Procedurat që duhen për regjistrim nga 1 tetori dhe rregullat që duhen ndjekur për Formularin A3

    398
    Sigal

    Flet Drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu për mundësinë e dytë të maturantëve që nuk janë shpallur fitues

    Ka ende një shans për të gjithë ato maturantë që nuk e kanë gjetur veten e tyre fitues në një nga programet e studimit për vitin e ri akademik 2012-2013. Mundësia e vetme për të gjithë ata maturantë që kishin dëshirë për të ndjekur studimet e larta, por që për arsye të ndryshme nuk dolën fitues është dalja e Formularit A3. Data e saktë për daljen e këtij formulari nuk është caktuar ende nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por sipas një përllogaritje të thjeshtë rezulton që ky formular të jetë në duart e maturantëve brenda datës 20 tetor. Një fakt të tillë e bën të ditur Drejtori i Arsimit Parauniversitar pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Fatmir Vejsiu, në një prononcim të dhënë për “Telegraf”. Ai ka sqaruar se: “Dalja e Formularit A3 është një mundësi e dytë për ato maturantë që nuk arritën që të shpallen fitues në listat e para të fituesve për në universitet për vitin e ri akademik. Nga data 1 tetor do të dalin listat e fituesve dhe nga kjo datë deri në datën 7 do të bëhet regjistrimi në universitet”. Sipas zotit Vejsiu, pas bërjes së regjistrimit në javën e parë të tetorit do të hartohet formulari me kuotat e mbetura bosh. Një rëndësi të veçantë do të marri faza e hartimit të këtij formulari, pasi do të nxirren të gjitha vendet e mbetura bosh. Kjo është e rëndësishme sepse është e fundit për të tërë ato maturantë që nuk arritën të shpallen fitues. Në lidhje me datën e saktë zoti Vejsiu nuk ka dhënë ndonjë informacion të detajuar për arsye se ende nuk është përcaktuar. Ai ka shtuar se: “Nuk mund të jap ende një datë të saktë por nga njëzet ditëshi i parë i tetorit besoj që do të dali formulari. Data e saktë nuk mund të jepet për aq kohë sa Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka vendosur ende, për faktin se nuk janë nxjerrë të dhënat që duhen për këtë formular”.

    Momentet më të rëndësishme për Formularin A3

    Zoti Vejsiu në lidhje me kuotat e mbetura bosh nga faza e parë e regjistrimit on-line, ka sqaruar se,”janë afërsisht 5500 kuota që kanë mbetur nga faza e parë, ku një pjesë nuk kanë preferuar që të regjistrohen në programin që janë shpallur fitues dhe një pjesë tjetër u ka dalë e drejta e studimit për jashtë shtetit pavarësisht se kanë qenë regjistruar edhe këtu”. Sipas tij, është faza e tretë ajo që do të mbushet me aplikimet që do të bëhen në Formularin A3. “Ashtu siç e thash edhe më lart kjo periudhë ndahet në disa momente të rëndësishme tani. Një moment mjaft i rëndësishëm është faza e parë nëse do ta quaja kështu që fillon pas daljes së listës së fituesve nga data 1 tetor. Kjo nuk mbaron me kaq sepse do të ketë një javë regjistrime në sekretari. Pas kësaj faze do të shihet me vëmendje se kush janë vendet bosh dhe në bazë të vendeve bosh do të hartohet edhe Formulari A3”, ka theksuar drejtori Vejsiu. Me një përllogaritje që mund të bëj tha Vejsiu i bie që nga njëzet ditëshi i parë i tetorit të dali Formulari A3 për të gjithë ato maturantë që nuk janë shpallur fitues në fazën e parë.

    ZËVENDËSIMI I 5500 KUOTAVE

    Rreth 3000 maturantë kanë refuzuar regjistrimin në degët ku janë shpallur fitues, pasi nuk kanë preferuar që të fillonin shkollën e lartë në degët që ishin shpallur fitues. Ndërkohë që sipas informacioneve të dhëna nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës rreth 2500 persona të tjerë do të ndjekin studimet e larta jashtë vendit, pavarësisht se kanë aplikuar edhe në universitetet publike. Sipas Ministrisë së Arsimit, një pjesë e degëve të papreferuara do të përdoren si fond për aplikimin me formularin A3. “Aktualisht janë regjistruar rreth 21 500 maturantë. Një pjesë kanë vendosur të mos kryejnë këtë proces për shkak të degëve të papreferuara. Një pjesë tjetër do të nisin studimet jashtë. Ndaj pavarësisht se ne vendosëm të shtyjmë afatin, procesi thuajse është i mbyllur për këtë”, është bërë e ditur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.