Prezantohet Plani për Rininë, Klosi: Objektivi kryesor, edukimi

    369
    Në kuadër të aktiviteteve për 25-vjetorin e Ditës Kombëtare të Rinisë është prezantuar sot në qytetin e Gjirokastrës, Plani Kombëtar për Rininë 2015-2020. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, tha se plani i rinisë është përgatitur nga 12 mijë studentë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të cilët kanë bërë pjesë të planit kombëtar për rininë të gjitha çështjet që shqetësojnë sot rininë shqiptare dhe zgjidhjet respektive për to.
    Sipas Klosit, një nga objektivat kryesore të Planit Kombëtar për Rininë është edukimi i të rinjve.
    “Ky objektiv synon përmirësimin e kurrikulave të lidhura me aftësimin për jetën, cilësinë e arsimit, dhe cilësinë profesionale të mësimdhënës në të gjitha nivelet, përmirësimin e infrastrukturës, dhe krijimin e agjencive të pavarura me ekspertë të jashtëm për monitorimin dhe vlerësimin e sistemit arsimor dhe procesit mësimor në veçanti. Sfidat kryesore në arsimin e lartë përfshijnë nevojën për: rritjen e cilësisë nëpërmjet përmirësimit të kushteve të mësimdhënies; përmirësimin e kurrikulave dhe standardeve në përputhje me standardet më të mira europiane ; lidhjen e strategjive të arsimit, dhe programeve me ato të sektorit privat për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës; për të zgjeruar arsimin post-sekondar në përputhje me nevojat e zonave specifike dhe zhvillimit rajonal; forcimin e kapaciteteve të përgjithshme institucionale”, – tha ministri Klosi.
    Ministri solli në vëmendje edhe programin Erasmus + i cili ofron mundësi për studentët që të studiojnë një periudhë të caktuar jashtë shtetit, me qëllim që të rrisin aftësitë e tyre për shanse më të mira punësimi. Po ashtu Klosi përmendi edhe programin e praktikave të punës i cili do të finalizohet me punësimin e 200 të rinjve në administratën shtetërore. “Një nga programet aktive në MMSR për formimin e të rinjve është dhe punësimi i tyre në kompani të ndryshme, pas procesit të trajnimit”, – shtoi Klosi.  Ai është shprehur gjithashtu se qeveria shqiptare po investon në platforma të reja për rininë, si krijimin e qendrave rinore në 12 qarqet e vendit, duke synuar realizimin e sa më shumë aktiviteteve social-kulturore për të rinjtë dhe duke shërbyer si hapësira ku ata të mund të zhvillojnë potencialin e tyre krijues.
    Sigal