Prof.Asc. Sulejmen Muça:Çdo qeveri që mendon për interesat e veta merr nga populli dënimin që meriton

    406
    Sigal

    INTERVISTA/ Flet politologu, Prof.Asc. Sulejmen Muça: “Zgjedhjet e qershorit ishin një mësim i madh për çdo qeveri”

    Zgjedhjet e fundit parlamentare të 23 qershorit 2013, patën një rëndësi të veçantë. Ishin zgjedhjet më të ndjekura me vëzhgues ndërkombëtarë, por dhe me pjesëmarrje më të madhe në 23 vitet e fundit. Rezultati spektakolar i së majtës shqiptare, u quajt disi i “frikshëm” pasi e majta në parlament zotëron 84 deputetë, e aftë të miratoj çdo ligj dhe pa pjesëmarrjen e opozitës. Por ajo që duhet theksuar në këto zgjedhje është se u thyen bastionet e PD-së si Shkodra, Kavaja dhe Shijaku.  Kjo fitore ishte një notë që i dha populli keqqeverisjes së Berishës duke i dhënë të kuptojë çdo qeverisje se këtë ndëshkim do të marr nëse nuk punon për interesat popullore, por punon për interesat e veta.

     -Si do t’i përshkruanin zgjedhjet e 23 qershorit 2013 në prag fushate, dhe zhvillimin e tyre më 23 qershor?

    Fushatat elektorale e 2013 ishte një ndër fushatat më të spikatura në 22 vjet në demokracinë shqiptare. Duke pasur parasysh mënyrën e metodimit dhe stilin e fushatës elektorale, mënyrën e  organizimit dhe mënyrën se si organizuan programet e tyre elektorale dhe subjekteve politike. Këtu duhet të prekim dy elementë kryesorë: qetësinë dhe mënyrën e komunikimit duke ngritur raportet mes partive politike dhe elektoratit të tyre. Sigurisht vlen për tu vlerësuar qetësia dhe gjuha e zbutur e përdorur nga të dy liderët politik të partive kryesore, z. Edi Rama dhe z.Sali Berisha. Duke pasur parasysh gjuhën e komunikimit dhe mënyrën se si u zhvilluan dhe u përcollën problematikat, që e shoqëruan shoqërinë shqiptare për të paktën për 8 vjet të qeverisjes së Partisë Demokratike, dhe njëkohësisht mënyrën se si e organizuan fushatën elektorale, vlen për tu admiruar dhe për tu përmendur si shembull pozitiv në pluralizmin politik në Shqipëri, mënyra se si u organizua fushata elektorale deri në ditën e fundit të përmbylljes dhe heshtjes zgjedhore. Këtu duhet të kemi parasysh, dhe ja vlen për tu përmendur, edhe mënyrën spektakolare të organizimit të mitingjeve elektorale si një element ose si një model i ri e opozitës në lidhje me paraqitjen, administrimin dhe premtimet elektorale. Njëkohësisht edhe Partia Demokratike, në llojin e vet, bëri një fushatë elektorale të stilit të saj me një përqendrim të forcave dhe të energjive tërësisht tek kryeministrit Berisha.

    -Po vetë populli shqiptar çfarë tregoi më 23 qershor?

    Në aspektin tjetër, pritshmëritë do të ishin ndryshe nga këndvështrimi i liderëve politik. Pritshmëritë ishin totalisht të natyrshme nga ana e opozitës, por në krahun tjetër shoqëria shqiptare dhe elektorati i saj i dha një mësim klasës politike shqiptare që, nuk mund të luhet dhe të shpërdorohet besimi i pushtetit kur populli të jep besimin që ta qeverisës dhe në tjetër kemi aspektin e shpërdorimit e keqtrajtimit dhe keqpërdorimit të fondeve në mandatin e parë dhe të dytë të qeverisjes demokratike.

    Keqqeverisjes së Partisë Demokratike sidomos në mandatin e dytë nga koalicioni i imponuar i qeverisjes demokratike kur kryeministri Berisha pranoi në gjirin e saj forcën politike të LSI, populli ju përgjigj me votë. Kjo u shoqërua edhe me tone të ndërkombëtarëve brenda vendit lidhur me  ashtuquajturin korrupsion dhe elemente të tjerë që tashmë janë bërë publike dhe shoqëria shqiptare i ka parasysh vetë..

    -LSI e ndihmoi apo ia uli imazhin e PD-së në mandatin e dytë?

    Mendoj që LSI e ndihmoi Partinë Demokratike për të plotësuar mandatin e dytë, por në planin tjetër të imazhit dhe të funksionimit në elektoratin e saj, PD pësoi zhgënjimin më të madh në 22 vjet demokraci, duke pasur parasysh se PD pagoi haraçet e veta në lidhje me marrëveshjet e punësimit në administratë në bazë të marrëveshjes së dy liderëve Sali Berisha dhe Ilir Meta. Në bazë të kësaj marrëveshje Partinë Demokratike e shoqëruan lëvizje të detyruara, të imponuara, që çuan në heqjen nga puna të militantëve dhe simpatizantë të saj duke i zëvendësuar me mbështetës dhe militantë të LSI-së. Besoj se në këtë aspekt LSI-ja fitoi shumë terren dhe hapësira për të mbështetur dhe rritur elektoratin e saj. Në krahun tjetër Partia Demokratike, dhe lideri i saj Sali Berisha, paguan haraçin e tyre mbi këtë lloj aleance që krijuan dhe u ndëshkuan më 23 Qershor.

     -Ky 23 qershor është votë pro Edi Ramës apo kundër Berishës?

    Unë këtë këndvështrim do ta ndaj në dy drejtime. E para, ishte një revoltë e heshtur ndaj metodës dhe mënyrës së qeverisjes së partisë demokratike, e cila shoqëria shqiptare e kishte vërejtur me kalimin e viteve dhe sidomos mandatin e dytë dhe sidomos në dyvjeçarin e dytë të qeverisjes së dytë.

    Në krahun tjetër kemi parasysh një opozitë, që nga 2005 sidomos në zgjedhjet e pushtetit lokal 2007-2011, të shoqëruara me kontestime dhe me pakënaqësi sidomos në proceset zgjedhore dhe në dhënien e rezultateve, në përpunimin e të dhënave statistikore, në certifikimin e zgjedhjeve si në ato lokale ashtu edhe në ato qendrore, pra të pushtetit qendror të vitit 2009 në kontestime deri në protesta e deri në pikën ekstreme duke kërkuar edhe hapjen e kutive e të bëhej rinumërimi votave të shqiptarëve. Elektorati shqiptar në vitin 2013 me metodën e tij dhe me stilin e heshtur arriti që të japë një përgjigje dhe një mësim politik mazhorancës në ikje, por edhe asaj që po vjen. Sigurisht që  kjo është një shkollë e madhe edhe për liderin e ardhshëm, se nëse do të ndjek të njëjtën rrugë do të kemi të njëjtën përgjigje nga populli shqiptar. Shqipëria po ëndërron për të hyrë në Bashkimin Europian dhe për të qenë një ndër anëtarët e saj dhe duke qenë me këto përkushtime besoj se Parlamenti Europian, Bashkimi Europian dhe SHBA do të sugjerojnë, do ta ndjekin dhe këshillojnë Shqipërinë dhe politikën shqiptare që të mos përsërisë gabimet e shkuara, që u bënë për 8 vjet, ku për faj të keqqeverisjes haraçet t’i paguaj populli.

    -A e shikoni të qëndrueshme lidhjen mes LSI-së dhe PS-së?

    Qeveria shqiptare mbas 8 viteve qeverisje, sidomos në mandatin e dytë të qeverisjes demokratike, pa një ndër koalicionet që pothuajse ishin të pamundura dhe të pabesueshme, por unë mendoj nga ana ime si politolog se, ky koalicion nuk funksionoi sepse, nuk ishte mbi baza të funksionimit normal të qeverisjes, të funksionimit të mirë të pushtetit, të shpërndarjes së qeverisjes, dhe të menaxhimit të mirë të resurseve dhe menaxhimit të raporteve për ta bërë Shqipërinë pjesë e Bashkimit Europian, për të mbyllur procesin e negociatave dhe për të hapur procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Sigurisht që këto i dhanë një kosto të madhe Partisë Demokratike. Ndaj lidhja apo koalicioni i ri PS-LSI, ishte e pabesuar dhe në kundërshti të brendshme në Partinë Socialiste, por ajo erdhi edhe me iniciativën dhe sugjerimin e ndërkombëtarëve. Kjo ndërhyrje bëri të mundur që të realizohej një zbutje e toneve acaruese dhe fryma e urrejtjes mes dy liderëve të Partisë Socialiste Edi Rama dhe  kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Njëkohësisht mendoj se këto dy liderë, do të gjejnë mundësinë që mbas 23 qershorit të formulojnë dhe të rakordojnë bashkëveprimet e tyre në lidhje me qeverisjen e ardhshme 4 vjeçare që shqiptarët mezi po presin të kenë një formë tjetër qeverisje nga ajo ç’kanë parë  deri më sot.

    -Cilat janë cilësitë e Ramës si drejtues dhe a mendoni se ai  do të bëjë një moderim apo modelim ndryshe qeverisjeje?

    Sigurisht Rama është tipi i politikanit që shqiptarët e kanë provuar dhe kanë parë modelin e tij qeverisës në Bashkinë e Tiranës, e cila në momentin kur ai erdhi në krye të bashkisë e gjeti Tiranën një qytet i tipit Kandahar dhe në momentin kur e la, u pa një bashki e institucionalizuar, e strukturuar me organikë profesionale në të gjithë drejtimet dhe  të menaxhimit të akordimit kohor në mënyrën e qeverisjes së Tiranës. Sigurisht që në administrimin e Tiranës, Rama  ka pasur edhe të metat e tij të  vogla sidomos në momentet kur në Bashki mungonin numrat e domosdoshëm për të realizuar miratimin e buxhetit. Por në qeverisjen e gjatë, Edi Rama i ktheu dinjitetin, i ktheu moralin, efektivitetin, urbanizmin rrjetin rrugor të munguar dhe shumë elementë të tjerë të cilën e kishte të vështirë t’i arrinte, sidomos në dy mandatet e para si kryetar bashkie. Megjithatë edhe me konsumimin e pushtetit 12 vjeçar, arriti të menaxhojë dhe të drejtojë punimet në të gjithë hapësirën e vijës që i takonte si kryetar Bashkie i tëgjithë qytetarëve. Njëkohësisht Edi Rama kishte edhe elemente të tjera pozitive, pasi si një piktor, me fantazinë e vet, ideoi se si mund të jetë një qytet modern dhe duke pasur parasysh këtë lloj imagjinate ai pati suksesin e vet, pasi i dha një pamje tjetër qytetit të Tiranës me lyerjen e fasadave, e cila më parë dukej si një kryeqytet i dalë nga lufta. Mbas këtij rezultati jam i bindur dhe i përgjegjshëm nga këndvështrimi im, si politolog, se Edi Rama nuk do të pësojë atë euforizmin e tepruar që karakterizon liderët e shoqërive të ndryshme ku meqenëse mori votën peblishqiptare të heqë përgjegjësitë, të ndahet nga premtimet dhe të keqeverisë Tiranën dhe Shqipërinë. Njëkohësisht Edi Rama nga eksperienca e tij si kryetar Bashkie mund të zbatojë eksperiencën e tij në të gjithë tërësinë territoriale të Shqipërisë që nga Jugu deri në Veri dhe nga Lindja dhe deri në Perëndim. Nga këndvështrimi im Edi Rama do të japë atë që deri diku i la mangët Tiranës si rezultat i mandatit të cunguar të 2011.

    A janë të bazuara premtimet e Edi Ramës në fushatë?

    Fushata e Ramës ishte, normale, e studiuar, me program të qartë, e lexueshme. Sigurisht që në fushata elektorale disa ekzagjerime janë të pranueshme. Çdo element që rrit votën plebishitare ose votën elektorale është një sukses për çdo lider dhe për çdo forcë politike dhe në këtë drejtim dhe platforma e Ramës ka pasur anën pozitive të saj dhe besueshmërinë ndjeshme të elektoratit që votoi. Në qoftë se do t’i referohemi këtij besimi forca e dytë qeverisëse, që është në këtë koalicion, ka bërë premtime më të mëdha, por që do ta kenë të vështirë të dy liderët të realizojnë premtimet, sidomos në drejtim të punësimit dhe të mirëorganizimit, koordinimit, bashkëveprimit, bashkëorganizimit të elektoratit të vet. Madje vështirësia do qëndrojë jo vetëm tek premtimet, që ishin të studiuara, por në menaxhimin e projekteve, programeve dhe planeve të tyre qeverisëse 4 vjeçare. Koha këtë do ta vërtetojë dhe ne do të jemi dëshmitarë të qeverisjes 4 vjeçare të ardhshme. Premtimet nuk ishin në erë si ato të PD-së, por megjithatë në këtë xhungël të ekonomisë shqiptare, çdo projekt ka shumë disfavore.

    – Cili ishte roli i ndërkombëtarëve në këto zgjedhje?

    Ndërkombëtarët, përfaqësuesit diplomatik të akredituar në Tiranë, faktori ndërkombëtar dhe Bashkimi Europian e SHBA patën një ndikim ndaj faktorit të brendshëm politik për të ruajtur gjakftohtësinë, për të kryer të gjitha reformat institucionale dhe për të vëzhguar zgjedhjet. Në një moment ata u ndjenë si të pafuqishëm në punën dhe udhëzimet e tyre pasi Komisioni Qendror Zgjedhor është një institucion i sakatuar. Faktori Ndërkombëtar ishte prezent edhe në ditën e zgjedhjeve dhe në momentin kur titullarë të Bashkimit Europian dhe element të tjerë i bënë presion klasës politike që të mos ketë euforizëm, të ruajnë normat e demokracisë në zgjedhje. Këtë radhë faktori ndërkombëtar ishte më i pranueshëm se kurrë në Shqipëri

    Zgjatja e dorëzimit të pushtetit është në dobi të Berishës apo të Ramës?

    Vakuumi institucional ligjor që është krijuar në transferimin e pushteteve nga periudha kohore e përfundimit të zgjedhjeve deri në marrjen e pushtetit nga fituesit, për mua është një boshllëk i madh i cili nga juristët e mirëfilltë nuk është marrë parasysh asnjëherë. Jemi ndër vendet më tipike në Europë dhe më gjerë që pushteti transferohet që nga moment i zgjedhjeve deri në marrjen e partisë fituese për afërsisht 3 muaj. Po themi shembuj, Pakistani, ku para 2-3 muajsh u bënë zgjedhjet parlamentare dhe brenda 2 javëve pushteti u transferua, u krijua qeveria dhe kryeministri me ministrat bënë betimin. Edhe Bullgaria që zhvilloi zgjedhjet parlamentare para një muaji para zgjedhjeve të Shqipërisë, brenda 2 javëve ndërtoi parlamentin e ri dhe bëri betimin Shqipëria nuk mund të ketë efikasitet dhe efiçencë kur dorëzimi i pushtetit zgjat 3 muaj. Kjo nuk është vetëm në dëm të mazhorancës së kaluar që ka pas pushtetin (dhe që e ka de facto), por edhe në dëm të qeverisjes së sotme, pasi qeveria aktuale mund të marrë vendime të pabazuara dhe pse mund të ketë situata emergjente si p.sh zjarret, apo probleme të tjera. Mbas shtatorit ku do formohet qeveria e re, do të shfaqen elementët e mosfunksionimit, mosrekordimit dhe të mosmenaxhimit të mirëfilltë të problemeve që dalin në të ardhmen duke pasur parasysh që qeverisë nuk i është dhënë koha e domosdoshme e njohjes, e zotërimit, e koordinimit të institucioneve në të gjitha instancat.

    -Cila është detyra kryesore e kësaj qeverie të re?

    Për mendimin tim është që, administratës t’i rikthehet qytetaria e shërbimit publik, menaxhimi, qytetaria e shërbimit ndaj individëve të shoqërisë dhe ndaj të gjithë elementëve që janë tipike për një shoqëri europiane. Këto elementë të mangëta duhet të evidentohen, të bëhen prezente dhe pastaj të merren masa të shkurtimeve të pushimeve ose edhe masa të tjera ekstreme. Për mendimin tim kohëzgjatja e dorëzimit të pushteteve nuk duhet të kishte zgjatur më shumë se 15 korriku. Kjo kohë do ta vinte më në pozitë, më në punë, më përgjegjëse qeverinë e re. Kjo kohë e transferimit të pushtetit do të rriste përgjegjësinë e mazhorancës së re. Dhe nga ana tjetër për partinë humbëse do të ishte tamam një periudhë reflektimi në bazë, për dobësitë dhe përgjegjësitë që i dalin nga kjo humbje e madhe. Sigurisht që brenda 15 korrikut qeveria Berisha duhet ta kishte lënë pushtetin që të ishte në dobinë e saj për të riorganizuar dhe për të justifikuar humbjen, por edhe njëkohësisht për t’i lënë mundësi që nesër, pasnesër të mos diskutohet më në aspektin e funksionimit në lidhje me transferimin e pushtetit si një periudhë inkubacioni mujor që mosfunksionimi i këtyre institucioneve  e kësaj hapësire kohore do t’i kushtojë shumë jo vetëm klasës politike, por edhe shqiptarëve. Mendoj se në qeverisjen e ardhshme 4 vjeçare të plotësohet edhe ky vakum institucional që shoqëria shqiptare dhe qeverisjet dhe mazhorancat që do të përfitojnë në zgjedhjet e ardhshme, transferimi i pushtetit të bëhet të paktën brenda dy javëve. Nuk jemi një shtet si India, Pakistani apo në vende të tjera që kanë një popullsi dhe një sipërfaqe relativisht të madhe. Edhe SHBA ka një periudhë kohore 2 muaj maksimumi nga dita e rifitores deri në betimin e fituesit. Në Shqipëri duhet të ishte realizuar të paktën brenda 10 ditëve transferimi i pushtetit, pasi jemi një shtet prej 3 milion banorësh dhe është një menaxhim fare i lehtë dhe fare i thjeshtë për të transferuar pushtetin dhe për të hyrë në punët e mbara dhe në një qeverisje korrekte të radhës.

    Cili është mendimi juaj për Ilir Metën?

    Meta tashmë e ka konfirmuar veten si një politikan i aftë që di të luaj fort dhe të dalë fitimtar. Në fund të fundit, politika është art me vete që nuk njeh kundërshtar fizik, por idesh, ndaj çdo lloj etiketimi nuk mund të merret në konsideratë. Meta bën politikën e partisë së vet, ashtu siç duhet ta bëjë çdo lider për elektoratin që mban pas tij. Në momente të caktuara Meta tregohet gjakftohtë dhe i vlerëson miqtë dhe ata që i shërbejnë. Politika shqiptare shpesh herë është politikë pragmatiste, që lë pas militantët, dhe elektoratin, por një parti pa militantë dhe pa elektorat nuk mund të quhet parti. Lëvizjet e tij kanë qenë në favor të këtij elektorati dhe qëllimit që i ka vënë lideri për të qenë prezent në politikën shqiptare.

    Në këtë betejë kaq të vështirë beson se Rama do ja ndalë mbanë?

    Sigurisht. Rama është një lider praktik, i lidhur me punën dhe njohës i menaxhimit të situatave. Vështirësitë janë të pranishme, madje shumë të mëdha në një keqqeverisje pa programe, por me bashkëpunëtorët korrekt mendoj se Rama do të realizoj programin dhe premtimet e dhëna. Ka të gjitha shanset që të tregohet një lider i një lloji tjetër, i atij lloji që i ka munguar Shqipërisë në këto 23 vjet. Sot është koha për Shqipërinë dhe jo për individin. Një Ramë korrekt, bashkëpunues, dialogues, njohës i realitetit ka shansin më të madh për të krijuar një model të ri në politikën shqiptare.