Qeveria bllokon lejen e ACR-së, nuk u respektuan investimet dhe kushtet e sigurisë

    385
    Sigal

    Urdhri për bllokimin e lejes minerare në zonën D u propozua nga Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. Zbardhet i plotë raportin, pas të cilit Ministria e Energjetikës vendosi pak ditë më parë të pezullojë lejen minerare në zonën më problematike të Bulqizës, të ashtuquajturën zona D. Raporti konstaton probleme me kushtet e sigurisë në punë, por edhe shkelje të rënda të ligjit nga privatët, deri në moszbatimin e urdhrave të institucioneve. Nga verifikimet në terren ekspertët e AKBN dhe Repartit të Shpëtim Minierave kanë konstatuar se përveç mangësive të theksuara në dokumentet teknike, përfshirë dhe pasqyrat e investimeve, në këtë zonë është kryer aktivitet minierar edhe në ato vende ku kjo ka qenë e ndaluar me ligj. Sipas raportit, bëhet fjalë për galerinë me numër 34, për të cilën Reparti i Inspektim Shpëtim Minierave kishte urdhëruar pezullimin e punimeve, por kjo nuk është respektuar nga subjekti privat. Zona D, e cila i përket pjesën jugore të minierës së Bulqizës aktualisht shfrytëzohet nga kompania “Tour Alb”. Por kjo e fundit vepron si nënkontraktor i ACR, pjesë e ‘Balfin Group”, që është dhe shoqëria e cila zotëron lejen minierare. Burime nga Ministria e Minierave thanë se në zbatim të ligjit, është subjekti zotërues i lejes minerare, ai që mban përgjegjësi për zonën e tij. Për këtë arsye grupi i kontrollit, ka propozuar pezullimin e lejes së shfrytëzimit për një afat të pacaktuar deri në plotësimin e realizimin e të gjitha vërejtjeve dhe shkeljeve të konstatuara. Raporti mbi zonën D konfirmon edhe një herë situatën kaotike dhe moszbatimin e ligjit në zonën më të madhe krommbajtëse të vendit, që përbën dhe një nga pasuritë më të mëdha natyrore. Paralelisht mësohet se, pas aksioneve të fundit të policisë për bllokimin e ngarkesave të paligjshme me krom, Prokuroria e Lezhës ka nisur hetimet ndaj një sërë subjektesh për fshehje të të ardhurave dhe evazion në aktivitetin e kromit.

     AKPN-ja të bëjë publike falsifikimin e koordinatave të objekteve dhe hartave

    Kol Nikollaj

    Zona D. nuk është vetëm galeria 34. Për efekt etike sot nuk po i rreshtoj galeritë, profilet, pronarët nga pas tyre që po e shfrytëzojnë njëlloj e më shumë poshtërisht se e famshmja 34 me tre pronarë. AKPN-ja të bëjë publike falsifikimin e koordinatave të objekteve, falsifikimet e hartave dhe normalizimin e të gjitha projekteve të shfrytëzimit, apo të investimeve që kurrë nuk u kryen. Ky urdhër i ministrit është një fotokopje e urdhrave, që bënë ish- ministri Ruli sa herë humbte jetën një punëtor. Nëse shteti e merr seriozisht të veprojë seriozisht dhe me standarde të njëjta e tolerancë zero atyre që thyejnë ligjin, kushdoqofshin ato. Jo të bëhet pre dhe mashë e bizneseve për të eliminuar njëri-tjetrin, apo vello për të mbuluar korrupsionin dhe paaftësinë e paraardhësve të tij, të AKPN e RISHMI-t që janë atrofizuar nga paaftësia dhe neglizhenca në vijimësi..!!