Prof. As/Dr. Dine Merja/ Shpëtimi i Lazaratit, kontrabanda narkotike dhe kanabisi

    427
    Sigal

    Lazarati nuk ra, Lazarati u ngrit, u shpëtua nga llumi i kontrabandës dhe kriminalitetit ku e kishin   katandisur sekserët e antishtetit të korruptuar deri në palcë. Qeveria e Rilindjes, në vigjilje të njëvjetorit të saj i ktheu Lazaratit lirinë, e çliroi atë nga kthetrat e kontrabandistëve, që e kishin futur këtë fshat me vlera e tradita patriotike në hullinë e interesave të padronëve pushtetarë. Lazaratasit, fituan të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Gjykoj, se sot lazaratasit duhet të  festojnë ditën e çlirimit të tyre nga një regjim kriminal ku e kishin futur. Në Lazarat, nuk do të lulëzojnë më bimët vrastare, helmatisëse për të gjithë territorin e fshatit dhe mjediset shtëpiak

    e familjare, ku mbaheshin e përpunoheshin primitivisht nën presionin dhe interesin kriminal. Antishteti kriminal e kishte lënë këtë fshat me mbi 5 mijë banorë, në një aktivitet kontrabandë të rrezikshëm toksik, me pasoja shëndetësore të ngadalshme për njerëzit dhe kafshët e veçanërisht për fëmijët, jashtë çdo rregulli teknik për sigurinë dhe mbrojtjen antitoksine, jashtë kontrollit higjieno-sanitar shtetëror të mjedisit sidomos atyre shtëpiake dhe përpunuese të bimëve toksike narkotike. Bimët dhe nënproduktet toksike narkotike ishin futur e shpërndarë në çdo mjedis, qoshe e skute familjare, ku bashkë me to gatuhej, ushqehej, flihej në ajrin e ngopur me substancat toksike të marijuanës, hashashit apo hashit. Kurrkush, nuk merrte vesh dhe nuk kishte mbrojtjen e shtetit për fëmijët dhe banorët e Lazaratit nga rreziku dhe pasojat e sëmundjeve narkotike. Madje, siç dihet, çdo aktivitet prodhues e përpunues, sado i parrezikshëm, jo vetëm duhet të jetë i licencuar ligjërisht, por edhe i kontrolluar paraprakisht dhe vazhdimisht për sigurinë dhe mbrojtjen shëndetësore të komunitetit, sidomos për prodhimet me rrezikshmëri toksike të mjedisit, të njerëzve dhe fëmijët e tyre siç janë bimët dhe produktet e tyre narkotike. Kjo nuk ka ndodhur në Lazaratin e lënë në izolimin kriminal të tij për rreth një dekadë. Lazaratasit duhet të festojnë, se ata jo vetëm u çliruan nga kthetrat e kontrabandistëve, siç po luftohet në shumë rajone të prapambetura të botës (Afganistan, Kolumbi, në Azinë juglindore e qendrore, në Amerikën Latine, Indi etj.), por se lazaratasit do të integrohen në aktivitete të tjera me vlera të padiskutushme për jetën dhe mirëqenien e tyre dhe të brezave të ardhshëm. Në Lazarat shumë shpejt, vendin e bimëve vrastare narkotike do ta zënë padyshim plantacionet e frutave dhe perimeve, të arrës, mollëve, qershive, kumbullave, rrushit, dardhës, ftoit, kërpudhave në mjediset e mbyllura, shumëllojshmërisë së perimeve, bimëve mjekësore dhe etero-vajore me vlera të padiskutueshme në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar. Në Lazarat do të zhvillohet padyshim blegtoria, prodhimet bujqësore e blegtorale, bletaria, pularia etj.. Përpunimi dhe prodhimi familjar për treg i frutave dhe perimeve të freskëta, i reçelrave, kompostove të ndryshme, i mjaltit, i nënprodukteve të qumështit, mishit, kërpudhave etj. Lazarati do të kthehet padyshim në një vend të lakmuar turistik gjithëvjetor me potencial të madh qytetërimi dhe fitimi.

    Kontrabanda narkotike. Kultivimi kontrabandë i bimëve narkotike (kanabisi, hashashi etj..) për prodhimin e drogës, përbën një problem të madh në disa vende të botës, sidomos në Afganistan, Marok, Kolumbi, në  Azinë  juglindore, në  Amerikën  latine  etj. Në  këtë  aktivitet  përfshihen  që  nga fshatarët dhe fermerët, si hallkë e parë e prodhimit, përpunimit dhe ambalazhimit të drogës e deri në transportimin dhe tregtimin e saj tek narkomanët klandestinë. Ky zinxhir kontrabande, është aset i një rrjeti të gjerë trafikantësh, mafiozësh dhe pushtetarësh të lidhur ngushtë ndërmjet tyre, për shkak të vjeljes së të ardhurave të konsiderueshme monetare. Rrjeti ndikon fuqishëm edhe në të gjitha hallkat qeverisëse të vendeve për komprometimin dhe korruptimin e tyre në interes të saj. Është pikërisht kjo lidhje, që favorizon zhvillimin e vrullshëm të këtij aktiviteti dhe pengon suksesin e një lufte të shpejtë shpartalluese të tij. Prapambetja shoqërore, varfëria dhe mungesa e shtetit ligjor, janë shtrati më i favorshëm për lulëzimin e prodhimit, përpunimit, korruptimit dhe trafikimit të drogës. Shqipëria në dy dekadat e fundit e ka plotësuar më së miri këtë shtrat, duke e lënë vendin në stanjacion, varfëri dhe prapambetje të thellë ekonomiko-shoqërore, jashtë Bashkimit Europian. Qeveritë dhe politika e dy dekadave të fundit në Shqipëri, kanë vringëlluar armët dhe ligjet me demek luftën pa kompromis të këtij aktiviteti, ndërsa ai është përhapur me shpejtësi dhe lehtësi në mbarë vendin duke krijuar madje “zona narkotike autonome për prodhimin e drogës” të pa prekura nga shteti. Mbjellja e marijuanës është shtrirë në të katër anët e Shqipërisë, deri në territoret e thella malore të bjeshkëve të namuna. Ajo po bëhej gradualisht kultura bujqësore “potenciale” e vendit. Nuk mund të merret me mënd, që operacionet policore të antidrogës kishin asgjësuar bimët narkotike deri në Drimua e Baçkovë të Nivicës së Kurveleshit, territore këto shumë të thepisura midis maleve, humnerave, pyjeve, shpellave dhe katarakteve thikë, ku dhe zogu fluturon ngadalë. Qeveria e “Rilindjes” së sotme, duket se e ka marrë seriozisht këtë luftë pa kompromis për nxjerrjen e Shqipërisë nga lista e vendit më të korruptuar në Europë. Në  këtë  zhvillim,  mendoj  se  qeveria  e  “Rilindjes”  dhe  Policia  e  Shtetit  meritojnë  një mbështetje mbarë popullore për të ecur shumë më përpara, drejt shpartallimit të drejtësisë së korruptuar dhe ndërtimit të një sistemi të ri drejtësie, që nga themelet e saj. Miratimi së fundmi i statusit-kandidat të vëndit tonë për në Bashkimin Europian, është gjithashtu një ogur i mirë se po fillon të ndihet shteti edhe në Shqipëri pas rreth dy dekadash rrumpallo-klientelizëm.

    Kanabisi (marijuana  dhe hashashi).  Kanabisi  ose  kërpi  është  një  bimë  njëvjeçare  me  emrin botanik Cannabis sativa L, me tre varietete kryesore: Cannabis sativa, Cannabis indica dhe Cannabis ruderalis. Kjo bimë kultivohet në vende me klimë të butë tropikale, që i përshtatet edhe vendit tonë. Disa kultivarë të kanabis -sativa, që kanë lastarë të gjatë dhe të butë, rriten deri 6 m lartësi dhe janë të seleksionuar për prodhimin e fibrës së butë të destinuar për qëllime industriale në prodhimin e letrës, të litarëve, thasëve etj. Në varësi të përmbajtjes së substancave psikoaktive: Tetrahidrokanabinolit (THC) dhe kanabidiolit (CBD), kanabisi kultivohet në dylloj varietetesh të seleksionuara: Cannabis sativa dhe Cannabis indica. I pari përmban më shumë THC dhe më pak CBD, ndërsa i dyti përkundrazi, më shumë CBD dhe më pak THC. Bimët e kanabis- sativa, kanë gjethe më të ngushta, trup më të lartë dhe cikël vegjetativ më të madh. Përkundrazi, ato të Cannabis indica, kanë gjethe më të gjëra, trup më të ulët dhe cikël vegjetativ më të vogël. Në rajone të ndryshme të botës, kërpi apo kanabisi zakonisht njihet me emërtime të ndryshme si: kërp, kanabis, marijuanë, hashash. Megjithatë, zakonisht me marijuanë nënkuptohen lulesa, gjethe dhe  lastarë  të  thara  të  bimëve  të  kanabisit  të  pasura  me substanca psikoaktive, si THC (me përmbajtje 2-3 deri 20% THC). Përpunimi i marijuanës në produkte me përmbajtje më të koncentruara të THC dhe CBD, në trajtë rrëshire ngjyrë çokollate, quhen hashash, ndërsa në trajtë vaji të zi, vaj hash. Substancat psikoaktive përmbahen më tepër në lulesë, më pak në gjethe, kërcej dhe farë të kanabisit. Në bimët e kanabisit, janë identifikuar mbi 400 lloje substancash kimike, por vetëm një grup specifik, prej 66 substancash kimike të quajtura kanabinoide, janë specifike vetëm për këtë bimë. Kanabisi në formën e marijuanës, të hashashit ose të vajit hash, përdoren zakonisht nga narkomanët duke thithur substancat psikoaktive në formë cigaresh (duhan i përzier me marijuanë), çaji ose pije freskuese me shtesa narkotike, me ushqime ose sallatë, me përtypje etj. Substancat psikoaktive depërtojnë gradualisht në organizmin e njeriut edhe nëpërmjet ajrit të mjedisit, ku ruhen dhe përpunohen vazhdimisht bimët dhe nënproduktet narkotike të tyre, në kushte primitive siç edhe veprohej në Lazarat, të cilat dëmtojnë shëndetin në mënyrë akumulative. Marijuana  dhe nënproduktet e përpunimit të saj përfshihen në klasën e 1-rë të drogave me potencial të lartë abuzimi. Tymi i marijuanës përmban 50-70 %, më shumë substanca kancerogjene në krahasim me tymin e duhanit dhe është më potencial në shkaktimin e kancerit të mushkërive dhe të traktit respirator në përgjithësi. Ai thithet më thellë dhe mbahet më gjatë se tymi i duhanit, duke rritur ekspozimin e mushkërive ndaj substancave kancerogjene. Substancat psikoaktive të kanabisit janë THC dhe DBD, të cilat përthithen shpejt nga organizmi duke shfaqur menjëherë efektin psikoaktiv. Ky efekt shprehet me një sërë simptomash: Shtimi i rrahjeve të zëmrës, rritja e presionit të gjakut, rritja e frekuencës të frymëmarrjes, skuqja e syve, tharja e gojës, rritja fillimisht e apetitit ose e përtypjes, rënia e kohës së reagimit, qetësi, eufori, ankth, paranojë, depresion, humbje e përkohshme e memories etj. Në varësi të dozës narkotike, përdorimit sistematik, individualitetit imun dhe të sëmundjeve shoqëruese, këto efekte mund të jenë kalimtare, të gjata, ireversible ose me pasoja shëndetësore komplekse, me rritjen e riskut kancerogjen etj.. Është konstatuar gjithashtu, se përdorimi i marijuanës ndikon në uljen e nivelit të testosteronit të meshkujve si dhe të cilësisë dhe numrit të spermatozoideve  në spermën e tyre e për pasojë në uljen e fertilitetit. Përdorimi i marijuanës shkakton një efekt psikologjik për nevojën e përdorimit sistematik të saj, një mbyllje në vetvete të narkomanit dhe një gjendje psikopatie, ankthi, fiksasioni, agresioni, gjendje depresioni dhe anoreksie. Lidhur me pasojat shëndetësore të sipërpërmendura, mendoj se Ministria e Shëndetësisë duhet të marrë masa të menjëhershme në bazë të një programi mjekësor të studiuar e detajuar për kontrollin dhe diagnostikimin e gjithë banorëve të Lazaratit, të cilët kanë qenë për një kohë të gjatë në mjedise me lëndë narkotike dhe jashtë çdo sigurie dhe kontrolli shëndetësor periodik. Një kontrolli të tillë duhet t’ i nënshtrohen edhe punonjësit e policisë që morën pjesë në operacionin e denarkotizimit të këtij fshati, veçanërisht të ekspozuar ndaj pluhurit, ajrit dhe tymit të djegies së lëndëve narkotike.

    Asgjësimi i bimëve narkotike. Nga emisionet televizive shikojmë, se si policia është e angazhuar në mënyrë të mundimshme për prerjen dhe shkuljen e bimëve të mëdha të kanabisit në zonat rurale, fushore, kodrinore apo malore. Ky stërmundim me vegla primitive dhe rendiment të ulët, mendoj se nuk është efikas. Mesa duket, ai nuk është i organizuar dhe drejtuar nga specialistë të kualifikuar dhe i pajisur me teknikën racionale për ta realizuar këtë asgjësim jo vetëm në kohën e duhur të zhvillimit vegjetativ të bimëve, por edhe me mjetet përkatëse. Duke e bërë këtë luftë me programe teknike dhe organizim të kualifikuar, asgjësimi i ngastrave apo plantacioneve të mbjella me bimë narkotike mund të bëhet më i moderuar, pa shumë sfilitje për punonjësit e policisë dhe me rendiment shumë më të madh asgjësimi. Në eksperiencën dhe opinionin tim lidhur me këtë do të sugjeroja sa më poshtë:

    1.  Së pari, institucionet shtetërore përgjegjëse për këtë asgjësim (Administrata vendore, Policia dhe Shërbimi Informativ) si dhe sensibilizimi i informacionit publik konspirativ, duhet të evidentojnë zonat më problematike të kultivimit të kanabisit, ku do të përqendrohet goditja kryesore asgjësuese në momentin e duhur.

    2.  Së dyti, asgjësimi mundësisht duhet filluar jo në periudhën e vonë të zhvillimit vegjetativ të kanabisit, kur bimët janë bërë si “lisi me dega” nga 3-4 metra të larta dhe me masë të madhe vegjetative, siç edhe po veprohet praktikisht nga policia. Kjo është shumë e lodhshme, bëhet me vegla primitive, me rendiment shumë të ulët dhe në favor të trafikantëve, që shpejtojnë vjeljen  e  prodhimit (mbledhjen  e  lulërisë, të  gjetheve  dhe  lastarëve  të  bimëve). Asgjësimi  i bimëve,  duhet të fillojë dhe të vazhdojë në mënyrë masive sidomos gjatë periudhës Mars- Qershor, kur bimët janë relativisht të vogla (10-50 cm lartësi), lehtësisht të asgjësueshme dhe me rendiment asgjësimi shumë herë më të madh.

    3.  Së treti, asgjësimi i bimëve nuk duhet bërë me vegla primitive (kazma, sëpata e thika) siç edhe na shfaqen në kronikat televizive, por me teknologji mekanike dhe agrobiologjike të kohës. Kur asgjësimi bëhet në periudhën e parë të vegjetacionit të bimëve (deri në lartësinë e bimëve 10-50 cm), duhet të përdoren kryesisht metodat me spërkatje me kimikate të parrezikshme për mjedisin por 100% asgjësuese për bimët. Spërkatjet me pompa shpine, të lehta plastike, shumë praktike dhe komode, me rendiment asgjësimi pa kufi. Në pompë hidhet një paketë me disa gram kimikate dhe shtohet thjesht ujë në të dhe me të spërkaten bimët. Ndërsa, kur asgjësimi i bimëve bëhet në periudhën Qershor-Shtator, domethënë në fazën e zhvillimit vegjetativ masiv të bimëve (me lartësi mbi 70-80 cm) atëherë duhen përdorur prerëse dore automatike komode me bateri, periodikisht të karikueshme dhe me rendiment të konsiderueshëm prerje siç veprohet edhe në vendet e tjera me probleme të tilla. Kurse grumbullimi pas prerjes dhe djegia e tyre, është proces relativisht i thjeshtë dhe i shpejtë. Praktikisht, dy persona presin ndërsa dy të tjerë grumbullojnë dhe djegin, për një plantacion të tërë, brenda disa orëve.

    4. Së katërti, të gjitha shpenzimet e bazës materiale të nevojshme për asgjësimin e bimëve narkotike, si  dhe  për  trajtimin  suplementar  të  punonjësve  të  policisë  apo  të  ushtrisë  të angazhuar në këtë asgjësim, mendoj se duhen përballuar nga gjobat dhe konfiskimi i fondeve bankare të trafikantëve dhe kontrabandistëve të drogës. Lufta sistematike për asgjësimin dhe çrrënjosjen përfundimtare të bimëve narkotike mund të jetë relativisht e gjatë, prandaj edhe organizimi dhe metodat e asgjësimit duhet të jenë sa më racionale dhe komode për policinë dhe punonjësit e angazhuar në këtë proces.

    5. Së fundi (jo nga rëndësia por nga radha), të gjithë punonjësit e policisë apo të ushtrisë, që angazhohen  në  asgjësimin  e  bimëve  narkotike  duhet  të  jenë  të  informuar  ndaj  rreziqeve eminente  të  këtyre  bimëve  për  shëndetin  e  tyre  gjatë  asgjësimit (prerjes  dhe  tymrave  të djegies), të kenë trajtim te veçantë ushqimor dhe kontroll periodik mjekësor të plotë (kliniko- biokimik).