Qeveria gremisi Institutin Sizmiologjik me arësye absurde

    310

    Fenomeni/ Shqipëria më e rrezikuar nga tërmetet në muajt tetor, nëntor dhe dhjetor

    Territori i Shqipërisë është i vendosur në një zonë aktive malformuese, me një strukturë tektonike të komplikuar. Tërmetet janë dukuri, që ndodhin në brendësi të Tokës, si rezultat i zhvendosjes së menjëhershme dhe të beftë të formacioneve shkëmbore, proces nga i cili valët sizmike përhapen në të gjitha anët dhe në varësi të masës së zhvendosjes, shkaktojnë lëkundjen e vetë sipërfaqes së Tokës si dhe të objekteve,që ndodhen mbi të. Tërmetet tektonike (me origjinë nga proceset tektonike), zënë fill nga sipërfaqja e Tokës e deri në thellësinë 700 km. Ato ndodhin në zonat ku kalojnë thyerje tektonike (të çara që depërtojnë deri në thellësinë e Tokës). Zhvendosjet e shtresave mund të jenë horizontale dhe vertikale. Një revolucion në shkencën mbi tërmetet u bë pas futjes dhe pranimit të teorisë së plakave tektonike (Vitet 1960-1970). Sipas kësaj teorie, e gjithë litosfera tokësore është e ndarë në disa pllaka të mëdha (dhe në disa të tjera të vogla) prirja e të cilave është që të largohen apo afrohen me njëra- tjetrën. Pllakat litosferike (Amerika Veriut, Amerika e Jugut, Euroazia, Afrika, Australia, Antarktida, pllaka e Oqeanit Paqësor) shkojnë deri në thellësinë 80 km. Ato zhvendosen horizontalisht mbi një lëndë viskoze që quhet Astenosferë. Astenosfera është e trashë rreth 300-400 km. Dhe është e përbërë nga material i zjarrtë magmatik. Po duke qenë se në pjesët më të sipërme ajo ka temperaturë më të vogël në krahasim me pjesët më të poshtme, atëherë, për efekt të rëndesës,  pjesët e sipërme kalojnë poshtë, duke formuar rrymat e konveksionit. Këto rryma janë shkak i lëvizjes së pllakave. Është vrojtuar se pllakat lëvizin 6-11 cm. në vit. Në zonat e hapjes, lënda e astenosferës del nga manteli në sipërfaqe, ndërsa në pjesët konvergjente, kur pllakat përplase me njëra- tjetrën, lënda e astenosferës hyn në thellësi në zonat e ashtuquajtura të subduksionit. Pikërisht, në këto zona janë vënë re dhe tërmetet më të thellë dhe më të fuqishëm të Tokës (deri në thellësinë 700 km.). Shqipëria është e vendosur pikërisht në kontaktin e pllakës së Afrikës me atë të Europës. Është vërtetuar nga shkencëtarët se fondamenti i detit Adriatik dhe Jonian është pjesë e Platformës Afrikane dhe, duke qenë më e vjetër, ka prirjen të zhytet nën pllakën Europiane. Kjo është arsyeja kryesore e ndodhjes së tërmeteve në vendin tonë, Greqi dhe Itali. Tërmetet kanë akses dhe në tërthoret Shkodër-Pejë dhe Elbasan – Peshkopi, që janë thyerje të thella, që gjenerojnë vazhdimisht lëvizje të Tokës dhe rrëshqitje. Duke qënë pjesë e Platformës Afrikane, fundamenti i detit Adriatik është i përshtatshëm për praninë e vendburimeve të naftës dhe të gazit-kjo është dhe arsyeja e insistimit të palës greke për përfitimin e një pjese të territorit shqiptar në det. Instituti Sizmologjik Shqiptar ka ndërtuar hartën e Intensiteteve Maksimale, ku janë dalluar zonat me intensitet të vrojtuar maksimal  IX, VIII, VII dhe VI ballësh të shkallës MSK-1992, Zonat IX ballëshe janë zona të vatrave të tërmeteve të fuqishëm. Intensiteti maksimal i të cilave ka qenë IX ballë(ose më shumë). Ato janë dalluar nga Jugu në Veri:zona e Konispolit, e Kudhës-Kuçit, e Vlorës, e Pogradecit, Gollobordës, Durrësit, të Shkodrës. Tërmetet IX ballësh janë shkatërrimtare (shumica e godinave shkatërrohen). Zona VIII ballëshe përfshin të gjithë pjesën perëndimore të Shqipërisë, nga jug-perëndimi deri në zonën e Koplikut në veri, si dhe në korridorin Elbasan-Peshkopi si dhe zona e Leskovikut. Zona VII ballëshe përfshin pothuajse të gjithë pjesën tjetër të territorit shqiptar. Sot shkenca përdor shumë metoda komplekse për të parashikuar tërmetet,  që janë :Metodat gjeokimike, që studiojnë përbërjen kimike dhe të komponentëve të ujërave nëntokësore. Me afrimin e tërmeteve këto përbërje ndryshojnë në mënyrë të theksuar. Metodat Gjeofizike, me afrimin e tërmeteve ndryshojnë vetitë gjeoelektrike të shkëmbinjve, të shpejtësisë së valëve sizmike. Metodat sizmologjike, këtu përfshihen studimet e shpejtësisë së valëve të tërmeteve të vegjël, të jep akses dhe për studimet e tërmeteve të mëdhenj, sepse veprimtaria e tyre është e ngjashme, si proces dhe me tërmetet e fortë. Me VKM Nr.561 datë 22.08.2007 u vendos nga qeveria aktuale shqiptare të shkatërrojë të gjithë Institucionet shkencore, përfshirë këtu dhe Institutin e Sizmologjisë. Grupi Destrukiv i kryesuar nga Ministri i Arsimit Myqerrem Tafaj dhe i përbërë nga Salvator Bushati, sot sekretar i ASH. SH. Marenglen Gjoni, sot drejtor i Institutit të Gjeoshkencave dhe Ismail Hoxha, deputet i PD-së. Këta i kanë sjellë një dëm të pallogaritshëm shkencës shqiptare dhe vetë shkencëtarëve shqiptarë.

    _____________________________________________________________________________________

    TËRMETET MË TË FUQISHME NË SHQIPËRI

    Shkodër 1.06.1905. Tërmeti me fuqi 9 ballë shkatërron 1500 shtëpi, duke lënë 200 të vrarë dhe 500 të plagosur. Tepelenë 20.11.1920. Tërmeti shkakton 36 të vrare dhe 102 të plagosur. Ai shkatërroi 2 500 shtëpi dhe la pa strehë 15 000 veta. Peshkopi 24 gusht 1924. Shkatërrohen afro 80 % të shtëpive, 44 të vrarë dhe 119 të plagosur. Vlorë, Tepelenë 21.11.1930. Tërmeti shkakton 30 të vrarë e mbi 100 të plagosur. Lushnje, Fier, Rrogozhinë, Peqin e Berat 1.09.1959. Tërmeti kishte intensitet 8-9 ballë. Korçë 26 maj 1960, ku u shkatërruan 1479 ndërtesa.  Fier, Tepelenë, Berat, Lushnjë 18 mars 1962. Tërmeti tetë ballësh shkakton 5 të vrarë e 77 të plagosur dhe u shkatërruan 2 700 shtëpi. Dibër, Librazhd 30.11.1967. Shkatërrohen 177 fshatra, gjejnë vdekjen 12 veta dhe 174 të tjerë plagosen. Karakteristike e këtij tërmeti është thyerja e tokës me gjatësi mbi 10 kilometra e zhvendosje vertikale të dheut deri në 50 centimetra.

    Shkodër, Librazhd 3.11.1968.  Shkodër, Lezhë 15.04.1979. Dëmtohen 17 118 shtëpi e objekte social-kulturore. Roskovec 17 nëntor 1982. Ndihet edhe në Fier, Librazhd e Berat, ku u shkatërruan 16 534 ndërtesa, u vra 1 person dhe 12 të tjerë u plagosën.  Tiranë 7 janar 1988. U dëmtuan 2083 shtëpi. Fushë-Bardhë, Gjirokastër, 26 mars 1990.

    _____________________________________________________________________________________

    TËRMETET MË TË FUQISHËM NË BOTË

    1. Tërmeti më i madh i regjistruar në USA ka qenë 9.8 ballsh,i cili ka goditur Prince Vvilliam Sound, Alaskë në të ashtuquajturën Good Friday, në 28 Mars,1964

    2. Tërmeti më i madh i regjistruar në botë ka qënë 9.5 ballsh dhe ka goditur Chile në 22 Mai,1960

    3. Shumica e tërmeteve ndodhin në thellësi prej 80km poshtë sipërfaqes së Tokës.

    4. Tërmeti më vdekjeprurës në bote ka ndodhur në vitin 1955 në Kinë, duke sjellë pasoja prej rreth 830.000 njerëz të vdekur. Në vitin 1976 një tjetër tërmet vdekjeprurës godet Tangshan në Kinë, ku më tepër se 250.000 njerëz vdiqën.