Rezultate befasuese të një fermeri nga Gramshi

    528
    Sigal

    Është njerëzore të gëzohesh, e mandej të ndjesh kënaqësi të veçantë shpirtërore kur njihesh me rezultate të shkëlqyera të një pune shumëvjeçare të fermerëve. Kushdo qofshin. Të njohur e të panjohur. Mjafton të përballesh me një pyll të mbajtur me kujdes, me një plantacion pemësh frutore a vreshta, me një ujëmbledhës, nga i cili marrin jetë të mbjellat me bimë të ndryshme bujqësore e mjekësore, urimi të del nga shpirti: U lumshin duart dhe mendja për këtë që kanë bërë! Kështu më ndodhi dhe mua, shkruesin e këtyre radhëve, kur u njoha me mrekullitë, “monumentet“ e shkëlqyera të përpjekjeve shumëvjeçare të fermerit, tashmë të mirënjohur, gramshiotin Shefqet Hysa.

    Nëse lexuesi nuk ka ndonjë informacion të zgjeruar rreth rezultateve të “provincialit“ Shefqet Hysa dhe i quan paksa të tepërta vlerësimet për çka po them, e teksa shkruaj për këtë fermer “të lindur për bujqësinë“, do të isha dyfish i lumtur që ai të marrë rrugën për në Gramsh, aty ku janë “gjallesat” e ngjizura nga ai me aq merak, për t’i parë me sy e për t’i prekur me dorë çuditë e fermerit pasionant.

    Shefqet Hysën nga Gramshi shumë e kanë parë; shokë, miq, fermerë, kolegë e specialistë të fushës së bujqësisë, por pak e njohin. Në këto vite të demokracisë ai është ndoshta i vetmi në atë nahije dhe ndër të paktët në shkallë vendi, që i është përkushtuar si askush tjetër punës me bimët, që nga ato që “rriten” në pyll e bashkë me pyjet, e deri tek të tjerat, të cilat mbarështohen si në “simbiozë”, në kuptimin e bashkëjetesës.

     Lexuesi ka të drejtë të bëjë pyetjen: More, çfarë paska bërë e na bëkërka ky Shefqeti i Gramshit? Përgjigjen kësaj pyetjeje ia dhamë pak më sipër. Që të bindesh se kush na qënkërka “pejgamberi” i bujqësisë Shefqet Hysa, i duhet vajtur atje ku ai punon, atje ku, ai, pa zhurmë e bujë, zbaton me përpikmëri teknologji të përparuara të kohës, duke harruar atë çka njerëzit e quajnë “sëmundje të kapitalizmit”, babëzinë për të fituar sa më shumë. Ai, sigurisht, nuk është armiku i parasë, por atë e ka fituar dhe e fiton me ndershmëri, me punë vërtet rropatëse, nëse kemi parasysh vështirësitë që ka bujqësia. Si administrator i të parës Shoqëri të Bashkëpunimit Bujqësor në rrethin e Gramshit, “BIO-Holata”, i ka qëndruar besnik fjalës për të punuar pa hile, duke e konsideruar veten një misionar për të kryer punë të pastra, plotësisht të ndershme, “BIO”, si i thonë fjalës. Disa nga projektet që janë zbatuar kanë dhënë maksimalen e mundshme në përmirësimin e mikroklimës, e cila, siç dihet, ka ndikim të drejtpërdrejt në shëndetësimin e bimëve të kultivuara. Ja, mrekullohesh kur shikon një ujëmbledhës modest, i cili qarkohet nga një plantacion i mbjellë me lavandul, bimë mjekësore me leverdi të madhe për eksport. Janë disa hektarë të zënë me lavandulën e bekuar, “magjistare” për të siguruar të ardhura të mira, me kërkesa nga më modestet për investime e shërbime. Ai, sot për sot, ka 5.7 ha, ku mbarështohen bimë mjekësore të certifikuara. Është një nga sukseset që është materializuar, falë bashkëpunimit dhe kombinimit mjaft të leverdisshëm të interesave të individit me komunitetin, në një teren “të aksidentuar” malor, siç është Gramshi. Në periudhën kur bima kërkon shërbime, apo gjatë procesit të korrjes, tharjes e përgatitjes për eksport, aty janë punësuar më shumë se 150 punëtorë sezonalë.

    Ky fermer me vizion për të ardhmen e bujqësisë, ka shumë vite që po lë emër të mirë në fushën e prodhimeve BIO. Rrushin, mollët, nënproduktet e tyre, janë të gjithë prodhime BIO. Edhe lavandulën, e cila si “bijëz” e natyrës, rritet e zhvillohet më mirë me plehra organikë, Shefqet Hysa e trajton absolutisht me disiplinë shkencore, sipas kërkesave të certifikuara nga Komuniteti Europian. Është disi mbresëlënëse ajo që mësuam nga udhëtimi ynë në fermën e këtij specialisti, i cili me “kokëfortësinë” e tij po luan edhe me të ardhmen e biznesit që pretendon t’i japë emër të mirë. Përpara disa kohësh ambasadori austriak, zoti Florian Raunig, sot ambasador i OSBE-së në Tiranë, ishte shumë i interesuar që mbi kaskadën e lumit Devoll, aty ku do të ndërtohet hidrocentrali i Banjës, të mund t’i jepet ndikim pozitiv në fushën e përmirësimit të florës e faunës, e për më shumë, të investohet për rritjen e prodhimeve bujqësore e blegtorale. Në këtë udhëtim atij iu dha mundësia të njihet me punën e specialistit Shefqet Hysa. Të dhënat, puna serioze e specialistit nga Gramshi e impresionuan zotin ambasador, madje e konsideroi privilegj të bëhej miku i tij. Nga ai çast njohjeje, e më pas, ai ka dërguar për shkëmbim përvoje grupe fermerësh nga Vjena, kryeqyteti i Austrisë. Udhëtimi deri në Gramsh është bërë posaçërisht për të mësuar e për të dhënë përvojë rreth praktikave të shërbimit të bimëve, sidomos për prodhimet BIO. Një sekret i madh i suksesit është të çash jetën si njeri që nuk konsumohesh kurrë. Të mos konsumohesh duke punuar e mësuar. Dhe nëse i referohemi kësaj çka po themi, ky specialist “provincial“ është sa praktik, po aq edhe njohës i të dhënave më të fundit të shkencës. Atij nuk i ka shkuar kurrë ndër mend të duket, të zërë faqe gazetash, apo ekrane televizionesh. As nuk u ka trokitur, e as i lutet kujt për të treguar “virgjërinë” e prodhimeve që nxjerr në treg. Çuditërisht, ashtu pa u ndjerë, produkteve dhe nënprodukteve të nxjerra nga dora dhe teknologjia që zbaton Shefqet Hysa, “u doli nami” shumë shpejt për emrin e mirë. Tashmë, nuk e kërkon tregun fermeri Shefqet, por tregu është i pangopur me mallin që ai prodhon. Dhe e gjithë kjo, falë besueshmërisë që ka krijuar me punën e tij prej vitesh.

    Meqë “BIO-Holta” ka si drejtim kryesor eksportin dhe prodhimet BIO, ata që janë bërë “si të shtëpisë” janë Instituti i Bujqësisë Biologjike (IBB), drejtuar nga specialisti i mirënjohur Enver Isufi, ku Shefqet Hysa është anëtar i tij; Instituti i Bimëve Medicinale (Medalbinstitut), të ngritur me vullnet të hekurt nga specialisti pasionant Luan Ametaj; Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe Shoqata e Bujqësisë Biologjike. Ndërkohë, në këtë zinxhir bashkëpunimi është edhe “Albinspekt”, tek i cili ky fermer merakli ka gjetur “ustanë” e certifikimit për prodhimet BIO. Këta të fundit janë ndër të vetmit që i qëndrojnë strikt ligjit shqiptar dhe rregullores të Bashkimit Europian. Për të të toleruar apo për të të certifikuar në kundërshtim me ligjin, ata nuk i bën kurrë miq. Në këtë kuptim, duke ia “hequr veshin” herë pas here për ndonjë gabim njerëzor, vërtet kanë mësuar shumë, e kanë bërë të jetë e të dalë faqebardhë me bashkëpunëtorët dhe tregtarët seriozë të Europës.

    Dhe, meqë jemi tek bashkëpunimi, fermeri Shefqet veçon fondacionin Agrinet, i cili me specialistët e fushës së prodhimit dhe mbrojtjes së bimëve nga sëmundjet dhe dëmtuesit, u kanë dhënë dhe u japin këshillime të mjaftueshme fermerëve. Kanë dhënë dhe kontribut financiar. Nuk është pak, thotë ai, që ata përballuan hartimin e dokumentacionit ligjor të SHBB “BIO-Holta”, të cilëve u është mirënjohës.

    “Mos kini frikë të ndërmerrni një hap të madh, nëse është e nevojshme. Nuk mund ta kaloni humnerën me dy hapa të vegjël”. Kjo këshillë e reformatorit britanik Dajvid Llojd Xhorxh (1863-1945), për Shefqet Hysën është dhe mbetet “melhem” për të qenë i guximshëm. Ai sot është administrator i SHBB “BIO-Holta”, një ndër të parat kooperativa kapitaliste të ngritura në Shqipëri, e cila administron 10 hektarë tokë nën kultur. Shumë shpejt kjo sipërfaqe do shkojë në 25-30 hektarë. Madje, për të qenë të besueshëm në këto shifra, po kontaktohet me kompani serioze për të siguruar tregun për eksportin e prodhimeve. Janë futur në kontakt me kompaninë “SonnentoR”, e cila, siç dihet, është furnizuesja më e madhe në Europë me prodhime BIO. Tregtimi me këtë kompani shkon në një vlerë prej 44 mijë euro. Për një SHBB, si kjo, nuk është pak, apo jo?!

     Do merren në përdorim edhe toka me qira. Sot për sot SHBB ka në dispozicion disa hektarë, por në vitet që vijnë tokat e marra me qira do të zënë sipërfaqe shumë më të madhe. Është me shumë leverdi për të dy palët; edhe për bashkësinë, por dhe për pronarin e tokës, i cili nuk ka mundësi ta përdorë atë si tokë bujqësore, pra ta punojë, ta mbjellë apo t’u kryejë shërbimet bimëve bujqësore. Ky fermer ndjehet vërtet i motivuar për të punuar me të gjitha kapacitetet e mundshme, organizative e intelektuale, edhe pse jeton e punon në një qytet “të humbur” si Gramshi. “Jo, secili prej nesh mund të bëjë gjëra të mëdha, ka thënë Nënë Tereza, por të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Një ndër këta,që punojnë me dashuri të madhe, por dhe që bëjnë edhe punë të mëdha, është fermeri Shefqet Hysa.

    Bashkim Koçi