Pronarët: Nëse retushoni problemin e pronës si paraardhësit tuaj, kot mblidhemi…

    429
    Sigal

    Tryeza e rrumbullakët, zv/ministri i Drejtësisë z. Peçi: Ligji 7501, problem edhe për qeverinë

    Gazeta “Telegraf” vijon sot me zbardhjen e debateve midis pronarëve dhe grupeve të tjera të interesit me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, të organizuar në 24 tetor nga AKKP dhe Ministria e Drejtësisë, në zbatim të planit të veprimit për zbatimin e vendimit pilot të GJEDNJ. Ligji 7501 dhe problemi i kullotave janë dy nga çështjet që shqetësojnë më së tepërmi pronarët e Dukatit. Ata kërkojnë nga qeveria që ti pajisë me dokumente për kullotat që dihen se kujt i përkasin. Ndërsa shprehen se e kanë humbur besimin te qeveritë shqiptare, ata kërkojnë nga zv/ministri i Drejtësisë, z. Peçi, që të kërkojë abrogimin e ligjeve që pengojnë zgjidhjen përfundimtare të çështjes së tokës, siç është Ligji 7501. Nga ana tjetër z. Peçi pohoi problematikën e legjislacionit të pronës, duke premtuar se çdo vendim për ndërhyrjet në ligj që sot e tutje do të kenë miratimin edhe të pronarëve.

      Debati midis z. Axhem Imeraj dhe z. Idlir Peçi

      -Z. Axhem Imeraj, përfaqësues i shoqatës “Krahina Jonë Dukat, Tragjas, Radhimë, Gjiu i Vlorës”: Kam përshtypjen që të gjithë ne që jemi të ftuar sot këtu, jemi të ftohur deri në palcë. Arsyeja është që kemi mbi 20 vjet që merremi me problemin e pronave dhe nuk kemi arritur akoma në një konkluzion. Unë përfaqësoj shoqatën e Gjiut të Vlorës, fshatrat Dukat, Tragjas dhe Radhimë dhe kemi dy probleme kryesore:

    1. Problemi i kullotava dhe

    2. Problemi i Ligjit 7501, për arat e bukës.

    Ekziston Ligji i kthimit të kullotave, këtë e dinë të gjithë. Ne në Dukat dhe në malet tona kemi dhen e dhi, siç kemi qenë dikur nëpër vendet tona. Pra, kullotat janë të lira, s’ka asnjë transaksion/shit-blerje. Ata që kanë patur mundësi dhe kanë blerë dhi, dhen e lopë kanë shkuar nëpër kullota dhe, megjithëse, janë në pronën e tyre, nuk kanë dokumente, sepse të parët tanë nuk kanë ditur as shkrim as këndim. Kështu që ne sytë i kemi nga qeveritë, të na pajisin me dokumente. Fëmijët tanë bredhin nëpër botë, kur mund të ishin fare lehtë në pronat e tyre pronarë që të punësonin, siç ka qenë e kaluara e Dukatit, çoban dhish me 2,000 kokë, por kishte dhe 7 çobenj mbrapa që i punësonte. Ndërsa sot, ne i kemi fëmijët tanë nëpër botë duke bredhur, duke kërkuar bukën e gojës, kur kullotat janë të lira. Fati ynë i keq është se ne lagemi nga 2 dete dhe ka shumë pretendime. Qeverive, që vijnë, u pëlqen që t’i shesin ato kullotat tona, u pëlqen që t’i administrojnë ato kullotat tona dhe ne na ngelet, veçse të shkulim gurët e maleve dhe të qëllojmë policët me gurë si në kohën e qeverisë së mëparshme. Pushteti vendor sot nuk ka asnjë kompetencë vendimmarrës, të gjitha u përqendruan këtu në qendër. Unë kam patur rastin, që me 15 burra nga Dukati të takohem me ish Ministrinë e Drejtësisë të qeverisë së mëparshme, që sot është Presidenti i RSH. Dhe arriti puna që krijuam dhe 2 komisione për të nxjerr dokumentet nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe Hipotekat dhe pas 10 ditësh ai votoi në qeveri që të lejohej Berluskoni të ndërtonte parqet Eulike në malet e Karaburunit. Në ato male që, ata që vendosin për to, nuk ia dinë as emrin, malet Akro-keraune.

    – Tani ne duam konkretisht të dimë, qeveria që e sollëm në pushtet, a e ka marrë seriozisht këtë problem që të na japë letrat, (jo pronat, se ne pronat i kemi)? Letrat na vënë në lëvizje për t’u marrë me pronat dhe të hapim vende pune.

    – Ju sot në këtë tavolinë të rrumbullakët thatë se përfundimet e grupit të punës së këtij dikasteri do t’i çoni tek Ministri juaj dhe më pas do t’ia çoni qeverisë. Si shoqatë, unë bëj një kërkesë që për propozimet tuaja që do ia çoni qeverisë, të na vini në dijeni edhe neve me një material të shkruar, përndryshe s’kanë vlerë këto biseda që bëjmë ne këtu sot dhe e dyta:

    – Kam menduar disa pyetje që t’ju drejtohesha personalisht juve si zv/Ministër i Drejtësisë:

    1. Ju personalisht si jurist, si e shikoni Ligjin 7501 “Për tokat bujqësore”, në raport me të drejtën ndërkombëtare të pronës, në raport me Kushtetutën tonë dhe në raport me statutin e ish-kooperativave bujqësore?

    2. A ka vullnet politik që problemit të pronave në Shqipëri t’i shkohet deri në fund?

    Unë mendoj që kjo tryezë e rrumbullakët duhet të ketë një fazë tjetër, ku të jenë prezentë dhe ata njerëz të cilët i vënë kushte Shqipërisë për t’u pranuar në Europë. Kemi 24 vjet që po llapim, po shkruan shtypi, po zihemi me njëri-tjetrin edhe hilja është në mes. Kemi humbur besimin, ky është problemi ynë… Nëse ju kërkoni të retushoni problemin si paraardhësit tuaj, kot mblidhemi, ne duam zgjidhje!

    3. A ka detyrim moral dhe ligjor dikasteri juaj që t’i sugjerojë qeverisë abrogimin e ligjeve, që bien në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare të pronës? Jeni institucioni që duhet t’i sugjeroni qeverisë e Parlamentit bashkë me Komisionin e Ligjeve të Parlamentit që drejtohet nga z. Fatmir Xhafa, një vendimmarrje të drejtë.

    Problemi shtrohet jeni a s’jeni serioz? A do ta bëni punën tuaj si specialist dhe me shpirt për t’i çuar mendimet tona atje ku duhet, ku merret vendimi, apo ju sot e mbyllni ditën me orarin zyrtar, në orën 4?

    – Përgjigja e zv. Ministrit të Drejtësisë z. Idlir Peçi për z. Axhem Imeraj: Faleminderit, nëse mund t’i përgjigjem disa nga atyre shqetësime që ju me të drejtë ngritët. Mua më pëlqejnë fjalët troç dhe unë do t’ju flas po aq troç sa ç’më folët dhe ju mua. Kryeministri është mëse i angazhuar, është mëse koherent me të gjitha gjërat që ne bëjmë. Sot unë do ta takoj në orën 14.30 dhe do t’i përcjell gjithashtu dhe këto konkluzionet e dala nga kjo tryezë. Ju ngritët me të drejtë disa shqetësime të cilat përmblidhen në një pikë: Nëse ligjet të cilët janë në fuqi dhe që znj. Jorgaqi bëri një prezantim fillestar të kësaj analize, nëse ato ligje bien në kundërshtim me Kushtetutën apo me të drejtën ndërkombëtare apo me të drejtat e njeriut sipas Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut etj., nëse këto ligje do të ndryshohen apo abrogohen etj? Kjo është arsyeja pse jemi mbledhur, dhe kjo është arsyeja që po punojmë. Ju thoni që nuk ka kohë ne e dimë që nuk ka kohë që koha është presion si ndaj jush, por më tepër presion ndaj nesh sepse koha po ecën shumë shpejt. Por nuk duam të bëjmë të njëjtat gabime që janë bërë më përpara. Ju përmendët Ligjin 7501, natyrisht që nuk është i vetmi, është një nga ligjet më problematike që ka ngritur shqetësime në komunitetin tuaj në radhë të parë, por edhe në të gjitha grupet e interesit. Ne e dimë këtë gjë, por siç e thashë edhe njëherë nuk është vetëm ai ligj, është një kompleksitet i shumë ligjeve dhe shumë akteve nënligjore të cilët ndërlidhen me njëra tjetrën që e komplikojnë çështjen aq shumë sa nuk mund të jepet një përgjigje sot për nesër. Pra, ju më pyetët nëse e kemi seriozisht? E kemi shumë seriozisht. Ju më pyetët, nëse materialet që do të dalin nga kjo tryezë ose materialet/konkluzionet në fund fare që do t’i dërgojmë në qeveri do të kalojnë tek ju apo jo? E thashë që në fillim që kjo është tryeza e parë, por nuk është e fundit, sepse në çdo hap që do ndërmarrim në momentin që kemi analizën e plotë në momentin që e dimë në cilin ligj do ndërhyhet, patjetër nuk do ndërhyhet pa u marrë mendimi juaj. Sepse, siç e thashë është një proces i cili mban peng jo vetëm juve, jo vetëm ne si qeveri, por mban peng gjithë vendin pa patur qartësi se kujt i takon çfarë, nuk do të këtë zhvillim ky vend. Këtë e kemi kuptuar shumë mirë, e ka kuptuar Kryeministri shumë mirë e ka kuptuar dhe kjo qeveri shumë mirë…

    E dyta, që të mos përsërisë ato që thashë, po ta përmbledh: Ministria e Drejtësisë ka detyrimin ligjor dhe vetëm ligjor, sepse MD është një institucion i cili funksionon mbi ligjin që, ku konstaton shkelje ose ku konstaton mospërputhshmëri me Kushtetutën ose me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut t’ia vërë në dijeni si Qeverisë ashtu dhe Komisionit të Ligjeve dhe Parlamentit. Shpresoj që me kalimin e kohës me hapat që do të ndërmarrim dhe me tryezat të tjera me grupe më të vogla pune, ku do të flitet me terma konkret, dakord? Më përmendet gjithashtu propozimet që do t’i shkojnë Kryeministrit apo qeverisë dhe pastaj Parlamentit nëse do ju shkojnë juve. Para se t’i shkojnë qeverisë, do t’ju shkojnë juve…