Qyteti i Studentit, pa ngrohje, lufton për mbijetesë ndaj të ftohtit

    376
    Sigal

    Ku shkojnë dhe kush i harxhon  4 milionë euro që paguajnë çdo vit 15.000 studentë për të fjetur në konvikte

    Dimri, është ulur këmbëkryq, më shumë se kudo, që qytetin “Studenti”. Një qytet fantazmë, i cili, nën peshën e acarit të këtyre ditëve, mundohet të mbijetojë ekzistencës midis jetës dhe vdekjes.

     Festohet 8 dhjetori i 1990-s, në  qytetin  fantazmë, që lufton të mbijetojë nga të ftohtit

    Është ironi që të festohet 8 dhjetori i 1990-s, sot, si Dita e parë e Lindjes së Demokracisë në Shqipëri, kur, ndërkohë, ai qytet që u bë djepi i demokracisë, qyteti që i dha shkëndijën e revoltës antikomuniste, sot, të jetë në lëngatën e luftës për të mbijetuar nga të ftohtit e dhjetorit. Pikërisht, sepse ata studentë dhe pedagogë dhjetoristë të 1990-s, sot duke qenë ministra, deputetë, dhe kryeministra, e lënë nënën e tyre – qytezën studenti- të lëngojë e të luftojë për të mbijetuar nga të ftohtit.

    Ku harxhohen 4 milionë euro, që paguajnë studentët për t’u strehuar? 

    15.000 studentë, që i  paguajnë shtetit, apo thënë më drejt, administratës të qytetit “Studenti”,  çdo vit një shumë të konsiderueshme, mbi 450.000 lekë secili,  për t’u strehuar dhe për të patur, minimumin e gjërave për të jetuar, sot, ndodhen në mëshirën e fatit. Në asnjë dhomë, në asnjë konvikt të qytetit të Studentëve  nuk gjen ngrohje. Madje, edhe gjëra të tjera u mungojnë studentëve, mirëpo, ngrohja që është kryesore, u mungon, edhe pse kaldajat janë të instaluara në çdo konvikt. Edhe pse u munduam të merrnim një përgjigje nga punonjës të Qytetit Studenti, që janë përgjegjës, ata nuk donin të pohonin asgjë, duke na thënë: “Nuk mundem të them asgjë, se më ikën vendi i punës. Të gjitha i dinë drejtuesit kryesorë, por nuk bëjnë asgjë”. Kaldajat nuk ndizen asnjëherë për të ngrohur studentët, edhe kur temperaturat tani shkojnë nën zero. Edhe pse çdo vit, studentët kanë paguar mbi 4 milionë euro, drejtuesit sërish thonë, që nuk kanë fonde, që të paguajnë naftë që të ndezin kaldajat. Atëherë, pyetja më e thjeshtë është: “ Ku shkojnë 4 milionë euro që paguajnë çdo vit studentët?” Për çfarë qëllimi tjetër harxhohen këto fonde të paguara nga vetë studentët, derisa nuk blihet asnjë litër naftë e të ndizen kaldajat? Mos vallë administrata e qytetit Studenti i (sh)përdor këto fonde për qëllime të tjera? P.sh, mos vallë me lekët që paguajnë studentët për t’u strehuar, paguhen shpërblime të drejtuesve të administratës të qytetit Studenti? A ka fonde nga buxheti i shtetit që të paguhet naftë e të ndizen kaldajat dhe të ngrohen studentët? Nëse buxheti i shtetit ka të tilla fonde, ku përdoren ato? Mos vallë faturat priten për blerje nafte dhe ajo naftë përdoret për makinat e shefave të administratës, në rastin më të mirë? Apo, bëhen fatura fiktive, për të mbuluar shpenzimet që bëhen fondit të destinuar për ngrohjen e studentëve? Këtyre pyetjeve prokuroria dhe drejtësia duhet t’u japin përgjigje, derisa drejtuesit e administratës të qytetit Studenti, duke kyçur gojën dhe derën për të tilla përgjigje, kujtojnë se do të shkarkohen edhe nga përgjegjësia e tyre.

    Drejtoresha e re, me mendësi të vjetra

    Rilindja e qeverisë “Rama” e premtuar me aq shumë bujë, për qytetin Studenti filloi dhe mbylli siparin e saj 4 vjeçar vetëm në një akt. Në shkarkimin e drejtorit  të Qyteti Studenti dhe emërimit të një zonje socialiste, të Anila Shehut. Një ish- drejtoreshë e pastrimit të Bashkisë të Tiranës, në kohën e Kryebashkiakut Edi Rama, që si atëherë, ku dështoi, edhe në këto ditë të saj si drejtoreshë e qytetit Studenti, nuk bën asgjë për të bërë Rilindje të kushteve për studentët. Jo pak herë, opozita socialiste kishte kritikuar, madje kishte denoncuar korrupsion edhe në qytetin Studenti, për kushtet e mjerueshme të studentëve. Premtimi ishte se reforma për Arsimin e Rilindjes, do të fillonte pikërisht nga studentët… Mirëpo, edhe pse kanë kaluar 100 ditë qeverisjeje, dhe jemi në mesin e muajit dhjetor, ende drejtoresha e Qytetit Studenti,  Anila Shehu, nuk ka gjetur asnjë litër naftë që të ndezë, qoftë edhe për …inaugurim, kaldajat  për të ngrohur dhomat e studentëve. Dhe shumë studentë, në përpjekje për të mbijetuar, mundohen fshehurazi, që të ndezin ndonjë rezistencë, për t’u ngrohur, për të ngrohur edhe një kovë ujë, që të lajnë kokën apo  të brendshmet.  Mirëpo, këto rezistenca shumë herë janë të rrezikshme edhe për vetë jetën e studentëve, kur kanë ndodhur jo pak herë edhe aksidente, sikurse marrja flakë e dhomës.  Atëherë, pyesim. Cila është puna e drejtoreshës së Qytetit Studenti, Anila  Shehu, kur nuk mundet që të ndezë kaldajat për ngrohje?   Derisa drejtoresha Anila Shehu nuk është e zonja as të ndezë kaldajën e ngrohjes, përse duhet të jetë drejtoreshë? Për të marrë thjesht një rrogë? Ku janë premtimet për Rilindjen edhe në qytetin Studenti? Mos vallë, e vetmja detyrë e drejtoreshës Anila Shehu është që të mbledhë paratë e studentëve, që paguajnë për t’u strehuar, dhe me ato para të bredhë e të shpërblejë rroga të majma të drejtuesve të qytetit Studenti?