Qeveria në provë para skandalit të kontrabandës dhe korrupsionit në dogana

    632
    Sigal

    Në Drejtorinë e  Përgjithshme  të Doganave, nuk kanë asnjë lloj informacioni për kontrabandën e korrupsionin në Doganën e Kapshticës

    Në shkrimin e datës 19 gusht 2012, “Telegraf” zbuloi një pjesë të skemës të kontrabandës  që bëhet përditë në Doganën e Kapshticës, si edhe skemën e shpërndarjes të fitimit midis punonjësve të  doganës dhe policisë, si edhe drejtuesve të doganës dhe policisë. Kontrabandë e organizuar kaq mirë,  me pjesëmarrjen e të gjithë strukturave, qoftë atje në doganë, por edhe më lart, nuk mund të ndodhë, kurrsesi, në Shqipëri, që “të vegjlit”, punonjësit doganierë dhe policët që punojnë në doganën e Kapshticës, të bëjnë me iniciativën e tyre kontrabandë me përmasa kaq të mëdha, siç zbuloi “Telegraf”, edhe me kontrabandën e naftës, pa dijeninë dhe mbështetjen e drejtuesve në Tiranë. Ja, disa fakte, që janë nxjerrë nga procesverbali i bllokimit të mallrave kontrabandë, ku organet e hetuesisë, prokurorisë nuk e kanë të vështirë, që t’i ballafaqojnë.  I pari autobusi turk është bllokuar më datë 1/08/2012 targa 34tr9606 tregtare F. K me pasaportë BC 7516266,  R. S, me pasaportë BD 2348038, një çantë madhe me konfeksione, L. S, me  pasaportë BD 4703113, konfeksione.  A. S., me  pasaportë BD 3608861 Konfeksione, M. G. me pasaportë BD 9777848 Konfeksione,  H. G. me pasaportë BI9777835 Konfeksione, V. S.  me pasaportë BC 6921761, Para 10 ditësh këtu kaloi një kontrabandë  si kerazinë dhe ishte naftë e pastër nga Egjipti dhe i shpëtoi taksës 15 000 euro.  Erdhi me kontenier. Në datën 10 02 2012  me pasaportë BA  3174969 E. D. Autobus targe AA105 AY.  Makina me targa 34DD9606 shofer N. B., me  pasaportë U 001167086 datë 28 07 2012 u bllokuan me forma Naik fundi i autobusit në pronësi të B. H. me pasaportë  BG 26714 nga lojëra kompjuteri  me pasaportë pas BJ 9642313 është qytetari  F. J. Goma të përdorura 1050 copë, fugon targa AA 7334 GS  nga G. T.  Goma të përdorura A. V. Pasaporta BE 9589145 targa Ca 3544Ç  Gomat (lastikat) nuk ndodhen më në magazinë, ndërsa malli i marrë për butikët u zhdoganua për vjetërsirë. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, nga reportazhi i gazetës  “Telegraf”, të gjithë drejtuesit e lartë, me të cilët kontaktuam dje, sikurse nëndrejtorin e Përgjithshëm të DPD-së, zotin Artan Sulejmani, me drejtorin e antikontrabandës në DPD, zotin Maksim Ymeraj, me drejtorin e antikorrupsionit në DPD zotin Arben Karkini, nuk dinin asgjë se çfarë po ndodh me kontrabandën e mallrave në doganën e Kapshticës. Po kështu edhe në ministrinë e brendshme, nga reportazhi i “Telegraf”-it nuk dinë asgjë për bashkëpunimin e policëve me doganierët , edhe pse kjo ministri ka organizma të veçanta të shërbimit të brendshëm.

    REAGIMET PAS ZBULIMIT TË KORRUPSIONIT

     Në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganës:

    Në DPD-në, për kontrabandën e naftës nga peshkarexhat në Durrës dhe Vlorë, drejtori i anti-korrupsionit, Arben Karkini, tha se asnjë peshkarexhe nuk bën kontrabandë me naftë. Ndërsa nëndrejtori i Përgjithshëm Administrativ i DPD-së, Artan Sulejmani, pohoi se, pasi u njohën me shkrimin e “Telegraf” për skemën e korrupsionit në Doganën e Kapshticës, DPD-ja ngriti grupin hetimor dhe që sot do të verifikojnë në Kapshticë të gjithë procedurën e doganimit të mallrave.

    Në Ministrinë e Brendshme

    Edhe në Ministrinë e Brendshme, nga “Telegraf” mësuan si po ndodh korrupsioni dhe kontrabanda në doganën e Kapshticës, me doganierë dhe policë. Reagimi i Ministrisë së Brendshme është që nëpërmjet   Shërbimit të Kontrollit të  Brendshëm , të  investigojë ndodhitë e kontrabandës e të korrupsionit të punonjësve të policisë. Mësojmë, se kryetari i Shërbimit të  Kontrollit të Brendshëm të qarkut të Korçës, u takua dje me oficerin e doganës, i cili ka bërë denoncimin te “Telegraf”, për korrupsionin e kontrabandën në Doganën e Kapshticës.

    Në Prokurorinë e Përgjithshme.

    Nga reportazhi që bëmë edhe në Prokurorinë e    Përgjithshme, morëm informacionin ky institucion  pret, e shumta, brenda pesë ditëve që organet përkatëse të policisë dhe DPD-së të reagojnë nëpërmjet hetimeve të tyre dhe është në pritje të çdo materiali konkludiv që do të arrijnë. Sikurse na thanë në Prokurorinë e Përgjithshme, në qoftë se nga organet përkatëse nuk do të ketë asnjë reagim, atëherë Prokuroria do të ndërmarrë iniciativë ligjore, për të zbatuar kompetencat e saj.

    __________________________________________________________________________________

    INTERVISTA/Reagon për shkrimin në gazetën “Telegraf” Artan Sulejmani, nëndrejtori i Përgjithshëm i Doganave

     

    “Nuk dimë asgjë, por do të hetojmë kontrabandën në Kapshticë”

     

    Zoti Sulejmani, cila është e vërteta që ju dini në Doganën e Kapshticës?

    – Shkrimi i botuar në gazetën “Telegraf”, të hënën, shërbeu për të bërë një analizë urgjente në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Organizuam  një takim të përbashkët me drejtorinë e antikorrupsionit dhe me departamentin operativ hetimor. Tashmë, kemi ngritur grupin e punës. Investigimi do të shtrihet  në dy drejtime. Nesër (sot) nga Drejtoria e Antikorrupsionit do të jetë një grup i posaçëm në doganën e Kapshticës, ku objekt i hetimit  do të jenë akuzat që janë bërë për mosdeklarimin korrekt e pasurisë nga punonjës të doganës, për problemin e disa nënshtetësive e punonjësve të doganës, ndërkohë që,  objekti i grupit të departamentit hetimor  do të fokusojë kontrollin e të gjithë praktikave doganore të përshkruara nga denoncuesi në shkrimin e gazetës “Telegraf”. Për këtë situatë do të bëjmë  verifikimin dokumentar të plotë e të mundshëm, dhe jashtë vendit, duke e krahasuar atë me dokumentet deklaruese në doganën shqiptare, me qëllim që të krahasojmë këto fakte denoncuese nëse janë të vërteta apo jo. Objekt i këtij verifikimi do të jenë: praktika të ndryshme doganore,procedura të ndryshme, blerja e shtëpive,dynënshtetësia, raporte të ndërsjella të personelit në degën doganore, etj..

    – Kontrabanda në Doganën e Kapshticës, nuk përjashtoj edhe në doganat  e tjerat, bëhet pasi malli kalohet pa u regjistruar fare nga doganierët, në bashkëpunim edhe me policinë e kontrabandës. Ju keni raste të tilla?

    – Gjatë kësaj periudhe, në të cilën unë jam në këtë detyrë, nëndrejtori i përgjithshëm administrativ dhe kryetari i komitetit disiplinor, kemi patur raste të tilla, të cilat i kemi investiguar dhe analizuar. Pamjet filmike nëpërmjet kamerave janë siguruar  si rezultat i punës  së drejtorisë së riskut dhe departamentit operativ hetimor  në përgjithësi . Të gjitha materialet dhe dosjet e kompletuara të hetimit janë vënë në dispozicion  të Komitetit Disiplinor, ku janë shqyrtuar me përgjegjësi, duke vendosur masat disiplinore për çdo rast konkret!

    – Mund të na jepni shembujt konkretë?

    – Konkretisht, ndodhet në komitetin disiplinor një material siç e përmenda dhe më lart, për doganën e Kapshticës, ku dhe denoncuesi në fjalë bën pjesë në këtë grup doganierësh,që do të shqyrtohet se shpejti nga ky komitet. Ky material është përgatitur nga drejtoria e antikorrupsionit.

    – Në shkrimin e “Telegraf”, oficeri i doganës, denoncon me emër shefin e tij, Artan Zaimi, i cili u merr çdo ditë oficerëve të doganës, tarifën e fitimeve nga kontrabanda që lejojnë. Ju dini diçka më shumë?

    – Konkretisht, unë sot mësova nga “Telegraf” për këto raste dhe pikërisht, prandaj, edhe ne kemi ngritur punën tonë në dy drejtimet që ju përmenda, që grupet nesër (sot) të investigojnë në Kapshticë se çfarë po ndodh, duke marrë në intervista të gjithë punonjësit tanë. Do të marrim të gjithë materiale t nevojshme, si për rastet që përmenden në shkrimin e “Telegraf”, por edhe për rastet e tjera, që mund të ndeshim.

    – Sipas  dëshmisë, shumë mallra kapen si kontrabandë, bllokohen dhe, pasi futen në depot e doganës, më vonë zhduken pa lënë gjurmë. Ju keni konstatuar të tilla raste?

    – Duhet të na mirëkuptoni,para  se të sigurojmë të  gjithë të dhënat dhe të përfundojmë të gjithë investigimet dhe analizat që përmenda më sipër  nuk mund të arrijmë në konkluzione të drejta dhe të sakta.

    – Pavarësisht, nga verifikimi që do të bëni, deri tani, keni dijeni që të futet mall në dogana dhe të mos regjistrohet? Apo, të bllokohet malli, e të zhduket nga depot e doganës?

    – Jo, përveç deklarimit të punonjësit tonë, ç’është e vërteta, nuk kemi raste të tilla.

    – Një tjetër skemë e kontrabandës me mallra, është kur ato vlerësohen në doganë me vlera shumë të ulëta dhe shteti dëmtohet me miliona nga  mospagimi i taksave. Kjo dukuri ka ndodhur?

    – Jua përmenda dhe më lart,të gjitha praktikat doganore të denoncuara, si dhe procedurat e tjera për mallrat personale do të verifikohen dhe analizohen.

    Si rezultat i këtij kontrolli cilësor patjetër do të arrijmë në konkluzione të vlefshme në lidhje me këtë denoncim.

    – Dukuria ndodh, kur malli , siç thuhet në akuzën e oficerit të doganës, e ka

    – Meqë oficeri i doganës, që guxoi të zbulojë skemën e kontrabandës në Doganën e Kapshticës, çfarë personaliteti ka, sipas vlerësimit tuaj?

    – Personalisht nuk e njoh. Siç e thashë dhe më lart, është pjesë e një grupi doganierësh që kanë kryer shkelje administrative,të cilët presin shqyrtimin në komitet disiplinor.

    – Në një tjetër shkrim te “Telegraf” është bërë e njohur edhe kontrabanda që bëhet me naftën nga peshkarexhat në Durrës e Vlorë. Drejtori i antikorrupsionit, në DPD-në, Arben Karkini, deklaroi  sot (dje) për “Telegraf”, që nuk ka kontrabandë me naftën nga peshkarexhat. Ju dini gjë?

    – As unë nuk kam dijeni për këtë fenomen në portet e Durrësit e Vlorës, e konkretisht, me peshkarexhat për kontrabandë nafte.  Pasi të përfundojmë këto dy investigime, që do të merret Drejtoria e Përgjithshme e Doganës, në Doganën e Kapshticës, për të gjitha rastet që bëhen fjalë në shkrimin e “Telegraf”, çdo shkelje, do t’ja kalojmë për hetim të mëtejshëm organeve të Prokurorisë.

    – Dyshoni, sadopak, në tërë këto skema të kontrabandës e korrupsionit që zhvillohet nga punonjësit e doganës dhe policisë?

    – Konkretisht, personeli i doganierëve janë pre e këtyre tentativave për kontrabandë, për korrupsion, por që të di raste që kanë ndodhur, nuk di. Ne, do t’i shikojmë dhe hetojmë një e nga një rastet e përmendura.