Regjistrimi i pasurive të paluajtshme, rregullat për kalimin e pronësisë kur nuk përcaktohet sipërfaqja

    1009
    Sigal

    Procedurat për verifikimin e pronësisë, dokumentacioni i nevojshëm dhe kompetencat e ZRPP-së

    Janë përcaktuar nga Këshilli i Ministrave procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të cilat zotërohet dokumenti i ligjshëm i pronësisë, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen. Kështu, duke u mbështetur në ligjin nr. 33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, ky vendim hyn në fuqi.

    Vendimi:

    Në këtë vendim përcaktohet se objekt i këtij udhëzimi është përcaktimi i procedurave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të cilat zotërohen dokumente të ligjshme pronësie, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen.

    Regjistrimi i pasurisë sipas kategorive

    Pasuritë e paluajtshme, që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen, të cilat ndodhen në zona kadastrale, për të cilat, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, nuk ka përfunduar procesi i regjistrimit fillestar të pasurive ose ky proces është duke u zhvilluar, nuk mund të regjistrohen në një kartelë dhe hartë kadastrale, në emër të pronarit, pa u zhvilluar më parë procedura e regjistrimit të tyre, e përcaktuar në këtë vendim. Ndërkohë sa i takon pasurive të paluajtshme, për të cilat, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndodhen të pozicionuara, gjeografikisht, në zona kadastrale, për të cilat ka përfunduar regjistrimi fillestar, gjatë të cilit sipërfaqja dhe pozicioni gjeografik i tyre është përcaktuar nga matjet në terren dhe pasuritë janë regjistruar në një kartelë dhe hartë kadastrale në emër të pronarit, do të vlerësohen se e kanë të përcaktuar sipërfaqen, pa qenë e nevojshme të zhvillohet procedurë fillestare, sipas ligjit nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, me kusht që, gjatë periudhës së afishimit publik të mos ketë asnjë pretendim të pazgjidhur për pozicionimin e pasurisë, kufijtë dhe sipërfaqen. Për pasuritë e paluajtshme, të cilat, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndeshen të pozicionuara, gjeografikisht, në zonat kadastrale për të cilat ka përfunduar regjistrimi fillestar, por që janë regjistruar në kartelën e pasurisë së paluajtshme me shënimin “shtet” apo “pronar i pavërtetuar”, nuk mund të procedohet me regjistrimin e tyre në favor të pronarit, pa u zhvilluar më parë procedura e regjistrimit të tyre, e përcaktuar në këtë vendim.

    Si bëhet verifikimi i pronësisë

    Ndërkohë, regjistrimi i pasurive të paluajtshme, të përcaktuara në këtë vendim, bëhet me kërkesë të personit të interesuar. Ai duhet ta provojë pronësinë me dokumentet e pronësisë në kuptim të nenit 193 të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë, duke paraqitur tek regjistruesi këto dokumente:

    Dokumentacioni i nevojshëm

    a) aktin e fitimit të pronësisë, në rastet kur pasuria e paluajtshme regjistrohet për herë të parë, ose dokumentin e regjistrimit, në rastet kur pasuria e paluajtshme figuron e regjistruar në regjistrat hipotekorë;

    b) një plan rilevimi të pasurisë së paluajtshme, të përgatitur nga një subjekt i licencuar për punime topografike apo nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, sipas kërkesës së të interesuarit;

    c) deklaratën noteriale të pronarëve kufitarë, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për kufijtë e pasurisë, që pretendohet të regjistrohet;

    ç) dokumentacionin nga arkivi teknik i ndërtimit, që pasqyron hartografisht gjendjen e pasurisë që pretendohet, në rast se disponohet nga ky arkiv;

    d) mandatpagesën e shpenzimeve të regjistrimit (tarifa, taksa, shpenzime të tjera, nëse ka të tilla). Ndërkohë në rastet kur në kufi të pronës, për të cilën është paraqitur kërkesë regjistrimi, janë prona shtetërore, si: rrugë, rrugica, sheshe publike, lulishte, ndërtesa publike etj., deklarata noteriale zëvendësohet nga konfirmimi zyrtar i dhënë nga institucioni, i cili është pronar apo administron pronën shtetërore.

    Rastet kur prona ka dy a më shumë bashkëpronarë

    Kur pronën kufitare e kanë në pronësi dy a më shumë bashkëpronarë, kërkuesi paraqet deklaratat noteriale të bashkëpronarëve, për të cilët është e mundur marrja e kësaj deklarate. Për bashkëpronarët e tjerë, për të cilët nuk është e mundur objektivisht marrja e deklaratës noteriale, zbatohen procedurat e përcaktuara në pikën 7 të këtij vendimi. Procedurat e parashikuara në pikat 7, 8 dhe 9 të këtij vendimi, zbatohen në çdo rast tjetër të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për të cilin nevojiten deklaratat e pronarëve kufitarë. Regjistruesi, nëse e gjykon të nevojshme, në zbatim të nenit 20 të ligjit nr. 33/2012, verifikon vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesi. Për këtë qëllim, ai ka të drejtë të kërkojë dokumente nga të tretët, persona, fizikë ose juridikë, zyrat e noterisë dhe organe të administratës. Përveç verifikimit të vërtetësisë së dokumentacionit, nëse e gjykon të nevojshme, regjistruesi mund të urdhërojë verifikimin në terren të pasurisë, me një grup të përbërë nga të paktën, 2 punonjës hartografë të zyrës së regjistrimit, për të bërë matjet dhe për të hartuar dokumentet përkatëse (planvendosje/genplan/planrilevimi).

    Afati për regjistrimin e pronës

    Regjistruesi, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e paraqitjes së kërkesës, me përjashtim të rasteve të afishimit të parashikuara në pikën 7 të këtij vendimi, merr vendim për regjistrimin ose refuzimin e regjistrimit të pasurisë. Kundër vendimit të regjistruesit ose në mungesë të përgjigjes, kërkuesi mund të ankohet në gjykatë.

    DOKUMENTET QË DUHEN PËR DHËNIEN E VENDIMIT OSE REFUZIMIN PËR REGJISTRIM

    a) dokumentacionin e paraqitur nga kërkuesi;

    b) verifikimet e kryera prej tij, në zbatim të nenit 20 të ligjit nr. 33/2012 dhe të pikës 4 të këtij vendimi.

    Vendimi i regjistruesit duhet të jetë në formë të shkruar, i arsyetuar, i nënshkruar dhe të përmbushë kërkesat për aktin administrativ të parashikuara në Kodin e Procedurës Administrative të Republikës së Shqipërisë. Nga ana e vetë, Zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, për qëllime kompetence, publikon në faqen zyrtare të internetit dhe në ambientet e njoftimeve çdo vendim të marrë gjatë kësaj procedure.

    Vendimi nr. 1025, datë 9.7.2008 “Për procedurat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme,

    për të cilat zotërohen dokumente të ligjshme pronësie, por që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen”, shfuqizohet. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

    Regjistruesi, nëse e gjykon të nevojshme, në zbatim të nenit 20 të ligjit nr. 33/2012, verifikon vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesi. Për këtë qëllim, ai ka të drejtë të kërkojë dokumente nga të tretët, persona, fizikë ose juridikë, zyrat e noterisë dhe organe të administratës.