Prof. Dr. SEIT MANSAKU:Udhëtim historiko-studimor nga ilirishtja te shqipja

    766
    Sigal

    Prof. Dr. SEIT MANSAKU: Ilirishtja dhe shqipja, një ekuacion, një përballje midis dy gjendjeve etniko-gjuhësore

    Ilirishtja dhe shqipja, një ekuacion, një përballje midis dy gjendjeve etniko-gjuhësore, midis dy realiteteve etniko-gjuhësore të periudhave të ndryshme, midis antikitetit nga njera anë dhe kohëve moderne nga ana tjetër, një barazim që shpreh një marrëdhënie afrie filiacioni, apo një  barazim që i bashkon thjesht faktori hitoriko- gjeografik, fakti që Ilirët dhe Shqiptarët u gjendën në një truall të përbashkët këtu në perëndim të Gadishullit të Ballkanit, të parët në lashtësi dhe të dytët në mesjetë dhe në kohët moderne. Është ky një debat shkencor që mban të mbërthyer albanologët e balkanologët që prej dy shekujsh.

    -Si mund të përcaktohet se shqipja është vazhdë e ilirishtes?

    Nga ana gjuhësore, për shkak të njohjes së mangët të gjuhës ilire, është pa dyshim një ekuacion i vështirë për t’u vërtetuar me metoda shkencore në mënyrë të pakundërshtueshme, por ndoshta më i mundshmi, më i ngjashmi me burimet dhe mjetet që kanë në dispozicion shkencat historike e gjuhësore në kohën tonë. Shkalla krejt e pamjaftueshme e njohjes së ilirishtes dhe dokumentimi i vonë dhe në një stad të evoluar i shqipes, kanë krijuar një hendek në marrëdhëniet e filiacionit midis këtyre dy gjuhëve, por megjithatë rrethanat historike e kulturore dhe ato pak dëshmi gjuhësore e bëjnë të mundur lidhjen e fijeve të këputura nëpër shekuj dhe vendosjen e marrëdhënieve farefisnore midis këtyre dy gjendjeve etniko-gjuhësore. Marrëdhëniet e shqipes me ilirishten besoj se mund të veshtrohen ne tre rrafshe kryesore : Në rrafshin dialektologjik indoeuropian, ne rrafshin ballkanik mesdhetar dhe në rrafhshin e lidhjeve farefisnore midis dy gjuhëve, rrafshe të cilat nuk janë të ndara me thikë. Përkundrazi janë të gërshetuara e të ndërthurura njeri me tjetrin dhe ndihmojnë për të ndriçuar njeri tjetrin.

    Le të flasim në rrafshin indoeuropian?

    Edhe pse struktura gramatikore e ilirishtes është pothuajse e panjohur, karakteri indoeuropian i saj nuk është vënë dhe nuk vihet në dyshim në studimet serioze të kësaj fushe. Ajo ka qenë një gjuhë e veçantë në këtë familje gjuhësore. Prej saj nuk buron asnjë gjuhë tjetër moderne, përveçse, me shumë gjasë, gjuha shqipe. Duke e marrë këtë si të mirëqenë, ka më se një shekull që gjuhëtarët përpiqen të përcaktojnë vendin e saj në rrethin e gjuhëve indoeuropiane Për vendin e saj në dy ndarjet e mëdha në gjuhë kentum ose perëndimore dhe në gjuhë satem ose lindore, studiuesit nuk kanë qenë të një mendjeje. Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur gjuhësia historike krahasuese  bëri këtë ndarje në bazë të një izoglose fonetike, të trajtimit të grykoreve indoeuropiane, shqipja u përfshi në gjuhët satem, kurse për ilirishten gjuhëtarët gjermanë Karl Pauli dhe Herman Hirti hodhën tezën se ilirishtja ka qenë gjuhë kentum dhe kjo tezë u ndoq edhe nga disa studiues të tjerë dhe shërbeu dhe shërben ende, për ta ndarë shqipen nga ilirishtja dhe për ta afruar me trakishten, e cila është përcaktuar si gjuhë satem. Në këtë kuadër gjuhësor ka lindur teza e prejardhjes trake të gjuhës shqipe. Arsyetimi ishte i thjeshtë : shqipja është gjuhë satem, ilirishtja gjuhë kentum trakishtja gjuhë satem, prandaj shqipja nuk mund ta ketë burimin nga ilirishtja që, tipologjikisht është e ndryshme nga ajo, por e ka nga takishtja.

    Po në shekullin XX-të?

    Në shekullin XX karakteri kentum u ilirishtes u vu në dyshim dhe u kundërshtua nga shumë gjuhëtarë si N. Jokli, Francesco Ribezzo, Ë. Çimohovski, I. Russu etj, Së pari, me zbulimin dhe interpretimin e hetitishtes në Azi të Vogël dhe të tokarishtes në Turkestanin lindor në fillim të shekullit XX, të cilat edhe pse ishin gjeografikisht gjuhë lindore, gjuhësisht rezultuan të ishin gjuhë kentum, perëndimore, vetë ndarja në gjuhë kentum dhe satem pësoi një tronditje dhe e humbi rendësinë e mëparshme. Së dyti, në gjysmën e dytë të shekullit XX, trualli gjuhësor i ilirishtes u ridimensionua dhe u kufizua, kërkimet shkencore u përqëndruan në trojet e ilirëve të jugut. Venetët dhe venetishtja që mbaheshin si pjesë e botës dhe e gjuhës ilire, duke u mbështetur kryesisht në një dëshmi të Herodotit I, 196 Іλίριων Єνετοι, rezultoi se nuk ishin të tilla dhe se i përkisin grupit të popujve dhe gjuhëve italike. Kështu që disa shembuj që ishin marrë e analizuar nga gjuha e venetëve për të vërtetuar karakterin kentum të ilirishtes, e humbën vlerën e tyre për të përcaktuar tipologjinë gjuhësore të saj.

    Për të vërtetuar karakterin kentum të ilirishtes janë sjellë si shembuj edhe emri i lashtë i lumit të Shkumbinit Genusus dhe emri vetiak ilir Gentius te të cilët, sipas disa studiuesve, grykorja qiellëzore g’ është shndërruarr në velare të thjeshtë, ashtu si në gjuhët kentum. Por, siç ka vërejtur me të drejtë prof. Shaban Demiraj, Gj. B. 44, nuk mund të pohohet me siguri që g- nistore në këta emra ka qenë grykore palatale.Më në fund në pikëpamje teorike, në teorinë e evoluimit të gjuhëve ndarja e gjuhëve në kentum dhe satem nuk është vetëm një çeshtje gjenealogjie, por edhe një çeshtje kronologjie dhe pranohet se një gjuhë në origjinë kentum mund të evoluojë dhe të marrë tipare satem . Kjo do të thotë se edhe sikur ilirishtja të ketë qenë gjuhë kentum dhe shqipja është gjuhë satem, kjo nuk e përjashton mundësinë e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe. Shumë gjuhëtarë sot mendojnë se ilirishtja ka qenë gjuhë satem , ose një gjuhë e përzier me tipare satem dhe tipare kentum. Një albanolog i njohur polak, Vaclav Çimoëoskij, që është marrë me pozicionin gjuhësor të ilirishtes ballkanike, pas një analize mjaft të imtë nga ana fonologjike të lëndës gjuhësore të ilirishtes në krahasim edhe me shqipen ka arritur në përfundimin se “ilirishtja ballkanike nuk ka qenë as gjuhë satem, as gjuhë kentum; përkundrazi ajo duhet përjashtuar nga ky grupim tradicional. Ajo formom një grup të mëvetësishëm, në të cilin renditet edhe shqipja, se dhe kjo shfaq tipare të ngjashme në sistemin e saj fonologjik.” Edhe prof. Shaban Demiraj është shprehur se mendimi që ilirishtja të ketë qenë gjuhë e tipit kentum nuk del i mbështetur. Kurse mendimi i përkundërt që ajo të ketë qenë e tipit satem gjen një farë mbështetje edhe në faktin që mesapishtja, e cila mendohet  se ka qenë një dialekt ilir, mbahet me shumë gjasë  si gjuhë e tipit satem”.

    Në rrafshin ballkanik….

    Në rrafshin ballkanik çështja shtrohet se  me cilën nga gjuhët e lashta të Ballkanit mund të identifikohet shqipja e sotme, ç’ pozicion kishte ilirishtja në këtë kontekst etniko- gjuhësor? Është një një përfundim logjik i pranuar gjërësisht në rrethet shkencore që nga mesi i shekullit XIX se shqipja e sotme është e lidhur gjenetikisht me njerën prej gjuhëve të lashta që janë folur të paktën që nga mijëvjeçari i pare para erës sonë në Gadishullin e Ballkanit. Nga ana tjetër, është  një gjë e mirënjohur nga burime historike se në periudhën antike në këtë Gadishull fliteshin katër gjuhë kryesore: ilirishtja në perëndim, greqishtja në jug, trakishtja në lindje dhe makedonishtja në qendër, midis trakishtes, ilirishtes dhe greqishtes. Rrjedhimisht, është logjike dhe shkencore që në njerën prej këtyre gjuhëve duhet kërkuar prejardhja e gjuhës shqipe. Për arsye gjeografike, por edhe edhe për arsye gjuhësore geqishtja nuk vjen në vështrim për prejardhjen e gjuhës shqipe. Për arsye gjeografike se trualli ku flitej e flitet greqishtja nuk përputhet me truallin gjuhësor të ilirishtes e të shqipes. Për arsye gjuhësore, sepse greqishtja dhe shqipja janë gjuhë krejt të ndryshne nga ana tipologjike gjuhësore. Po kështu edhe makedonishtja përjashtohet si mundësi për të qenë burim i gjuhës shqipe, jo vetëm sepse ajo shtrihej në lindje të Gadishullit, por edhe se makedonishtja u greqizua (u helenizua) shpejt dhe u zhduk si gjuhë e veçantë. Kështu që dy gjuhët nga të cilat ka gjasë ta ketë prejardhjen gjuha shqipe janë ilirishtja dhe trakishtja, dy gjuhë të veçanta fqinje, të cilat nuk njihen mirë, por nga ato pak burime gjuhësore që na kanë arritur prej tyre, duket se kanë pasur elemente të përbashkëta në leksik dhe në onomastikë, elemente që mund të shpjegohen qoftë nga trashëgimia e përbashkët indoeuropiane, qoftë nga kontaktet deri në përzierje fisesh në Gadishull të Ballkanit. Një nga krahinat ilire ku realizoheshin këto takime ka qenë Dardania. Me këtë mund të shpjegohen analogjitë tripalëshe midis ilirishtes, trakishtes dhe shqipes dhe përkimet e shqipes me rumanishten, pa qenë nevoja ta zhvendosësh djepin e shqiptarëve në lindje të Gadishullit të Ballkanit, pranë rumunëve, në trekëndëshin Nish-Sofje-Shkup, siç bënte Gustav Ëeigandi dhe pasuesit e tezës së tij. Pikërisht, duke u nisur nga kjo situate etnike e gjuhësore e Gadishullit të Ballkanit dy janë tezat kryesore që janë hedhur dhe mbrojtur nga studiuesit për prejardhjen e gjuhës shqipe, teza ilire, teza trake dhe si sintezë e këtyre dy tezave ka dalë edhe sinteza trako-ilire ose iliro-trake. Ekziston edhe një hipotezë më e vonë e mbrojtur nga akademiku bullgar Vladimir Georgiev, hipoteza dako-myze., e cila ka mbetur e izoluar e pa përkrahje. Teza më e vjetër në kohë dhe me mbështetje më të gjerë historike, gjeografike dhe etnogjuhësore është teza ilire. Ajo është hedhur që në fund të shekullit XVIII dhe ka lindur së pari në rrethin e historianëve dhe më pas është mbështetur edhe nga gjuhëtarë, etnologë e antropologë. Historiani i njohur suedez Johann Thunman në veprën e tij Kërkime në historinë e popujve të Evropës Lindore, botuar në vitin 1774, pas një shqyrtimi të burimeve historike antike dhe gjendjes etnike e gjuhësore të Gadishullit të Ballkanit në periudhën antike, duke trajtuar historinë e shqiptarëve në një kontekst të gjerë ballkanik, do të arrinte në përfundimin se “Në historinë e tyre nuk kam gjetur gjurmë të ndonjë shtegtimi të mëvonshëm; gjuha e tyre na ka dhënë të tilla dëshmi për fatin e popullit që unë nuk mund të mos njoh te ky popull fqinjët e lashtë të grekëve dhe  dhe të nënshtruarit e Romës së vjetër. Të dyja këto më çojnë te Ilirët. Në mesin e shekullit XIX Georg von Hahn në veprën e tij “Studime shqiptare”, botuar në vitin 1854, duke u përpjekur t’u jape përgjigjie pyetjeve të shtruara prej tij: Kush janë shqiptarët? Rrjedhin këta prej banorëve të lashtë të vendit…apo kanë ardhur këtu në kohët historike? Midis të tjerash pohon: “ Me që shqiptarët nuk janë sllavë dhe nuk kanë lidhje farefisnie me asnjë popull të njohur dhe me që burimet e pakëta nuk lajmërojnë tjetër shtektim, përveç atij të sllavëve, atëhere duhet të pranojmë që shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e banorëve të lashtë të vendit, që kanë qenë këtu para se të vinin sllavët.” Në një mënyrë të ngjashme me këta dijetarë shprehet nga ana gjuhësore edhe Paul Kretchmer, i cili pohon “Mendimi që gjuha shqipe paraqet fazën më të re të ilirishtes, ose, siç shprehet më saktë Gustav Mayer, të një dialekti ilir, është në bazë të të gjithave rrethanave aq afër mendsh, sa njeriu duhej të sillte arsye shumë të rendësishme për ta hedhur poshtë, sepse shqiptarët banojnë atje ku në kohën antike rronin popuj ilirë”. Një indoeuropianist i njohur si Vittore Pisani pohon të njëjtën gjë kur shkruan se; “Në qoftë se në Shqipëri është folur në kohën antike një gjuhë ilire, nuk shoh ndonjë arsye që popullsia e Shqipërisë ta ketë zëvendësuar këtë gjuhë me trakishten”. Gjuhëtari i njohur kroat Radoslav Katiçiç në Kuvendin I të studimeve ilire do të pohonte se “nuk ekziston vend tjetër trualli i të cilit të jetë i lidhur më ngushtë se ky me botën e vjetër ilire në vështrimin e saj më të mirëfilltë”. Këto ishin disa konsiderata të përgjithshme parimore që përbëjnë bazën historike e gjeografike ku zë fill e mbështetet teza e prejadhjes ilire të gjuhës shqipe.

    Përveç këtyre ka edhe një varg argumentesh konkrete gjuhësore që i mbëshesin ato. Në kushtet e mungesës së mbishkrimeve nga ilirishtja ballkanike, argumentet themelore vijnë nga fusha e onomastikës:

    Së pari, janë një varg emrash vetiakë, emra fisessh, emra vendesh etj. të identifikuar tashmë  si të botës ilire, të cilët ose gjejnë analogji me emra dhe fjalë të shqipes, ose  që janë bërë pjesë e traditës iliro shqiptare Të tillë janë p.sh. emrat Barduli, Bardhyl që lidhet me fjalën bardhë të shqipes, nga një rrënjë i. e.* bherego. Dimal që është shpjeguar me shqipen “dy male”, Dardan që është afruar me shqipen dardhë etj. Dalmatia  Delmatia dhe Delminium janë afruar me shqipen dele, delmer, lat. Ulcinium, greq. Oulkinion, shqip ulk, ujk . Këta janë disa nga barazimet më të mundshme në emra të përveçëm midis ilirishtes dhe shqipes. Por besoj se nuk është ky argumenti më i qëndrueshëm në fushë të onomastikës për lidhjet e ilirishtes me shqipen, sepse etimologjia e emrave të përveçëm është shumë e brishtë. Argumenti më i qëndrueshëm për vazhdimësinë etniko-gjuhësore iliro-shqiptare në fushë të onomastikës është fakti se një pjesë e mirë e emrave të qyteteve, të lumenjve të maleve etj., të dëshmuara në burimet antike e mesjetare të krahasuar me trajtat e sotme përkatëse, siç e ka vërtetuar shumë herë E. Çabej, tregojnë se ato janë zhvilluar në pajtim me rregullat e fonetikës historike të shqipes, çka tregon se ata kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një popullsie shqipfolëse. Është për t’u vënë në dukje se E. Çabej dhe në përgjithësi studiuesit seriozë i kushtojnë rendësi pikërisht këtij aspekti të analizës së toponimeve dhe jo etimologjive të tyre që shpesh janë të dyshimta. E rendësihme p.sh. është që emri antik Scodra, i krahasuar me trajtën e sotme Shkodër  dëshmon se ai është zhvilluar fonetikisht dhe morfologjikisht sipas natyrës së shqipes, Ky emër p. sh. në sllavishte del me trajtën Skadar, në italisht Skutari. Pra, zhvillimi nga trajta antike ilire në trajtën e sotme është specifik për shqipen. Po kështu barazimi Isamnus : Ishëm dëshmon se emri antik i këtij lumi ka qenë i theksuar në rrokjen fillestare që, sipas Hans Krahes, pranuar edhe nga gjuhëtarë të tjerë, ka qenë një tipar fonetik i ilirishtes. Një gjë e tillë vërehet edhe te barazimi Durrachium: Durrrës, ashtu si edhe në mjaft fjalë të leksikut të përgjithshëm të shqipes. Khs. emënë : emër; dimënë: dimmer, gjarpënë: gjarpër, nga një bazë i-e *serpono. Nga fusha e onomastikës me vlerë argumentuese, ndonëse jo pa kundërshtime, është  edhe ruajtja e emrit të fisit ilir Albanoi dhe qytetit të tyre Albanopolis që shënohen në shekullin II të erës sonë në hartën botërore të Klod Ptolemeut si emër etnik I shqiptarëve dhe vendit të tyre dhe si toponim në shumë vise shqiptare Arbana, fshat afër Tiranës, Arbneshi i Krajës etj. Një fushë tjetër e rendësishme ku shfaqen analogji mjaft të dukshme midis ilirishtes dhe shqipes është fjalëformimi. Prej kohësh ata që janë marrë studime ilire, kanë identifikuar disa prapashtesa të ilirishtes që kanë përgjegjëset e tyre edhe në shqipe. Psh. prapashtesës ilire –esta, -este, -ist,  që del në emra vendesh të territoreve ilire si:Ladesta, Tergeste, Palaeste i përgjigjet në shqip prapashtesa –(e)sht që del në emra që shënojnë vend si; vnesht vresht, bresht, kopsht etj.dhe në emra fshatrash si Fishtë, Ashtë etj. Po kështu prapashtesës ilire –atae, –ates me të cilat formoheshin në ilirishte emra banorësh të fiseve ilire si  Dalmatae, Dokleatae, Labeates i përgjigjet në shqip prapashtesa –at, që shërben për të formuar emra fshatrash si Progonat, Filat, Bushat, Dukat, Luzat etj. dhe emra fiseh e vëllezërish si: Rushat, Zekat, Demat etj.( Një paraqitje sintetike të analogjive ilire-shqipe në fushën e fjalëformimit ka dhënë prof.Mahir Domi në kumtesën e tij të mbajtur në Kuvendin I të studimeve ilire, Tiranë 1972).

    A ka mardhënie midis shqipes dhe dy gjuhëve kalsike me greqishten e vjetër dhe me latinishten?

    Dëshmi e rendësishme për prejadhjen ilire të shqipes dhe për autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre sjellin pa dyshim marrëdhëniet shqipes me dy gjuhët klasike me greqishten e vjetër dhe me latinishten. Huazimet nga greqishtja në gjuhën shqipe pasqyrojnë të gjitha etapat e zhvillimeve gjuhësore të greqishtes; të greqishtes së vjetër, të greqishtes së mesme dhe të greqishtes se re.  Studimet etimologjike të E. Çabejt sjellin të dhëna të reja për numrin e huazimeve nga greqishja e vjetër, për trajtat dorike të disave prej tyre. Numri i huazimeve nga greqishtja e vjetër rezulton të jetë më i madh nga ç’ mendonte Albert Thumb-i në fillim të shekullit XX Trajta dorike gjenden edhe më emrat e përveçëm të mbishkrimeve greke të Durrachium-it. Sa për të dhënë ndonjë shembull nga këto mbishkrime përmendim emrin vetiak Eirana në vend të trajtës Eirene  “paqe”. Huazimet nga greqishtja e vjetër nga sfera e bimëve të kuzhinës , e pemëve frytore dhe a veglave të punës si:malon: mollë, lachanon:lakër, prason:presh, kokymelon kumbull, kerasia:qershi, drapanon:draper etj, dëshmojnë se ato janë përftuar në kushte kontakti të drejtpërdrejtë me grekët. Zhvillimet fonetike që vërehen nga krahasimi i trajtave të fjalëve burimore greke me trajtat shqipe vërtetojnë se janë huazime të vjetra, prandaj kanë pësuar ndryshime fonetike që janë karakteristike edhe për fondin e leksikut të trashëguar: khs malon:mollë, me shndërrim të a-së së gjatë me o etj Kështu ndodh edhe me huazimet latine të tipt pomum : pemë, hora: here etj. Huazimet e shumta latine në shqipe shtresat e ndryshme kronologjike, leksiku i terminologjisë së krishterë, emrat paleokristian të tipit Shënpal, Shëngjon, Shëngjin Shënmëri, që dëshmojnë për depërtimin e hershëm të besimit të krishterë te iliro-arbërit dhe paraqesin lashtësinë dhe shtrijen në kohë dhe tërë kompleksin e marrëdhënieve  historike e kulturore të iliro- shqiptarëve me botën latino-romane.. Të gjitha këto flasin për një fqinjësi të hershme të ilirëve me grekët dhe me romakët. Duke ndjekur kronologjinë e depërtimit të elementeve leksikore të huaja në gjuhën shqipe, rezulton se shumë huazime greke e latine në shqipen e sotme i janë transmetuar shqipes përmes ilirishtes, pra kanë depërtuar në ilirishte që në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të parë të erës sonë dhe prej ilirishtes i janë përcjellë arbërishtes dhe shqipes. Shaban Demiraj në botimin e tij Gjuha shqipe dhe historia e saj, kur trajton elementet e huaja në gjuhën shqipe ka dalluar nga pikëpamja kronologjike dy kategori kryesore: elemente të huaja që shqipja i ka trshëguar nga “nëna” e saj ilirishtja dhe huazime të vetë shqipes nga kontaktet e drejtpërdrejta të saj me gjuhë të tjera. Sipas tij, kufiri kronologjik që ndan ilirishten nga shqipja mund të vendoset aty nga shekulli VI kur shqipja ishte formuar si gjuhë e veçantë e dalë nga ilirishtja.

    Cili është mendimi i Milan von Sufflay?

    Studimi i thelluar i zhvillimeve fonetike dhe semantike të lashta të trashëguara nga ilirishtja duke krahasuar trajtat burimore nga gjuhët përkatëse me refllekset e tyre në shqipen e sotme, mënyra se si janë përshtatur ato në gjuhën marrëse mund të hedhë dritë mbi tipare të ilirishtes dhe të shqipes mesjetare dhe mbi marrëdhëniet në mes tyre. Me të drejt një historian i mirënjohur dhe i shquar i historisë shqiptare dhe ballkanike si Milan von Sufflay pati pohuar se edhe sikur të mos kishte njoftime historike, siç është ai i Ptolemeut për fisin Albanoi, vetë gjurmët e ndikimit gjuhësor të latinishtes në gjuhën shqipe do të mjaftonin për t’i vendosur vendbanimet eshqiptarëve mu në brigjet e Adriatikut. Duke përfunduar do të thosha se historia e ilirëve dhe e ilirishtes është pjesë e pandarë e prehistorisë dhe e historisë së lashtë popullit shqiptar dhe e gjuhës shqipe. Nëse do të bënim një periodizim dhe emërtim me terma etnikë të gjendjes gjuhësore të trevave iliro-shqiptare nga lashtësia deri në ditët tona, do të dallonim tri ndarje të mëdha si vijim të njera tjetrës: ilirishtja që nga lashtësia deri në shekujt VI-VII të erës sonë, kur Ilirët nuk shfaqen më në burimet historike dhe gjuha e tyre kaloi në shkallë të re evoluimi. Arbërishtja nga shekujt VII-VIII të erës sonë deri në shekullin XV kur kemi dëshninë e parë të shkruar në gjuhën shqipe dhe shqipja nga shekulli XVI kur shfaqet për here të parë fjala shqip në “Mesharin e Gjon Buzukut (1555). Nga këto tri periudha kjo e fundit është sigurisht periudha më e njohur e gjuhës shqipe, periudha e funksionimit të saj si gjuhë e folur dhe si gjuhë e shkruar. Periudha e dytë, arbërishtja ose shqipja mesjetare ka si pikëmbërritje gjuhën e “Mesharit” të Gjon Buzukut nëpërmjet së cilës mund të hidhet dritë mbi fazat parashkrimore. Më e panjohura është, pa dyshim, periudha e parë, ilirishtja, ose shqipja e lashtësisë, që disa studiues e quajnë protoshqipe. Për ndriçimin e saj mbetet shumë punë për të bërë. Ndoshta më shumë vëmendje u duhet kushtuar mbishkrimeve mesape, si të vetmet mbishkrime nga ilirishtja e Italisë dhe marrëdhënieve të hershme të shqiptarëve dhe të shqipes me botën greko-romake.