Prerja dhe shpërbërja e shqiptarëve nga Pakti i Parisit, 1915

    374
    Sigal

    Stefano Santoro një historian i huaj tregon se si Franca dhe Anglia ishin mbrojtëse strategjike të sllavizmit dhe plotë heshtje ndaj shqiptarëve

     Post 1912-ta, ose ajo që rëndom quhet “pas Pavarësia”, nuk solli ndonjë përparim esencial në konsolidimin e shtetit të ri të shqiptarëve, të cilët megjithëse në kompleks ishin mbledhur në Vlorë e shpallën pavarësinë e vendit, ajo Pavarësi, tragjikisht mbeti një gjysmë pavarësi, në mos edhe më pak po të kemi parasysh se Serbët në 1912-1913 zbritën gjer në Lushnje dhe, pak ditë më vonë morën edhe Beratin. Dhe jo vetëm kaq: Grekët, pasi kishin marrë kryeqendrën jugore të shqiptarëve, Janinën, vazhduan inkursionet pushtuese duke marrë Gjirokastrën, Korçën dhe mbërritur në Elbasan. Një flotë e tyre detare u vendos në det përballë Vlorës, duke demonstruar forcë të hapur pushtuese. Shteti i sapo shpallur i shqiptarëve kuptohet se kishte hapësirë tanimë vetëm Vlorën me rrethinat, Tepelenën, Fierin dhe pjesën perëndimore të Beratit. Ka shumë autorë që e përshkruajnë këtë situatë dramatike të shqiptarëve, të cilëve Pavarësia e ëndërruar dhe shpallur më 28 Nëntor 1912, ju kthye nga fqinjët një litar në fyt. Atyre ju morën forcërisht jo vetëm krahina të tëra, si Prevezën, Artën, Janinën, Shkupin e Manastirin, por dhe Kosovën, Shkodrën, Durrësin, Elbasanin dhe Beratin.

    Natyrisht fuqitë e mëdha të asaj kohe janë përgjegjëse, përpos fqinjëve grabitqarë, por përgjegjës janë edhe vet shqiptarët, të cilët nuk ditën të “lobonin” në vendet perëndimore, madje në përgjithësi i vunë shkopinj nën rrota edhe qeverisë së Ismail Qemalit, bile edhe vet atij, si shihet kur analizon atë kohë tepër të rëndë.

    Burra të shquar si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, etj., mbetën pothuaj “fiktivë” në fushëbetejë, sepse më shumë se lebërve që ruajtën “kryeqytetin”, Vlorën, të mos bjerë, (si istikam të fundit) vendet nga vinin këta burra të shquar, pra veriu kryesisht apo dhe Shqipëri e Mesme lindja dhe jugu, nuk e përballuan dot pushtimin dhe Pavarësia, post 28 nëntor mbeti e “paaprovuar” për fqinjët, por dhe për Fuqitë e Mëdha. Pavarësia realisht u kthye në një copëz pavarësi, bile vetëm me tre rrethe shtet.

    Ajo gjëmë pushtimi që ra mbi shqiptarët, pas Pavarësisë dhe pas Londrës1913, është përshkruar nga dhjetëra autorë, mes të cilëve si është publikuar diçka edhe nga vet sllavi i njohur, Trocki, atëherë fatmirësisht gazetar në këtë zonë. Ajo që duhet theksuar është përseja e madhe e krimit prej vendeve perëndimore europiane, ku përjashto disi Italinë dhe Austro-Hungarinë në thërrmim, vendet e tjera kryesore si Franca, Anglia dhe deri diku dhe Gjermania, nuk kanë parë a dashur të shikojnë krimin. Dy vendet e para, Franca, Anglia, kanë parapëlqyer madje dhe përgatitur një dominim sllavo-grek mbi shqiptarët. Ndaj dhe prerja e madhe, thika që u vendos mbi shqiptarët në Konferencën kriminale të Ambasadorëve në Londër, nuk është më një rastësi, “flop kohor”, apo keqndarje hartash. Jo. Kush disponon dokumentacion të kohës nga arkivat, libra me autorë të paanshëm, apo kujtime të protagonistëve të kohës, kupton përse Franca, Anglia miratojnë vrasjen e një populli të lasht ballkanik. Më parë se të kryhej krimi, gjëma, apo të përcaktoheshin kriminalisht kufijtë mes shqiptarëve, në katër shtete, në këto vende perëndimore ishte hedhur me kohë ideja e mbështetjes sllavo-greke. Jo thjesht se Perandoria Osmane po vdiste, as sepse ajo që do quhej Shqipëri, ishte në shumicë myslimane, por sepse sllavo-grekët, duhej të dominonin, e mundësisht, asimilonin shqiptarët. Njihet thënia e hershme e Bismarkut, për shqiptarët si një “shprehje gjeografike”. Mundet, miku i tij kryeministri Italian me origjinë të pastër shqiptare (arbëresh) Francesco Crispi, ta këtë “thyer” shpërthimin e Bismarkut, pasi dihet se Crispi është një ndër miqtë e tij më të ngushtë. Por, thënia mbeti, ndërsa prerja u bë. Ajo që mbeti në skenë, u bë albanofobi shekujsh që ende vazhdon.

    Grekët në asimilim të shqiptarëve janë më efektivë. Si tregojnë faktet, ata menjëherë pas dorëzimit pa luftë të qytetit të Janinës, (blerë me flori Esad Pasha) përzunë që të nesërmen 40 mijë shqiptarë, duke i zëvendësuar menjëherë me banorë grekë të sjellë gjer nga Athina. Krahina e madhe e Çamërisë pësoi gjenocid të rëndë dhe mijëra shqiptarë u vranë. E njëjta skemë u përdor edhe në Shkodër, ku malazezët pasi morën qytetin me tradhti të Esad Pashës, filluan “ngulmimet”, sjelljen e banorëve të tyre dhe në mungesë të përzënies në masë të shkodranëve, stimuluan e nxitën rrëmbimet, përdhunimet madje dhe krushqitë. Kush ka ndjekur dinamikën e pushtimit të Shkodrës, do të ketë hasur në të vërtetën e publikuar se u deshën gjashtë ultimatume të Italisë e Austro-Hungarisë që malazezët të largoheshin, por me “rrënjë” të lëna qëllimisht në trup të kryeqytetit të mbretërve Pleurat, birit të tij Agronit dhe gruas se Agronit, të shumënjohurës mbretëreshë Teuta. Pavarësia e shqiptarëve, që edhe sot pas 100 vjetëve ka mbetur gjysmë pavarësi, u cenua rëndë për t’u zgjeruar oreksi i fqinjëve grabitqarë. Po përse vet shqiptarët pothuaj dështuan përballë Francës, Anglisë për t’i bindur çfarë po bënin? Proverbiale kanë mbetur dy koburet e Isa Boletinit ku njëra doli në tryezë të kryeministrit anglez, “se shqiptarët nuk mund t’i ç’armatos dot as Anglia”, por proverbi nëse shqiptarëve asnjëherë, vërtetë nuk ua hoqi armët nga trupi, mbetet asketik, i zymtë, sepse u hoqi trojet Europa dhe popullsi të tëra dhe ua ngjiti artificialisht fqinjëve. Po përse? Një studiues i njohur italian, historian dhe profesionist i shumëvlerësuar, Stefano Santori na tregon qartë strategjinë. Ja ç’thotë për ta konkretizuar prerjen tonë të madhe në librin “L’Italia e l’Europa orientale”:

    “Franca kishte parashikuar tashmë që më 1883, me fondacionin “Alliance Fraincais”, për të përgatitur rrugën për një penetrim të tipit politiko-kulturor në vendet e Europës qendrore, ku shumë filiale të këtij instituti u krijuan në rrjedhën e dy shekujve. Një kalim i rëndësishëm u bë (…) në Petrograd, kur më 1912 krijoi “biblioteque”, dhe më 1919 arrijnë të krijojnë “L’institut d’etudes slaves di Parigi” krijuar nga slavisti Ernest Denis. Mbrojtja dhe forcimi i sllavëve ishte një objektiv francez i kohës.Edhe Britania e Madhe intensifikon lidhjet e saj me ambientet kulturore dhe politike të Europës lindore, gjatë luftës. Ishte veçanërisht historiani Robert Uilliam Seton-Uatson, studiues i Europës lindore, mbi të gjitha danubiano-ballkanike, që zhvillon një funksion “konsultimi”, jo zyrtare në diplomacinë britanike, për çështjet e Europës lindore që, nëpërmjet Ministrisë së Jashtme dhe mërgimtarëve në Angli, në luftë me perandorinë. Seton-Uatson kishte kontakte me vet Masaryk, si dhe me të tjerë eksponentë të lëvizjeve qendër-lindore, ku ajo jugosllave, drejtuar nga Frano Supilo e Ante Trumbic, ishte e ashpër… Në tetor 1915 Uatson krijon pranë King’s College në Londër, “School of Slavonic Studies”, për problemet e vendeve të vogla në krizën  evropiane. Pak më tej studiuesi italian na informon mungesën absolute të interesimit anglez për Shqipërinë, ndërsa rritet tepër mbështetja angleze për sllavët megjithëse qëllimi i mbështetjeve duhej të ishin edhe vendet e tjera në Ballkan, ku Shqipëria tanimë edhe ishte copëtuar:

    “Më 10 korrik 1916 Seton-Uatson, gazetari Henry Uickham Sted- ky shumë aktiv ndaj vendeve të shtypura së bashku me Anan Bryce, Elsie Inglis dhe A.Fredric Uhyte, i japin jetë “Shoqërise serbe të Mbretërisë së Bashkuar”, me objektivin që të rrisin ndikimin britanik për një akord miqësor ndërmjet sllavëve të jugut, Italisë, Rumanisë”. Shihet qartë mungesa e akordit “miqësor” e sllavëve të jugut me shqiptarët. Përse, kur Kosova, pjesë shqiptare, dihej kishte rënë nën sundimin serb, malazez, maqedonas dhe grek? Historiani italian duke folur për Shqipërinë na tregon se: “Sipas tekstit të Paktit të Parisit 1915, edhe Italisë i jepej protektorat mbi “një qytet të vogël shqiptarë, vendosur në qendër të Shqipërisë bazuar mbi sovranitetin e Vlorës dhe ishullit të Sazanit. “Il rimanente territorio albanese avrebbe dovuto invece essere spartito fra Grecia, Serbia, Montenegro”. (territori i mbetur shqiptar duhej të ndahej ndërmjet Greqisë, Serbisë, Malit të Zi”