Prof. Gëzim Boçari:Dy gabimet e politikës janë: Çështja e pronës dhe vendimi i vitit ’92-it për simbolin kombëtar

    418
    Sigal

    Flet Prof. Gëzim Boçari: Ja çfarë i sugjeroj politikës për pronat tona

    “Dëshiroj të parashtroj dy probleme që nëse nuk korrigjohen e dëmtojnë identitetin tonë kombëtar dhe e mbajnë politikën shqiptare në drejtimin antikombëtar”. Kështu u shpreh për gazetën “Telegraf”, Prof. Gëzim Boçari, i cili nënvizoi se problemi i parë është vendimi i Kuvendit të Shqipërisë në Nëntor të vitit 1992 për përcaktimin e simbolit kombëtar, dhe problemi i dytë është çështja e pronave.  Ndërsa për problemin e pronës, prof. Boçari nuk i drejton gishtin vetëm  Berishës dhe Qeverisë së tij,por ai akuzon edhe organizmat ndërkombëtarë të cilët  sipas tij “me justifikimin e mosndërhyrjes kanë bërë një ndërhyrje shumë të keqe duke eksperimentuar zhvillimin e korrupsionit”.

     Çfarë dëshironi të transmetoni sot për politikën shqiptare?

    Për politikanët shqiptarë dhe në mënyrë të veçantë për zotin Sali Berisha, kryeministër në dorëzim të detyrës dhe z. Edi Rama, që merr detyrën, për gazetarët, analistët e politikës, intelektualët dhe median si pushtet i katërt, dëshiroj të parashtroj dy probleme që nëse nuk korrigjohen e dëmtojnë identitetin tonë kombëtar dhe e mbajnë politikën shqiptare në drejtimin antikombëtar.

    Konkretisht ku e keni fjalën? 

    Dy janë gabimet me peshë kombëtare të politikanëve shqiptarë të periudhës së tranzicionit, që kanë përmasat e krimit kombëtar. Për rrethanat kur dhe si janë zhvilluar, z. Edi Rama nuk ka asnjë përgjegjësi për to, por ka detyrimin që të angazhohet seriozisht për korrigjimin e tyre në përputhje me parimet bazë.  I pari është vendimi i Kuvendit të Shqipërisë në Nëntor të vitit 1992 për përcaktimin e simbolit kombëtar. U vendos që në flamurin kombëtar të vendoset shqiponja e viteve 1960-70 duke i ndryshuar pak formën e thonjve… Ky vendim u mor me konsensus të kryetarëve të grupeve parlamentare. Rezultati : Parimi bazë i heraldikës që simboli i Heroit Kombëtar bëhet simbol Kombëtar nuk është marrë në konsideratë nga politikanët. Zgjidhja e këtij problemi është e thjeshtë nëse evidentojmë se si ka qenë flamuri i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Duke kuptuar gabimin e bërë, zoti Sali Berisha, adaptoi si logo të Kryeministrisë simbolin e përdorur nga kryengritësit shqiptarë 150 vjet pas vdekjes së Skënderbeut. Shqipëria me trashëgiminë e saj kulturore pellazgo-arbërore prezantohet me simbolin e viteve 1960-70! Shtrohet pyetja a e cenon kjo identitetin tonë kombëtar? Ky është problem që kërkon tryeza specialistësh që me siguri do të organizohen dhe do të çojnë në korrigjimin e gabimit nëse politika do të zvogëlojë shkallën e etatizmit.

    Po problemi tjetër ?

    Problemi i dytë është mos zgjidhja për 23 vjet e problemit të kthimit të pronës tek i zoti. Rezultati: në këto 23 vjet nuk është krijuar shtet dhe sistem demokratik, por anarki institucionale. Z. Berisha e ka pohuar shumë e shumë herë gabimin e bërë me pronat, por ka vazhduar përsëri në rrugën e gabuar, e cila me siguri që ka ndikuar dukshëm në ndëshkimin me votë në 23 Qershor 2013. Gabimi i zotit Sali Berisha, që faktikisht ka dominuar politikën 1991-2013 qëndron ne defektin e tij personal. Ai, duke e konsideruar pronën e grabitur nga diktatura komuniste, si pronë në shërbim të politikës që do të vendosë qeveria (maxhoranca) i dha problemit të pronës që në vitin 1991, drejtimin më të gabuar të mundshëm. Nga viti 1991 e në vazhdim, ai ka përdorur termin “ish-pronarët” dhe për të maskuar diçka para ndërkombëtarëve, ka premtuar zgjidhjen e problemit nëpërmjet  kompensimit.

    Ju mendoni se gabimi është vetëm i z. Sali Berisha?

    Jo, por përgjegjësia kryesore i përket qëndrimit kontradiktor të z. Berisha. Përveç tij, përgjegjësi kanë; menaxhimi i dobët i respektimit të parimeve bazë të demokracisë prej ndërkombëtarëve në radhë të parë, prej B. Botërore, FMN-së, por dhe ambasadorëve të BE-së dhe OSBE, që me justifikimin e mosndërhyrjes kanë bërë një ndërhyrje shumë të keqe duke eksperimentuar zhvillimin e korrupsionit.

    A keni fakte kur akuzoni B. Botërore, Ambasadorët e BE-së, OSBE, apo këto janë deklarata subjektive?

    Faktet janë të shumta. Mjafton të analizohen ankesat e shumta që i janë drejtuar nga Shoqatat “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” apo nga  shtetasit e shumtë z. Berisha, por dhe kryeminstrave të majtë, që kanë drejtuar Shqipërinë nga 1991 e deri sot, letrat që i janë adresuar ambasadorëve dhe situata e pronës sot, veçanërisht në zonat turistike Vlorë-Sarandë. Për shkak të hapësirës së vogël që lejon një intervistë në gazetë, por dhe për arsye etike do të preferoja ballafaqimin me secilin nga përfaqësuesit juridikë të këtyre insitucioneve në një emision direkt televiziv  dhe lexuesi do të bindej për menaxhimin e dobët që ata i kanë bërë në vite demokracisë në Shqipëri.

    Çfarë mendoni për zgjidhjen?

    Ju falenderoj për pyetjen.  Demokracia është si fasadë në fjalimet e politikanëve, është e shkruar në Kushtetutë dhe në shumë ligje, që fatkeqësisht nuk zbatohen. Kur të vijë demokracia, shumë gjyqtarë, prokurorë, ministra dhe zyrtarë të lartë e kanë vendin në karrigen e të pandehurit për shpërdorim detyre, dhe favorizim të pasurimit të personave të tretë duke vepruar ne shkelje të ligjit, ose duke mos vepruar për zbatimin e ligjit. Që Shqipëria të largohet nga anarkia institucionale dhe korrupsioni me pronat që çdo ditë prodhon fatkeqësi për të gjithë, zgjidhja kërkon patriotizmin e duhur nga z. Sali Berisha dhe (kuptohet kryetari i ri që do zgjidhet sot në krye të PD) dhe kryeministri i zgjedhur i maxhorancës z. Edi Rama për një marrëveshje historike mes PD dhe PS, për respektimin e titujve të pronësisë konform gjithë sa ka sqaruar vazhdimisht z. Rrapo Danushi dhe z. Niko Nesturi.

    A është e mundshme kjo zgjidhje?

    Zgjidhja është e mundshme, sepse  çdo zonë ka regjistrat e saj të pronësisë të viteve 1945 dhe 1947 dhe dokumentet në arkivat tona janë të bollshme. Deri tani ka munguar vullneti politik. Duke analizuar regjistrat e këtyre viteve, për secilën zonë të mos përdoret mesatarja për frymë, siç thotë ligji kleptokratik nr. 7501, i cili pronën e qytetarit A, ia jep qytetarit B,  por kriter për kthimin e pronës të jetë neni 41 dhe neni 181 i Kushtetutës me nenin 4/3 që lejon administratën dhe gjykatat, t’i referohen dhe ta zbatojnë drejtpërdrejt Kushtetutën. Zgjidhja e detajuar është dhënë në projektligjin e përgatitur nga specialistët e shoqatës dhe të publikuar në faqen e internetit ëëë.defendingproperty.com

    Me këtë marrëveshje z. Berisha i jepet shansi të shlyejë një pjesë të gabimeve të tij, ndërsa zotit Rama i jepet shansi i suksesit të futjes së Shqipërisë në rrugën e demokracisë dhe përafrimin të saj në BE. Nëse kjo nuk do të bëhet, PD dhe PS do vazhdojnë të ecin në rrugën antikombëtare.

    A keni besim se problemi i pronës do të zgjidhet?

    Po, kam besim të plotë. Patriotizmi dhe ndershmëria do të triumfojnë mbi paudhësitë dhe anët e dobëta. Fushata post zgjedhore po mbaron. Prona është prioritet i ditës që nga Presidenti i Republikës deri tek politikani më i vogël. Të gjithë e kanë kuptuar se kështu nuk mund të ecet, se pa zgjidhur problemin e pronës, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet larg pranimit si vend kandidat në BE.

    Çfarë mendimi tjetër mendoni të transmetoni: 

    Më lejoni të përsëris se nëse termi ish-pronar sot e tutje nuk do të përdoret për të zëvendësuar termin pronar i ligjshëm dhe angazhimi i medias dhe i analistëve për këtë problem me rëndësi kombëtare, do të shkurtojë kohën e zgjidhjes së identitetit të pronës dhe do të detyrojë politikanët gri dhe ata të implikuar të heshtin.