Qytetarët: CEZ, po na detyron që të paguajmë faturat nga dy herë!

    420
    Sigal

     Lajmi i bërë publik se CEZ do të largohet për pak ditë dhe administrimin e energjisë do e marrë qeveria për pak ditë i ka gëzuar mjaft një pjesë të mirë të qytetarëve shqiptarë. Por sërish për qytetarët ka probleme dhe deri në momentin e fundit që kjo kompani të jetë në administrimin e energjisë, qytetarët shprehen se nuk kanë për të parë dritë të bardhë. Por edhe pse kompania ka deklaruar se do të largohet qytetarët sërish po paguajnë fatura të larta dhe madje ka edhe raste kur faturat po paguhen nga dy herë. Një rast i tillë është qytetari Fulla Lano, i cili është shprehur për “Telegraf”, se i ka dalë një faturë e 2011, e pa paguar tani në 2013. Zoti Lano, është shprehur se është konsumator i rregullt dhe se ndër faturat e vitit 2012 që ai kishte pa paguar atij i ka ardhur edhe një faturë e muajit mars 2011, të cilën ai thekson se e ka paguar, por i duhet ta paguaj përsëri. “Unë erdha për të bërë pagesën për muaj e vitit 2012 që më kishin ngelur pa paguar dhe më nxirrnin dhe faturën e 2011, që unë e kam paguar realisht. Kjo është një padrejtësi tjetër e CEZ”, shprehet zoti Lano. Ai shton më tej se: “Unë i paguaj faturat sado të larta më kanë ardhur dhe faturën e 2011, e kam paguar, por kjo është një padrejtësi që pop më bëhet, unë me zor i paguaj për njëherë, tani më duhet t’i paguaj për dy herë përsëri”.

    Ankesat e konsumatorëve asnjëherë nuk janë dëgjuar

    Konsumatorë të revoltuar shprehen për “Telegraf” se, “Mbrojtja jonë ka marrë fund, ne nuk dëgjohemi, edhe pse thuhet se do të largohet CEZ shpërndarje ne përsëri po vazhdojmë që të vuajmë pasojat e kësaj kompanie. Edhe nëse ikën kjo kompani vjedhja që na bëri ne për tre vjet nuk ka të larë. Por ajo që na shqetëson më shumë tani është se mos të na vijë ndonjë simotra e CEZ”. Po ashtu qytetarët nuk kanë besimin e plotë deri në ditën që kjo kompani do të iki, pasi shqetësimi i tyre është se kjo qeveri që e mbajti deri më tani mund të bëjë përsëri pazare në dëm të qytetarëve. “Ne kemi dëgjuar në media se do të iki CEZ, nga Shqipëria dhe kjo na ka gëzuar pa masë, por nuk kemi ende shumë besim, pasi nuk dihet se çfarë mund të ndodhë dhe qeveria e merr përsëri në mbrojtje, pavarësisht se e vodhi këtë popull” shprehet Shpresa. A nga Tirana. Por sipas qytetarëve kjo kompani nuk duhet të mbahej aspak në Shqipëri, por fakti që ajo ishte nën ombrellën e qeverisë, rezistoi aq gjatë.  “Nuk mund të harrohen tërë ato padrejtësi që i ka bërë CEZ, shqiptarëve, me ditë të tëra pa drita, me fatura të kripura, por kjo qeveri do ta paguajë koston e asaj që mbajti CEZ në Shqipëri”, shprehet Xhelal. M. Ankesat për abuzime dhe ndërprerje të energjisë kanë qenë të pranishme në çdo qytet të Shqipërisë, por asnjë nuk e ka vrarë mendjen për këto ankesa dhe padrejtësi që i janë bërë shqiptarëve.