këto ligje pra u bindet përjetësisë së tyre.

      -Shqipëria futet në zonat me aktivitet të lartë tërmetesh dhe herë pas here ka pasur tërmete, sa e lartë është rrezikshmëria për tërmete të larta në vendin tonë?

    -Sizmiciteti i një rajoni të caktuar përcaktohet në funksion të madhësisë së tërmeteve si dhe shpeshmërisë së përsëritjes së tyre. Në këtë mënyrë, sizmiciteti i Shqipërisë karakterizohet nga një mikroaktivitet sizmik intensiv (1.07.0). Në vendin tonë janë përcaktuar zonat e burimeve sizmike. Ato janë  terrene që kanë një aktivitet sizmik të dallueshëm dhe prandaj njohja e tyre është e nevojshme për perspektivën e zhvillimit të ndërtimeve në to. Duke njohur karakteristikat sizmike të këtyre zonave  marrja e masave për të kryer ndërtime të mira rezistuese minimizon ose eliminon dëmtimin e tyre si pasojë e tërmeteve të forta. Pra siç shihet vendi nuk është i izoluar nga dukuri të tilla ai përfshihet nga këto dukuri si dhe vendet e tjera të Ballkanit. Por është veçori për vendin tonë që në krahasim me vendet e tjera si Itali, Greqi, Turqi shumë rrallë mundet të bien tërmete me intensitete të larta.

    NASA: 3 ditë errësire totale që nga 21 dhjetor 2012

    NASA pas diskutimeve të mëdha që po bëhen për 21 dhjetorin ka dhënë një përgjigje të saktë dhe të qartë për të qetësuar edhe njerëzit që nuk do të ndodhi ndonjë kaos i madh në këtë datë. Në rrjetet sociale u përhapën thashetheme se me datë 21 dhjetor 2012, toka do të futet në një unazë të palëvizshme satelitore të quajtur rripi fotonik dhe në orën 1:00 pas mesnate me orën Kolumbiane do të ketë errësirë totale e cila do të zgjasë 3 ditë rresht. Janë këto dezinformatat që qarkullojnë nëpër Internet, ndërsa madje thonë se NASA kinse e ka konfirmuar këtë më datë 5 dhjetor 2012. “Errësira do të mbulojë gjithë planetin dhe do të jetë më ftohtë, edhe pse mund të ndriçojë ndonjë rreze drite gjatë kësaj kohe. Një fenomen jashtëzakonisht i rrallë që ndodh çdo 11 milionë vjet. Si pasojë e kësaj mund të ketë shkëputje të elektricitetit. Kjo është ajo ngjarje të cilës kalendari Maya i referohej, një rreshtim i pazakonshëm planetesh “thuhet nëpër mediat sociale për fenomenin që nuk ekziston.