Radhë të gjata të qytetarëve për zëvendësimin dhe rinovimin e librezave shëndetësore

    434
    Problematika e qëndrimit në radhë në kryeqytet është bërë pjesë e përditshme e qytetarëve, në thuajse të gjitha shërbimet publike, të cilat presin qytetarët e Tiranës për ofrimin e shërbimeve. Mjaft problematike paraqitet gjendja në thuajse të gjitha poliklinikat e kryeqytetit, të cilat prej ditësh vazhdojnë të jetë të mbipopulluara nga qytetarët, të cilët janë të detyruar të shkojnë që në mëngjes për të bërë zëvendësimin apo rinovimin e librezës me karta shëndetësore, për të mos marrë shërbimin e këtyre qendrave shëndetësore me lekë, në rast se nuk janë pajisur me kartë shëndetësore. Nga një vëzhgim i bërë nga Gazeta “Telegraf”, u pa se qytetarët prej disa kohësh vazhdojnë të presin në radhë në këto qendra shëndetësore. Nga vëzhgimi i kryer nga gazeta, në Qendrën Shëndetësore Nr. 2 (e specialiteteve), u pa se radhët e gjata të qytetarëve për të kryer procedurat për rinovimin e kartave shëndetësore, kërkonin ditë dhe jo orë. Kjo situatë vjen për shkak të funksionimit, të vetëm një zyre në këtë qendër spitalore, ku numri i qytetarëve mund të shkoj në disa dhjetëra në ditë. Vendosja e orareve, vendosja e dy ditë pushim (e shtunë e diel), dhe funksionimi i këtyre zyrave me vetëm një person, i cili kryen procesin, vonon shërbimin dhe krijon radhë të gjata në dyert e kësaj qendre spitalore. Edhe pse drejtuesit e kësaj qendre e dinë shumë mirë se radhët janë të gjata, përsëri nuk marrin asnjë masë për rregullimin e situatës, por vendosin orare dhe ditë pushimi, sikur gjithçka të ishte në normalitet. Ata që e vuajnë këtë problematikë, janë qytetarët, të cilët shprehen të indinjuar, se kjo situatë është e tillë çdo ditë, dhe jo vetëm në këtë qendër, por në thuajse të gjitha qendrat e tjera të Tiranës. Edhe në këto qendra problematika është e njëjtë, ku dhe numri i qytetarëve që detyrohen të vijnë disa herë në javë për të mbyllur procedurat është mjaft i lartë. Edhe në këto qendra spitalore, asnjë masë nuk është marrë deri më tani për shtimin e zyrave për ofrimin ë këtij shërbimi, apo ofrimin me dy turne në ditët kur fluksi i qytetarëve është më i lartë. Në këto kushte pacientet janë të detyruar të përballen me oraret e limituara të sporteleve dhe numrin e kufizuar te punonjësve edhe pse penalizmi në rast të mos marrjes së kartës shëndetësore rëndon mbi këta qytetarë, pasi do jenë të detyruar të paguajnë për marrjen e kujdesit mjekësor.
    Sigal