Prof.Asc.Dr Kim M. Drasa/ Analiza vjetore e Urologjisë Europiane

    700
    Sigal

    Në muajin qershor të çdo viti bëhet analiza vjetore e Urologjisë Europiane. Në këtë analizë dy ditore ftohen të gjithë Presidentët dhe Sekretarët e Shoqatave Urologjike kombëtare të Europës. Ftesa bëhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Urologjisë Europiane Prof. P.A.Ahamsson. Këtë vit ky takim u mbajt në Nordwijk, Hollandë në datat 6-7 qershor. Në këtë takim u ftua dhe shoqata jonë “Shoqata e Urologëve dhe Seksologëve Shqiptarë, Prof. Dr. Maksut Drasa”, e cila njihet në Europë me inicialet AUSA (Albanian Urologists & Sexologists Association). Në këtë takim morën pjesë Prof. Asc.Dr. Kim M. Drasa si President i Shoqatës dhe Dr. Rezar Rusi si Sekretar i saj. Në këtë takim çdo shoqatë paraqet kërkesat e veta, si dhe bëhen diskutime në pikat kryesore që paraqiten.

    “Çfarë mund të bëjë EAU për Urologjinë në vendin tonë” ishte materiali i Shoqatës së Urologëve dhe Seksologëve Shqiptarë, Prof. Dr. Maksut Drasa, paraqitur nga Dr. Rusi nëpërmjet këtyre pikave:

    1. Urologjia në Shqipëri është duke ecur ngadalë, po në rrugë të drejtë.

    2. Kërkuam nga EAU që të na ndihmojë në standardizimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në urologji.

    3. EAU në bazë të politikave të saj që ajo paraqet në Strasburg, të luajë një rol më të madh në sigurimin e një buxheti Europian në ndihmë të Urologjisë.

    4. Duhet të shtohet ndihma në rritjen e numrit të urologëve dhe seksologëve të rinj për trajnimin e tyre në klinikat e specializuara Europiane, sepse qëllimi i shoqatës sonë është rritja e cilësisë në kujdesin ndaj pacientit.

    5. Shkolla Europiane e Urologjisë( ESU) duhet të vazhdojë të ekzistoje se është ndihmë e madhe, veçanërisht për urologët e rinj.

    6. Duhet të standardizohet njësoj etiketimi për të gjithë specialistët e Urologjisë në çdo vend.

    7. EAU duhet të mbështesë financiarisht zhvillimet e shërbimeve urologjike në vendet e varfra të Europës siç është Shqipëria dhe kjo të bëhet në bashkëpunim me shoqatat nacionale.

    Sugjerimet

    Diskutimi im në analizën vjetore të Urologjisë Europiane ishte sipas programit të dërguar dy muaj më parë nga EAU.

    Sponsorizimi në Urologji nga Industria. Sponsorizimet në Shqipëri nga industria janë shumë të vogla, sepse Shqipëria është vend me popullsi të vogël dhe për këtë arsye xhiro monetare e kompanive farmaceutike është e vogël dhe për këtë arsye nuk mund të bëjnë sponsorizime cilësore, por vetëm grimca të vogla. Këtu vura theksin që programi ynë shkencor nuk duhet të shkatërrohet nga interesat e kompanive industriale. Theksova që shkenca duhet të jetë në vijë të parë dhe interesat e industrisë në vijë të pestë.

    Përpilimi i Guidelines të EAU. Në shtator 2012, Prof. Francesko Montorsi, Chief editor i Publikimeve Urologjike Europiane, më ka dërguar një letër zyrtare, ku më jepte Titull Nderi: “Prof. Kim, emër i spikatur në Botimet Urologjike Europiane”. Në bazë të këtij “Titulli Nderi”, më kërkonte të studioja Guidelines e EAU, për të paraqitur mendimet e mia personale në përpilimin e tij. Në bazë të këtij statusi kërkova një ndryshim rrënjësor në Guidelines e EAU në kapitullin e Menaxhimit te Simptomave të Traktit të Poshtëm Urinar(LUTS). Emërtimi i zmadhimit të prostatës, i cili ekziston edhe këtu në rregulloren e ISKSH-së së Shqipërisë është- BPH (Hyperplazia beninje e prostatës), si dhe emërtimi- BPE (Zmadhimi beninj i prostatës). U kërkova që këto dy emërtime -BPH, BPE, të mos përdoren më si bazë për trajtimin e zmadhimit të prostatës, sepse: BPH është diagnozë histologjike, 90% e burrave mbi 60 vjeç kanë BPH histologjie, po rreth 1/2 kanë zmadhim të ndonjë gjendre të prostatës dhe vetëm 1/4 e këtyre bëjnë obstruksion (ngushtim të kanalit të urinës-Uretres). Pra, për të kompletuar këtë paradigmë duhet patjetër të hiqet dorë nga termi LUTS/BPH, i cili është një term që nuk ndihmon në kurimin real të pacientëve dhe të vendosim termin e ri LUTS/BPO (Obstruksioni Beninj i Prostatës) dhe vetëm në këtë rast, pra, kur pacienti ka obstruksion të qafës së uretrës nga zmadhimi i prostatës, Urologët duhet t’ia fillojnë mjekimin pacientit. Ky emërtim i ri do të bëjë që të ulet shumë numri i pacienteve në të gjithë botën që mjekohen GABIMISHT, gjoja për zmadhim prostate si dhe i atyre rasteve të shumta që operohen gabimisht, gjoja për zmadhim prostate, duke i vënë diagnozën e gabuar HBP. Theksova se në botë e aq më keq në Shqipëri po mjekohet “Echo e Prostatës”(kanë prostatë të rritur dhe nuk kane simptoma bezdisëse) dhe jo ajo që duhet të mjekohet pra: Obstruksioni. Ky diskutim në këtë pikë pati shume interes dhe u vlerësua shumë nga drejtuesit e takimit dhe kolegët Europianë.

    Informimi i Pacienteve: Shoqata jonë (AUSA) ka në statut: “Ne jemi ombrella e interesave të pacientit”. Roli i AUSA është asistimi tek pacientët tanë që vuajnë nga problemet urologjike dhe defektet seksuale. Ne informojmë pacientët për sëmundjet Urologjike & Seksologjike dhe kjo i ndihmon ata në përmirësimin e shëndetit dhe cilësinë e jetës së tyre.

    Mundësitë e Edukimit Profesional nga EAU. EAU duhet të na ndihmojë që procedurat e reja Endoskopike-Laparoskopike (kurimi pa derdhje GJAKU), të futen dhe në Shqipëri, siç po ndodh në vendet e zhvilluara të Europës dhe kjo do të mundësojë shërbim më të mirë ndaj pacientëve tanë. Ëndrrat e mia janë që inovacionet e reja në Urologji dhe Seksologji do të vazhdojnë të sigurojnë kujdes më të mirë dhe më shërues për pacientet tanë. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë dhe kemi akoma shumë për të bërë, sepse tani: “Ne jemi në Mijëvjeçarin e Tretë”.