Provimi i shtetit për licencimin e mësuesit zhvillohet më 6 korrik

    364
    Provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të zhvillohet tri javët e para të muajit korrik. Të drejtën për të hyrë në këtë provim e kanë të gjithë kandidatët që kanë mbaruar për mësuesi dhe kanë përfunduar me sukses praktikën profesionale. Nëse në këtë provim kandidatët dalin me sukses, atëherë u lind e drejta e ushtrimit të profesionit të mësuesit. Agjencia Kombëtare e Provimit njofton mësuesit se testimi për ta starton fillimin e javës që vjen, më datë 6 korrik, dhe pritet të zgjasë tri javë, pra deri më datë 25 korrik. 
    Drejtoresha e AKP-së, Rezana Vrapi ka sqaruar se: “Provimi për profesionin e rregulluar të mësuesit pritet të nisë në datën 6 korrik. Ne jemi të varur nga DAR/ZA-të, pasi ata na sjellin listat e kandidatëve që do të testohen. Regjistrimi ka vijuar deri në datën 30 qershor nëpër Drejtori Arsimore, kështu që duhen pak ditë sa të bëhet kontrolli i kandidatëve që janë regjistruar dhe ne të shpallim datat sipas 24 profileve të mësuesisë që do testohen”. 
    Datat dhe oraret sipas profileve do të publikohen në ditët në vijim të kësaj jave. Të gjithë kandidatët që do hyjnë në testim, mund të gjejnë në faqen zyrtare të AKP-së fondin e pyetjeve që do të bien në provim si dhe programet orientuese. Ndërsa për sa i përket tarifës, ajo vjen në rritje në mënyrë progresive, në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit. Nga 10 mijë lekë që paguan kandidati që i nënshtrohet provimit për herë të parë, ata që do të testohen për herë të dytë e kanë 12 mijë lekë, testimi për herë të tretë e ka tarifën 15 mijë lekë, për herë të katërt 17 mijë lekë, ndërsa më të lartë e kanë ata që testohen për herë të pestë, pasi duhet të paguajnë 20 mijë lekë. Faturën e pagesës kandidatët mund ta gjejnë në faqen zyrtare të AKP-së; nëpërmjet saj ata duhet të bëjnë pagesën në një bankë të nivelit të dytë ose në Postë.
    Sigal