Prof. Dr. Ago Nezha/ Fermerët hajdutë, apo hajdutët që vjedhin fermerët?!

    421
    Sigal

    Bujqësia, degë prioritare e ekonomisë, por kërkon strategji zhvillimi dhe investime

    Shqipëria është një vend që edhe për shumë kohë në ekonominë kombëtare,  do të dominohet nga prodhimi bujqësor dhe blegtoral. Në vitet e demokracisë, konfiguracioni bujqësor ka pësuar tronditje, që kanë qenë refleksione të politikave qeverisëse. Gjatë periudhës së tranzicionit, kanë ndodhur ndryshime thelbësore në strukturën e prodhimit në fermë. Struktura e prodhimit në fermë, janë produkt i disponibilitetit të faktorëve prodhues, i marrëdhënieve të fermës me mjedisin ekonomik dhe jashtë saj, i kuadrit dhe politikave ekonomike etj.. Reforma e tokës dhe shpërndarja e saj në mënyrë kaotike duke e fragmentarizuar në disa copa, ka bërë që fermeri të mos arrijë ta shfrytëzoj atë në mënyrë efektive. Deri më sot, copëzimi i tokës në 400 mijë ferma bujqësore, ka bërë të mundur që fermeri të prodhojë kryesisht për konsum vetjak dhe shumë pak për të dalë në treg. Këtë dukuri, e ndeshim në faktin, që konsumatori ballafaqohet çdo ditë në treg, duke blerë prodhimin e fqinjit tonë jugor, Greqisë dhe atij verior Maqedonisë. Në një vështrim të shkurtër, shohim se prodhimi në zonat rurale 90% është për konsum vetjak, ku diferencohet sipas zonave, ku në zonat kodrinore shkon 80% për konsum vetjak, ndërsa në zonat fushore dhe afër zonave urbane, prodhohet më pak për konsum vetjak deri në 60% dhe për treg 40%. Fermeri, duke parë koston e lartë të punimeve, shërbimeve dhe çmimin e lartë të inputeve, si plehra dhe pesticide, e ka bërë në shumicën e rasteve, të painteresuar për ta punuar tokën. Disa iniciativa sporadike që kanë lindur nga shteti, për të krijuar favore specifike për fermerin në çmimin e karburanteve, ka dështuar për mungesë  organizimi, përvoje, paaftësi të strukturave operative si dhe për hapësirat korruptive që ka krijuar sistemi i shpërndarjes me aktorët shtetëror. Në këto kushte, lind nevoja për t’u futur në tregun e furnizimit me karburante shoqëria civile, si partner i suksesshëm, në një operacion që kërkon transparencë dhe profesionalizëm gjithëpërfshirës. Në zhvillimin e zonave rurale, duhet të mbajmë parasysh avantazhet dhe disavantazhet që ka Shqipëria, në krahasim me vendet e tjera europiane. Shqipëria, është një vend me raporte të ulëta toke të punueshme, ndaj totalit të tokës, si dhe një nga vendet me nivel më të lartë të popullsisë me moshë të re pune, të angazhuar në bujqësi. Këtë faktor, e bën më atraktiv me fluksin e të rinjve që  ka filluar të kthehet nga emigracioni. Ata mbartin me vete jo vetëm burime financiare, por edhe një përvojë perëndimore që mund ta implementojnë në kushtet e zonës së tyre.  Mjafton të kujtojmë që Shqipëria është një vend me klimë dhe tokë të privilegjuar dhe është kthyer në lypës te fqinjët, për hir të politikave të dështuara në fushën agrare. Shqipëria, si një vend mesdhetar, ka 25% të sipërfaqes fushore, 47% kodrinore dhe 28% alpine(malore), shumë e përshtatshme për zhvillimin e blegtorisë, me 1350 km2 sipërfaqe ujore, përbëjnë resurse të mëdha për prodhimin gjithëvjetor. Ajo, dallohet për një ndriçim diellor të lartë, rreth 2500 orë në vit. Krahas këtyre përparësive, ka dhe disavantazhet e veta, që mund të kompensohen. Toka bujqësore, është një faktor kufizues prodhimi, ndërsa puna tek ne, është një faktor me tepricë relative.  Në njësinë e sipërfaqes së kultivuar, në raport me vendet e Europës, ne kemi rreth 2,2 herë tokë të punueshme për frymë, me një pjellori 2 herë më të ulët dhe një rendiment 2-3 herë më të ulët, por me një shtesë popullsie 1,5 herë më të lartë. Në këto kushte diferencimi, del nevoja për një trajtim intensiv të tokës dhe shfrytëzim maksimal të saj. Për ta bërë të interesuar fermerin për ta punuar tokën, duhen politika prioritare qeveritare, që kanë munguar ose kanë qenë difektoze, deri më sot në favor të bujqësisë. Për të realizuar një kthesë rrënjësore në bujqësi, duhet të futen aktorë të rinj që operojnë në zonat rurale, me një filozofi dhe kulturë të re demokratike. Dhe kjo arrihet, po të përfshihen gjithë kapacitetet intelektuale të shoqërisë civile, të kooperuar në një organizëm dinamik promovues. Praktikat e deri më sotme kanë treguar, se tërë përpjekjet për ta ndryshuar fshatin në tërësi dhe bujqësinë në veçanti, nuk kanë qenë të suksesshme. Kjo situatë, kërkon të ndryshojë kursi i  drejtimit nga pushteti, me një filozofi të re, bashkëkohore, duke vlerësuar shoqërinë civile në parametra europian dhe botëror. Për të bërë këtë ndryshim, nuk është e lehtë, se duhet të ndryshojë,koncepti, botëkuptimi dhe praktika e deri më sotme. Kjo, kërkon të ndërgjegjësohet jo vetëm shoqëria rurale në veçanti, por edhe ajo kombëtare dhe strukturat shtetare, që të mund të ndodhë ndryshimi.

     Pushtetarë, mos u trembni nga fermerët!

    Me gjithë zhurrmënajat e bëra në vite, se po ndihmohet dhe po investohet në zonat rurale, eksperienca  e deri më sotme tregon se shteti me politikat e aplikuara, ka dështuar me ndihmat që ka adresuar te fermerët. Dëgjohet rëndomtë të thuhet apriori,  se shteti nuk jua jep naftën fermerëve me çmim të reduktuar, se ka frikë se fermerët e vjedhim naftën. Ky është një paradoks shqiptar. Fermeri, nuk mund të vjedhë vetveten. Ai, është i interesuar më së shumti ta punojë tokën se sa ta lerë djerr, për të siguruar prodhim për vete dhe për treg, po të ketë kushte favorizuese nga shteti. Po ta observosh problemin, ndodh krejt ndryshe. Realiteti i sotëm, tregon se 75% e fermerëve nuk e punojnë dot tokën me dy dollar litrin e naftës ndaj përdorin fuqinë e krahut, kafshët e punës dhe shumë pak me traktor. Po t’i bësh një skaner situatës së fermerëve të sotëm, do shohësh se 25% e tyre s’kanë lekë me se ta punojnë tokën, një pjesë e mirë e tyre kanë ikur në emigracion dhe e kanë lënë djerr dhe pjesa që mbetet s’kanë treg të afërt, ose konkurrohet nga tregu informal i prodhimit të fqinjëve. Një pjesë që prodhojnë për vetëkonsum,nuk kanë leverdi ekonomike, të përdorin mekanikën bujqësore me çmimet e sotme të naftës. Në këto kushte që është lënë fermeri sot, si mund t’i faturohet vesi i hajdutit, kur ai është braktisur nga shteti dhe është lënë në mëshirë të fatit. Kjo situatë, më sjell ndërmend një episod nga koha e sistemit kooperativist. Një brigadier në fshatrat e Vlorës, në një mbledhje partie, instruktori i partisë që ishte njëkohësisht edhe mik i brigadierit, e akuzon formalisht për njeri dembel dhe i kërkon të bëjë autokritik sipas porosisë së udhëheqjes së partisë, që kuadrot duhet pastrohen nga mbeturinat mikroborgjeze. Brigadieri i ndodhur para një situate të pa pritur, e fillon autokritikën me këto fjalë: “Instruktori, ka të drejtë të më akuzojë për dembel, se unë ushqej 9 vajza, gruan, qenin dhe instruktorin e partisë”. Mbledhja degjeneroi në të qeshura. Dhe ky pretendim i shtetarëve në vite, se mos na e vjedh naftën fermeri, është qesharak. Nafta, në rrugën për të shkuar nga shteti te fermerët, mund të vidhet nga ndërmjetësit që janë sekserët, por kurrë fermerët. Ky defekt korrigjohet. Pretendimi se s’ka regjistër, s’kanë kartela e sofizma të kësaj natyre, nuk e përligjin veprimin për të frenuar fermerët për të mos e punuar tokën. Çdo punë, e  ka një fillim. Po të shohim bilancin e konsumit të naftës që harxhohet nga fermerët për bujqësinë, që shkon në 50 milionë litra, rezulton jo i favorshëm, duke shpenzuar 100 milionë dollarë në vit. Praktika diletante e përdorur deri më sot, e ka dyfishuar pagesën e fermerëve. Po të përdoret naftë vendi, fermerët do paguajnë gjysmën e shumës që kanë paguar më parë. Kjo do të thotë, që nga 100 milionë dollarë që paguanin me naftën e huaj, me naftë vendi do të paguajnë 50 milionë dollarë. Shumën prej 50 milionë dollarësh, e marrin në mënyrë abuzive sekserët hajdut, që akuzojnë fermerët për hajdutë. Në rast se do futet në lojë shoqëria civile, që është në krah të fermerëve dhe jo të sekserëve, që fondet i çojnë padrejtësisht jashtë vendit, kjo kontradiktë do korrigjohet përfundimisht. Kështu do stimulohet fermeri, sepse nga dy dollarë që paguan për litër, kur nafta vjen nga jashtë, me naftën e vendit do paguaj një dollar, pra gjysmë për gjysmë. Me këtë stimul, fermeri do e punojë tokën dhe nuk do ndodhi si deri më sot që nga 400 mijë ha, që janë nën ujë vetëm 300 mijë ha, punohet, ndërsa 100 mijë ha lihet djerr. Shteti, është i interesuar të investojë në bujqësi, se është i vetmi sektor, që sjell të ardhurat më të mëdha në ekonominë kombëtare. Bujqësia, jep 18% për qind të ardhurave në prodhimin bruto, me një rritje vjetore tre për qind, që është më e larta nga sektorët e tjerë. Është oportune, që premtimet që janë bërë gjatë fushatës elektorale nga qeveria dhe Kryeministri Rama, të gjejnë zbatim me masa operacionale, që mund të realizohen nga shoqëria civile, si partner i suksesshëm, në një sipërmarrje konkrete, siç është shpërndarja e naftës, fermerëve, me mekanizma dobiprurëse.