Rama: Greva, inskenim i PD-së; Veliaj: Nuk dialogoj me një ish shiks

    407
    Sigal

    Dita e tretë e grevës së urisë për ish të përndjekurit politikë

    Ish të përndjekurit politikë u futën sot në ditën e tretë të grevës së urisë. Gjendja e tyre shëndetësore pritet të vështirësohet, pasi sipas organizatorit të grevës, Fatmir Hoxha disa prej tyre vuajnë nga sëmundje kronike për shkak të periudhës që kanë qenë në burg.

    Grevistët i kanë kërkuar Kryeministrit të respektojë të drejtat e tyre dhe t’u japë dëmshpërblimin brenda dy vjetësh, që është edhe kërkesa kryesore e tyre. Ata kërkojnë gjithashtu status special për të gjithë ish të përndjekurit që janë ende gjallë. Gjatë pasdites së djeshme, 16 grevistët e ndodhur në çadrën e ngritur përballë Parlamentit, i janë nënshtruar kontrolleve mjekësore, pasi situata e tyre shëndetësore ka filluar të rëndohet.

     Reagimi i Ramës

    Duke e cilësuar grevën e urisë së ish-të përndjekurve një inskenim të Partisë Demokratike, kryeministri Edi Rama deklaroi në Parlament se vetëm në muajt e parë të qeverisjes socialiste ata arritën të marrin këstet e para të dëmshpërblimit. “Shpreh keqardhje për çdo të përndjekur që vijon të besojë tek këta. Unë them se në 4 muaj të vitit të parë të një paskrize të tmerrshme ku këta e lanë vendin, 1 mijë ish-të përndjekur kanë marrë këstin që nuk kishin marrë për 8 vjet rresht. Vetë kryetari i ish-të përndjekurve, që këta e shfrytëzonin politikisht, mori këstin e parë të dëmshpërblimit. Dhe brenda verës 1 mijë e 1 të përndjekurit e fundit që në 23 vjet nuk kanë marrë asgjë nga këta do të marrin këstin e parë”, deklaroi Rama.

     Reagimi i Veliaj

    Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj ka deklaruar se në emër të qeverisë është mandatuar për të dialoguar me ish të përndjekurit grevistë, por ka thënë se kryetari i grevës është një ish shiks që s’ka bërë asnjë ditë burg. “Jam gati të negocioj me përfaqësuesin e ish të përndjekurve që janë në grevë dhe të negociojmë për gjithë kërkesat, por nuk mund të dialogoj me një njeri që jo vetëm nuk ka bërë asnjë ditë burg, (ka qenë ish shiks), por është edhe pronar i dyqaneve në katin e parë të Institutit”, tha Veliaj.

    Arrestohet për mashtrim ish- koordinatori i grevës së urisë së të përndjekurve

     Policia e Durrësit arrestoi dje një ish të përndjekur politik me akuzën e mashtrimit. Mësohet se Asllan Patrioti dyshohet se ka pajisur me dokumente ish të përndjekurit për të ikur drejt SHBA-së dhe Kanada-së. Nga hetimet rezulton se Patrioti merrte 3-8 mijë euro për vërtetimet. Policia sqaron se në shtëpinë e Patriotit u gjetën dokumente të 80 shtetasve. Lidhur me këtë ngjarje policia ka arrestuar edhe Kryetarin e Shoqatës të Përndjekurve të këtij qyteti, Arben Shezi. Patrioti ka falsifikuar dhe dokumentet e strehimit. Ai fuste në listë persona që të përfitonin strehim.

     Dita e 10 e grevës për të larguarit nga puna

     Të larguarit nga administrata vijojnë prej 10 ditësh grevën e urisë në çadrat e ngritura në lulishten pranë godinës së Kryeministrisë, duke kërkuar rikthimin në punë. Gjendja shëndetësore e grevistëve rëndohet nga dita në ditë, ndërsa shumica e tyre kanë marrë disa herë trajtim mjekësor, por shprehen të vendosur për të vazhduar grevën deri në fund. Astrit Lika, ish-mirëmbajtës pranë ISKSH-së është dërguar me urgjencë në spital paraditen e djeshme, kjo pasi ka shfaqur probleme shëndetësore. Ndërkohë, gjendja e grevistëve të tjerë paraqitet e rënduar, pasi janë në ditën e nëntë të grevës së urisë.

    Tre ditë më parë pas lajmërimit të përfaqësuesit të Shoqatës së Policëve në Lirim 2013 grevës së urisë iu bashkuan edhe katër policët e larguar nga puna, Ismail Elezi, Qamil Zhkaba, Shefki Lushaj dhe Bledar Kruja, të cilët kërkojnë rikthimin në detyrë. Bashkë me 4 policët e larguar, numri i grevistëve shkon në 17. Shoqata e Policëve në lirim pretendon se 650 punonjës policie janë larguar nga puna në kundërshtim me ligjin dhe të gjithë kanë përfituar nga Gjykata Administrative të drejtën për tu rikthyer në detyrë.