Qeveria ul në minimum taksën për “objektet turistike”

596
Sigal

Pas dështimit të planit për përgjysmimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë në mënyrë selektive në Bashkinë Tiranë, qeveria ka propozuar ligjin e taksave vendore, i cili e ul me deri katër herë taksën për ndërtimin e hoteleve në krahasim me ndërtimet për banim. Ka ulje edhe për ndërtimet individuale.

Gjergj Erebara | BIRN 

Në shkurt të këtij viti, Këshilli Bashkiak i Tiranës me propozimin e kryetarit Erion Veliaj, miratoi përgjysmimin selektiv të taksës së ndikimit në infrastrukturë për një numër objektesh. Veliaj deklaroi tërheqjen nga vendimi pas publikimit të lajmit nga BIRN. Por Ministria e Financave ka propozuar së fundmi ulje selektive taksash për objektet me destinacion turizmin, industrinë dhe bujqësinë në krahasim me objektet me destinacion banimin apo shërbimet. Me pak fjalë: Hotelet ose ndërtesat e deklaruara me destinacion të tillë në qytetin e Tiranës do të paguajnë taksë të ndikimit në infrastrukturë në masën 2 deri në 4 për qind të vlerës së investimit, ndërkohë që ndërtimet për banim do të paguajnë 4 deri në 8% të vlerës së shitjes. Sipas relacionit, ndryshimet synojnë “qartësimin” e situatës pasi zbatimi i kësaj takse ka rezultuar i vështirë. Ligji për taksat vendore është një ligj referencë mbi të cilin këshillet bashkiake mund të vendosin sipas limiteve të përcaktuara. Kjo do të thotë se Këshilli Bashkiak i Tiranës do të ketë të drejtë të vendosë taksë nga 2 deri në 4% mbi vlerën e investimit për hotelet dhe nga 4 deri në 8% mbi vlerën e shitjes për banesat. Duke qenë se kostoja e investimit në ndërtim në Tiranë është 2-3 herë më e ulët se sa çmimi i shitjes, objektet e deklaruara me destinacion hotelet pritet të paguajnë deri katër herë më pak taksë se sa objektet me destinacion banimi. Bashkitë e tjera do të kenë të drejtë të vendosin taksë të ndikimit në infrastrukturë nga 4 deri në 8% të çmimit të shitjes për banesat dhe nga 1 deri në 3% të vlerës së investimit për hotelet dhe objektet industriale. Taksa e ndikimit në infrastrukturë është bërë një kosto e madhe paraprake për sektorin e ndërtimit në Tiranë, që kur Bashkia Tiranë vendosi rritjen e saj në 8% të çmimit të shitjes nga 4% e kostos së ndërtimit që ishte më parë. Përveç faktit që është një kosto e madhe, e përafërt me 50 deri në 100 euro për metër katrorë, investitorit i duhet ta paguajë atë para fillimit të ndërtimit, duke rritur ndjeshëm kapitalin themeltar të nevojshëm. Kjo taksë konsiderohet përgjegjëse për rritjen e çmimeve të apartamenteve në ndërtim në Tiranë gjatë viteve të fundit. Si rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë ashtu edhe ulja e saj selektive për objektet që pritet të deklarohen me destinacion hotel, (destinacioni mund të ndryshohet pas përfundimit të ndërtimit dhe ligji nuk mbart ndonjë klauzolë për rivendosjen e taksës nëse kjo gjë ndodh), bie ndesh me vetë logjikën e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Taksa është e ndryshme nga tatimi. Taksa paguhet kundrejt një shërbimi të marrë dhe kjo taksë duhet të jetë e përafërt me vlerën e shërbimit të marrë. Nga ana tjetër, Tatimi, i tillë si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, është një detyrim fiskal që shkon për qeverisjen e përgjithshme dhe nuk lidhet me një shërbim specifik. Taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet për të mbuluar kostot që mbart infrastruktura publike nga një ndërtim i ri, të tilla si dëmtimi i rrugëve apo nevoja për të ndërtuar rrugë shtesë, zgjerimi i kapaciteteve të rrjetit të furnizimit me ujë apo të shërbimit të heqjes së ujërave të zeza e me rradhë. Kur u vendos për herë të parë dekada më parë në Shqipëri, taksa e ndikimit në infrastrukturë u vendos në përqindje të vlerës së investimit me supozimin se dëmi i shkaktuar në infrastrukturë nga një ndërtim i ri lidhet me sasinë e betonit dhe të hapësirave shtesë të banimit të hedhura në ndërtimin e ri. Vendosja e taksës si përqindje mbi çmimin e shitjes si dhe përgjysmimi i saj për një numër objektesh të preferuara nga qeveria bie ndesh ekzaktësisht me logjikën e vetë taksës. Një hotel do të kërkojë furnizim me ujë apo me kanalizime apo me rrugë njësoj e ndoshta më shumë se sa një pallat me destinacion banimi. Propozimi për trajtim preferencial të “objekteve me destinacion turizmin” në paketën fiskale që pritet të shqyrtohet në parlament së shpejti dhe të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm vjen një vit pasi qeveria ndërmori katër ndërhyrje ligjore në favor të “hoteleve me katër dhe pesë yje”. Vitin e kaluar, qeveria propozoi dhe shumica parlamentare miratoi heqjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë për hotelet me 4 dhe 5 yje, uljen e TVSH-së në 6% për të gjitha shërbimet e shitura nga këto hotele, përjashtimin e tatimit mbi fitimin për dhjetë vjet, dhe përjashtimin nga taksa e pronës për këto objekte. Përfituesit nga kjo ulje taksash nuk dihen pasi statusi jepet nga një komision qeveritar që nuk i bën publike vendimet e veta.

Zbutje taksash për ndërtimet individuale

Rritja e taksës së ndikimit në infrastrukturë në qytetin e Tiranës krijoi një kosto, jo vetëm për ndërtuesit, por edhe për banorët që dëshironin të ndërtonin apo rindërtonin shtëpinë e vet. Duke qenë se bashkia e takson një pronë të ndërtuar për interes të një individi njësoj sikur kjo pronë të kishte destinacion për shitje, një individi që dëshironte të rindërtonte shtëpinë e vet me sipërfaqe 100 metra katrorë i kërkohej një taksë e barabartë me 8% të çmimit potencial të shitjes së kësaj takse. Projektligji i propozuar parashikon që në rastet e ndërtimeve individuale, taksa e ndikimit në infrastrukturë të jetë 1 deri në 3% të vlerës së investimit, gjë që do të thotë që për një rast ndërtimi të një shtëpie me 100 metra katrorë dhe me kosto ndërtimi 3 milionë lekë, taksa nuk do të jetë më rreth 800 mijë lekë por 30 deri në 90 mijë lekë. Në një mënyrë që bie ndesh me parimet kushtetuese, në relacionin shoqërues, Ministria e Financave nuk ka bërë vlerësim mbi efektet pozitive apo negative të këtyre ndryshimeve në të ardhurat e buxheteve të bashkive.reporter.al