Roland Çenko: Një replikë e detyruar për artikullin “Mercenarët e ‘isopolifonisë’ në veprim” të F. Çaushi

556
Sigal

Nga Roland Çenko, Mjeshtër i Madh.

Këngën popullore e ruajnë ata që e këndojnë, jo ata që zgaravisin

Deri në datën 15 nëntor 2022 kur në gazetën me prestigj të lartë “Telegraf” lexova artikullin “Mercenarwt e “isopolifonisë” në veprim” të shkruar nga Fitim Çaushi, nuk isha ndjerë më i ofenduar se kurrë në jetë. Për talentin tim dhe këngën shqiptare isopolifonike gjirokastrite, që e këndoj me grupin ku bëj pjesë, apo monofonike që këndoj dhe interpretoj i vetëm, janë shkruar me qindra artikuj vlerësues, pothuajse nga të gjitha gazetat që botohen në gjuhën shqipe. Me dhjetra artikuj mund t’i kërkoni dhe gjeni në gjuhë të huaja: në anglisht, frëngjisht, polonisht, italisht, greqisht, rusisht e gjuhë të tjera. Dhe sigurisht, vlerësimet e tyre, nuk më takojnë mua si këngëtar, por këngës tonë polifonike të shoqëruar me iso. Në atë artikull të Çaushit, që sillte erën e mercenarizmit të vetë autorit, aq sa ngjante sikur autori e kishte ngjyer penën në oturak, hidhej baltw mbi personin tim. (Të më falë lexuesi për këtë shprehje jo shumë etike të sipërpërmendur, por shprehja “Ky e ka ngjyer penën në oturak” përdoret shpesh këtej nga ne në raste të tilla).

Si bartës i polifonisë në katër breza të familjes Çenko, qysh një brez para babait tim Demo Çenko që sa kishte frymw e jetë ka kënduar me Xhevat Avdallin dhe Demir Zykon në të gjitha festivalet e Gjirokastrës, e deri tek nipi Alvaro Çenko, që sot përgatitet të ngjitet në skenën e Festivalit Foklorik Kombëtar të Gjirokastrës, që do zhvillohet në maj në vitin e ardhshëm, kurrë nuk jam ndjerë më i ofenduar. Jam prekur thellë, jo se pena e ngjyer në oturak e Çaush mercenarit hodhi baltë mbi mua, por sepse nuk prisja që kjo baltë të hidhej edhe mbi faqet e gazetës që më ka lëvduar sa herë. Sinqerisht e them asnjë gazetë që botohet në shqip, nuk duhet të ketë vend për këto paçavure që shkruhen nga njerëz që s’kanë asnjë lidhje, as me polifoninë, e as me isopolifoninë.

Unë nuk jam studiues i etnomuzikologjisë, por jam thjesht interpretues i këngës, apo avazit më të vjetër të popullit tim, që im At Demua  thoshte “vënçe gjirokastritçe” dhe për këtë jam shumë krenar. Dhe këtu është vendi që të them se e vetmja gjë për të cilën i jam mirënjohës ‘Telegrafit’, është që me këtë botim më krijoi mundësinë të sqaroj njëherë e mirë kuptimin tim për debatin shterp në interpretimin e termave “polifoni” dhe ”isopolifoni” të vlerësuar nga UNESCO si “pasuri” kulturorë botërore”. Të dy termat, “polifoni” dhe ”isopolifoni” nuk janë në shqip, nuk kanë shoqëruar këngën qysh nga koha kur ka lindur ajo. Askush nuk e tjetërson dot këngën time, sepse atë e ruan vetë populli që e ka kënduar dhe e ka përcjellë brez pas brezi në shekuj.

Këto janë terma shkencorë të muzikologjisë dhe me to, unë personalisht nuk kam asnjë punë. Unë kam punë me këngën dhe siç thotë idhulli im etnomuzikologu i madh Lefter Çipa, kam dëshirë të vdes duke kënduar këngën time që nuk ma merr dot nga goja, as  greku, as italiani, as francezi, as polaku, ku unë kam kënduar dhe jam pritur me duartrokitje. Aq më pak ky vogëlushi, ky mercenari Çaush, që sillet përreth derë më derë me gavetë në dorë për ndonjë garuzhde grosh.

Unë i besoj UNESCO-s që e vlerëson këngën e popullit tim dhe e mbron si vlerë të rrallë botërore. Për mua UNESCO ka më shumë ”mendw”, ka ekspertët më të mirë në botë të etnomuzikologjisë. UNESCO e di që në botën e madhe të muzikës, ka me dhjetra avaze e mënyra polifonike të të kënduarit. Por kjo OKB e kulturës botërore, ka marrë në mbrojtje dhe në gjirin e vlerave botërore, vetëm polifoninë me iso. Kështu mendoj unë ”vozaxhiu”, që është një zanat që unë e admiroj shumë dhe Çaushi e injoron. Sa për dijeni të tij, unë nuk kam punuar asnjë ditë vozaxhi, por kam dalë në pension si punonjës i teatrit profesionist të Gjirokastrës, ku kontribuova me përkushtim për rreth 40 vjet. Në fillim të artikullit që hedh baltë mbi personin tim, artikull zhgaravitësi Çaush shkruan për mua se: “Në fjalën e tij mjeshtri u shpreh se isopolifonia është e vjetër sa historia jonë”. Kjo është e vetmja fjali që Çaushi i referohet nga fillimi deri në fund të artikullit. Po le të më gjykojë lexuesi dhe vetë redaktori i ‘Telegrafit’: Ku është këtu gabimi im, politik a ideologjik? A ka fjali më të saktë, se ta bësh këngën tënde të hershme sa vetë historia jonë!?

Autori nuk është çapraz vetëm në etnomuzikologji, por edhe në histori. Për të më injoruar si të paditur mua, “vozaxhiun”, ai shkruan: “Vozaxhiu Çenko nuk e di se kori kishtar bizantin, është vetëm 1500 vjeçar, nuk është sa vetë historia e popullit shqiptar, sepse Perandoria Bizantine ka lindur në shek e V të erës sonë, me perandor Kostandinin, prandaj edhe është quajtur Kostandinopoja”. Po mirë o “shkëncëtar i polifonisë”, po ku kam folur unë ndonjëherë, për “bizante”, për “perandor”, e për “Konstandin”!? E nëse do, për të të sqaruar ty, pyeta një historian sagllam këtu në Gjirokastër dhe më tha se Konstandini dhe Konstandinopoja zënë fill në shekullin e tretë, jo në shekullin e pestë, kur shkruan ti.

Çaushi kërkon të më bëjë mua me zor “shkencëtar”, si kosherja e tij pa bletë. Jo unë nuk jam shkencëtar. Mos më ngarko me atë që nuk e kam. Unë jam thjesht një bartës i isopolifonisë. Jam përcjellës i këngës tek fëmijët, që ajo të mos vdesë. Bëj atë që Demo Çenko bëri me mua, ja mësoj këngën Alvaro Çenkos dhe Ermelinda Bixhakut, që kënga e popullit të mos vdesë dhe të këndohet siç është kënduar nga të parët tanë. Kam kwnduar me Xhevat Avdallin dhe tim atë Demo Çenkon në festivale folklorike. Nuk jam unë akademiku Vasil Tole, që sipas teje, unë bashkë me atë e shesim këngën popullore shqiptare. Por në fakt e shet ti që duke shkruar “kodra pas bregut” pa pikë njohuri. Këngën e mbajnë gjallë ata që e këndojnë, jo ata që zgaravisin duke e ngjyer penën në oturak. Ca si puna jote, që e marrin këngën nga goja e popullit dhe thonë se e zbuluam ne, ju etnomashtruesit si ti.

Të gjithë ata që ti Çaush përmend në artikullin tënd me erë oturaku, Roland Çene, Kosta Loli, Spiro Shetuni, Vasil Tole, Ramadan Sokoli, Thanas Dino, Xhelil Aliu, Nikolla Llambro, e shumë të tjerë, që e vlerësojnë interpretimin dhe bartjen e këngës gjirokastrite që unë bëj duke e ruajtur me fanatizëm orgjinalitetin e saj, më kanë rrahur shpatulla me respekt e dashuri, më kanë falenderuar dhe më kanë motivuar në punën time. Ata nuk më kanë thënë asnjëherë ”vozaxhi”, se nuk kam qënë asnjë ditë vozaxhi dhe pse wshtw profesion fisnik. Në atë shkrim të gjatë, që ti je marrë me mua, duke më etiketuar 15 herë ”vozaxhi”, por ti se di që më ke bërë një nder të madh. Sepse nëse do ta dish, jam 15 herë krenar sikur të isha vozaxhi. Dhe 100 herë krenar për punën e jashtëzakonshme që kam bërë me mbartjen e këngës gjirokastrite tek fëmijët për 30 vite. Dhe sa për arsimimin tim kam bërë dyfishin e viteve qw thua. Unë nuk bëj shkencë, se nuk jam shkencëtar. Unë jam mësues i mësimit të fëmijëve të këndojnë këngën e të parëve të tyre, ashtu siç kanë bërë me mua Xhevat Avdalli, Demo Çenkua etj. Unw jam vlerësuar nga akademik dhe studiues tw folklorit  si Vaso Tole, Timo Merkuri ,Lefter Çipa, Haxhi Dalipi, Petrit Ruka, Roland Çene, Maliq Lila, Agim Shehu, Iliaz Bobaj, Polo Çipa, Naxhi Kasoruho, Resul Llogo, e dhjetra të tjerë që i kam dashur dhe i dua shumë për përkushtimin e tyre ndaj këngës.

Mos u merr me mua, o Çaush gaveta. Mua lermë të këndoj. Lermë t’ia marr vënçe gjirokastritçe: “’O shokë vdeksha nga kënga!”.