Ramis Basha*/ “Hero i popullit”, trimi Dino Kalenja, Simboli edhe krenaria e Mallakastrës

    1469
    Sigal

    Në Teatrin Bylis në Fier u përkujtua 70-vjetori i rënies së heroit të popullit Dino Kalenja

    Në Qarkun e Fierit, Mallakastra dhe mallakastriotët shquhen për trimëri, heroizëm, patriotizëm dhe mikpritje vëllazërore e miqësore. Në etapa të ndryshme historike, shekullore, brez pas brezi kanë luftuar për mbrojtjen dhe idealin patriotik të vendit dhe krahinës së tyre Mallakastrës trime e të gjithë anshme. Në veçanti gjatë Luftës Nacional Çlirimtare Mallakastra ka qenë krahina më e nxehtë e kësaj lufte kundër armiqve pushtues, Nazistë, Fashistë, Ballistë e tradhtarë të krahinave përreth si Bektash Cakranit, Ali Këlcyrës etj.. Në çdo betejë janë karakterizuar e cilësuar nga trimëria dhe heroizmi mbasi janë drejtuar nga komandant e komisar trima me ndjenja të larta patriotike e atdhedashurie si komandanti legjendar i paharruari i Mallakastrës dhe kombit Shqiptar, Mehmet Shehu. Po kështu heronjtë Dino Kalenja, Rrapo Hekali, Ramis Aranitasi e shumë të tjerë që Mallakastra përulet dhe krenohet për dekada me radhë përpara tyre. Me këtë rast për të festuar, kujtuar, vlerësuar dhe kurrë për mos ti harruar këta heronj, në Teatrin Bylis në Fier u zhvillua përkujtimorja e 70-vjetorit të rënies së Heroit të Popullit Dino Kalenja. Gjithashtu, në këtë ceremoni masive u bë dhe akordimi i titullit “Qytetar Nderi” të Bashkisë Ballsh, akademikut Rexhep Qosja dhe Kryeministrit të Kosovës Z. Hashim Thaçi. Për këtë rast aktivitet të rëndësishëm, enkas ish hartuar një program organizuar nga Fondacioni Mallakastrës dhe konkretisht nga kryetari i saj z.Zenel Xhevit Duro, nipi i Dino Kalenjës dhe biri i Mallakastrës, kushtuar “Heroit të Popullit” Dino Kalenjës. Në këtë aktivitet u shfaq një film dokumentar kushtuar heroit Dino Kalenja për jetën dhe veprimtarin fëminore e  studentore para dhe gjatë Luftës Nacional – Çlirimtare, ku të relatuar e përshkruan të nderuarit Qamil Poda, Adnand Qatipi, Myrteza Pepa, vëllai i heroit, ish- kuadër i nderuari Xhevit Bektash Duro, Halit Kacanolli si dhe piktori popullit Sali Shijaku, të cilët folën dhe pasqyruan për rolin dhe trimërinë e Dinos gjatë luftës. Dino Kalenja ishte dhe një poet i shquar i rezistencës antifashiste nga këto poezi të bëra nga dora dhe mëndja e Dinos, pjesë të shkëputura  “Malukati” dhe “Shqipëria Magjistare”, të cilat u recituan nga aktorët Timo Flloko & Mevlan Shanaj. Pas dokumentarit për krijimtarinë poetike të Dino Kalenjës referoi doktor Maikom Zeqo, i cili vlerësoi maksimalisht vlerat poetike të poetit Dino Kalenjës. Kryetari i bashkisë Ballsh, z.Ilir Çela i akordoi titullin “Qytetar Nderi”, akademikut Rexhep Qosja, i cili nëpërmjet letrës së tij, të cilën e lexoi deputeti Mallakastrës Piro Lutaj, falënderon përzemërsisht për këtë vlerësim. Edhe Kryeministri Kosovës, z.Hashim Thaçi dërgon me anë të një letre falënderimet personale  këshillit të bashkisë Ballsh, të cilën e lexon zv/Ambasadori Republikës Kosovare në Shqipëri, ku premton se do të vizitojë së shpejti Mallakastrën. Në këtë aktivitet me një program të pasur artistik u recituan poezi të Dino Kalenjës dhe Rexhep Qoses  nga aktorët e Teatrit Bylis Fier. Po kështu u dha një koncert i mahnitshëm nga instrumentistët e talentuar në violinë e gërnetë të familjes Qerimaj. Për të nderuar e kujtuar në këtë 70 -vjetor të rënies së heroit Dino Kalenja, nderuan me pjesëmarrjen e tyre z. Gramos Ruçi, sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, deputeti Armando Subashi e Piro Luto si dhe nënkryetari Bashkisë Fier, z.Flamur Mato. Në këtë ceremoni kishte pjesëmarrje masive sidomos veteran, pasardhës veteranësh, pensionistë dhe  në veçanti të afërt të familjes Duraj nga Kalenja e Mallakastra. Midis tyre Adem Duraj, Syrja Enveri, Aguri dhe Feti Duraj etj.. Po kështu Ylli e Kujtim Malaj, pasardhës veteranësh, babai i tyre Feçor Ismalil Malaj ish -oficer i kësaj brigade, i cili ka qenë prezent në vrasjen e Dino Kalenjës e kujtonte me dhimbje e lot në sy momentet e vrasjes nga nazisto – gjerman – balliste. Dino Kalenja u vra me 29 Mars 1944 në kodrat e Kasnicës, ku është ngritur dhe lapidari. Feçori nuk jeton, por është qytetar nderi i komunës Portez, për trimërinë, idealizimin patriotik, dashurinë për atdheun dhe për një Shqipëri të lirë demokratike. Janë të shumta tregimet dhe kujtimet që flasin ish-partizanët e asaj brigade me komandant Ismail Klosin etj.. Në veçanti pasqyrohen në filmin dokumentar kushtuar Dino Kalenjës. Në këtë seancë përkujtimore ra në sy mungesa e përfaqësuesve të Partisë demokratike. Ky është gjest e akt i papranueshëm, i dënueshëm nga opinioni  Shqiptar e ndërkombëtar, pasi të rënët në luftë kanë luftuar dhe kanë rënë heronj për kombin Shqiptar.

    Kush ishte Dino Kalenja!

    Dino Bektash Kalenja është lindur në 4 Nëntor 1919 në Kalenjë në zemër të Mallakastrës, rrjedh nga një familje me ndjenja të pastra patriotike me tradita të lashta atdhedashurie, e cila ka luftuar e ndihmuar moralisht, materialisht e fizikisht çdo lëvizje nacional çlirimtare në etapa të ndryshme të historisë për një Shqipëri të lirë demokratike. Babai Bektashi, nëna Hate, motra Havaja, vëllai Xheviti, sot nuk jetojnë por ata mbeten në kujtesën dhe respektin më të spikatur të Mallakastriotëve,  pasi veprat e tyre janë të pa harruara dhe me vlerë kombëtare. Po kështu Qaniu, vëllai me nipër e mbesa të Dinos krenohet moralisht e shpirtërisht me Dinon. Mallakastriotët dhe gjithë Shqipëria kujtojnë e vlerësojnë maksimalisht cilësitë e Dinos që nga vogëlia e deri në momentet e rënies si hero kombëtar për popullin dhe krahinën e Mallakastrës. Ai që i vogël kishte ndjenja të larta për një Shqipëri më të mirë dhe nuk mund të duronte varfërinë dhe vuajtjet e popullit, i shkathët, i ndjeshëm ndaj pushtuesve të brendshëm e të jashtëm. Ndjenjat e tij revolucionare çdo ditë e më shumë i shtonte urrejtjen për armiqtë dhe kjo i jepte forcë, guxim e trimëri. Ai nuk mund të duronte vuajtjen dhe urinë e popullit të vet, por dhe shtypjen, pasurimin e shtresave të pasura në kurriz të të varfërve. Kjo bëri që të bashkohet dhe lidhet në demonstrata të fuqishme si ajo e liceut në Korçë me 1935 etj, kundër regjimit të Zogut dhe mbështetësit e tij. Më vonë u bashkua në grupin e III të Mallakastrës me detyre të rëndësishme si komisar etj.. Dino në çdo detyrë konkretizohej nga besnikëria, trimëria dhe patriotizmi revolucionar kudo që mësonte, punonte e luftonte. Qëllimi, synimi dhe ideali shpirtëror revolucionar, ishte çlirimi dhe lulëzimi i vendit të tij. Me heroin e popullit Dino Kalenja krenohen, familja dhe gjithë kombi Shqiptar kudo që ata jetojnë. Lavdi dëshmorëve të rënë gjatë luftës Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë.

    *Pasardhës veterani dhe Kryetar i Shoqatës së Pensionistëve, Fier