Remzi Përnaska, gjuhëtari dhe patrioti shqiptar

    1026
    Sigal

    Një emër që nderon Shqipërinë dhe Francën

    Studiuesit shqiptarë që jetojnë e punojnë prej dekadash jashtë kufijve të atdheut të tyre, janë quajtur “ambasadorët e vendit të tyre” për punën dhe kontributet e vyera që kanë nderuar dhe nderojnë veten e kombin. Është i njohur edhe fakti që shumë prej tyre, sot njihen si shembullorë në arritjet studimore në vendet, ku ata jetojnë e punojnë, pak njihen, e fare pak flitet për veprën e tyre shkencore, shoqërore, politike etj. Ironi historike e fatit të shqiptarëve në përgjithësi, apo harresë kolektive? Është detyrim qytetar dhe intelektual të shkruash për figura të tilla, si ajo e  shkencëtarit dhe teoricienit të gjuhësisë së sotme shqiptare Profesor Remzi Përnaska, si dhe promovimi i punës dhe kontributeve të këtij patrioti në ndihmë të çështjes shqiptare në Paris, ku jeton e punon prej vitesh. Profesor Përnaska si moto udhëheqëse ka patur dhe ka “Botën time e drejton dëshira për të qenë i dobishëm.”

    -Jeta dhe edukimi

    Ai qysh në fëmijëri ishte në kontakt me tri gjuhë, shqipen, turqishten dhe maqedonishten, kjo pasi 6 vitet e para të fëmijërisë së hershme i kaloi në qytetin e Strugës pranë gjyshit të tij nga nëna, Nuri Sojli, që ka qenë delegat dhe ka nënshkruar dokumentin e shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë. Në Korçë vijoi shkollën fillore, shtatëvjeçare dhe të mesmen “Raqi Qirinxhi”, e cila konsiderohet si vazhduese e traditës së Liceut. Aty mësoi edhe rusisht e frëngjisht dhe pas gjimnazit, për rezultate të shkëlqyera, iu dha e drejta e studimit për gjuhë dhe letërsi ruse në Institutin e Lartë Pedagogjik të Tiranës. Në vitin 1960 u dërgua për studime orientalistike në Moskë. Në vitin 1961 vazhdoi studimet e larta për Gjuhë e Letërsi shqipe në Fakultetin e Historisë e Filologjisë të Universitetit të Tiranës. “Unë e zgjodha gjuhësinë sepse ajo kishte ardhur natyrshëm tek unë”. Njeriu i thjeshtë dhe shpirtmirë Remzi, rrallë, shumë rrallë flet për veten. Por, me shumë zor e vështirësi mundëm të “vidhnim” këto rreshta, që ai na i shkroi në mirëbesim, e i bindur se nuk do ta shohin dritën e botimit asnjëherë: Mik dhe zotëri i nderuar, … unë i quajturi Remë Ziu, kam tri diploma (dy në Shqipëri: gjuhë dhe letërsi ruse, gjuhë dhe letërsi shqipe) dhe një në Francë, në Sorbonë. Por, “ lavdia shkollore”, siç e quan ai me shaka shpotitëse këtë periudhë të jetës së vet, kulmon me tri doktorata (një në Shqipëri dhe dy në Francë). “… E para është mbrojtur në Sorbonë dhe quhet Docteur du troisème cycle (Doktor i ciklit të tretë) dhe e dyta Docteur d’Etat ès lettres et sciences humaines (Doktor Shteti letrash dhe shkencash shoqërore). Doktorata ime e shtetit është për gjuhësi teorike dhe më lejoi të punoj si profesor në Ecole Pratique des Hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës në Paris. Është  rasti të theksohet fakti se, Doktoratë Shteti kanë marrë deri më tani vetëm tre shqiptarë: Edi  Plasari (profesor në Nancy), Robert Progri (profesor në Paris) dhe Remzi Përnaska (profesor në Paris).”  … Tema e doktoratës “La syntaxe de l’énoncé en albanais ” (Sintaksa e thënies në gjuhën shqipe), trajton kryesisht sintaksën e trajtave të shkurtra të përemrit vetor në gjuhën e sotme shqipe dhe arrin në përfundime me interes teorik për gjuhësinë e përgjithshme si:

     1. Trajtat e shkurtra nuk janë më as përemra, as fjalë, por janë shënjues marrëdhëniesh kundrinore

    2. Ato janë të kushtëzuara ligjërimisht nga perspektiva funksionale, janë shënjues i ndarjes së thënies në temë e remë

     3. Ato nuk mund të izolohen, sepse gjenden vetëm aty ku ka folje dhe gjithmonë ngjitur para, prapa, ose në mes të foljes, pra janë njëherazi edhe shënjues të tranzitivitetit të foljes dhe, për rrjedhim i njohin foljes së gjuhës shqipe (dhe jo vetëm të asaj) edhe një zgjedhim “sui generis” subjektor-objektor 

    4. Analiza e sintaksës së trajtave të shkurtra të gjuhës shqipe, si edhe të atyre gjuhëve që e kanë këtë dukuri, tregon se ato nuk përsëritin, nuk rimarrin, nuk dublojnë ndonjë kundrinë, nuk janë, pra, pleonazma 

    5. Analiza e tyre çon domosdoshmërish në një logjikë tjetër nga ajo e Aristotelit (Kjo është arsyeja që amerikanët më propozuan dikur të bëhem anëtar i Shoqatës amerikane të jo aristotelianëve). Përveç Shoqatës amerikane të Joaristotelianëve (anëtarësimin në të e pengoi mosdhënia e lejes përkatëse nga institucionet e politizuara të kohës), prof. Përnaska që nga viti 1975 është anëtar i Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Gjuhësisë Funksionale. Prej vitit 1976 është anëtar i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Parisit dhe nga viti 1994 edhe i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Francës (shih “Annuaire des Linguistes de France 1995-1996, faqe 57) dhe, qysh prej themelimit, edhe i Rrethit të Gjuhëtarëve të Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore (viti 1997). Për të mos u shkëputur nga kjo rrjedhë, përmbledhtazi mund të thuhet se kjo figurë ndriçon më së tepërmi në tri fusha të mëdha:

    1. Si shkencëtar i vërtetë në gjuhësi;

    2. Si mësues e pedagog pasionant i shqipes, brenda dhe jashtë Shqipërisë;

    3. Si veprimtar me zë për çështjen shqiptare në Francë e kudo nëpër botë. Duke e vështruar në mënyrë të shpejtë veprimtarinë e shkencëtarit Përnaska, mund të themi pa drojë se ai duhet konsideruar jo vetëm si vazhdues i denjë i shkollës tradicionale gjuhësore shqiptare, themelet e së cilës i vunë kolosë të tillë si Xhuvani, Çabej, Cipo, Riza etj., por ai, për mendimin modest të shkruesit të këtyre radhëve, është gjuhëtari që çon më tej, që plotëson dhe hap shtigje të reja në punën e nisur nga Konica dhe i madhi Selman Riza për studim në gjuhësinë e teorike me fytyrë të veçantë shqiptare. Siç pohon edhe vetë  Prof. Përnaska: “…Thuajse i gjithë prodhimi i gjuhëtarëve shqiptarë vuan… nga një metodë deduktive e huazuar nga gjuhësia e përgjithshme, nëpërmjet modeleve të disa gjuhëve të huaja, ndaj edhe mbart disa nga dobësitë e saj. Dhe kjo ka car pashmangshmërisht në lënien pa trajtuar të mjaft dukurive të shqipes dhe, ndonjëherë, edhe në përdhunimin e strukturë së saj. Rruga e ndjekur ka qenë nga gjuhësia e përgjithshme në gjuhësinë shqiptare. Kjo ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë dobiprurëse, po, për fat të keq, zgjidhjet e huajtura nga gjuhësia e përgjithshme nuk janë ato që i përshtaten më mirë ndërtimit të gjuhës shqipe. Ka ardhur koha që të rrihet edhe rruga e përkundërt: nga shqipja në gjuhësi të përgjithshme.” Duke ndjekur rrugën e gjuhëtarëve të shquar, francezit Antuan Kylioli dhe të “mjeshtrit tim” siç e cilëson Prof. Përnaska gjuhëtarin e shquar shqiptar Selma Riza, ai është përpjekur që të dhënat e gjuhës shqipe, t’i shohë dhe t’i trajtojë nën dritën e teorive të reja gjuhësore post-strukturaliste, semantike. Rruga e ndjekur ka qenë deduktivo-induktive. Ai beson fort se kjo rrugë duhet edhe nga shumë e shumë gjuhëtarë të tjerë shqiptarë, nga gjuhësia shqiptare në përgjithësi, sepse ajo ka ç’i parashtron gjuhësisë së përgjithshme. Në shkrimin “Gjuh(ësi)a shqip(tar)e dhe gjuhësia e përgjithshme” profesor Përnaska thekson se: “Gjuha shqipe ka lëndë interesante për t’u hetuar dhe për vetë gjuhësinë e përgjithshme teorike” për të vërtetuar disa përfundime e teori të saj ose, “ përkundrazi, për të rivështruar disa përfundime të teorive të veta. … Këtu mund të thuhet, p.sh., se “Trajtë ndryshimi në ballë të fjalës (të ashtuquajturat nyja të përparme të emrit në gjinore dhe para mbiemrave të nyjshëm, të ashtuquajturat trajta të shkurtra të përemrave vetorë, të pashkëputshme nga folja, pra të paizolueshme), habitorja, dëshirorja e disa dukuri të tjera joshin jo vetëm teoricienët e gjuhës shqipe, por edhe nga ata të gjuhësisë së përgjithshme”.  Pa pasur frikë nga “zonat e minuara” studimore ai në punën e vet kërkimore-shkencore i qëndron besnik thënies së urtë të popullit “Po të kishte frikë bujku nga krimbat në arë, nuk do të hidhte kurrë farë”. Pikërisht këtë yshtje guximtare, këtë frymë në kërkim të “rrezikut”, e të novatores në shkencë, e ndiejmë të gjallë në të gjithë punën voluminoze të Profesorit tonë përherë të ri në ide: në veprat e plota, në shkrimet në organe të ndryshme të specializuara ose jo, në kumtesat e veprimtaritë shkencore, në  monografitë etj., madje edhe në biseda mes kolegësh. Ai është një zë i dalluar dhe i respektuar i gjuhësisë moderne në kongrese dhe konferenca të shumta  kombëtare dhe ndërkombëtare për gjuhësinë. Profesor Përnaska është pjesëmarrës në mjaft kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për gjuhësi, si ato të organizuara në Këln të Gjermanisë (1988), në Paris nga Ministria e Arsimit të Lartë dhe e Kërkimeve e Francës, janar 1994; nga shoqata gjuhëtarësh të gjuhësisë së përgjithshme në Francë, tetor 1995, qershor 1996 e 1997, në tetor 1997, në shkurt 1999 etj. Kumton në Konferencën Ndërkombëtare “Probleme aktuale të gjuhësisë së krahasuar, të studimeve letrare, të historisë dhe etnografisë” të organizuar në Shën-Petërburg në maj 1997, për nder të A. V. Desnickajas, si dhe nga Rrethi i Gjuhëtarëve të INALCO-s në qershor dhe në tetor 1996, në 1997 dhe në 1998, si edhe në shkurt 1999. Me ligjëratat për gjuhën shqipe në Athinë, Paris e në Këln, në Puatje e në  Marsejë, Nantë, Mynik etj., ai ka ngjallur interes të veçantë të studentëve dhe të kolegëve gjuhëtarë, për çështje të ndryshme të gjuhës shqipe, sidomos në planin teorik. Ai gjithashtu njihet edhe si bashkautor në Fjalorin enciklopedik shqiptar duke hartuar disa zëra. Ka botuar artikuj në revista të specializuara franceze dhe ndërkombëtare. Si  mësues e pedagog pasionant i shqipes, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Siç e përmendëm në krye të këtij shkrimi, profesor Remziu e ka filluar punën si mësimdhënës qysh sa doli nga auditorët e universitetit të Tiranës dhe e vazhdon me pasion punën për mësimin e studimin shqipes nga vendas dhe të huaj që kanë interesa të veçanta për këtë gjuhë vjetër e me shumë çështje të pa, ose studiuara pak. Për rezultate të shkëlqyera në studimet e larta, ( Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë në Tiranë, 1963) e mbajtën pedagog të sintaksës së gjuhës shqipe në katedrën e gjuhës shqipe të këtij fakulteti, prej vitit 1963 deri në vitin 1974. Ish- studentët e prof. Remziut sot i gjen në të gjitha trojet e vendit duke punuar si mësues, si drejtues arsimorë, si pedagogë në universitete të ndryshme të Shqipërisë dhe jashtë saj, si studiues të gjuhës shqipe që kanë marrë nga ky njeri jo vetëm i shkencës, por edhe i shoqërisë, tiparet më të mira e të spikatura të tij: pasionin dhe dëshirën për të ndihmuar njerëzit në përgjithësi, në mënyrë të veçantë ata që nuk i druhen punës, ata që e dashurojnë atë. Nuk është rasti këtu për të përmendur emra të përveçëm, por sot e kësaj dite gjen në Elbasan (aty ku unë banoj) njerëz të thjeshtë që e kujtojnë  me shumë respekt mësuesin e tyre. Pasi, pas mbarimit të studimeve të larta për gjuhë ruse më 1956,  punoi si mësues i gjuhës shqipe dhe ruse në Cërrik të Elbasanit deri në vitin 1960. Ai u fut dhe u bë si “ bir shtëpie “ në familjet arsimdashëse të këtij qyteti, i cili e donte në mënyrë të veçantë gjuhën shqipe. Ata ndoshta nuk dallonin dot shkencëtarin e ardhëm të Shqipërisë dhe të Sorbonës, po me siguri, shquan tek mësuesi i ri dëshirën për të arsimuar nxënësit e, në mënyrë të veçantë, pasionin për gjuhën amë e gjuhët në përgjithësi ( tashme ai njihte me themel 5 të tilla). Për elbasanasit, që e kanë për mburrje këtë “zanat”, vazhdimi i veprës së Kristoforidhit, të Xhuvanit, të Cipos, Domit, Shuteriqit, Nosit etj., quhej si plotësimi i amanetit që i linte baba fëmijës. Kështu e konsideronin ata të riun Remzi, kështu e sheh ai qytet edhe sot profesorin Remzi, kur vjen e i mahnit studentët e universitetit tonë, “A. Xhuvani” me leksionet plot brumë e thjeshtësi për t’u admiruar. Ai ka shumë vite që është profesor i ftuar në departamentin e Gjuhës Shqipe pranë Fakultetit të Shkencave Humane.

    -Karriera e tij akademike

    Le t’i kthehemi kronologjisë: Në vitin 1974 do ta gjejmë në Paris si lektor të gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore. Atje punoi deri në vitin 1982. Puna si lektor tashmë ndërlidhet me atë të udhëheqësit shkencor për disertantët e rinj, shqiptarë dhe të huaj. Ai ka udhëhequr punime vjetore, diploma dhe disertacione për shkallën e parë të kualifikimit pasuniversitar, sidomos në planin përqasës midis një gjuhe të huaj dhe asaj shqipe. Prof. Përnaska ka qenë anëtar i Komisionit për mbrojtjen e disertacioneve për gjuhët e huaja në Universitetin e Tiranës. Qysh prej vitit 1988, me vendim të Këshillit të Ministrave, caktohet anëtar i “Komisionit të Lartë për marrjen e gradave dhe të titujve shkencorë” për gjuhët e huaja. Ai ka qenë dhe vazhdon të jetë anëtar jurie për mbrojtje disertacionesh në Universitetin e Sorbonës, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, në universitetet e Puatjesë dhe të Monpeliesë. Këtij personaliteti të shkencës shqiptare i është dhënë e drejta që të mund të marrë pjesë si anëtar jurie në mbrojtje doktoratash për gjuhësi në Francë. Nga viti 1991 deri në shtator 1997 ka punuar sërish si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve të Lindjes në Paris. Jo vetëm mësimdhënia, por edhe hartimi i materialeve të ndryshme didaktike për mësimin e shqipe janë pjesë e interesave dhe kontributit të shquar të prof. Përnaskës. Kjo gjen shprehje në doracakët e fjalorët në tekstet shkollore dhe universitare e pasuniversitare.

    -Botimet e prof. Përnaska

    Kështu ai hartoi një doracak me titullin “Parlons albanais”, që u botua më 1999 nga Shtëpia Botuese “Lë  Harmattan”. Bashkautor Ch. Gut dhe A. Gut. Ka botuar gjithashtu punimin  doktoratës së shtetit, dy doracakë “Glossaire et guide militaire de conversation francais – albanais”, E.I.R.E.L, Alb. 02, Strasbourg, 1997, 222 f. dhe “Elements de grammaire albanaise”, Complement au Glossaire Alb 02, E.I.R.E.L, Alb. 03, Strasbourg, 1997, 60 f. Punon prej shumë vitesh për hartimin e një fjalori shqip-frëngjisht të tipit të mesëm (mbi 60.000 fjalë) në Laboratorin FORELL të Universitetit të Puatjesë (shih “Les cahiers FORELL, textes, languages, informatique”, N° 7, Poitiers, 1996, faqet 199-216). Në të njëjtën kohë ai  punon për pjesën shqipe në një fjalor shprehjesh që po hartohet nga Qendra e Kërkimeve dhe e Studimeve për Përhapjen e Frëngjishtes të Ecole Normale. Superieure à Fontenay/Saint-Cloud. Për mësimin e gjuhës shqipe nga frankofonët, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve të Lindjes në Paris ka përgatitur një gramatikë, një përmbledhje me tekste dhe elemente të nj’ metode. Në bashkëpunim me kolegët shqiptarë të këtij Instituti është përgatitur një antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia shqipe. Këto janë shumëfishuar me metoda reprografimi për nevojat e mësimdhënies, por ende nuk janë botuar nga ky Institut. Që nga viti shkollor 1997-1998 e deri sa doli në pension ka qenë “Professeur associe” në Ecole pratique des hautes études të Sorbonës ku ka drejtuar edhe Seminarin për tekstet e vjetra në gjuhën shqipe. Ai njihet si ndër autorët e parë të teksteve shkollore për arsimin e lartë dhe të mesëm (shkolla pedagogjike). Në bashkëpunim me Lumnie Boriçin, ka përgatitur emisionet për mësimin e gjuhës shqipe për të huajt në Radio-Tirana. Ka marrë pjesë në tubime shkencore e komisione për informatizimin e të dhënave gjuhësore shqipe si në Gjermani dhe në European Commission, Directorate-General, Joint Research Centre në Itali. Bashkëpunoi me pedagogen e informatikës të Universitetit të Sorbonës Odil Piton për informatizimin e të dhënave gjuhësore të shqipes. Kauzës së njohjes dhe studimit të shqipes i shërben edhe puna prej përkthyesi të spikatur që ka bërë dhe vazhdon të bëjë profesor Përnaska. Kështu, ai kam përkthyer nga frëngjishtja këta libra: Luan Starova, Faik Konitza et Guillaume Apollinaire – une amitie europienne, L’Esprit des Peninsules, Paris, 1998, 239 f.; Christian Gut, Pasco Vassa (1825 – 1892), Prishtin’, 2008, 760 f.; Gabriel-Xavier Culioli, La terre des seigneurs, Un sicle de la vie d’une famille corse, Lieu commun, Paris, 1986, 181 f.

    -Si veprimtar me zë për çështjen shqiptare në Francë e kudo nëpër botë

    “Dua që eshtrat e mia të prehen në Lin të Pogradecit”. Këto kanë qenë fjalët e fundit të patriotit shqiptar Ibrahim Themo. Ai njihet si një ndër veprimtarët e shquar për çështjen shqiptare dhe atë të gjuhës shqipe në përgjithësi. Ka themeluar shoqërinë “Bashkimi dhe përparimi”, kushëri dhe mik i afërt me Dervish Himën, vëllezërit Frashëri, pinjoll i familjes Sojli dhe intelektual i kohës së Rilindjes. Mbështetur në vlerësimet e prof. Kristaq Priftit, në monografinë për jetën e tij Mjekut okulist të diplomuar në Stamboll e specializuar në Paris, Ibrahim Themo, ai ishte një ndër rilindësit e parë që krijoi një shoqëri kundra tiranizmit të Sulltan Abdyl Hamidit të II-të. Veç kësaj, ai u bë përkrahës i shkrimit të gjuhës shqipe me germa latine, aq sa ata që përkrahnin alfabetet e tjera, filluan ta thërrisnin me nofkën “Latinisti”. Ndihmoi për përhapjen e leximit dhe të shkrimit shqip të tij. Përveç dërgimit të librave shqip të shtypur në Stamboll, më 1897, Ibrahim Themo u kërkoi autoriteteve turke të kohës që atje ku ka 40 nxënës të mësohet gjuha e vendit. Veprimtaria e tij patriotike ndiqet më  tej nga vë llai i tij) Nuri Sojli, gjyshi i prof. Përnaskës, i cili, sipas rrëfimit të  këtij të fundit, ka qenë pjesë marrë s në Kongresin e Dytë të Manastirit, në Kongresin e Dibrës dhe në atë të Elbasanit. Pas Kongresit të Elbasanit, familja Sojli e Ibrahim Themos dhe klubi “Bashkim dhe përparim”, kanë ndihmuar financiarisht shkollën shqipe në Korçë. Mund të vazhdoja edhe më mbi këtë figurë, por si edhe lexuesin më “cyt” pyetja: Përse ky kapërcim pindarik në kohë dhe në personazhe? Ç’lidhje ka midis tij dhe profesorit tonë të nderuar? Këtë e tregon lidhja e gjakut, e thotë “pema e tamblit” që degëzon e nuk resht së gjelbëruari kurrë. Tradita patriotike për gjuhën shqipe dhe tradita intelektuale ( për studimin e saj) ka vazhduar edhe në ditët tona. Atë e vazhdon profesor Remzi Përnaska që është stërnip (nga linja amësore) i Nuri Sojlit. Edhe ai ka marrë pjesë në një Kongres dhe ka nënshkruar rregullat e Drejtshkrimit Shqip në Kongresin Drejtshkrimor të viti 1972. Për të mos u zgjatur e përsëritur po përmendim se veprimtarinë e tij patriotike, të pandashme nga ajo intelektuale, e plotësojnë përpjekjet që bën ai për njohjen dhe lartësimin e kulturës shqiptare të personaliteteve të fushave të ndryshme të kulturës e dijes. Pak njerëz e njohin faktin se Prof Remziu ka ndihmuar për botimin e veprave të plota të Ismail Kadaresë nga Shtëpia botuese “Fayard”.Ai ka ndihmuar dhe ndihmon shtëpitë botuese për zgjedhjen e veprave letrare që janë përkthyer nga shqipja në frëngjisht. Përkthyesit francezë i janë mirënjohës për ndihmën që ai u jep për përkthime sa më të mira nga shqipja në frëngjisht. Gjithashtu edhe lexuesi shqiptar i është mirënjohës për përkthimet e përkora, të pameta dhe elegante që sjell nga frëngjishtja si: Faik Konitza et Guillaume Apollinaire – une amitie europeenne, L’Esprit des Peninsules”, “Pasco Vassa (1825 – 1892).3. “ La terre des seigneurs, Un siecle de la vie d’une famille corse, Lieu commun, Paris, 1986., ” L’albanais dans la mythologie grecque”, Hylli i Dritës, Ai ka botuar e vazhdon të botojë me dhjetra artikuj në  shtypin e përditshëm shqiptar, në Shqipëri, në Kosovë dhe në diasporë, për probleme të gjuhës shqipe, për albanologë vendës dhe tëhuaj. Përciptazi po përmendim : “Detyra e parë e çdo intelektuali është atdhetaria”, “Louis Benloeë  për lashtësinë e popullit shqiptar dhe të gjuhës shqipe “, “Selman Riza, një atdhetar i flaktë dhe shkencëtar i madh e jo konformist”, Illyria, 29 qershor- 1 korrik 1995, f. 14; “Anri Buasën – themelues i mësimdhënies së shqipes në Francë”,për jehonën e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Francë (I. Kadare, R. Qosja, B. Mustafaj, D. Berisha, L. Starova, I. Haxhi-Kristo, Jetullah-haliti), etj.Tek ky njeri i mirë me zemër të bardhë e mendje të hapur spikat mbi të gjitha dëshira për bashkëpunim dhe ndihmë. Hidhni një sy bibliografisë dhe veprimtarisë së tij shumëplanëshe dhe do të vëreni se ai ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me këdo, shqiptar dhe të huaj; shkencëtar me përvojë apo rishtar në këtë lëmë; gramatikan e historian; artist e përkthyes, mësues apo autor tekstesh shkollore etj, etj. Ai që ka shkruar e thënë fjalë të mira për shumë nga kolegët e tij ( kujto këtu shkrimet për Çabejn, për Demirajn, Domin , Rizën, Çelikun etj.), hesht  e nuk mburret për punën e vet dhe jetën e thjeshtë që bën. Shtëpia e tij në Francë është strehëza e ngrohtë për këdo që shkel në Paris. Aty gjen mikpritjen tradicionale shqiptare, gjen fjalën e ngrohtë, gjen “debatin” intelektual e patriotik, e, pse të mos e përmendim këtu, edhe gjellët e shijshme që gatuhen nga zonja e shtëpisë. Profesori ynë i papërtuar nuk e ka për gjë të bëjë edhe “guidën kulturore” të specializuar për ata që shkojnë dhe duan të njihen me Parisin e thesaret e tij.

    -Sheshi “Scanderbeg” në Paris

    E lamë në fund që të na mbetet në kujtesë, në bashkëpunim me shqiptarë të diasporës, qysh në pranverë të vitit 1991, Remzi Përnaska nis punën, që në Sheshin “Scanderbeg” të Parisit të ngrihet një monument me kalë i heroit kombëtar shqiptar Gjergj-Kastrioti Skënderbeu. Shqiptarët e diasporës, me në krye të ndjerin Lec Shllaku, pas përpjekjesh të vijueshme e këmbëngulëse, ia dolën që një sheshi të madh të Parisit t’i vihet emri “Scanderbeg”. “Ky monument do të rrojë ndër shekuj. Ne, të vdekshmit, do të harrohemi një ditë. Kryesore dhe mbi çdo gjë është zëri i mirë i shqiptarëve që do të përçohet në Paris, Francë, Evropë e në botë edhe nga ky monument i Skënderbeut.” Nuk e dimë se sa ia kemi arritur, por shpresojmë e besojmë se këto rreshta do të hedhin dritë (e cila ka munguar deri më tani) mbi një njeri, mbi një punë e një vepër që i bën shqiptarët dhe shkencën gjuhësore në veçanti, të ndihen krenarë për figura e vlera të tilla si profesor Remzi Përnaska.