Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi: Pas protestës, u shfaq në Bruksel si njeriu i rublave

262
*
Sigal

Në Bruksel zoti Rama kërkoi që deri në pranverë të bëhej një projekt me të cilin edhe Rusia të shihet si pjesë e Europës e madje e Bashkimit Europian. Nuk dihet se cila është ideja e tij për këtë lloj asocimi të Europës me Rusinë. Por e sigurt është që Edi Rama po bën lojën e presidentit francez, Emmanuel Macron, që të zbusë zemërimin e Europës dhe SHBA-ve ndaj Kremlinit. Ajo që ka ndodhur me sulmin ushtarak dhe luftën që Vladimir Putin shkaktoi në Ukrainë është e parecedentë. Megjithatë kryeministri i Shqipërisë, pasi ndërmjetësoi ndarjen e Kosovës në favor të Serbisë, tani po përpiqet që të ofrojë edhe ndarjen e Ukrainës në favor të Rusisë. Sigurisht që këtë ai nuk e artikulon drejtpërdrejt. Por Macron dhe Rama janë në unison për t’i bërë lëshime Putin e për “të mos ia marrë fytyrën atij”! E motivojnë të dy këtë kërkesë me idenë se po të shtyhej Putin me shpatulla për muri, ai mund të përdorë armët bërthamore. Eshtë një mekanizëm që funksionon në propagandën e Ramës dhe Macron. Por ky qëndrim i Edi Ramës në fakt shkon në favor të vëllait të tij binjak, Aleksandër Vuçiq dhe Beogradit. Nuk është hera e parë që kryeministri i Shqipërisë del hapur në krah të Serbisë dhe të Rusisë. Ballkani i Hapur është ideja dhe projekti më madhor serbo-rus, të cilin Edi Rama e propagandon në çdo samit dhe takim ndërkombëtar. Provokimet serbe në veri të Kosovës janë problemi dhe rreziku më i madh shqiptar, por ai nuk denjon asnjëherë të qortojë vëllin e tij binjak për këto provokime. Sepse ndalja e dorës së Serbisë në veri të Kosovës nuk është interes serb. Ngado që të vërtitesh, më rezulton se kryeministri ynë vetëm retorikën e ka pro-europiane e pro-amerikane, ndërkohë që aktet, qëndrimet dhe veprimet shkojnë në favor të Rusisë dhe të Serbisë. Se përse ndodh kjo, vetëm ai dhe turorët e tij që e dijnë. Megjithatë nuk ka asnjë dyshim se trashëgimia e lidhjeve familjare e personale të tij me Francën dhe Rusinë janë burimi i këtyre sjelljeve! Rubla! Rubla! Rubla! Kjo ishte deviza e Ramës për të diskredituar opozitën, por një ditë pas protestës ai e shfaqi vetë misionin e rublave!