Presidenti Ilir Meta pritet me nderimet e rastit nga Presidenti János Áder, në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari

660
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, u prit sot nga Presidenti i Republikës së Hungarisë, János Áder, në Sheshin Szent György. Pas interpretimit të himneve kombëtare, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë e më pas bisedimet e zgjeruara zyrtare.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera, historike e tradicionale midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjet që Hungaria dhe hungarezët e kanë dhënë Shqipërisë e shqiptarëve në momente kyçe të historisë.

 

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta theksoi se shqiptarët gjjithmonë kur festojnë Ditën e Parëvarësisë shprehin mirënjohjen e tyre edhe për kombin hungarez, për mbështetjen e dhënë në fitoren e saj dhe ekzistencën e shtetit shqiptar.

Lidhjet u bënë edhe më të forta midis dy kombeve, kur 80-vjet më pare Princesha Geraldinë Appony u bë Mbretëresha e shqiptarëve – nënvizoi Presidenti Meta.

Presidenti Meta shprehu gjithashtut mirënjohjen për mbështetjen e qartë dhe konsistente të Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Presidenti Meta, kërkoi mbështetjen e Hungarisë për arritjen e konsensusit brenda Këshillit të BE-së dhe mbështetjen e rekomandimit të Komisionit për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, Presidenti Meta, nënvizoi faktin se bashkëpunimi ekonomik e tregtar duhet t’i përgjigjet marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe potencialeve që dy vendet kanë, si në pasuri natyrore ashtu dhe në ato njerëzore.

Rivendosja e linjës direkte ajrore midis kryeqyteteve të të dy vendeve dhe hapja e Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë do të bëjnë që ky bashkëpunim të rritet ndjeshëm dhe që pas katër viteve ta festojmë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me rezultate shumë positive edhe në këtë drejtim – nënvizoi Presidenti Meta.

Të dy Presidentët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm midis Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Budapestit për menaxhimin e ujit dhe shprehën besimin se ky bashkëpunim do të shtrihet edhe më tej, duke përfituar nga eksperienca dhe teknologjia hungareze në këtë fushë.

Më tej ata u ndalën edhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe sfidat e kërcënimet me të cilat vëndet e këtij rajoni po përballen.

Presidenti hungarez Áder e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e Hungarisë, si në drejtim të integrimit evropian, ashtu edhe për nxiten e mëtejshme të bashkëpunimit ekononmik midis dy vendeve.

Më pas të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët shtypi