Procedurat për shqiptarët për të marrë azilin në Europë

    422
    Procedurat e kërkesës për azil
    Kohët e fundit në Gjermani janë paraqitur shumë kërkesa për azil, duke shënuar kështu një numër rekord azilkërkuesish brenda një kohe shumë të shkurtër. Radio gjermane DW jep të gjitha detajet zyrtare: “Ai që vjen si refugjat në Gjermani, duhet të paraqesë fillimisht ose te një autoritet i kufirit, te policia ose te autoritete të tjera një lutje për azil. Pastaj personi dërgohet në një kamp ku mblidhen refugjatët, në një të ashtuquajtur institucion të parë të regjistrimit. Se në cilin institucion shkon dhe në cilin land të Gjermanisë, kjo varet zakonisht nga i ashtuquajturi çelës i Konigsteinit. Në bazë të tij, azilkërkuesit duhet të shpërndahen në Gjermani në mënyrë të barabartë në të 16 landet gjermane. Sa më shumë banorë ka një land, aq më shumë refugjatë i duhet të pranojë. Në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë (NRW) dërgohen për shembull 21% e refugjatëve, në Brandenburg vetëm 3% e refugjatëve. Megjithatë ndarja nganjëherë bëhet edhe në bazë të faktit se në cilin institucion ka ende vende të lira. Këto janë elementë të rëndësishëm për të ditur të drejtat dhe detyrimet që ke si azilkërkues”.
    Sigal

    Stacioni i parë

    Në institucionin ku regjistrohesh për herë të parë të duhet fillimisht të banosh. Shpesh kemi të bëjmë me një territor të rrethuar me tela, me polici, mjek, mensë dhe salla gjumi për shumë vetë. Çdo azilkërkues ka vetëm 6,5 metra katrorë në dispozicion për të banuar. Për ushqim, në rast nevoje për veshje, vaksinim ose ndihmë tjetër kujdeset institucioni. Fëmijët marrin ndihmë shtesë, në mënyrë që të shkojnë në shkollë. Në kampet e regjistrimit të parë merren edhe të dhënat personale, bëhen fotografi dhe merren gjurmët e gishtave. Gjurmët e gishtave i dërgohen pastaj Zyrës Federale të Policisë Kriminale. Atje, me anë të një baze evropiane të dhënash shqyrtohet nëse ke paraqitur kërkesë për azil në ndonjë vend tjetër. Punonjësit e Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF), përgjegjës për çështjet e azilit, të pyesin në kamp për shkaqet e azilit, sepse në çdo lutje që paraqitet në plan të parë është fati i individit. Në marrjen jopublike në pyetje duhet t’i paraqesësh me gojë shkaqet për një azil – një përkthyes është i pranishëm. Për bisedën, të dyja palëve u jepet një protokoll. Pastaj vendoset nëse hapet procesi i azilit. Nganjëherë nuk ke fare të drejtë të kërkosh azil, sepse për kërkesën është përgjegjës një shtet tjetër i BE. Në këtë rast të dërgojnë menjëherë atje.

    Stacioni i dytë

    Pas tre muajve merr fund detyrimi për të banuar në një kamp të regjistrimit të parë. Pastaj azilkërkuesit dërgohen në qarqet e secilit land federal. Atje banojnë shumicën e herëve në banesa të përbashkëta, të cilat financohen nga financues privatë ose nga shoqata të bamirësisë. Ka komuna që vënë edhe apartamente në dispozicion. Ka refugjatë që kërkojnë të strehohen atje ku jetojnë edhe të afërmit e tyre. Kjo duhet respektuar vetëm në rastet e bashkëshortëve ose të fëmijëve të mitur. Që prej fillimit të vitit ke të drejtë të lëvizësh lirisht në Gjermani, përpara ekzistonte detyrimi për të qëndruar në një zonë të caktuar. “Strehimet pasuese” nuk financohen më nga landet federale, por nga qarqet dhe komunat. Ato marrin një shumë të caktuar afrofe nga landet federale për strehimin e refugjatëve. Këtu ka ndryshime të mëdha. Landi i Bavarisë për shembull thotë se i përballon vetëm 100% të shpenzimeve. Lande të tjera nga ana tjetër përballojnë vetëm 20% të shpenzimeve. Shanset që të gjesh një vend pune zakonisht nuk janë të mira. Por pa punë merr maksimalja 352 euro në muaj, ku paguhen edhe shpenzimet për një banesë eventuale e shpenzimet e ngrohjes. Por edhe pas kësaj ka ndihmë financiare, për të cilën nuk janë më kompetente komunat, por federata.

    Vendimi

    Proceset për azil nuk duhet të zgjasin më tepër se tre muaj. Por mesatarisht procedurat vazhdojnë të zgjasin më shumë, nganjëherë më shumë se një vit. Shkak për këtë janë ndër të tjera, numri shumë i lartë i refugjatëve. Përjashtime aktualisht bëhen vetëm për refugjatët nga Siria dhe Iraku, të cilët zakonisht pranohen pas një kohe të shkurtër. Edhe në rastin e refugjatëve nga të ashtuquajtura shtete të sigurta, si Serbia dhe Maqedonia, pra në shtete ku si rregull nuk ka shkaqe politike për një kërkesë për azil, koha e përpunimit të kërkesës është më e shkurtër, “disa ditë”. Vendimin për një kërkesë për azil ta njoftojnë gjithmonë me shkrim, së bashku me argumentimin dhe në rast nevoje me një udhëzim si të marrësh ndihmë juridike dhe një përkthim të tyre. Kur lutja për azil pranohet, të japin leje qëndrimi për tri vjet dhe ke të drejtë të përfitosh nga shërbimet sociale. Pas kësaj kohe, rasti shqyrtohet sërish. Por ka edhe raste të veçanta, “mbrojtjen subsidiare”: ai që kërcënohet në atdhe seriozisht për shembull nga tortura, dënimi me vdekje ose lufta civile, konsiderohet si “person me të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare” dhe lejohet të qëndrojë fillimisht për një vit, pas kësaj kohe rasti i tij rishqyrtohet.

    Kur një kërkesë për azil refuzohet!?

    Vitin e kaluar këtë në Gjermani e përjetuan më shumë se 10.000 vetë, shumicën i kthyen me avion. Por mund ta çosh çështjen para gjykatës administrative. Për këtë të duhet të kesh një avokat. Ka raste kur megjithë se të kanë refuzuar, mund të qendrosh në Gjermani: kjo ndodh në rastet kur vendi yt është në luftë civile dhe drejt tij nuk fluturojnë avionët. Edhe ai që ka një fëmijë me një gjermane, nuk lejohet të dëbohet pa e zgjatur. Ka raste kur një refugjat mund të paraqesë edhe pas refuzimit sërish një kërkesë të re për azil. Një kërkesë pasuese për azil shqyrtohet vetëm atëherë kur ka ndryshuar gjendja juridike (për shembull kur situata në vendin e origjinës tanimë vlerësohet ndryshe) ose kur shfaqen dëshmi për përndjekjen e një refugjati, dëshmi të cilat nuk qenë të pranishme në rastin e parë.

    Azili në Gjermani

    Në gjysmën e parë të vitit në Gjermani janë bërë 179.037 kërkesa për azil. Në krahasim me vitin e kaluar numri i azilkërkuesve është rritur 132%, duke u përshirë këtu lista e dhjetë vendeve kryesore. Ashtu si dhe vitin e kaluar shumica e azilkërkuesve janë të ardhur nga lufta civile në Siri – 34.428 njerëz. Rritjen më të madhe e shënon Kosova. 31.400 vetë kanë ardhur këtë vit në Gjermani, vitin e kaluar ishin vetëm 2437. Edhe nga Shqipëria duan të vijnë gjithnjë e më shumë njerëz në Gjermani. Nga janari deri në qershor erdhën 22.209 vetë. Vitin që shkoi kanë qenë vetëm 3913. Eshtë duke u marrë në konsideratë mundësia për t’i shpallur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, vende të ashtuquajtura të sigurta të origjinës, sepse shanset për t’u njohur si azilkërkues janë shumë të vogla.