Prof. Sevo TARIFA/ Ruzhdi lLuri, bir i prongjisë, partizan dhe artist

    456
    Sigal

    Në kuadrin e 70-vjetorit të formimit të Brigadës VI Sulmuese dhe 90-vjetorit të lindjes së partizanit Ruzhdi Lluri

    Më ka tërhequr gjithnjë Prongjia e Gjirokastrës, fshat i krahinës së Kardhiqit, me pozicionin e tij të bukur mes malesh krenarë e gjelbërimesh, në sfond të traditave historike e luftarake. Kryesorja, me banorë atdhetarë e punëtorë, të varfër e fisnikë, të urtë, të qetë e të thjeshtë, mikpritës e të vëllazëruar, që e kanë treguar veten në krye të herës dhe shkëlqyen sidomos në vitet e zjarrta  të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Fshat me 85 shtëpi e 70 partizanë, pa asnjë ballist. Me një rini vitale, të pushkës, të punës, të librit, të penës  e të këngës, një prej të cilëve ishte edhe Ruzhdi Majko Lluri.

    -Kush ishte Ruzhdi Lluri

    E pashë për herë të parë kur ishte në moshën 15 vjeçare. Dilte tek Ura e Kardhiqit dhe kalonte rrugës kombëtare për në Gjirokastër, me një kalë ngarkuar me dru e qereste, që i çonte për t’i shitur në qytetin e gurtë. Në atë rrugë do ta shihja edhe herë të tjera. Do pyesja dhe do mësoja se ishte djali i madh i një familjeje të varfër prongjote, që kishte mbaruar shkollën fillore të fshatit dhe i vinte në ndihmë familjes. Më vonë do të mësoja se ai kishte filluar të aktivizohej në ndihmë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kur shkonte në qytet, nën maskën e shitjes së druve, merrte ilegalisht nga Qarkori i Partisë trakte e komunikata për luftën dhe i çonte në destinacion, me parullën “Lexoje, shpërndaje, por mos ia dorëzo armikut”. Vepronte i organizuar në rininë antifashiste e komuniste të fshatit e të zonës. Rrethanat e luftës na ndanë. Kaluan gati tre vjet. Në krahinë kishte filluar këngën pushka partizane. Në valët e saj ishte përfshirë edhe Ruzhdiu. Ai ishte bërë efektiv i batalionit territorial dhe shpejt u përfshi në radhët e batalionit me famë “Asim Zeneli”, i cili do të ishte pjesë e Brigadës VI Sulmuese. Atë djalosh, që kisha parë xhadesë duke shkuar më këmbë në Gjirokastër, do ta shihja më vonë partizan me armë në sup, me yll më kapele. Dhe u takuam jo rrugës kombëtare si më parë, por maleve “me blerim mbuluar”. Ai në batalionin “Asim Zeneli” e unë në batalionin “Abaz Shehu”. Të dy krenarë se ishim partizanë të së njëjtës brigadë, ku kishte edhe prongjotë e mashkulloritë të tjerë. Do të vinin ditë që ajo të pagëzohej me titullin e lartë “Heroinë e Popullit”. Dhe një përkim: më 10 janar 2014 Ruzhdiu ka 90 vjetorin e lindjes së tij, ndërsa më 26 janar 2014 Brigada e VI ka 70 vjetorin e krijimit të saj.

    Ruzhdi Lluri, partizan sulmues! Pagëzimi i parë i tij si luftëtar atdhetar u bë në betejat e batalionit të parë të kësaj brigade, që u përurua më 7 gusht 1943 tek “Rrepet e Kardhiqit”, në fund të fshatlindjes së tij, Prongji. Ai mori pjesë në të gjitha luftimet e këtij batalioni. Aksioni i parë luftarak, që u zhvillua bashkë me forcat territoriale të krahinës së Kardhiqit ishte ai i Cepos, ku u sulmuan dhe u thyen 1000 ushtarë italianë të Divizionit “Peruzhia”. Atë pasdite dhe të nesërmen ky batalion vazhdoi luftën në Çepunë e Zenelaj, duke thyer kolonën armike që kalonte nga Tepelena në Gjirokastër. Nga batalioni ranë 4 partizanë. Kështu vazhduan edhe luftime të tjera: te Ura e Kardhiqit, Humelicë e Mashkullorë, Cepo, tanimë kundër nazistëve gjermanë.

    I pëprfshirë në Brigadën e VI, batalioni “Asim Zeneli” vazhdoi rrugën e tij luftarake dhe u bë tmerr për armiqtë. Vargu i betejave të tij kundër pushtuesve të huaj është i gjatë. Cepua u la në gjak. Që në ditët e para armiku la 110 të vrarë. Nga forcat partizane ranë 8 dëshmorë dhe u plagosën 15 të tjerë. Kështu, nga aksioni në aksion, përmes zjarrit, kalonte edhe partizani Ruzhdi Lluri, nga Jugu, në Shqipërinë e Mesme e të Veriut e deri jashtë kufijve shtetërorë, në Mal të zi, Bosnje Hercegovinë, Kosovë e Maqedoni. Në të gjitha këto luftime ai është treguar atdhetar i vendosur, luftëtar i guximshëm, me armë në dorë deri në fillim të vitit 1945, kur u kthye në Shqipërinë e çliruar me gjak e sakrifica.

    -Pjesëmarrja në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare e Ruzhdiut nuk është e rastit.

    Ai vjen nga një famije me tradita të hershme atdhetare. Babai, Majkua dhe gjyshja, Barjame, Lluri, të nxitur nga luftëtarë bashkëfshatarë si Bajram Ligu, luftëtar i çetës patriotike të Çerçiz Topullit dhe atentator kundër bimbashit turk, kanë ndihmuar në furnizimin me ushqime të kësaj çete, që ndiqej nga pushtuesit otomanë. Vendi ku strehoheshin patriotë të kësaj çete dhe veprimi atdhetar i familjes së Ruzhdiut, që bënin furnizimin e tyre me ushqime përditë, ishte sekret. Dihej vetëm nga një rreth i kufizuar njerëzish patriotësh të Prongjisë. Sekret ishte edhe ai vend mes maleve në një shpellë ku rrinte Çerçizi me shokë, i cili edhe sot quhet “Shpella e Çerçizit”. Për kontributin e tij si patriot, babait të Ruzhdiut, në një ceremoni festive, iu dha titulli “Patriot i vjetër”. Ishte kjo një nderim dhe krenari për familjen “Lluri” të Prongjisë.

    Në kalitjen revolucionare të Ruzhdiut ndikonte fuqishëm shembulli patriotik i luftëtarëve të krahinës së Kardhiqit dhe drejtpërdrejt i mjedisit luftarak të fshatlindjes, i shokëve të vjetër si Hamza Makashi, Gani Haloçi dhe Kolë Jani e të tjerë.  Ruzhdiu ishte filizi i parë i familjes “Lluri”. Pas tij po rritej edhe vëllai i dytë, Pertefi, i cili po hidhte hapat e parë si pionier dhe i ri antifashist. Ai u ngarkua me detyrën e korrierit të komandës së vendit dhe pranë shtabit partizan me qendër në manastirin e Cepos. Njëherazi kryente edhe detyra të tjera si: shoqërues i komandantit të batalionit teritorial, Karafil Bello, i cili do të binte dëshmor i atdheut; tok me bashkëfshatarë transportonte me kuaj partizanë të plagosur nga spitali i Prongjisë dhe i Gusmarit drejt portit të Himarës, nga ku dërgoheshin deri në Itali për t’u shëruar e shpëtuar.

    I rritur dhe i e dukuar në një familje e fshat të tillë, përmes varfërisë e vuajtjeve dhe nën ndikimin pozitiv të atmosferës luftarake të Prongjsë e të mbarë krahinës, që ishin të lidhur ngushtë me LANÇ, Ruzhdi Lluri nuk mund të rrinte sehirxhi ndaj gjëndjes së krijuar dhe luftës që kishte filluar kundër pushtuesve të huaj, prandaj mori armën dhe doli partizan.

    -Pas çlirimit Ruzhdiut iu ngarkuan detyra shtetërore dhe dhuntia si aktor

    Ai shërbeu në strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme me devotshmëri, ndershmëri e përgjegjësi për gjashtë vjet me radhë. Paskëtaj doli në lirim dhe emërohet nënkryetar i kooperativës të artizanatit në Gjirokastër. Nga marrëdhëniet me luftëtarë të lirisë, kishte kaluar tani në marrëdhënie me punëtorë artizanë, sektor me rëndësi në shërbim të popullit. Ruzhdiu ishte një kuadër që u përshtatej shpejt detyrave specifike dhe  bashkëpunëtorëve. Pas një kohe u emërua në sektorë të tregtisë. Në këta dy sektorë shërbeu pesë vjet. Në punë e sipër shihej qartë se ai ishte i prirur për sektorë të artit. Dhe qysh nga viti 1956 e në vazhdim u tërhoq me punë në estradën e Gjirokastrës. Dhuntitë e artistit e të letrarit tek Ruzhdiu ishin diktuar prej kohësh: qysh kur ishte nxënës shkolle, që  aktivizohej në organizimin e veprimtarive artistike, recitonte e nxiste dhe të tjerë të merreshin me letërsi dhe art. Me këto veprimtari artistike aktivizohej edhe gjatë jetës partizane. Dhe ato dhunti që viheshin re si nxënës shkolle e pastaj si partizan, gradualisht u edukuan dhe u kthyen në talent për aktor estrade.

    Ndoshta në prirjet e Ruzhdiut si autor këngësh e humorist ka ndikuar edhe vetë fshati. Prongjia është dalluar për veprimtari artistike e letrare. Në vitet e Pasçlirimit, mbaj mend që Prongjia ka pasur një grup të këngës popullore, i cili këndonte aq mirë me vargje satirike humnoristike. E tillë ishte kënga “Kollovari”, tekstin e së cilës e kishte hartuar Ruzhdiu. Kjo këngë bëri jehonë në gjithë pjesëmarrësite festivalit dhe  fitoi çmim në Festivalkin e Parë Kombëtar.

    Si aktor i estradës, Ruzhdiu ka luajtur në 70 premiera. Është aktivizuar në organizimin e aktiviteteve artistike të qendrave të punës duke qenë edhe regjizor në 20 premiera. Ka deputuar në festivale folkloristike të Gjirokastrës, ka shkruar tekste këngësh dhe është aktivizuar edhe si aktor në filmin artitik “Liri a vdekje”. Me aftësitë e tij si hartues i këngëve popullore ka ndikuar edhe në progjotë të tjerë, siç ishte Ajaz e Zeqo Bala, Sabri Skëndo e të tjerë.

    Paralelisht vazhdonte, dhe mbaroi me rezultate të mira, shkollën e mesme Pedagogjike “Pandeli Sotiri”, që i shërbeu lartësimit të kulturës së tij.

    -Ruzhdi Lluri ishte edhe një aktivist shoqëror.

    Për 15 vjet ka qenë i zgjedhur në strukturat e organeve të pushtetit vendior: anëtar këshilli e më vonë kryetar i këshillit të tri lagjeve Pllakë, Pazar i Vjetër e lagjes “Punëtore”. Ishte aktiv e i lidhur ngushtë me qytetarët dhe vepronte me drejtësi për zgjidhjen e kërkesave të tyre sipas ligjeve të shtetit. Njëherazi mbante marrëdhënie edhe me vendlindjen, ndihmonte të atin dhe familjen, vëllezërit dhe bashkëfshatarët në zgjidhje të problemeve që i shqetësonin. Me shembullin e tij pozitiv ka ndikuar edhe në vëllezërit Xhevat e Mersin, i pari oficer madhor dhe tani gazetar e anëtar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve, i dyti shofer shembullor, të dy pasardhës veterani; po kështu edhe 4 motrat, të cilat kanë krijuar familjet e tyre dhe njihen për cilësitë e tyre si punëtore dhe edukatore të fëmijëve. Ruzhdiu dallohej edhe si kryefamiljar i mirë. U martua me Izmini Paparizon duke dhënë një shembull të lartë emancipimi, theu një tabu: ai mysliman e ajo ortodokse. E shoqja punonte robaqepëse, por nuk i eci shëndeti, pësoi një fatkeqësi shëndetësore dhe Ruzhdiu i qëndroi për vite të tëra te koka. Ruzhdiu u nda nga jeta para saj dhe la pas 4 fëmijë, dy djem e dy vajza, të cilët dallohen për shpirtin e punës, për shkollim e përparim duke mbajtur lartë emrin e mirë të prindërve të tyre.

    ***

    Sikur Rushdi Lluri, ky luftëtar i lirisë dhe aktor i Estradës së Gjirokastrës  të ishte sot i pranishëm fizikisht, do të merrte pjesë me gëzim në dy festa: në 90 vjetorin e lindjes së tij dhe në 70 vjetorin e krijimit të Brigadës VI Sulmuese Heroinë e Popullit, partizan i së cilës ka qenë edhe vetë ai. E ndieja për detyrim moral që, me këtë rast, t’i bëja një homazh modest.