Prof. As. Dr. Ago Nezha/ E drejta natyrore e pronës

    429
    Sigal

    Përparësitë që rrjedhin nga prona private u injoruan nga politika shqiptare me ndërrimin e sistemeve

     Të parët tanë u lindën, u rritën dhe derisa ndërruan jetë patën moralin e dashurisë për pronën vetjake si burim jetese, marrëdhëniesh shoqërore dhe ruajtjen e personalitetit të tyre. Me pronë private ata kuptonin fuqinë për të zotëruar pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme që trashëgonin si persona juridik dhe fizik. Në ekonominë moderne nocioni pronë private është tepër i gjerë. Ai përfshin, veç sa më lart, edhe të drejtat obligative si pjesëmarrja në aksione, letrat me vlerë, bashkëpronësia, prona e përbashkët dhe të gjitha të drejtat materiale si krijimtaria, e drejta e autorit, pra gjithçka që paraqet një pasuri. Ndërsa tek ne prona kufizohet në një nocion tepër të ngushtë, brenda kuadrit të banesës apo tokës që disponon.

    Përparësitë që rrjedhin nga prona private u injoruan nga politika shqiptare me ndërrimin e sistemeve. Prona u tjetërsua pa ruajtur kriterin e trashëgimisë familjare. Kjo ndërhyrje arbitrare e shtetit mbi mohimin e trashëgimisë së pronës, dhe shpërndarjen e saj mbi parime sociale, ka krijuar një anomali në shoqërinë shqiptare. Me vendosjen e pluralizmit demokratik, që presupozon zgjerimin e lirisë njerëzore, duhesh që prona të shkonte te pronari që ishte grabitur nga sistemi kolektiv. Vetëm kështu do të korrigjohesh padrejtësia historike dhe do i sigurohej çdokujt një hapësirë e domosdoshme autonomie personale dhe familjare. Veçanërisht fshatari ynë, me botëkuptimin e tij tradicional, nocioni i punës private përkon me dashurinë e tij për tokën dhe bagëtitë që i garantonte atij pavarësinë, lirinë e zotërimit të autonomisë në lidhje të ngushtë me dinjitetin dhe personalitetin njerëzor dhe familjar. Në kufijtë e pronës së tij private ai ushtronte kompetencat dhe përgjegjësitë brenda familjes, por njëkohësisht edhe shoqërisë dhe shtetit. Prona private i kishte fisnikëruar njerëzit deri në atë nivel përgjegjësie dhe shkalle morali sa që të mendonin jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Duke iu referuar një fshati me tradita të vyera, që kishte një ekonomi të fuqishme tokë pa kufi, bagëti rreth 120.000 krerë në qeverinë e Zogut, pa folur ato që fshiheshin për efekte taksash dhe burime natyrore të shumta, prona private i jepte frymëmarrje një shkëmbimi natyror sipas nevojave të fqinjëve pa u zyrtarizuar, por krejt spontanisht dhe paqësisht. Ishte prona private ajo që iu ofronte atyre mundësinë për t’u bërë mirë të tjerëve pa interes. Ka shembuj të shumtë që pa praninë e shtetit kur një fshatari i ndodhte një fatkeqësi njerëzore apo natyrore apo kishte shumë fëmijë dhe se përballonte dot jetesën normale me iniciativën e një personi i grumbulloheshin ndihma që jo vetëm përballonte dhe tejkalonte fatkeqësinë por krijonte vazhdimësinë e jetës në një rrjedhje krejt normale. Siguria dhe avantazhet e pronës private kishin krijuar marrëdhënie respekti dhe besimi jo vetëm brenda familjes prind-fëmijë, burrë-grua, por edhe në komunitetin e gjerë të fshatit. Kjo edukatë u shpërbë dhe solli çrregullime në marrëdhëniet njerëzore me zhdukjen e pronës private. Prona private favorizonte ndjenjën e përgjegjësisë dhe rritjen e kompetencave brenda ekonomisë personale, ndërsa prona e përbashkët çoi në çrregullime dhe konfuzion sepse i bëri të gjithë të shpërgjegjësohen dhe njëkohësisht asnjërin para një prone pa autorësi konkrete. Ky sistem marrëdhëniesh e zhveshi njeriun nga dashuria për pronën, për punën dhe për njerëzit dhe solli një skllavëri ekonomike dhe shpirtërore, pasojat dhe efektet po i përjetojmë edhe sot në përmasa tragjike.

    U bënë 15 vjet nga ndryshimet e sistemit duke zëvendësuar sistemin e centralizuar me ekonominë e tregut të lirë dhe përsëri nuk është arritur të rikuperohet ndërgjegjja shoqërore dhe qëndrimi dhe sjellja ndaj pronës. Prona e përbashkët i mësoi njerëzit të jenë të papërgjegjshëm, të tundohen nga e keqja dhe të mos i rezistojnë dot abuzimeve. Të qenët në një sistem të centralizuar për një periudhë të gjatë e kërcënoi dhe e shpërbëri lirinë dhe dinjitetin e njeriut. “Kur shteti bëhet i vetmi pronar, pacenueshmëria dhe liria e drejtë e njeriut kërcënohen aq shumë sa që “bashkësia civile do të ishte më tepër për t’iu shmangur se sa për t’u dëshiruar”, shkruan sociologu J. Hëfner.

    Pronën private, skolastika e lashtë, e ka bazuar në ‘jus gentium’ (e drejta pozitive) e jo mbi ‘jus naturae’. Në vitin 1840 Luixhi Tapareli d’Axelio, ishte i pari që përcaktoi se prona private rrjedh nga “e drejta natyrore”. E drejta katrore, pavarësisht nga çdo ligj njerëzor, dikton futjen e pronës private.

    Ajo që po ndodh sot në Shqipëri me pronën ka të bëjë me aspektin e dyfishtë të saj, pra me funksionin individual dhe social. Si të gjithë elementët e tjerë të jetës shoqërore, prona nuk është aspak e pandryshueshme. Në një shoqëri moderne evulative prona private nuk përbën për askënd një të drejtë të pakufizuar dhe shtohet me ritme të larta, askush nuk është i autorizuar të mbajë në përdorim vetjak ekskluziv, atë çka e tejkalon nevojën e tij, kur të tjerëve u mungon e domosdoshmja. Në këtë vështrim e drejta e pronës nuk duhet të ushtrohet kurrë në dëm të dobisë së një komuniteti të përbashkët.

    Përvoja e këtij 15- vjeçari në të sjellurit e tokës, duke e përdorur pa kriter, duke e abandonuar, duke ndërtuar banesa në toka buke, duke shkatërruar pjellorinë fizike të saj ka të bëjë me nisma të përgjegjësisë vetjake. Shpronësimi i pronarëve, dhe krijimi i pronarëve të rinj, lënia e tokës në përdorim, mungesa e studimit të zonës bregdetare ka krijuar pakënaqësi dhe konflikte për pabarazinë e krijuar në këto vite të pluralizmit. Ligji për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje, ka qenë i vonuar dhe për rrjedhojë e ka humbur në mënyrë shqetësuese funksionin e nxitjes dhe konsolidimit të nismës e të përgjegjësisë vetjake. Në harkun kohor prej 15 vjetësh është krijuar në forma spekulative një pabarazi e madhe ndërmjet një pakice shumë të pasur dhe të varfërve të panumërt që ka ngjallur një pakënaqësi sociale. Ndarja e pasurisë dhe të ardhurave është bërë jashtë kriterit të hipotekës sociale dhe pronarit legjitim dhe nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë sociale.