Projektligji që nuk shkoi në Parlament. Skema e re e Dëmshpërblimit për të Përndjekurit

    387
    Sigal

    Ministria e Drejtësisë me propozim të Institutit të të përndjekurve ka përgatitur një draft me disa ndryshime ligjore, draft i cili e ka kaluar komisionin ligjor, por nuk ka shkuar ende në Parlament. Sipas propozimeve të këtij drafti, të moshuarit që janë mbi 85 vjeç do ta marrin dëmshpërblimin e plotë menjëherë, ndërsa të tjerët që janë gjallë do të mund ta marrin në një afat më të shkurtër, jo 8 vite, siç e parashikon ligji aktualisht. Miraka ka kërkuar konkretisht që të moshuarit mbi 85 vjeç ta marrin dëmshpërblimin menjëherë me miratimin e këtij projektligji. Është kërkuar që edhe të përndjekurit që janë gjallë të mos e marrin për 8 vite, me 8 këste, por ky afat të shkurtohet, mundësisht të ulet në 4 vite. Por, ligji do të ndryshojë më tej duke shtuar listën e përfituesve. Konkretisht, do të njihen për dëmshpërblim ish-të dënuarit me nenin 64 apo 67 për terrorizëm. Këtu përfshihen familjet e të masakruarve nga kryengritja e Qafë-Barit më 20 maj 1984, shumë prej familjeve të të vrarëve pa gjyq, të njohurit si diversantë etj. Shumë ish-të përndjekur guximtarë që kanë reaguar edhe në burgjet e diktaturës, janë ridënuar si terroristë, por s’kanë mundur të dëmshpërblehen për këtë, pasi ligji nuk e njohu. Njëkohësisht do të ndryshohet edhe afati për të pushkatuarit pa gjyq. Sot dëmshpërblehen vetëm ata që janë vrarë pas 30 nëntorit 1944, por me ndryshimet e reja, do të përcaktohet data 25 tetor 1944, duke bërë të mundur që shumë të tjerë të përfitojnë. Mes tyre janë shumë familje nga Tirana, të prekura nga ajo që njihet si masakra e Tiranës, të bërë nga grupe partizane komuniste.

    Të internuarit

    Ndryshimet në ligj do të bëjnë edhe njohjen e punës së komisionit trepalësh për dokumentacionin e plotësuar pas viteve 1990 dhe që nuk gjendet në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Kështu, do të përfitojnë ish-të dënuarit në kampe me telat me gjemba deri në vitin 1954, të cilët ende nuk kanë dokumentacionin gati dhe përfitojnë 1 mijë lekë për ditë qëndrimi. Nga ana tjetër, me një vendim të Këshillit të Ministrave, çdo familje që ka qenë në internim pas vitit 1965, do të ketë shtesë pensioni mbi atë që merr sot për vitet e punës.

    Masat për dëmshpërblimin

    3 mijë ish-të përndjekur politikë llogariten që janë ende gjallë, që marrin dëmshpërblim direkt. Sipas ligjit, ata marrin çdo vit nga një këst për 8 vite. Me ndryshime në ligj, kjo do të mund të ulet në më pak vite. 1 milion lekë ka qenë masa maksimale e dhënë nga qeveria si këst i parë për ish-të përndjekurit politikë. Tashmë, për 7 vitet e mbetura, ata do të marrin një këst të pandryshueshëm dhe kësti të jepet me afat të përcaktuar.

    Problematikat e hasura

    1- Shumë prej ish-të përndjekurve kanë marrë më pak nga sa u takonte, pasi një pjesë të dënimit e kanë pasur sipas nenit për terrorizëm, i cili nuk u njoh nga ligji për dëmshpërblimin. Këtu nuk përfitonin as të ridënuarit e Masakrës së Qafë-Barit në vitin 1984.

    2- Shumë prej të pushkatuarve pa gjyq nuk kanë mundur të përfitojnë pasi kanë qenë jashtë afateve të përcaktuara me ligj, ose dokumentacioni ka munguar.

    3- Familjet që kanë jetuar në kampet me gjemba deri në vitin 1954, nuk kanë mundur të marrin dëmshpërblimin prej 1 mijë lekësh, disa pasi kanë pasur probleme për dokumentacionin.

    4- Të moshuarit, ish-të përpjekur politikë, kanë nevojë për dëmshpërblimin, pasi shumë prej tyre kanë nevojë për shërbime shëndetësore.

    5- Përmirësimin e procedurës së marrjes së dëmshpërblimit në mënyrë që këstet të jepen në kohë të përcaktuar, jo më larg se një vit nga njëri-tjetri.

    Ndryshimet në ligj

    1- Dëmshpërblim total i shumës për të gjithë ish-të përndjekurit mbi 85 vjeç menjëherë.

    2- Ulja e afatit nga 8 vite, mundësisht deri në 4 vite, të të gjithë ish-të përndjekurve që janë gjallë.

    3- Vendosja e afatit nga 30 nëntori 1944 më 25 tetor 1944 për të pushkatuarit me gjyq, duke rritur numrin e përfituesve.

    4- Njohjen e dëmshpërblimit të ish-të dënuarve nga nenet 64 apo 67 për terrorizëm në kohën e diktaturës komuniste.

    5- Njohja e punës së komisionit trepalësh për dokumentacionin e plotësuar pas viteve 1990 dhe që nuk gjendet në arkivin e Ministrisë së Brendshme. (përfitojnë ish-të dënuarit në kampe me telat me gjemba deri në vitin 1954.)