Prof.Dr.Alfred FRASHERI/Si të shfrytëzohen kapacitetet e energjisë gjeotermale në Shqipëri

    899
    Sigal

    Nxehtësia e tokës është burim për ngrohjen/freskimin e ekonomik të godinave

    Rëndom, kur bëhet fjalë për energjinë gjeotermale, njerëzit nënkuptojnë vetëm ujërat e ngrohta të burimeve. Kjo është një pjesë e të vërtetës. Por këto ujëra janë zakonisht të rralla dhe të pakta. Ajo që ka kudo, në sasi të mëdha dhe që nxirret me shpenzime të vogla, është nxehtësia e ujit të shtresave ujëmbajtëse pranë sipërfaqësore dhe e vetë këtyre shtresave. Shfrytëzimi i kësaj nxehtësie është aktualisht drejtimi kryesor i përdorimit të energjisë gjeotermale. Energjia elektrike e konsumuar për ngrohje ka qenë 27.4% e prodhimit total të energjisë elektrike në Shqipëri në vitin 2003. Në vitin 2020 do të rritet 111% kërkesa energjetike për ngrohjen/freskimin e godinave dhe ujë të ngrohtë ndaj 2003. Bashkimi Evropian (BE), për të përballuar sfidat e mëdha energjetike me të cilat përballet, ka vendosur një politikë ambicioze energjetike, e cila mbulon gamën e plotë të burimeve të energjisë nga karburantet fosile, tek energjia bërthamore dhe burimet e rinovueshme (diellore, era, biomasa, gjeotermale, hidro-elektrike dhe të baticës). Nxehtësia e tokës është energji alternative e qëndrueshme, miqësore me mjedisin, prandaj edhe potenciali real i saj mund dhe duhet shfrytëzuar edhe në Shqipëri. Strukturat gjeologjike në territorin shqiptar kanë fluks nxehtësie të aftë për tu vënë në shfrytëzim. Ka edhe shumë burime dhe puse të ujërave termale, të energjisë gjeotermale të entalpisë së ulët, të cilët japin ujëra me temperaturë deri 65.5 oC dhe me prurje deri 15 l/sek. Për të filluar shfrytëzimin e kësaj energjie në Shqipëri, duhet të sensibilizohet opinioni publik, administrata publike, komuniteti i biznesit dhe investitorët shqiptarë për efektivitetin e saj. Aktualisht në Shqipëri ekzistojnë studime gjeotermale, hidrogjeologjike, hidrokimike dhe biologjike të ujërave termale, si edhe studime mjekësore. Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, Universiteti Politeknik i Tiranës, botoi “Atlasi i burimeve të energjisë gjeotermale në Shqipëri” (2004), si edhe monografinë “Burimet e energjisë gjeotermale në Shqipëri dhe platformë për shfrytëzimin e saj” (2010). Mbështetur në kapacitetet e energjisë gjeotermale në Shqipëri, si edhe në përvojën botërore të shfrytëzimit të kësaj energjie me teknologji moderne dhe me efektivitet ekonomik të lartë, tërheqim vëmendjen e komunitetit të biznesit shqiptar se ka mundësi të krijoje biznese të reja fitimprurëse në disa drejtime:

    1. Shfrytëzimi integral dhe kaskadë i nxehtësisë së ujërave gjeotermale. Shfrytëzimi i tyre lehtësohet nga fakti se ato përgjithësisht ndodhen në zona të zhvilluara nga ana urbane në Shqipëri. Deri tani vetëm disa ujëra të burimeve termale, si ato të Lixhave në Elbasan, në Bilaj të Fushë Krujës, të Peshkopisë etj shfrytëzohen vetëm për kurimin e sëmundjeve të ndryshme. Këto ujëra mund të shfrytëzohen me efektivitet të lartë ekonomik për ekoturizmin gjeotermal, mund të ndërtohen hotele me pishina me ujë të ngrohtë, me sauna, me salla e fusha sportive, me lokale argëtimi, klinika mjekësore moderne, për të tërhequr edhe pacientë të huaj, që duan të shfrytëzojnë vetitë e rralla kuruese të shumë ujërave termale të vendit tonë. Për ngrohjen e serave dhe zhvillimin e akuakulturës, rritje të peshqve dekorative, si edhe të algave me të cilat prodhohen pomadat më të shtrenjta për shumë sëmundje dhe kozmetikë. Nga këto ujëra mund të nxirren kripëra natyrale dhe e mikroelemente të dobishëm, si edhe të industrializohen ujëra minerale që të janë të pijshëm.

    2. Ngrohja dhe freskimi i banesave me sistemin modern pus-këmbyes vertikal nxehtësie-pompë gjeotermale nxehtësie. Ky duhet të jetë drejtimi kryesor i përdorimit të energjisë gjeotermale. Këto sisteme, për të njëjtën kapacitet termik, konsumojnë rreth 3-5 herë më pak energji elektrike, në krahasim me kondicionerët me pompa nxehtësie ajër-ajër, që përdoren sot në vendin tonë. Ngrohja gjeotermale është mbi katër herë më lirë sesa ngrohja me kaldajë me naftë. Nxehtësia nga shtresat e tokës mund të nxirret me anën e këmbyesve të nxehtësisë, që instalohen në shpime 30-150 m të thellë. Uji që qarkullon nëpër këtë këmbyes nxjerr nxehtësinë nga shtresat e Tokës. Shfrytëzohet edhe nxehtësia e ujërave nëntokësore ose e liqeneve e deteve.

     3. Tabloja e energjisë gjeotermale e shtresave pranë sipërfaqësore në Shqipëri.

    Ashtu si kudo, edhe në Shqipëri shtresat pranë sipërfaqësore të Tokës kanë nxehtësi me rezerva të tilla që lejojnë të shfrytëzohet nxehtësia e tyre për të ngrohur/freskuar godinat publike (zyra, spitale, biblioteka, shkolla, teatro e kinema, godina aeroporti etj.,), blloqe banesash e vila për banim, si edhe sera për bujqësinë, duke shfrytëzuar sistemet moderne të ngrohjes. Shpërndarja e fushës termale në pajtim me vlerat e gradientit gjeotermal në shtresat pranë sipërfaqësore, tregon se temperatura mesatare në thellësinë 100m ka vlera si më poshtë vijon: në zonën bregdetare 17.8 oC, në zonën perëndimore fushore-kodrinore 18.0 oC dhe zonat kodrinore-malore 14.7 oC.

    4. Vlerësime ekonomike për skemën ngrohëse pus – këmbyes vertikal nxehtësie – pompë gjeotermale nxehtësie. Vlerësimet ekonomike për sistemet ngrohës të ndryshme, në disa vende tregojnë se sistemi gjeotermal ngrohës ka kosto njësi vjetore 2-5.5 Euro/m2, sistemi me naftë rreth 19.8 Euro/m2, sistemi me kondicioner rreth 15.5 Euro/m2. Prandaj, ngrohja me sistemet gjeotermale është mbi katër herë më të lirë sesa ngrohja me kaldajë me naftë.

    Çmimi i energjisë për ngrohjen me sistemin gjeotermal luhatet 2,65 deri 4.46 cent/kWh, në varësi të sistemit të burimit të nxehtësisë, ndërsa për ngrohjen me kaldajë me naftë çmimi arrin deri 13 cent/kWh. Sistemet gjeotermale kanë marrë zhvillim më të madh se sistemet ngrohëse më kaldajë me naftë për disa arsye:

    Konsiderata ekonomike. Kosto vjetore e “karburantit” të sistemit gjeotermal (energjia elektrike për pompën e nxehtësisë dhe pompën e qarkullimit të ujit nga pusi) është në mënyrë të konsiderueshme shumë më e ulët sesa kosto e karburantit të një kaldaje me naftë ose gaz.

    Konsiderata mjedisore. Sistemi gjeotermal është një sistem mjedisor i pastër që nuk çliron gaze.

    Shembuj nga përdorimet e sistemeve ngrohëse/freskuese gjeotermale në Shqipëri

    Tashmë edhe në Shqipëri janë bërë gjashtë zbatimet e para të pompave të nxehtësisë ujë-ujë për të cilat duken lavdëruar projektuesit dhe zbatuesit. Këto shembuj duhet të shërbejnë edhe si nxitje për të bërë në këtë drejtim, qoftë edhe aq sa fqinjët tonë kanë realizuar disa vite më parë. Por, përdorimi i sistemeve gjeotermale në Shqipëri është fatkeqësisht larg kërkesave dhe mundësive. Në vitet 1990-1993, u ndërtua impianti i pare nga Prof. Dr. Burhan Jukniu në Departamentin e Energjetikës, Universiteti Politeknik i Tiranës. Është ndërtuar i pari  sistem ngrohës gjeotermal me anën e pompës së nxehtësisë ujë-ujë në shkollën profesionale të Ersekës, të propozuar nga misionari fetar amerikan Marku. Zbatimi i dytë është ngrohja dhe freskimi i pjesës së biznesit në Pallatin e Kulturës në Sheshin Skënderbej në Tiranë. Sistemi gjeotermal u projektua në vitin 1994 dhe u ndërtua në virin 1996 nga kompani italiane. Centrali ka dy pompa gjeotermale ujë-ujë me fuqi të përgjithshme në ngrohje 500 kW dhe konsumon 123 kW, duke pasur një koeficient performance COP=4.06. Për ngrohje dhe freskim të godinës kursehen 186.992 Euro/vit. Instalimi i dytë madhor  në Tiranë është ai për ngrohjen dhe freskimin e të dy kullave binjake në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, i projektuar dhe realizuar nga Prof. Dr. Inxh. Ramadan Alushi. Fuqia e përgjithshme e sistemit ngrohës: 1.200 kW. Në mungesë të shpimeve në sheshin e godinave, ringrohja e ujit që del nga pompat e nxehtësisë ujë-ujë për rreth 5oC më i ftohtë sesa ai që futet në pompë, bëhet me një kaldajë të vogël, duke përfaqësuar një skemë origjinale. Për ngrohjen dhe freskimin e godinave kursehen: 170.128 Euro/vit. Shkolla e Mesme “Peter Mahringer”, për teknologji informacioni, pranë Kuvendit Franceskan, Shkodër, e realizuar në vitin 2009 me investimet e Austrisë. Është instalimi madhor i katërt në Shqipëri. Projektimi dhe ndërtimi i sistemit ngrohës/freskues dhe i ventilimit të godinës u realizua nga ArchiMED Studio, Tiranë, nën drejtimin e Dr. Fatos Tushe. Duke përdorur sistemin gjeotermal për ngrohjen e shkollës kursehen në vit 43.397 Euro. Një grant i Programit të Zhvillimit të Kooperimit Ndërkombëtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë dhe i Bashkisë së Korçës krijoi mundësinë që në vitin 2010 të ndërtohej sistemi Pus-Këmbyes vertikal nxehtësie-Pompë nxehtësie ujë-ujë për ngrohjen e Kopshtit të fëmijëve Nr. 14. Përdoret një pompë nxehtësie ujë-ujë me fuqi 22.7 kW, me koeficient performance 3,9. Le të shërbejnë këto shembuj si nxitje për t’i hapur rrugën e zbatimit edhe në Shqipëri të sistemeve moderne dhe efektive për ngrohjen/freskimin e godinave madje edhe të serave, të sistemeve miqësore me mjedisin. Komuniteti i biznesit duhet t’i njohë dhe të investojë për ndërtimin e tyre, duke hapur rrugë për biznese të reja në plan kombëtar. Universitet teknike të shpërndajnë njohuritë për këto sisteme bashkëkohore dhe të bëhen nxitës të zbatimit të tyre në Shqipëri.

    *Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave, Universiteti Politeknik i Tiranës.