Rektori Liman Varoshi, model i ri drejtuesi, prindi dhe qytetari

    902
    Në një intervistë ndryshe për gazetën “Telegraf”, Rektori Universitetit të Elbasanit, Prof. Liman Varoshi ka treguar jo vetëm problematikat me të cilat u përballën ai dhe stafi akademik gjatë vitit shkollor 2014-2015, por edhe me dëshirat dhe preferencat e tij për kohën e lirë, nderimin që ju bë në një nga universitetet e Bullgarisë një muaj më parë, pushimet, preferencën dhe rrugën e nisur nga vajza e tij, e cila ndryshe nga ai ka zgjedhur të bëhet mjeke. 
    Zoti Varoshi, ky vit akademik pothuajse është në përfundim të tij. A ka qenë i lodhshëm për ju?
    Të jem i sinqertë po. Unë i përkas asaj kategorie njerëzish që detyrën që marr përsipër e kryej me përgjegjësi. Në këtë kuptim të jesh Rektor i Universitetit të Elbasanit, për mua është jo vetëm një nder dhe vlerësim maksimal, por mbi të gjitha një përgjegjësi maksimale, sepse është përgjegjësia ime më e madhe si titullar institucioni, nëse Universiteti ecën dhe zgjerohet në rrugën e zhvillimit dhe të cilësisë ose qëndron në vend, apo bën hapa mbrapa. Ndaj përpjekjet dhe lodhja për të arritur të parën, ka qenë shumë e madhe. Gjithsesi ndjehem mirë, pasi mendoj se kemi arritur që në kushtet ku kemi qenë, me rrethanat që na janë krijuar ne të bëjmë të mundur ecjen përpara të Universitetit të Elbasanit. Ka qenë një vit i lodhshëm pasi jemi përqendruar dhe kemi punuar fort përsa i përket aspektit të cilësisë dhe akreditimit të Universitetit të Elbasanit dhe unë mbetem i bindur se ne do ta kalojmë me sukses këtë proces. Stafi ynë akademik ka njohur një rritje të dukshme cilësore, përsa i përket titujve shkencorë dhe akademikë dhe për këtë jam mjaft i kënaqur. Gjatë këtij viti, nuk ka pasur pothuajse asnjë departament që nuk ka zhvilluar të paktën një Konferencë Shkencore Kombëtare apo Ndërkombëtare, ç’ka po e kthen Universitetin tonë, gjithnjë e më shumë në një qendër të zhvillimit shkencor e intelektual dhe jo vetëm në një institucion mësimdhënës. Pra të gjitha këto mbartin me vete edhe punën e madhe, lodhjen, stresin, duke i ‘rënë në qafë”, nëse do të përdorja këtë shprehje të Elbasanit, familjes. Pra gjithë ky impenjim ndoshta ka qenë stresant edhe për familjen, pasi kam marrë nga koha që duhet t’ia dedikoja asaj, bashkëshortes dhe vajzës sime, për të përmbushur me sa më shumë përgjegjësi detyrën e Rektorit të Universitetit të Elbasanit. 
    Në fakt vetëm pak javë më parë ju morët edhe titullin e nderuar Profesor Honoris Causa, nga Universiteti i Veliko Turnovo-s në Bullgari. Si e pritët këtë vlerësim?
    Të jem i sinqertë ka qenë një emocion i pa përshkruar momenti i marrjes së këtij vlerësimi nga universiteti në Bullgari. Kjo jo vetëm se ai mban emrin e krijuesve të alfabetit sllav, apo është Universiteti i kryeqendrës së vjetër Bullgare, por se ai aktualisht nga pikëpamja e cilësisë dhe koherencës së procesit mësimor kërkimor, renditet nga Universitetet më të rëndësishme të Bullgarisë, krahas atij të Sofjes. Ai ishte një vlerësim për kontributin që unë së bashku ne ekipin që drejtoj kemi dhënë në drejtim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve tona. Vlerësime dhe përjetime të tilla janë shumë të veçanta dhe mbeten gjatë në kujtesë, duke qenë një motiv më shumë në përkushtimin, për vijimin me dinjitet të studimeve dhe karrierës akademike dhe institucionale.
    Profesori Varoshi Rektor, mik, shok, dhe prind e bashkëshort, pas kësaj periudhe lodhjeje, keni menduar se ku do ti kaloni pushimet verore?
    Të jem i sinqertë ende nuk e kam përcaktuar qartë se ku do të shkoj për pushime. Por dua të them që edhe në këtë drejtim, “debati” në familje nuk mungon. Vajza ime si gjithë të rinjtë, me zor i pret këto pushime dhe shpeshherë më qorton se unë nuk e kam mendjen tek to. Sidoqoftë, pasioni im i hershëm që vijon edhe aktualisht është deti. Mendoj që gjatë periudhës së parë të gushtit, të frekuentoj një nga plazhet e vendit, ende nuk e kam vendosur nëse në Adriatik apo në Jon, por shpresoj që për këtë të gjejmë “kompromisin” në familje. Natyrisht që do të jetë një periudhë prej rreth 10 ditësh, pasi angazhimi edhe në punë është tejet i madh gjatë kësaj kohe, sepse nga çasti në çast ne presim vlerësimin e institucionit tonë, nga agjencia britanike e akreditimit. Limani ndryshon shpesh nga Rektori Varoshi. Jam përgjithësisht i thjeshtë, i shoqërueshëm me miqtë, pavarësisht ngarkesës së punës dhe asaj familjare, e gjej kohën për tu marrë dhe për tu takuar edhe me ata. Ndonjëherë marr kritika nga familja pasi shpesh kaloj shumë kohë me miqtë dhe kolegët e mi. Mendoj se jam i vështirë përsa i përket pushimeve. Pothuajse çdo vit kemi debate në familje, jam unë ai që hap debate, pasi pushimet janë ndoshta e vetmja kohë ku unë futem plotësisht në krijimtarinë time letrare, historike, në kërkimet e mia shkencore për të planifikuar botimin e radhës. Natyrisht kjo gjë nuk i pëlqen vajzës dhe bashkëshortes time, ato kanë të drejtën e pushimit, relaksimit diku larg problemeve dhe hallave të ditës. Më pëlqejnë vendet tona turistike dhe piktoreske, detare dhe malore, kemi një natyrë të brishtë dhe të mrekullueshme, kemi një bregdet të lakmueshëm pavarësisht se ka nevojë për investime, por kemi edhe vende të shumta malore nga ku njeriu gjen qetësinë e munguar dhe merr forca të reja për vitin e ri mësimor. 
    Kush janë vendet ku pushoni gjatë pushimeve verore ?
    Zakonisht ne shkojmë ose në plazhin e Durrësit, kurse preferencat e vajzës time janë në jug, në Himarë, kuptohet se atje është qetësia, pastërtia, etj.
    Në kohën e lirë në plazh preferoni leximin, lojën e shahut, letrat apo të dëgjoni muzikë?
    Unë zakonisht lexoj, por edhe shkruaj, luaj edhe pak shah, por edhe muzika sidomos ajo e lehtë e viteve ’80, italiane kryesisht, pasi asokohe ka pasur vërtetë këngëtarë të mëdhenj. Ne e kishim tw ndaluar nga regjimi ta dëgjonim muzikwn e huaj, por ajo mbetet preferenca ime. Leximi mbetet kryefjala, edhe gjatë ditëve kur pushoj, zhytem në lexime, klikime dhe shkrime. 
    Përmendët vajzën tuaj z. Varoshi. Mesa dimë ajo vazhdon studimet e larta apo jo?
    Po vajza ime vazhdon studimet në Fakultetin e Mjekësisë. Natyrisht programi i studimit që ajo frekuenton, ka një ngarkesë të konsiderueshme mësimore, ndaj edhe për të ky vit ka qenë i mbushur me punë dhe lodhje. Në këtë kuptim edhe ajo i ka të nevojshme këto ditë pushimesh.
    Pra Profesor vajza nuk paska ndjekur rrugën e babait të saj, një historian i njohur tashmë?
    Frekuentimi në degën e Mjekësisë është një zgjedhje personale e saj, të cilën unë e respektoj. Kjo nuk do të thotë se ajo nuk e ka patur dhe e ka pasion historinë. Kjo ndoshta edhe për shkakun tim, pasi në shumë raste bisedat në shtëpi, fokusohen rreth temave për të cilat unë kam shkruar dhe botuar në këtë fushë. Madje nuk janë të pakta rastet që ajo është edhe lexuesja e parë e dorëshkrimeve të mia dhe gjithashtu kritikja e parë e tyre. Për tu kthyer tek mjekësia, duhet të them se ngarkesa me të cilën ajo përballet është e madhe dhe kërkon shumë punë dhe mund, madje edhe privacione të moshës së rinisë, në rastin konkret ndoshta edhe pushime më të kufizuara në raport me shumë bashkëmoshatarë të saj. Por kjo nuk do të thotë se ajo në raport me mua nuk do të pushojë më shumë. 
    Sigal