Prof. Ass/Dr. Enver Isufi: Si të njohim ushqimet biologjike nga ato të modifikuara me kimikate

    736
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet Prof. Ass/Dr. Enver Isufi, Drejtor në Institutin e Bujqësisë Biologjike, Durrës: “Më mirë një pjatë me produkte BIO, se sa dy arka me ushqime OMGJ”

    Enver Isufi është drejtor i Institutit të Bujqësisë Biologjike me qendër në Durrës. Ai e ka nisur jetën mes fushave në Leshtej-Çollakë të Kavajës, ku edhe ka lindur, për të mos ndaluar kurrë. Nga kodrat e Kryevidhit, ku punoi si agronom, Enver Isufi ka provuar gjithçka në fushën e bujqësisë. Është autor i jo më pak se 12 librave, ku trajtohen probleme nga më delikate të rritjes dhe mbarështimit të bimëve. Ndërkohë është autor i dhjetëra punimeve shkencore, ku janë trajtuar me kompetencë profesionale problem të bujqësisë intensive. Instituti i Bujqësisë BIO ka një parcelë eksperimentale prej 1.5 ha në Fllakë, ku kryen provat fushore për studime të ndryshme në mbrojtjen, trajtimin me plehra organikë të bimëve, pa lënë pas dore krijimin e kultivarëve të ndryshëm nga ku mund të merën rendimente të larta. Po në këto mjedise janë mbjellë edhe 3 dynym vresht dhe 3 dynym mollë për prodhimin e fidanëve rezistent ndaj sëmundjeve më problematike të kohës. Profesor Enver Isufi është një ndër këshilltarët më të mirë për fermerët. Një buletin shërbimi, i cili shpërndahet me SMS në celularë apo në internet, i mban gjithmonë të informuar njerëzit që punojnë në bujqësi. Bujqësia BIO është një nga pasionet e mëdha të tij. Ai punon me këto projekte që nga viti 1997, kur bashkë me disa intelektualë të tjerë formoi shoqatën e parë të bujqësisë organike. Ndërkohë studimet e tij janë perfeksionuar në Gjermani, Holandë e Itali. Ai punon me programet zvicerane që prej vitit 2001, produkt i të cilit ishte fillimisht shoqata “Bio Adria” e më pas Instituti i Bujqësisë BIO, që drejtohet pikërisht nga prof. Enver Isufi.

     -Profesor, produkte BIO, të cilat janë produktet bujqësore të pastra, pa ndërhyrje në kultivimin e tyre me preparate e kimikate të ndryshme, po bëhen gjithnjë e më të preferuara për njerëzit. Përse gjithë këto kërkesa për këto produkte? Shqetësohet konsumatori?

    -Gjërat janë fare të thjeshta, nuk duan as leksione, e as këshilla për të qartësuar konsumatorin rreth vlerave të prodhimeve BIO. Janë prodhime të vërteta, ashtu si di t’i rritë nëna Natyrë. Por që të mund t’i përgjigjem pyetjes përse qytetarët, pra blerësit, janë goxha të interesuar për të konsumuar prodhime BIO, më duhet t’i vë gishtin shkaktarit që ka hutuar, apo ka sjellë sinjale alarmi tek njerëzit. Në bujqësi, ashtu si në shumë sektorë të tjerë të ekonomisë, mania për të fituar para, ka sjellë devijime nga më skandalozët për rritjen e prodhimit të produkteve bujqësore, duke filluar nga perimet, frutat, drithërat e deri tek prodhimet blegtorale. Unë do t’i quaja këto praktika jo vetëm vrastare për shëndetin e njerëzve, por një krim, i cili duhet të ndëshkohet edhe ligjërisht. Sigurisht, nuk jam kundër futjes në përdorim të praktikave shkencore, të metodave të përkrahura nga bota mbarë, por jam, dhe do të jem, kundër atyre të ashtuquajturve fermerë, të cilët e rrisin rendimentin, duke bombarduar bimët me kimikate vrasëse për shëndetin e konsumatorit. Para së gjithash për lexuesit duhet të jetë i qartë termi “produkt BIO”, bujqësi BIO”.

    Ndryshe nga bujqësia e zakonshme, që i përdor të gjitha llojet e imputeve, bujqësia BIO ka një listë të përzgjedhur imputesh që respektojnë standardin. Këto impute (plehra, pesticide, etj.,) nuk janë të dëmshme për shëndetin, gjallesat e tjera dhe mjedisin në përgjithësi.

     -Ka “vrastarë” të tillë në vendin tonë, jini ju në dijeni për këto?

    -Ju, por edhe lexuesi i këtyre radhëve, besoj se nuk ka nevojë të sjellim fakte. Faktet i kemi parë me zë e me figurë nga media të ndryshme televizive, por problemi shtrohet se si, kur do të mundim të ndalojmë me Ligj një krim si ky. E them këtë mbasi një numër jo i vogël njerëzish nuk kanë informacion rreth përbërjes, rreth vlerave ushqimore të prodhimeve që blejnë në treg. Ata kryesisht nisen nga vlera e mallit, nga çmimi. Më problematik e bën edhe fakti që niveli i të ardhurave tek ne është shumë i ulët. Qytetari shkon të blejë më shumë mall, me pak para, duke mos ditur se çka brenda trasta. Unë dëshiroj të këshilloj qytetarët, kushdo qofshin, që të maten përpara se të blejnë. Më mirë të konsumohet një pjatë me produkte mix BIO, sesa dy arka me domate e tranguj, 3 kg një mijë lek. Besoj se kini parë produkte që ta shpifin, por që për një “xhep” të varfër bëhen të lakmueshëm.

     -Jemi ne një vend i privilegjuar për prodhimet BIO, është Shqipëria “hambar” për këto produkte?

    -Dua ta them të parën gjë që, vendi ynë është i bekuar nga Zoti për prodhimet BIO. Këtë privilegj ia jep pozicioni që ka, ia japin ditët me diell, ia jep përvoja shekullore e fermerit, i cili këtë gjë e ka profesion të vetin, mjeshtëri të tij. Por më duhet të them edhe tjetrën. Vendet e vogla si Shqipëria, e kanë të domosdoshme të zhvillojnë këtë sistem bujqësie. Nëse vendet e mëdha si, Gjermania, Italia, Austria, Spanja, etj., e vlerësojnë, vendet e vogla duhet ta mbivlerësojnë. Mua më rezulton se dhjetë vendet më të zhvilluara me bujqësi BIO të përparuar janë vende të vogla. Ka edhe një arsye të fortë pse ndodh kjo me vendet e vogla. Sepse produktet BIO konsiderohen elementë mbijetese në ekonominë e hapur të tregut. Dhjetë vendet me përqindjen më të madhe me bujqësi BIO janë Zvicra, Austria, Greqia, Suedia, Danimarka, Italia e Jugut, Izmiri i Turqisë, e ndonjë tjetër. Në këto vende bujqësia BIO zë nga 7- 27 % të sipërfaqes së përgjithshme të mbjellë.

    Siç shikohet vendet e vogla kanë përqindjen më të lartë të bujqësisë BIO dhe këtë e shpjegon fakti që bujqësia BIO është një alternativë për të rritur konkurrushmërinë në  tregun e hapur global. Shqipëria duhet të bëjë pjesë pikërisht në këtë grup vendesh.

     -Produktet BIO “i gjuajnë” për vlerat ushqyese, për atë që ndikojnë pozitivisht në shëndetin e njeriut. Ndonjë gjë të veçantë, mund të na e thoni Profesor?

    -Organizmi ynë përballet vazhdimisht (në gjakun qarkullues dhe në qeliza ) me disa lëndë mjaft të dëmshme, të ashtuquajturat “radikale të lira”, të cilat janë të pashmangshme pasi në pjesën më të madhe ato janë produkte përfundimtare të metabolizmit të lëndëve ushqyese, proteinave, yndyrave, karbohidrateve, etj. Këto lëndë dëmtojnë membranat qelizore, shkatërrojnë molekulat e AND-së dhe në këtë mënyrë ato janë shkaktaret kryesorë të plakjes fiziologjike të qelizave e për pasojë edhe të organizmit në tërësi.
    Radikalet e lira, duke u përqendruar në disa organe jetësore, luajnë një rol të madh edhe në shfaqjen e disa sëmundjeve serioze si në zemër, mushkëri e mëlçi. Gjithashtu ato janë edhe shkaktaret kryesorë të kancerit. Mbrojtja e organizmit nga radikalet e lira arrihet nëpërmjet disa lëndëve që prodhohen nga vetë organizmi, që njihen si antioksidantë. Gjithashtu, ato mund të merren edhe më anën e ushqimit të përditshëm ose nëpërmjet suplementeve. Antioksidantet kryesorë janë vitamina C, vitamina E, beta-karoteni dhe seleni. Aftësi të tilla kanë edhe disa lëndë të tjera si koenzima Q10, zinku, acidi gama-linoleik, l-cistina dhe glutina. Në bazë të analizave shkencore që janë bërë, antioksidantët kanë si funksion t’u kundërvihen radikaleve të lira, duke i neutralizuar ato.

     -Shpesh kur shkoj në treg për të blerë perime dëgjoj zërin e një plake: “Hajde ke nona se i kam prej kopshtit tem!” Mendoni se është nën kontroll të plotë prodhimi BIO?

    -Duhet qartësuar se jo çdo produkt fshati është produkt bio. Produkti merr emrin BIO kur ai certifikohet nga ekspertët e certifikimit. Këta ekspertë kontrollojnë të gjitha hapat e teknologjisë dhe të higjienës dhe vetëm pasi binden se është respektuar lista e imputeve dhe rregullat e tjera, lëshon certifikatën përkatëse. Të thuash që produkti është produkt vendi, është produkt nga fshati, kjo nuk thotë asgjë. Kjo është vetëm një shprehje që josh klientët, të cilët kanë mosbesim tek prodhimet e bujqësisë intensive, konvencionale. Ka ende më keq, kur disa tregtarë shkruajnë ose etiketa BIO ose tabela dyqanesh BIO. Kjo është një shkelje ligjore, që po i vjen koha të ndëshkohet me gjoba e masa të tjera ligjore. Logot false dhe tabelat false si “Mish Bio”, “Bulmet Bio” etj., janë të dënueshme sepse mashtrojnë konsumatorët. Konsumatorët shqiptarë gjithnjë e më tepër shprehin pakënaqësi mbi shijen e produkteve bujqësore, sidomos për disa specie perimesh. Kjo vjen nga kultivarët industrial, nga kushtet e sforcuara të pjekjes, nga përdorimi pa kriter i plehrave dhe pesticideve, përdorimi pa kriter i hormoneve, nga higjiena e pakontrolluar e ujit të ujitjes dhe të larjes së frutave. Nuk mund të thuhet se situata është shumë kritike dhe alarmante, por është jo plotësisht nën kontroll. Për këtë arsye Qeveria e re e ka vendosur në fokus sigurinë ushqimore, por kryesisht është siguri teknologjike.

     -Ka lidhje ky problem me turizmin, me rritjen e të ardhurave nga bujqësia nëpërmjet prodhimeve BIO?

    -Sigurisht që ka. Madje është burim i madh për rritjen e të ardhurave të fermerëve. Një ekonomi bujqësore me cilësi, me kualitet, nuk është e dobishme vetëm për shëndetin dhe mirëushqyerjen e shqiptarëve, por dhe të turistëve, të cilët bëhen vizitorë të vendit tonë jo vetëm për mrekullitë e natyrës, por dhe të cilësisë së ushqimit. Sa më i mirë që të jetë ushqimi, aq më e besueshme do të jetë pjata shqiptare dhe, sigurisht, aq më shumë turistë do të vijnë. E dini ju përse edhe vet shqiptarët bëjnë qindra kilometra vajtje-ardhje për në Dardhë të Korçës, në Theth, në Voskopojë e gjetkë? Përveç të tjerave, edhe për të konsumuar prodhime BIO, për të shijuar diçka që nuk është trajtuar me kimikate të ndryshme të dëmshme për shëndetin. Produktet bujqësore dhe blegtorale që vijnë nga bujqësia BIO kanë vlera ushqyese dhe shije më të mirë sesa produktet e bujqësisë së zakonshme (konvencionale). Ato janë më të pasura me antioksidantë.

     -Sa lloje sistemesh bujqësie zbatohen sot, nga dallojnë ato Profesor?

    -Po shprehem pak teorikisht. Sistemi është tërësia e praktikave bujqësore që zbatohen për të realizuar produktet ushqimore me origjinë nga bujqësia. Sistemet e bujqësisë dallohen nga njëri-tjetri nga llojet dhe cilësia e bazës materiale që përdorin dhe nga qëndrimi që ato mbajnë ndaj mjedisit. Dallojmë disa të tillë dhe që kanë lidhje me përdorimin e imputeve. Bujqësia me përdorim të pakët të imputeve gjen zbatim, ose për shkak të mungesës së investimeve, ose për të shmangur kimikatet në ushqime. Ka pastaj bujqësi konvencionale ku përdorimi i imputeve është me sasi të mëdha. Sigurisht që kjo bujqësi është jo shumë miqësore me shëndetin dhe mjedisin në përgjithësi. Bujqësia  e integruar, e cila  përdor  impute  më  miqësore  me  mjedisin dhe harmonizon disa praktika të mira. Ajo për të cilën po flasim është bujqësia biologjike (ekologjike, organike), e cila përdor impute miqësore me shëndetin e njerëzve, gjallesave të tjera dhe mjedisit në përgjithësi. Për këto përparësi kjo konsiderohet  bujqësi e së ardhmes.

     -Ka diçka të organizuar për rritjen e prodhimeve BIO në Shqipëri? 

    -Bujqësia biologjike në vendin tonë i ka fillesat nga ku nuk mbahet mend, por në rrugë shkencore filloi në vitin 1997, kur një grup intelektualësh themeluan Shoqatën e Bujqësisë Biologjike. Pas një projekti të madh dhjetë vjeçar, financuar nga Qeveria zvicerane dhe Instituti i Bujqësisë Biologjike në Zvicër (FiBL), janë ngritur katër institucione kryesore dhe që, për hir të së vërtetës, po punohet për të krijuar mjedis miqësor për prodhimet BIO. Shoqata BioAdria merret drejtpërdrejt me prodhimin e produkteve BIO. Është pastaj Instituti Bujqësisë Biologjike, Durrës (2009), i cili përveç kërkimit, këshillimeve dhe botimeve, “nën çadrën” e tij ka edhe fermerë dhe grupe fermerësh, të cilët prodhojnë në mënyrë të specializuar prodhime bujqësore BIO. Trupi certifikimit  “Albinspekt” i akredituar nga Qeveria Shqiptare qysh në vitin 2006 dhe i regjistruar në listën e trupave të certifikimit në vitin 2011, është një tjetër institucion, i cili po gjen vend dhe po bëhet nga viti në vit shumë i rëndësishëm. Shoqata e Marketingut Shqiptar, gjithashtu, është në veprimtari të plotë qysh nga viti 2004, kur Parlamenti shqiptar miratoi ligjin për prodhimin dhe marketingun e produkteve  biologjike. Ka një problem. Në vitin 2011 ka filluar hartimi i draftit të ri i përmirësuar, por ende nuk ka përfunduar për t’u miratuar në Parlament.

     -Po Ministria e Bujqësisë në ç’pozicion është, ndjen përgjegjësi? 

    – Kjo është një çështje tjetër. Pranë Ministrisë së Bujqësisë ekziston “Organizmi Kompetent”, por që, për fat të keq, nuk ka funksionuar qysh prej katër viteve. Një ekspert në Ministrinë e Bujqësisë harxhon vetëm 10 % të kohës së punës për problemet e bujqësisë biologjike. E kuptoni se mesa indiferencë e shikojnë “kompetentët” këtë çështje kaq madhore. Ishte planifikuar që në vitet 2007-2013 bujqësia BIO të zinte 5 % të sipërfaqes së përgjithshme bujqësore, por sot kjo sipërfaqe është mbi dhjetë herë më e vogël se sa angazhimi.

     -Po ndihma financiare nga shteti, subvencionet?

    -Shifrat janë alarmante, as më shumë e as më pak, një fyerje për produktet BIO. Në vitin 2008 janë dhënë vetëm 6000 lekë për një fermë BIO. Është tepër e rëndë, apo jo! Për vitin 2010 u dhanë vetëm 20.000 lekë për fermë BIO. Në vitin 2011 kuota u përmirrua dukshëm, shkoi në 70.000 lekë për fermë të certifikuar BIO, por  kjo funksionoi vetëm për atë vit. Për vitet 2012-13 subvencioni gjeti zbatim të pjesshëm, gati-gati formal. Buxheti i akorduar për kërkimet në fermë, botimet dhe trajnimet në bujqësinë biologjike zënë vetëm 2.5 milion lekë. Shih dhe shkruaj.

     -Viti 2014 ka ndonjë gjë të re për prodhimet BIO, çfarë do të sjellë?

    -Zotimet e Qeverisë “Rama”, për mbështetje financiare me kuota më të mëdha se më parë dhe zbatim me korrektësi të skemës së mbështetjes financiare, janë disi të mira. Skema, gjithashtu, do përsoset dhe do zgjerohet edhe për produktet blegtorale dhe bimët mjekësore. Shërbimi këshillimor dhe kërkimet në fermë do mbështeten  si më pare, madje edhe më mirë se sa deri tani. Por, për t’i ardhur në ndihmë Qeverisë, ne si specialistë, kemi disa propozime: Të vendoset një kuotë financiare për prodhimin BIO. Nuk mjafton vetëm miratimi kuotës për fermë, sepse regjistrohen më shumë ferma se sa ka mundësi të mbështeten. Ndërkohë, subvencioni të mbështesë një paketë shërbimesh si certifikimin, këshillimin, marketingun dhe imputet BIO. Pra, pikërisht për këto shërbime shtesë shteti mbështet fermat BIO. Është një perceptim jo i drejtë se subvencioni jepet vetëm për certifikimin. Certifikimi, sipas mendimit tonë, nuk duhet të zërë më shumë se 15-20 lekë për fermë. Trupa e certifikimit duhet të fitojë nga shtimi i numrit të fermave, dhe jo duke rritur çmimet e certifikimit. Për ullirin të mbështeten edhe fabrikat e prodhimit të vajit dhe ullishtarët afër tyre që të realizojnë prodhim me cilësi. Në këto ullishte bima e ullirit të zbuti periodicitetin e prodhimit. Është e rëndësishme kërkesa që të regjistrojmë për të kaluar në BIO edhe ferma blegtorale, parqe bletësh, bimë mjekësore të kultivuara. Për këto të fundit kërkohet të shtohet numri fermave BIO që të rritet prodhimi dhe vazhdimësia në tregun biologjik. Sipas meje duhet të regjistrohen ferma blegtorale, parqe bletësh dhe pulari të vogla për prodhimin e vezëve dhe të mishit BIO. Sepse nuk kemi fare. Si të gjitha punët e mira, edhe tek rritja e prodhimeve BIO ndikon mendimi i specialistit. E përmenda në fillim të këtyre radhëve, por më duhet të qëndroj fort tek ky problem. Krijimi i vendit të punës për specialistin, që të mbulojë bujqësinë BIO. Të paktën fillimisht specialisti të angazhohet me 50% të kohës së punës e më pas, me ngarkesë të plotë. Riorganizimi dhe riaktivizimi i “Organizmit Kompetent”, i cili ndjek zbatimin e politikave të bujqësisë biologjike, është tepër evident, nuk ka më kohë për të pritur. Perspektiva e prodhimeve BIO është shumë e mirë. Kjo jo vetëm nga kushtet shumë të mira të vendit tonë, por edhe nga ambicia e Qeverisë për të mbështetur këtë sistem bujqësie. Edhe Instituti jonë, si ndër aktorët kryesorë të lëvizjes së bujqësisë biologjike në Shqipëri, është integruar në planet kombëtare të prodhimeve BIO. Instituti prej 12 vitesh ndihmon më kërkimet në nivel fermë, trajnimet e shërbimit këshillimor publik, demonstrimet fushore të praktikave të suksesshme, botimet në fushën e bujqësisë biologjike dhe në prognozimin e sëmundjeve dhe dëmtuesve. Instituti ynë ka një staf të motivuar dhe të kualifikuar. Ne kemi pasur fatin që prej 10 vitesh kemi pasur si partner shkencor Institutin e Bujqësisë Biologjike në Zvicër (FiBL), ndër institutet më të mëdhenj në botë i këtij lloji. Instituti është edhe përfaqësues i Shqipërisë në rrjetin ballkanik të Bujqësisë biologjike.

     -Cilat janë hapat, ka ndonjë procedurë për të regjistruar një fermë të zakonshme që dëshiron të kalojë në fermë BIO?

    -Sigurisht që ka disa procedura. Hapat që ndiqen për të kaluar një fermë konvencionale në fermë biologjike janë disa. Fermeri bën një kërkesë për të kaluar në fermë biologjike. Kërkesa i drejtohet shoqatave të bujqësisë biologjike, Institutit të Bujqësisë Biologjike, Drejtorive të Bujqësisë në rrethe. Ka një model për këtë kërkesë. Specialistët e shoqatave, Institutit, Drejtorive të Bujqësive vizitojnë fermën për të parë nëse kjo fermë ja vlen të kthehet në BIO ose jo. Edhe për këtë ka një metodike me 10 pika për vlerësimin e fermës. Pastaj ferma lidhet me Shërbimin Këshillimor prej nga merr teknologjinë e prodhimit për bimën përkatëse. Fermeri fillon të marri pjesë në trajnimet dhe këshillimet gjithëvjetore që të bindë trupën e certifikimit që ai merr këshillime. Ka dhe një kërkesë tjetër. Në fermë vjen inspektori i trupës së certifikimit dhe, nisur nga standardi, plotëson dokumentet se çfarë ka ndodhur në fushë, kontrollohen praktikat bujqësore, higjiena e mjedisit dhe uji për ujitje. Dokumentacioni i inspektorit që ka plotësuar në fermë ja kalon certifikuesit. Eksperti i certifikimit ballafaqon dokumentacionin e inspektorit me standardin përkatës. Nëse ai do të konstatojë që nuk ka shkelje, merr vendim për plotësimin e certifikatës. Më duhet të bëj sqarimin që kjo certifikatë është e vlefshme vetëm për 12 muaj, pra një vit.

    Do të ishte mirë që specialisti të ishte i mirënjohur në këtë fushë, ose të jetë i lincencuar, i certifikuar si ekspert me njohuri në bujqësinë biologjike. Madje, është koha të fillojë licencimi i specialistëve të tillë.

     -Leverdia ekonomike ku qëndron? Si është diferenca e çmimeve, nëse kemi parasysh tregun europian. Pra ia vlen “të rropatesh” për të shtuar e nxitur prodhimet BIO?

    -Prodhuesit BIO shesin 10-30 % më shtrenjtë se ata që tregtojnë produkte të zakonshme. Fermerët BIO kanë dy alternativa në treg, edhe tregun BIO, edhe tregun e zakonshëm. Të mos harrojmë që kanë shansin të përfitojnë ca më shumë nga eksporti, i cili nuk ka të ngopur me prodhime BIO.

     -Perse vendi ynë duhet t’i japi përparësi këtij sektori dhe ç’këshilla u jepni fermerëve për të kultivuar prodhime sa me të pastra biologjikisht?  

    -Sot në botë në krye të listës për prodhimet BIO janë vendet e vogla, siç është vendi ynë, Shqipëria. Bujqësia BIO është gjetur si alternativë për të përballuar mbijetesën në ekonominë e tregut të lirë ku vendet e vogla mundet  të kenë hapësira tregu vetëm me cilësinë e lartë të produkteve. Në këtë grup vendi ynë besoj se është i mirëpritur. Çdo gjë varet nga ne, nga fermerët shqiptarë. Qeveria po tenton ta kthejë në sistem kombëtar konsumin e produkteve vendase dhe ato BIO. Kjo strategji ndonëse do të zbatohet hap pas hapi është me të ardhme të madhe ekonomike dhe mjedisore, por dhe një imazh pozitiv për vendin.