Prof. Seit MANSAKU/ Gjuha shqipe dhe historia e saj

    790
    Sigal

    Periodizimi i historisë së gjuhës shqipe mbetet gjithsesi një problem i diskutueshëm

    Emërtimi i gjuhës shqipe ndër shekuj

    Akademiku i shquar Shaban Demiraj, ia ka kushtuar gjithë jetën e tij gjuhës shqipe dhe historisë së saj, i shtyrë nga dashuria për gjuhën dhe pasioni i pashuar për shkencën gjuhësore. Është një jetë e tërë aktive në kuptimin e vërtetë të kësaj shprehjeje, plot punë, përkushtim e pasion që shtrihet në tre çerekë shekulli dhe kurorëzohet me një vepër shkencore që arrin në rreth 10000 faqe të botuara, një vepër që ka pasur dhe ka një ndikim të madh në përgatitjen e disa brezave studentësh, studiuesish e pedagogësh që sot janë profesorë e akademikë edhe në sajë të dijeve të marra nga veprat dhe ligjëratat e tij të çmuara. Edhe sot gati në moshë shekullore, në një gjendje të rendë shëndetësore, zemra i rreh për gjuhën shqipe dhe historinë e saj. Shaban Demiraj është modeli i shkencëtarit, që, gjithmonë ka ruajtur objektivitetin shkencor, gjatë trajtimit të problemeve me rendësi kombëtare, mbështetet fort në tabanin  kombëtar, vlerëson traditën, përpiqet të zbulojë dhe të promovojë vlerat historiko-gjuhësore e kulturore të popullit të vet, të bëjë të njohura këto vlera për të gjithë botën shqiptare dhe përtej saj dhe t’i pasurojë më tej me vlera të reja.

    Prof. Shaban Demiraj është marrë në mënyrë ballore me gjuhën shqipe.

     Veprimtaria shkencore e tij është e shtrirë në të gjitha fushat e gjuhësisë dhe të filologjisë shqiptare të sotme dhe historike. Do të thoja se ai është sot dekani i gjuhësisë shqiptare, titullari më i shquar i gramatikës së sotme dhe historike të shqipes dhe, pa dyshim, dhe njeri nga studiuesit e shquar të fushave të tjera që lëvroi si : fonetikë dhe fonologji historike, histori e gjuhës dhe onomastikë, probleme themelore të etnogjenezës, gjuhësi ballkanike, histori e gjuhës së shkruar dhe e gjuhës standarde, filologji e teksteve të vjetra, duke përfshirë këtu edhe tekstet arbëreshe etj..

    Ky botim i ri “Gjuha shqipe dhe historia e saj”, i përgatitur nga Bardhyl Demiraj, i botuar nga Akademia e shkencave dhe nga shtëpia botuese “Onufri” përbën një risi. Të gjithëve u takon një përgëzim dhe falënderim për këtë botim kaq të vyer dhe prestigjioz. Botimi i parë i këtij libri është bërë në vitin 1988 nga shtëpia botuese e librit universitar. Ecuria e tij ka qenë pa dyshim e suksesshme. Ai ka ndihmuar në procesin mësimor të kësaj lënde me studentë e doktorantë si edhe në studimet e kryera në këtë fushë nga studiues të ndryshëm dhe për lexuesit e interesuar për të mësuar për historinë e gjuhës shqipe. Që nga botimi i parë deri më sot, kur po përurohet ky botim i dytë i ripunuar, autori ka botuar disa studime monografike dhe artikuj që trajtojnë edhe më gjerësisht shumë nga problemet që trajtohen në këtë libër. Disa prej tyre më të rëndësishmet janë: Fonologjia historike e gjuhës shqipe, Tiranë 1996; Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe, Tiranë1999; Gjuhësi ballkanike, Tiranë 2004; Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët, Tiranë 2008 etj. Në këto botime shumë nga çështjet që janë përfshirë në këtë libër, atje janë trajtuar më gjerë. Por ky është një botim përgjithësues e me një destinacion për një rreth më të gjerë lexuesish, prandaj ato arritje që janë pasqyruar në ato botime dhe në botime të tjera nga studiues të tjerë që kanë dalë ndërkohë, në këtë vëllim janë përfshirë në atë masë sa ç’ është e mundur në botime përgjithësuese dhe në atë shkallë sa e ka lejuar gjendja e rënduar shëndetësore e autorit. Sidoqoftë, siç është thënë edhe në shënimin redaksional që i prin vëllimit, vepra është përditësuar me arritjet ë këtyre 25 vjetëve në fushën e studimeve albanologjike dhe ripunuar në drejtim të stilit. Bibliografia është plotësuar, është pajisur nga vetë autori me një përmbledhje relativisht të gjerë në anglisht, është shtuar treguesi alfabetik i çështjeve kryesore dhe treguesi alfabetik i autorëve.

     

    Brenda caqeve të një vepre përgjithësuese

    Në këtë vepër gjuha shqipe vështrohet, brenda caqeve të një vepre përgjithësuese, në të gjithë shtrirjen e saj kohore dhe hapësinore, duke nisur me prehistorinë e saj, me përkatësinë e saj në familjen e gjuhëve indoeuropiane dhe vendin e saj në këtë familje dhe duke ndjekur hap pas hapi zhvillimet e saj të mëtejshme deri sa vjen në etapën e saj të fundit, te gjuha standarde. Historia e gjuhës është vështruar gjithashtu në lidhje të ngushtë me historinë e popullit që e flet atë, me rrethanat dhe kontekstet historike nëpër të cilat ka kaluar ai gjatë shekujve, në lidhje me kontaktet historike e gjuhësore që ka pasur ai gjatë historisë së tij shumëshekullore, duke ndjekur kështu si zhvillimet e brendshme gjuhësore ashtu edhe ato që kanë qenë të kushtëzuara nga kontaktet me gjuhë të tjera. Vështrohet si pasuria vetjake e shqipes ashtu edhe elementet që janë huazuar nga gjuhë të tjera një pjesë e mire e të cilave janë bërë pjesë e pandarë e kësaj pasurie vetjake. Duke ndjekur në mënyrë sistematike kronologjinë dhe dinamikën e këtyre zhvillimeve, autori trajton së pari përkatësinë e shqipes në familjen e gjuhëve indo-europiane dhe vendin e saj në këtë familje gjuhësore duke sjellë për këtë jo një a dy shembuj për ilustrim, por një lëndë të pasur e të sigurt nga leksiku dhe struktura gramatikore.  Në këtë mënyrë dalin qartë tiparet e trashëguara indo-europiane të shqipes dhe zhvillimet e tyre të mëvonshme brenda shqipes, një dallim me rendësi metodologjike për historinë e gjuhës shqipe. Por shqipja, siç dihet, është jo vetëm një gjuhë indo-europiane, por edhe një gjuhë ballkanike. Kësaj problematike autori vite më parë i ka kushtuar një libër të veçantë që është botuar në Shkup edhe në gjuhën maqedonase. Në botimin e pranishëm tiparet ballkanike të shqipes dhe tezat e ndryshme për lidhjen gjuhësore ballkanike dhe për burimin dhe shkaqet e formimit të tipareve të përbashkëta ballkanike janë shtjelluar në mënyrë të sintetizuar në një krye të veçantë. Dhe pasi ka trajtuar tiparet e trashëguara indo-europiane dhe tiparet ballkanike të shqipes, autori bën një karakterizim tipologjik të shqipes si gjuhë sintetiko-analitike.

    Një temë e posaçëm i është kushtuar prejardhjes së gjuhës shqipe

     Autori i është rikthyer disa herë kësaj teme themelore e problemore për historinë e gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar, duke bërë vështrimin kritik të tezave dhe të hipotezave të ndryshme për origjinën e popullit shqiptar dhe të gjuhës së tij dhe duke sjellë herë pas here të dhëna e argumente të reja në mbështetje të prejardhjes ilire. Madje, ai ka botuar që në vitin 1996 një libër të veçantë kushtuar kësaj teme me titull Prejardhja e shqiptarëve në dritën  e dëshmive të gjuhës shqipe. Bie në sy sidomos shqyrtimi i gjerë i onomastikës, i toponimeve antike si Dyrrachium: Durrës, Aulona: Vlorë etj.. dhe e antroponimeve dhe patronimeve mesjetare të trojeve shqiptare për t’i sjellë ato si argumente në mbështetje të autoktonisë së shqiptarëve dhe të prejardhjes ilire të tyre. I lidhur ngushtë me prejardhjen e  gjuhës shqipe, është edhe problemi i vendit dhe i kohës së formimit të saj. Autori ka bërë përpjekjen e parë serioze për të përcaktuar kohën e formimit të gjuhës shqipe si gjuhë e veçantë e dalë nga ilirishtja. Duke përdorur për këtë argumente gjuhësore, onomastike, historike dhe arkeologjike, autori arrin në përfundimin se gjuha shqipe është formuar në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit, në trevat e banuara nga fise të Ilirëve të Jugut ose Ilirëve të mirëfilltë si rezultat i shndërrimit të shkallëshkallshëm i një a disa dialekteve të ilirishtes jugore. Ky evoluim i shkallëshkallshëm, sipas autorit, duhet të jetë kryer, pas gjithë gjasash, jo më vonë se fundi i shekullit VI të erës sonë. Vështrimi tërësor i gjuhës shqipe e në të gjithë shtrirjen kohore të saj si edhe përcaktimi i kufijve të fillimit të saj si gjuhë e veçantë e dalë nga evoluimi i shkallëshkallshëm i ilirishtes,  i ka dhënë mundësi autorit të trajtojë me dorë më të sigurt edhe periodizimin e historisë së gjuhës shqipe, duke ia lënë prehistorisë periudhën para formimit të saj. Periodizimi që bën autori dallohet nga periodizimet e mëparshme të bëra nga E. Çabej, S. Riza, A. Desnickaja etj., si për nga gjerësia e trajtimit, ashtu edhe për kriteret mbi të cilat mbështetet Sh. Demiraj propozon dhe zbaton një periodizim që mbështetet në kritere gjuhësore. Në këtë mënyrë periodizimi i tij është më konkret, periudhat historike, mbushen me zhvillime konkrete gjuhësore, duke përcaktuar kështu kronologjinë e zhvillimeve kryesore të strukturës fonetike e gramatikore të shqipes. Sipas këtij, periodizimi huazimet nga greqishtja e vjetër dhe huazimet e vjetra latine para shekujve V-VI janë huazime të ilirishtes, të cilat përmes saj kanë vijuar në arbërishte dhe në shqipe. Periodizimi i historisë së gjuhës shqipe mbetet gjithsesi një problem i diskutueshëm. Këtij problemi i është rikthyer kohët e fundit në një botim të veçantë edhe akademik Besim Bokshi.

    Emërtimi i gjuhës shqipe

     Emërtimi i gjuhës shqipe ndër shekuj bëhet objekt trajtimi në një krye të veçantë në të cilin autori sqaron nga ana historiko-gjuhësore emrat etnikë që janë përdorur gjatë shekujve që nga Albanoi i Ptolemeut në shekullin II të erës sonë deri te emërtimet e sotme të gjuhës dhe të popullit shqip dhe shqiptar. Kronologjia e përdorimit të emrave të ndryshëm etnikë, shtrirja e tyre për t’u bërë emra kombëtarë, trajtat dhe kuptimet që kanë marrë ndër shqiptarë dhe popuj të tjerë paraqesin një interes të veçantë jo vetëm për studiuesit, por edhe për masën e gjerë të lexuesve, që natyrisht duan të kenë njohuri për identitetin e tyre kombëtar. Pjesë e pandarë e historisë së gjuhës shqipe është pa dyshim edhe ndarja dialektore e saj, historia dialektore së cilës autori i ka dhënë një vend më vete në këtë botim.

    Për të plotësuar kuadrin e përgjithshëm të historisë së gjuhës shqipe dhe për ta sjellë problematikën e saj deri në kohën tonë, autori kreun e fundit të këtij libri ia kushton lëvrimit të gjuhës shqipe që nga fillimet e shkrimit të saj deri në kohën tonë. Autori ka investuar prej kohësh në këtë fushë studimesh. Ai ka hartuar dikur për nevojat e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë një dispensë me titull Histori e gjuhës së shkruar shqipe dhe ka dhënë leksionet e kësaj lënde në këtë fakultet për disa vite. Ndërkohë, ka botuar një varg studimesh e artikujsh për gjuhën e shkruar të autorëve të letër sisë së vjetët, të Rilindjes kombëtare e të letërsisë arbëreshe. Në kreun përkatës të këtij libri autori ka trajtuar në mënyrë të përmbledhur rrethanat historike, kulturore e gjuhësore kur nis të shkruhet gjuha shqipe, dokumentet e para të shkruara në këtë gjuhë tekstet e vjetra shqipe të shekujve XVI, XVII, XVIII; lëvrimin e mëtejshëm në shekullin XIX e XX, përpjekjet për të arritur në alfabet të përbashkët që u kurorëzuan në Kongresin e Manastirit më 1908. Kësaj teme autori në bashkautorësi me historianin Kristaq Prifti i ka kushtuar një botim të veçantë me titull Kongresi i Manastirit. Autori vijon  më tej me shtjellimin e problemit të formimit të gjuhës së përbashkët deri në fund të shekullit XX, duke përfshirë edhe Kongresin e Drejtshkrimit mbledhur në vitin 1972, ku u vendos gjuha standarde që kemi sot. Në trajtimin e problemeve të gjuhës standarde autori është dalluar për një qëndrim koherent e të drejtpeshuar.