Projekti USAID dhe Assist Impact Përfitojnë 7 OJQ në të gjithë vendin

    411
    Sigal

    TIRANE– USAID dhe organizata Assist Impact, ditën e sotme, nënshkruan 7 Marrëveshjet për Grante, projekte të cilat synojnë fuqizimin e të rinjve. Sipas pjesmarrësve në ceremoni synimi i granteve është rritja e mundësive të punësimit dhe fuqizimi i të rinjve që të jenë aktivë në shoqëri.

    Assist Impact  si organizatë po zbaton një projekt 3-vjeçar për USAID-Shqipëri, i quajtur “Ngritja e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale”. Ky projekt synon të mbështetë OJQ-të vendore, agjencitë qeveritare dhe shoqatat e biznesit, që të përmirësojnë aftësitë e tyre dhe të punojnë në mënyrë më efektive.

    Në kuadër të këtij projekti, Assist Impact, falë një procesi konkurrues, ka përzgjedhur 7 OJQ nga e gjithë Shqipëria, për të mbështetur programin e saj për “fuqizimin e të rinjve”, duke u fokusuar kryesisht në punën me këta të rinj jashtë kryeqytetit.

    OJQ-të e përzgjedhura që firmosen ditën e sotme për grante me Assist Impact dhe detyrat e reja në kuadër të marrëveshjes së re të tyre janë të listuara si më poshtë:

    Creative Business Solutions, do të punojë në 13 zona rurale, nga Malësia e Madhe në Gjirokastër, për të trajnuar dhe punësuar të rinj si specialistë në prodhim bulmeti, në prodhim frutash e perimesh, bimë mjekësore e erëza, në ruajtjen e produkteve në mjedise ftohtëse dhe sera.

    Agjencia e Zhvillimit Rajonal (AZHR) Korçë, do të punojë me bizneset dhe me të rinjtë në zonën e Korçës, për të ngritur kapacitetet e të rinjve, të kërkuara nga bizneset vendase.

    Albania Rafting Group, do të trajnojë të rinj për të punuar si guida, do të zhvillojë trajnim të specializuar për ndihmën e shpejtë për guidat në sportin e rafting, si dhe do të punojë me menaxherët e shtëpive mikpritëse dhe për materialet informative.

    Shoqata për Integrimin dhe Zhvillimin Komunitar (SHIZHK), do të trajnojë dhe do të ndihmojë punësimin e të rinjve në video-produksion në Bulqizë, dhe në profesione si hidraulik, elektricist dhe punime artizanale në Laç.

    Shoqata Kombëtare e Blegtorëve Shqiptarë (LEEA), do të punojë në sektorin e blegtorisë në Lushnje, Shkodër, Korçë dhe Kukës, ku ajo ka identifikuar nevojën për specialistë lidhur me ndërzimin artificial, me kontrollin e mastitit, dhe me kujdesin ndaj thundrave të gjedhit dhe të imëtave.

    Rrjeti Alumni i Studentëve Shqiptarë (AS@N), do të zhvillojë trajnime, do të kërkojë mundësi për praktikë profesionale dhe do të punësojë studentë ose të sapodiplomuar në vende të ndryshme pune në Shkodër, Vlorë dhe Tiranë.

    Epoka e Re në Fier, do të nxitë pjesëmarrjen e të rinjve në proceset demokratike, duke krijuar Grupe Këshillimi të të Rinjve në Patos dhe Fier, të cilat do të lidhen e do të komunikojnë me strukturat e qeverisjes për çështje me interes të veçantë për të rinjtë.
     
    Të pranishëm gjatë ceremonisë kanë qenë i Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA në Tiranë, Henry Jardine, Zëvendës Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti. Të cilët dhe mbajtën fjalët e rastit në këtë aktivitet. – See more at: http://www.shqiptarja.com/Sociale/2750/projekti-usaid-dhe-assist-impact-perfitojne-7-ojq-ne-te-gjithe-vendin-243016.html#sthash.GucJvzOe.dpuf