Projekt për rritjen e investimeve në bujqësi, përcaktohen subvencionet

    481
    Sigal

    SARANDË/Në takim morën pjesë titullarë të Ministrisë  së Bujqësisë, biznesmenë dhe përfaqësues të bankave

    Ministria e Bujqësisë shqiptare nëpërmjet zëvendësministrit të saj, Jani Babi ka prezantuar në qytetin e Sarandës paraditen e së martës skemat e mbështetjes në bujqësi (subvencionimin) për vitin 2014. Në pjesëmarrjen e specialistëve të bujqësisë, fermerëve dhe operatorëve bankar, zëvendësministri Babi, ka sjellë politikat qeverisëse për zhvillimin e bujqësisë shqiptare brenda sloganit siguri ushqimore, inovacion teknologjik, progres ekonomik, këto të përmbledhura në okelion “Prodho, tregto, konsumo shqip”. Z. Babi ka nënvizuar se mbështetje kryesore do të jetë subvencionimi i prodhimeve dhe produkteve bujqësore e blegtorale të dorëzuara në pikat e grumbullimit dhe përpunimit, duke prezantuar edhe politikën e re subvencionuese për 2014-n, në ndryshim nga vitet e kaluara, se pikat kryesore të mbështetjes qeveritare për fermerët do të jenë në mbështetje të teknologjisë së mbjelljes dhe kultivimit të kulturave shumëvjeçare, për serat me ngrohje, mbarështrim i blegtorisë, rehabilitim dhe mbrojtja e ullishteve ekzistuese, mbështetja e fermave organike, mjaltit, kërmillit e midhjes. Por fermerët dhe specialistët kanë reaguar si në aktivitet dhe jashtë tij. Një nga kundërshtimet ka qenë heqja nga skema e subvencionimit për procesin e mbjelljes së agrumeve, ullinjve, drufrutorëve dhe arroreve. Gjithashtu specialistët e bujqësisë që punojnë nëpër njësitë vendore, pas mbledhjes së bashku me disa fermerë, kanë shprehur shqetësimin se kjo vete drejt mashtrimit dhe abuzimit, kur vet skema e subvencionit dhe afati i kreditimit bankar lejon një muaj kohë për aplikime dhe këta specialistë janë të përjashtuar nga skema aplikuese për fermerët. A mundet vallë t’i bëj zyra e bujqësisë të gjitha aplikimet për fermerët e rrethit brenda afatit kohor një mujor dhe kush e njeh më mirë gjendjen reale të terrenit  përveçse specialistët e njësive vendore?  Pse janë përjashtuar? Një problem tjetër që është ngritur nga fermerët  për skemën e re të subvencionimit, është se kush do të jetë autoriteti që do ketë pikat e grumbullimit dhe a ka një model të faturës vërtetuese të mallit të dorëzuar nga fermerët në pikat e grumbullimit të produkteve bujqësore e blegtorale? Pse për mbjelljen e bostanorëve nuk u subvencionua plastmasi dhe a ka një bashkëpunim midis Ministrisë së Ekonomisë, asaj të Financave, Drejtorisë së Tatimeve për menaxhimin e grumbullimit të prodhimit dhe dhënien e faturës, pasi pa këtë faturë fermerët nuk përfitojnë subvencionin e mallit të dorëzuar në pikat grumbulluese. Kjo paqartësi ka krijuar reagime tek fermerët, të cilët janë të pa shpresë tek subvencionimi i sivjetshëm, por edhe mos pajisja me certifikatë pronësie është pengesa tjetër që tregon se fermerët sivjet do të ngelen me gisht në gojë. Ata janë larguar nga takimi, të pashpresë për fatin e prodhimit të tyre, duke e quajtur edhe njëfarë presioni për t’u grupuar, po ku dhe si, kërkojnë fermerët.