Roli i policisë në tranzicion, nga vitet ’90 deri më sot

    646
    Sigal

    Me rastin e 100 vjetorit të Policisë se Shtetit

    Dje Policia e shtetit, festoi njëqindvjetorin e krijimit të saj. Me këtë rast u soll në vëmendje të opinionit publik kontributi i dhënë ndër vite dhe ai aktual për mbrojtjen e ligjit e rregullit; si dhe  u nderuan punonjësit që kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Vlerësimi i rolit dhe veprimtarisë të këtij institucioni të rëndësishëm tashmë edhe pse bëhet në mënyrë formale apo me kufizime, është kthyer në një traditë të mirë. Problemi shtrohet se çfarë bëhet në veprimtarinë e përditshme për ta njohur historinë e Policisë dhe shfrytëzuar prej saj ato vlera e praktika që janë pozitive. Nënvleftësimi i vlerave të krijuara e trashëguara ndër vite, jo vetëm mohon historinë e institucioneve dhe shoqërisë shqiptare, por dhe ndikon negativisht në veprimtarinë e sotme të Policisë. Ndryshimi i praktikës së deritanishme dhe përdorimi i këtyre vlerave në funksion të motivimit, do të ndryshonte treguesit e punës së punonjësve dhe gjithë organizatës së Policisë.

    Roli i Policisë në disa momente të vështira në periudhën e tranzicionit:

    Në pamundësi të analizës dhe vlerësimit të gjithë historisë së Policisë, po ndalem në evidentimin e rolit dhe kontributit të saj në disa momente kritike të periudhës së tranzicionit që ka kaluar shoqëria shqiptare. Gjatë kësaj periudhe, barra më e rënde ka qenë mbi Policinë e shtetit. Për ruajtjen e rendit publik dhe luftën kundër krimit, asaj përveç vështirësive të tjera, i është dashur të përballet edhe me pasojat e ardhura nga puna e dobët e institucioneve të tjera shtetërore dhe veçanërisht nga konfliktualiteti i politikës.

    Periudha e viteve 1990-1992 e cila lidhej me përmbysjen e sistemit të vjetër politik e shoqëror, ishte shumë e vështirë për forcat e rendit sepse u bashkuan pasojat e sistemit të mëparshëm me krizën e rëndë të shtetit e shoqërisë dhe lëvizjen e shoqërisë për ndryshim. Për rolin e Policisë në këto vite janë bërë vlerësime të ndryshme, sidomos nga faktori politik, i cili e ka përbaltur dhe injoruar rolin e saj. Qëllimi ka qenë për të mbrojtur interesat politike e ato individuale, si dhe justifikuar trajtimin e këtij institucioni të rëndësishëm. Si një ndër ish drejtuesit e asaj periudhe të vështirë kam bindjen, se roli i Policisë me fillimin e lëvizjes studentore dhe lejimin e pluralizmit politik, ka qenë pozitiv, pra në përkrahje e mbështetje të zhvillimeve demokratike të vendit. Për të qenë objektiv në vlerësimin e rolit të saj, duhet të analizojmë realisht gjendjen e faktorëve të mjedisit të jashtëm, atë të brendshëm të vetë Policisë si dhe mënyrën e zhvillimit të konkurrencës politike për marrjen e pushtetit.

    Për faktorët e mjedisit të jashtëm, në mënyrë të përmbledhur duhet të kujtoj: a) gjendjen e rëndë ekonomike, ku papunësia dhe varfëria i nxiste njerëzit të lëviznin për një jetë më të mirë, b) gjendjen e paralizuar të institucioneve shtetërore e atyre të drejtësisë, të cilët ishin të pabesueshme dhe pafuqishme për të përballuar problemet e shumta; c) gjendjen e renduar morale e psikologjike të shoqërisë në tërësi e veçanti rinisë studentore, e cila kishte humbur besimin ndaj sistemit dhe kërkonte të drejtat e veta njerëzore; ç) shkeljet masive të ligjit dhe rendit publik, ku grupe njerëzish në mbrëmje vërsuleshin për të shpërbërë e marrë ish pronën e përbashkët, ndërsa ditën demonstronin nëpër rrugë për ndryshimin e sistemit, duke krijuar trazira sociale të pakontrollueshme, inkurajuar vetëgjyqësinë, hakmarrjen e gjakmarrjen;

    Në vlerësimin e konkurrencës politike duhet të kujtoj se loja politike ishte e pandershme dhe përgjithësisht e dhunshme, çka vështirësonte punën e forcave të rendit për të ruajtur rregullin e ligjin. Forca politike në pushtet nxori dy akte të reja ligjore për të mbrojtur monumentet e bustet  dhe mbajtur nën kontroll tubimet e demonstrimet, të cilat detyronin përdorimin e fuqisë shtrënguese. Ndërsa forcat politike që aspironin marrjen e pushtetit, në funksion të qëllimit të tyre përdorën çdo mënyrë e mjet për tu kundërvënë. Veç demonstrimeve shpesh të pakontrolluara, u nxiten grupe të dhunshme dhe krijuan ngjarje pranë objekteve të rëndësishme që ruheshin, duke provokuar forcat e sigurisë, për të shkaktuar pasoja dhe përdorur këto kundër faktorit politik në pushtet dhe vetë forcave të Policisë. Pra të dy faktorët politikë si ai që ishte në pushtet dhe ai që donte të merrte pushtetin, në vend të konkurrencës së ndershme e zgjidhjeve politike, preferuan inkurajimin e ngjarjeve dhe përdorimin e forcës, duke bërë kurban forcat e rendit dhe qytetarët.

    Në vlerësimin e brendshëm të forcave të rendit në vitet 1990-1991 duhet të evidentoj faktin që ato ngelën të vetme në përballimin e problemeve të natyrës kriminale, por dhe sociale (drita, bukë, ngrohje etj.,), sepse institucionet e tjera dolën jashtë loje; ato ishin të lodhura nga shërbimet e shumta; të zhgënjyera nga keqpërdorimi i pushtetit; të çorientuara moralisht e pasigurta për të ardhmen; të varfra ekonomikisht ashtu si gjithë populli; të papajisura me teknikën dhe mjetet e shërbimit, të pafta profesionalisht për zgjidhjen e situatave masive e përgjithësisht të dhunshme. Policia në funksion të qëllimit për sigurimin e rendit dhe parandalimin e pasojave, përdori në mënyrë intensive komunikimin dhe bashkëpunimin me opinionin publik e forcat politike.

    Gjate proceseve demokratike ajo përballoi e vetme situata që kalonin përgjegjësitë dhe mundësitë e saj; duke iu shmangur provokimeve dhe nxitjeve të grupeve ekstremiste, të cilat shpesh ishin me mbështetje politike. Qëndrimi i saj evitoi gjakderdhjen, e cila në shumë momente ishte shumë pranë. Nëse do të ishte e kundërta që forcat e rendit të ishin të privilegjuara nga sistemi, apo në shërbim të tij, atëherë do të ishin shumë të dhunshme për të mbrojtur pushtetin me të gjitha mjetet duke mos llogaritur pasojat që do të vinin. Drejtimi i Policisë në të gjitha nivelet, për një kohë të gjatë, vlerësoi me maturi e gjakftohtësi ngjarjet e krijuara dhe i përballoi ato duke u dhënë prioritet interesave të qytetarëve e krejt shoqërisë.

    Periudha e viteve 1997-1999, e cila njihet si koha e trazirave të rënda sociale dhe krizës institucionale, ishte gjithashtu shumë e vështirë për forcat e sigurisë, për shkak të: a) trazirave sociale të krijuara nga rrënimi i firmave piramidale, b) armatosjes së qytetarëve c) dëmtimit të institucioneve shtetërore dhe ç) problemeve të rendit të krijuara nga lufta në Kosovë. Gjatë viteve 1997-1998 rendi dhe siguria e brendshme u dëmtuan rëndë, sepse vepronin grupe e banda të armatosura, e për rrjedhojë vetë shteti nuk kontrollonte plotësisht territorin e vendit. Kriza e gjithanshme e krijuar në vend dhe paaftësia e faktorëve politike, detyruan politikën evropiane të ndihmojë veç të tjerash edhe me forca të sigurisë. Vlerësimi i rolit të Policisë në përballimin e këtyre ngjarjeve është i vështirë, por mund të pohohet pa frikë se roli i saj për sigurimin e rendit në trazirat e viteve 1997-1998 ka qenë i dobët. Pas vitit 1992 ajo vlerësohej se ishte “e reformuar”, por në të vërtetë nuk ishte e tillë. Dobësitë në vlerat morale e ato profesionale u dukën në angazhimin e saj në ndihmë të firmave piramidale, në vend të goditjes dhe penalizimit të kësaj veprimtarie; përdorimin e fuqisë shtrënguese dhe forcës si metodë të përhershme pune si dhe në politizimin e institucionit. Paaftësia dhe menaxhimi i gabuar i saj u duken veçanërisht kur u përball me protesta e revolta të dhunshme të qytetarëve të dëmtuar nga firmat piramidale, ku shumë institucione, përfshirë dhe komisariatet e Policisë u dogjën lehtësisht pa ndonjë rezistencë.

    Përdorimi i Policisë si instrument force e shtrëngimi ndaj popullit ishte në shkelje të ligjit, sepse Policia doli jashtë funksionit të vetë, i cili është për tu përballur me individët dhe grupet që shkelin ligjet e kryejnë krime dhe jo me gjithë popullin. Pasojat e zgjidhjes politike por dhe keqpërdorimit të forcave të mbrojtjes e sigurisë, i vuajti shoqëria dhe vetë Policia, të cilës për të luftuar bandat e armatosura e marr nën kontroll territorin e vendit, iu desh të jepte shumë jetë nga radhët e saj.

    Ngjarjet e Janarit të vitit 2011, ku u vranë katër qytetarë, gjithashtu duhen konsideruar për të evidentuar rolin e forcave të rendit dhe nxjerrë mësime. Organizimi i tubimeve pranë objekteve të rëndësishme që ruhen me roje të armatosur dhe provokimi i forcave të sigurisë për përdorimin e armëve, është një strategji e hershme dhe veprim djallëzor për të sjellë pasoja dhe përdorur ato për synime politike. Është përgjegjësi e drejtuesve të institucioneve të specializuara të marrin masa dhe drejtojnë e veprojnë në këto situata vetëm në bazë të ligjit.

    Autoritetet shtetërore kanë vlerësuar pozitivisht punën e Policisë dhe të Gardës për këtë ngjarje, duke e quajtur përdorimin e armëve “te ligjshme” për shkak të qëllimit, pra “mbrojtjes së institucioneve kushtetuese”. Për rrjedhojë sipas tyre janë të justifikuara edhe pasojat, “vrasjet”. Autorë të ndryshëm, për të bindur opinionin u referohen neneve të veçanta të ligjit të Gardës së Republikës, duke iu shmangur ligjit tjetër të posaçëm që përcakton rastet, kushtet dhe procedurat e përdorimit të armëve. Për të saktësuar kundërligjshmërinë e qëllimit me armë, mjafton të citojmë nenin 5 të ligjit “Për përdorimin e armëve të zjarrit” ku thuhet: “Armët nuk lejohen të përdoren kundër personave që në dukje tregojnë se janë të mitur (fëmijë); gra dhe pleq; në vende publike ku ka mbledhje e grumbullime njerëzish dhe vihet në rrezik jeta e të tjerëve….”.

    Shërbimi i Gardës gjatë gjithë kohës së demonstrimit nuk kishte arsye dhe nuk duhej të futej në veprime ndaj qytetareve, sepse kjo ishte përgjegjësi e forcave të Policisë së shtetit. Garda veproi së pari para kohe, sepse ligji ngarkon me detyrë Policinë për  kontrollin e territorit dhe mbarëvajtjen e demonstrimit; së dyti veproi pa lindur nevoja e domosdoshmërisë (ende rrezikshmëria ndaj objektit nuk ishte serioze) sepse demonstruesit kryenin veprime jashtë rrethimit dhe së treti përdori forcë dhe mjete vdekjeprurëse (armët) që nuk i përgjigjen intensitetit dhe mjeteve të sulmit të demonstruesve. Përdorimi i armëve nuk ishte i domosdoshëm sepse nuk kishte rrezik serioz për objektin që ruhej në rrethanat përkatëse; nuk ishte në proporcion me sulmin dhe mjetet që përdornin demonstruesit, e mbi të gjitha se rrezikohej jeta e qytetarëve jashtë rrethimit, të cilët mund të ishin për demonstrim ose dhe kalimtarë të rastit.

    Unë e vlerësoj punën e Policisë për mbajtjen e rregullit në përgjithësi, por për këtë ngjarje mendoj se ajo difektoi para, gjatë dhe mbas ngjarjes së ndodhur. Përgjegjësitë e saj janë se nuk mundi të koordinonte suksesshëm me forcat e Gardës dhe organizatorët e demonstrimit; nuk mbajti të pastër territorin e veprimit dhe nuk menaxhoi në mënyrë të disiplinuar forcat e veta; gaboi në veprimet taktike dhe përdorimin e mjeteve teknike; u pajtua me përdorimin e armëve prej gardës nga mbrapa krahëve dhe largua nga territori i shërbimit, duke ia vështirësuar punën ose lënë asaj për zgjidhje (me armë); nuk arriti pas ngjarjes të mblidhte prova dhe provonte informacionet që kishte publikuar për organizimin etj.

     Modeli dhe standardet e Policimit për sigurinë e qytetarëve

    Si gjithë sistemi i institucioneve shtetërore, tashmë edhe Policia e ka zgjedhur dhe vendosur modelin e saj. Ai është perëndimor, pra policim demokratik, që do të thotë një institucion i shërbimit publik, që ofron siguri e mbrojtje për qytetarët dhe shoqërinë.  Misioni, përgjegjësitë, organizimi, kompetencat e saj janë të përcaktuara në ligj dhe të kontrollueshme. I gjithë legjislacioni përshkohet nga parimet e rëndësishme të përfaqësimit, ligjshmërisë, departizimit e depolitizimit, centralizimit, llogaridhënies etj., dhe është në mbrojtje të të drejtave e lirive themelore të njeriut. Për nivelin e sigurisë, vlerësimi dhe qëndrimi ndryshon. Aktualisht për të vërehen dy qëndrime: I pari është ai zyrtar, i cili jep shifra të shkëputura për krimin në tërësi apo lloje të veçanta të tij dhe goditjeve të bëra, në funksion të qëllimit për të reklamuar punën, duke iu shmangur informimit të opinionit publik mbi treguesit e plotë të kriminalitetit, strukturën, veçoritë e sidomos të tendencës së rritjes dhe shkaqeve të tij. I dyti është ai i shoqërisë civile, medias, analistëve të ndryshëm, sociologëve, organizatave jofitimprurëse e atyre ndërkombëtare, të cilët deklarojnë gjendjen e krimit, sidomos atij të dhunshëm dhe kërkojnë përforcimin e ligjit nëpërmjet  rritjes së eficencës së shërbimeve të sigurisë dhe atyre të drejtësisë.

    Politika zyrtare reformën në Policinë e shtetit dhe standardet e policimit demokratik i vlerëson të përmbushura duke u shprehur: “Thelbi i reformës për ta shndërruar Policinë nga një strukturë e inkriminuar, në një institucion të administratës shtetërore, në shërbim të komunitetit, mbi bazën e parimeve të policimit demokratik dhe respektimit të plotë të të drejtave të njeriut sot është përmbushur plotësisht. Policia e Shtetit është tashmë e aftë profesionalisht, plotësisht e depolitizuar dhe dinamike në mbrojtje të rendit dhe sigurisë publike, në mbrojtje të jetës dhe pronës së qytetarit, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut dhe parimet kushtetuese të shtetit juridik. ( konferenca “Lufta kundër Krimit në 100-Vjet”, dhjetor 2012).

    Problemi nuk qëndron tek legjislacioni dhe modeli i policimit, por tek implementimi i tij, sepse nuk është zbatuar plotësisht e në konformitet me parimet e ligjit organik të Policisë e për rrjedhoje institucioni nuk plotëson standardet e dëshiruara. Nga viti 1999 e deri në ditët e sotme, zbatimi ka hasur pengesa e vështirësi të brendshme dhe të jashtme, të cilat kanë ulur nivelin e standardeve dhe vonuar zhvillimin e shërbimit policor. Mënjanimi i normave e procedurave ligjore, sidomos në zhvillimin e jetës së brendshme e karrierës së punonjësve dhe menaxhimi i dobët, kanë ulur vlerat dhe politizuar institucionin, duke ndikuar kështu edhe në standardet e policimit e sigurisë.

    Për të qenë objektivë në vlerësimin e standardeve dhe punës së Policisë, mjafton të vlerësojmë:  së pari standardet e institucionit duke krahasuar gjendjen me parimet, përgjegjësitë ligjore dhe rregullat e funksionimit dhe së dyti me eficencën e shërbimit, pra rezultatet në fushën e sigurisë së individit e shoqërisë. Pra u duhet përgjigjur pyetjeve: Sa është Policia me veprimtarinë e saj a) përfaqësuese; b) e përgjegjshme c) e besueshme d) eficente për sigurinë e individit e komunitetit?

    Treguesit e sigurisë së brendshme në përgjithësi dhe veçanti ata të luftës kundër krimit aktualisht në raport me faktorët e mjedisit dhe periudhat e mëparshme që ka kaluar shteti e shoqëria jonë, përgjithësisht vlerësohen në parametra normale. Kjo duket në kontrollin e kufirit dhe gjithë territorit; në lëvizjen e lirë të qytetarëve brenda e jashtë vendit; luftën kundër krimit në përgjithësi, në zhvillimin e sipërmarrjes private etj. Në këto arritje, roli i Policisë së shtetit është i veçantë, sepse vështirësitë e saj për të mbrojtur ligjin dhe rendin kanë qenë e vazhdojnë të jenë të shumta, edhe pse tashme ka në përdorim një teknologji të përparuar komunikimi e informacioni, si dhe bashkëpunim të qëndrueshëm me homologët e organizmat ndërkombëtare.

    Në periudhën pesëvjeçare 2007-2011, rritja mesatare e krimit për çdo vit arrin në 12 % duke shënuar 17646 vepra penale në vitin 2011 ose një rritje prej 15%. Po tu shtojmë këtyre treguesve numrin e krimit “të errët”, i cili nuk denoncohet apo regjistrohet për shkaqe e motive të ndryshme, (vlerësohet i lartë); viktimat me pasoja nga ngjarjet aksidentale në qarkullimin rrugor e zhvillimin industrial; vetëvrasjet; abuzimet e zyrtareve me detyrën etj., do të bindemi se kriminaliteti si fenomen që viktimizon qytetarët dhe rrezikon seriozisht të drejtat dhe liritë e tyre është disa herë më i lartë nga çfarë deklarohet, e për rrjedhojë eficenca e shërbimit policor për parandalim e goditjen e krimit është e ulët.

    Është koha për të reflektuar dhe hequr dorë nga vetëvlerësimet e bujshme pozitive. Le t’i shohim problemet dhe vlerësojmë ashtu si janë, duke dëgjuar me kujdes të gjitha zërat që vinë nga shoqëria. Tendenca e rritjes së krimit në përgjithësi dhe viktimizimit prej tij, sidomos nga ai i dhunshmi që arrin 81%, si dhe paaftësia e indiferenca e shërbimit të sigurisë për të mbrojtur qytetarët nga krimi e rreziqe të ndryshme, mjaftojnë për tu bindur se duhen ndryshuar standardet e institucioneve për të rritur sigurinë. Kjo mund të arrihet nëse gjendja e sigurisë dhe Policisë vlerësohet realisht ashtu siç është pa e zbukuruar apo nxirë dhe punohet për rritjen e standardeve të gjithë sistemit të policimit.