Prof. Dr. Bardhyl Çipi: Deontologjia dhe roli saj në ushtrimin e mjekësisë në Shqipëri

    955
    Kohët fundit në vendin tonë ka pasur një debat të ashpër në shtypin dhe mediat e përditshme, në lidhje me inisiativën e institucioneve qendrore të shëndetësisë për të kryer një testim të të gjithë punonjësve të mjekësisë të vendit tonë: mjekë, stomatologë, farmacistë, infermierë. Kjo kërkesë, siç duket është nxitur nga gjendja e rëndë e shëndetësisë, por që është kritikuar dhe kundërshtuar nga përfaqësuesit e personelit mjekësor të vendit tonë, sepse sipas tyre, mund të shfrytëzohet për qëllime politike. Për të krijuar një ide sa më të plotë mbi këtë çështje, mendoj se duhen analizuar disa koncepte mbi deontologjinë mjekësore, zhvillimin e saj në përgjithësi dhe në vendin tonë. Por në fillim duhet kujtuar se ushtrimi i mjekësisë, si një profesion jotregtar (sipas disa opinioneve), mbështetet në respektimin e parimit të lirisë, sepse shëndeti, sikurse edukimi, nuk konsiderohen si të mira materiale që i nënshtrohen rregullave të tregut: kërkesës dhe ofertës. Çdo pacient, sipas këtij parimi, duhet të mjekohet në mënyrën e duhur nga sëmundjet e ndryshme dhe të mbrohet nga faktorët e jashtëm dëmtues. Nga ana tjetër, mjekët duhet të jenë të pavarur në ushtrimin e profesionit të tyre, jashtë çdo ndikimi fetar apo politik. Por liria e punonjsve të shëndetësisë dhe pacientëve nuk është një liri e pakontrolluar. Për më tepër, nuk duhet të harrojmë që marrëdhënia mjek-pacient karakterizohet nga një pabarazi, ku mjeku që është më i fuqishëm, mund ta shfrytëzojë atë për abuzuar ndaj pacientit. Në këto kushte, është e nevojshme të njihet dhe të zbatohet deontologjia mjekësore, e cila ka të bëjë me shqyrtimin e rregullave të sjelljes, detyrimeve dhe të drejtave të mjekëve dhe punonjësve të tjerë të shëndetësisë. 
    Deontologjia Mjekësore konsiderohet një Etikë Speciale 
    Pra Deontologjia Mjekësore konsiderohet një Etikë Speciale e adaptuar në kushtet e ushtrimit të profesionit mjekësor që përmban një sërë rregullash të pasqyruara në “Betimin e Hipokratit” si dhe në kode etike dhe deontologjike kombëtare dhe ndërkombëtare, të përpunuara nga koorporatat mjekësore të vendeve të ndryshme. Në fakt, Deontologjia përmban një të drejtë që shoqëria ja u njeh disa profesioneve, përfshirë edhe profesionin mjekësor, për t’u vetërregulluar dhe që t’i sigurojë mjekut kurues pavarësinë në ushtrimin e profesionit të tij, kundrejt presioneve eventuale të jashtëme. Ajo ka një objektiv të dyfishtë: I pari ka të bëjë me kurimin që duhet t’i aplikojë mjeku pacientit dhe i dyti për t’i siguruar anëtarëve të shoqërisë që profesionit mjekësor t’i krijohen kushtet për t’i shërbyer sa më mirë shëndetit të popullsisë. 
    Procesi i kurimit të pacientit për t’u kryer në mënyrë sa më të përsosur, kërkon që të krijohet një besim i plotë i pacientit ndaj mjekut kurues, në drejtim të respektimit të sekretit dhe intimitetit të pacientit, në lidhje me informacionet sa më të sakta dhe të çiltëra që mjeku i jep pacientit. Këto do të konsiderohen si prova të një bashkëpunimi dashamirës të mjekut me pacientin, gjë që e nderon mjekun, por njëkohësisht është e çmueshme edhe për pacientin, duke e siguruar atë, që po merr mjekimin e duhur. Në këtë mënyrë, respektimi i rregullave të deontologjisë mjekësore, do të bëjë që të pakësohet sadopak pabarazia e marrëdhënies mjek – pacient, që do të bëhet më pak asimetrike: “bashkimi i dy ndërgjegjeve që rrisin besimin dhe respektin reciprok midis mjekut dhe pacientit”. 
    Kompetenca në njohuritë mjekësore
    Një aspekt i rëndësishëm i Deontologjisë Mjekësore konsiderohet kompetenca, që ka të bëjë me njohuritë mjekësore që merr mjeku që përfundon studimet në fakultetin e Mjekësisë, të pasuar me marrjen e diplomës përkatëse etj., e shoqëruar kjo me pajisjene tij me mjete teknike dhe materiale të ndryshme, të rëndësishme këto, sidomos për disa specialitete të veçanta mjekësore. Vetëm me plotësimin e këtyre kushteve, mjeku mund të regjistrohet në korporatën mjekësore që emërtohet në shumicëne vendeve: “Urdhëri i Mjekëve” dhe fiton kështu të drejtën për të ushtruar profesionin mjekësor. Më në fund, duhet pasur parasysh që sot mjekësia është në zhvillim të pandërprerë. Për këtë arsye është e papranueshme që një diplomë universitare e një mjeku t’i japë atij të drejtën ta ushtrojë profesionin e tij për 30-40 vjet pa u azhurnuar në mënyrë të rregullt me arritjet në fushën e tij. Kështu shumica e vendeve kanë filluar të aplikojnë sisteme akreditimi të përkohshme dhe periodike, jo aq për të dënuar disa mjekë të pandërgjegjshëm apo të papërgjegjshëm, sesa për t’i dhënë trupës mjekësore motivet dhe mjetet e nevojshme për një formim të vazhdueshëm me qëllim për të vlerësuar punën e saj. Të gjitha këto janë parashikuar në kodet e deontologjisë mjekësore të përpunuara nga koorporatat mjekësore të vendeve të ndryshme. 
    Debatet për kriteret e vlerësimeve
    Por ka shumë diskutime në lidhje me kriteret e këtyre vlerësimeve apo institucionet apo personalitet që do kenë të drejtën e kryerjes së tyre, të ashtuquajturit Maimonidë. Maimonide ka qenë një mjek hebre i shkollës arabe që ka jetuar në Kordovë të Spanjës, në shekullin 12, i cili në lutjen e tij, midis të tjerave ka theksuar: “O Zot, më jep mua forcën, vullnetin që të zgjeroj gjithnjë e më shumë njohuritë e mia. Unë mundem sot që të zbuloj në njohuritë e mia mjekësore, gjëra të cilat nuk i dyshoja dje, sepse arti mjekësor është i gjerë dhe mendja e njeriut depërton gjithnjë e më përpara”. Pra në këtë lutje të këtij mjeku të shquar, shprehet dashuria që duhet të karakterizojë mjekun për të përvetësuar njohuritë e reja që do t’i shërbejnë përparimit të mjekësisë. Nga pikëpamja historike, problemet e Deontologjisë Mjekësore janë të lidhura ngushtë me historinë e vetë Mjekësisë. Në burimet e lashta dokumentare ku trajtohen këto çështje, një vend me rëndësi zenë ato të Lindjes së Lashtë, të Persisë, të Egjyptit, të Greqisë dhe Romës së Vjetër. Kodi i Deontologjisë më i vjetër që na kanë lënë qytetërimet antike është “Betimi i Hipokratit”. Në këtë betim, pavarësisht nga dogmatizimi dhe misticizmi arkaik që e përshkojnë, jepen në mënyrë fillestare parimet kryesore të Deontologjisë Mjekësore, ndëshkohet çdo vrasje (ndalimi i eutanazisë), ndalohet dështimi kriminal, saktësohen lidhjet që bashkojnë nxënësit me mjeshtrit dhe gjithashtu bëhen aluzione mbi ruajtjen e sekretit profesional etj., çështje këto të këtij betimi që prej më shumë se dy mijë vjetëve, e ruajnë ende vlerën e tyre. Megjithatë në këtë dokument bien në sy disa mungesa, si p.sh, kompetenca e mjekut që nuk përmendet, e cila jepet në lutjen e Maimonid të përmendur më sipër. Në Azi, filozofi dhe mjeku i shquar Aviçena, në punimin e tij “Etika”, duke kundërshtuar mendimin e asaj kohe, se të sëmurët janë barrë për shoqërinë dhe duhen zhdukur, shkruan:“Shoqëria ka detyrime të kujdeset për të sëmurët dhe të paaftët dhe t’u sigurojë atyre mjete jetese”. Në fakt, gjatë shekujve të kaluar, mjekët, juristët, filozofët, teologët etj. kanë shfaqur në përgjithësi për këto çështje opinione pak a shumë të afërta, sidomos kjo në vendet perëndimore. Termi Deontologjia, me prejardhje nga greqishtja e vjetër (deon, deontos-detyrim, logos-shkencë), u përdor për herë të parë nga studiuesi anglez Jeremie Bentham, që e përdori për herë të parë fjalën “deontologji” në një libër të botuar prej tij në vitin 1834, ku trajtoheshin çështje të përgjithshme të Moralit. 
    Deontologjia Mjekësore dhe Morali Mjekësor
    Megjithatë, nga pikëpamja historike, Deontologjia shumë shpejt filloi të konsiderohej si tërësia e detyrave të përcaktuara në ushtrimin e profesioneve të ndryshme liberale tradicionale, si p.sh. mjekësia, drejtësia, arkitektura etj. E parë në këtë aspekt, për profesionin mjekësor përdoren termat: Deontologjia Mjekësore, Etika Mjekësore, ose Morali Mjekësor, të cilat shpesh herë kanë pak a shumë të njëjtin kuptim. Zakonisht, sot, në të gjitha vendet, çështjet e deontologjisë janë sistemuar në trajtë rregullash të shkruara, të cilat quhen “Kodet e Deontologjisë”. Ato përgatiten nga koorporatat profesionale dhe përmbajnë gjithashtu masat ndëshkimore përkatëse që mund të marrë korporata ndaj anëtarëve të saj. Nga ana tjetër, ekzistenca e tyre tregon se ato janë aprovuar nga një instancë zyrtare, si p.sh. këshilli i korporatës, qeveria, parlamenti etj. Si një zhvillim i ri i Deontologjisë Mjekësore sot konsiderohen Bioetika dhe Etika Mjekësore. Kështu, kohët e fundit, përparimet e jashtëzakonshme në fushat e Biologjisë dhe Mjekësisë kanë shpënë në një transformim të vërtetë të Botës dhe fatit të njeriut, me një rritje të vazhdueshme të jetëgjatësisë, ulje të mortalitetit infantil etj., duke u përmirësuar kështu kushtet e jetës humane. Kjo situatë në kontekstin e forcimit të frymës pluraliste të vendeve të zhvilluara, kanë bërë që të lindin diskutime të reja në lidhje me çështjet e ndryshme të këtyre përparimeve. Për të karakterizuar këtë situatë të re, u krijua disiplina bioetikës. Në vendin tonë deontologjia mjekësore para viteve 1990 nuk ka qenë e institucionalizuar. Megjithatë, në shtypin mjekësor shqiptar ka pasur botime, kryesisht nga mjekë, të cilët përpiqeshin t’i trajtonin këto probleme në përgjithësi. Deri në vitin 1985, problemet e Deontologjisë Mjekësore janë shqyrtuar në mënyrë më sistematike nga disiplina e Mjekësisë Ligjore në Fakultetet e Mjekësisë dhe Drejtësisë, në kurset teorike dhe praktike me studentët dhe specializantët pasuniversitarë. 
    Shërbimi Qëndror Universitar i Ekspertimit Mjekoligjor 
    Nga ana tjetër, Shërbimi Qëndror Universitar i Ekspertimit Mjekoligjor në Tiranë, ka qënë institucioni i vetëm i vendit tonë që shqyrtonte të gjitha rastet e shkeljeve nga mjekët si për çështjet etike, ashtu dhe ato juridike, sidomos kur dyshohej që këto shkelje të bëheshin objekte për ndjekje penale. Legjislacioni që zbatohej në këto raste, ishin nenet përkatëse të Kodit Penal mbi mjekimin e pakujdesshëm dhe mosdhënien e ndihmës. Më pas disiplinat e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore u përfshinë në programet e mësimdhënies univeresitare dhe pasuniversitare.të fakultetit të mjekësisë. Por një hap i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të Deontologjisë Mjekësore në vendin ka qenë krijimi për herë të parë i Urdhërit të Mjekëve në vitin 1993 me Kodin e Deontologjisë përkatës, i cili më pas është përpunuar në vitet 2002 dhe 2012. Më pas janë krijuar Urdhëri i Farmacistit, i Infermierit dhe tani së fundi edhe Urdhëri i Stomatologut. Pra krijimi i të gjitha këtyre korporatave mjekësore në vendin tonë ka ndikuar në një farë mase në zbatimin e të drejtës që shoqëria i ka njohur profesionit mjekësor, për t’u vetërregulluar dhe që t’i sigurojë mjekut kurues pavarësinë në ushtrimin e profesionit të tij., kundrejt presioneve eventuale të jashtëme. Padyshim kjo ka pasur ndikimin e saj në ushtrimin e mjekësisë në vendin tonë duke respektuar rregullat dhe parimet deontologjike nga ana e mjekëve dhe personeli tjetër mjekësor, të pasqyruara këto në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore. Një rregull i rëndësishëm, i parashikuar në nenin 13 të Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, që ëdhtë respektuar nga Urdhëri i mjekëve në vendin tonë ka qenë edhe ai edukimit në vazhdim, sipas të cilit gjatë gjithë jetës aktive profesionale, mjeku e ka për detyrë azhornimin me të rejat e shkencës, të ruajë dhe të perfeksionojë dijet e tij, të angazhohet sistematikisht në programet e edukimit mjekësor të vazhdueshëm, të organizuara dhe individuale, të cilat zhvillojnë kompetencën dhe rrisin aftësinë e tij profesionale si dhe të marrë pjesë në vlerësimin e praktikës dhe performancës së tij profesionale. 
    Ushtrimi i mjekësisë karakterizohet nga të meta të shumta
    Pavarësisht nga arritjet, ushtrimi i mjekësisë në vendin tonë vazhdon të karakterizohet nga të meta të shumta: mungesa e pajisjeve dhe medikamenteve, niveli i lartë i korrupsionit nga ana e punonjësve të mjekësisë etj. të cilat në fakt kanë ekzistuar gjatë gjithë periudhës pas viteve 1990. Kohët e fundit vihet një ndërhyrje e institucioneve shtetërore që kërkojnë me insistim të drejtojnë testimin e mjekëve dhe personelit tjetër mjekësor, e drejtë kjo që në fakt i takon ta zgjidhin korporatat mjekësore të vendit tonë, sikurse është vepruar deri tani. Për këtë arsye janë ngritur akuza në mediat e vendit tonë se këto kërkesa bëhen me qëllime politike. Nga ana tjetër, bëhen mjaft kritika ndai kritereve të akreditimit të mjekëve si pjesëmarrja në konferenca, seminare, botimi i artikujve shkencorë, sidomos atyre jashtë vendit, të cilat nuk duhet të vlerësohen në mënyrë absolute, sepse në shumë prej tyre, ato kanë qenë të manipuluara. Në përfundim, duhet theksuar se, deontologjia që përmban një të drejtë që shoqëria ja u njeh disa profesioneve, përfshirë edhe profesionin mjekësor, për t’u vetërregulluar dhe që t’i sigurojë mjekut kurues pavarësinë në ushtrimin e profesionit të tij, kundrejt presioneve eventuale të jashtëme, ka pasur si problem të kohëve të fundit në vendin tonë ndërhyrjen e shtetit që kërkon me insistim të drejtojë testimin e mjekëve dhe personelit tjetër mjekësor, e drejtë kjo që në fakt i takon ta zgjidhin korporatat mjekësore të vendit tonë, sikurse është vepruar deri tani. 
    Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Mjekësisë të Tiranës, QSU Tiranë
    Sigal